Përse duhet një marrëveshje me FMN-në
Nga Ardian Fullani, Guvernator i BSH, 1 dhjetor 2013
Së shpejti përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar do të vizitojnë Shqipërinë për të gjykuar mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe perspektivën e saj të ardhshme. Gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë, përfaqësuesit e Fondit pritet të diskutojnë mbi pritshmëritë ekonomike të vendit në periudhën afatmesme, parë kjo nga këndvështrimi i FMN-së kundrejt atij të autoriteteve shqiptare. Nisur edhe nga zhvillimet e fundit ekonomike në vend, një pyetje e përhershme që ka shoqëruar debatin publik ka qenë mundësia e nënshkrimit të një marrëveshjeje të re bashkëpunimi ndërmjet FMN-së dhe autoriteteve shqiptare.
Qëndrimi im për këtë çështje ka qenë plotësisht në mbështetje të negocimit të një marrëveshjeje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Kjo pasi jam i bindur se ekonomia jonë do të përfitojë, veçanërisht në kushtet aktuale kur qëndrimi i FMN-së ndaj vendeve në zhvillim është bërë më fleksibël. Aktualisht sfida më e madhe me të cilën përballet ekonomia shqiptare është rigjallërimi i aktivitetit ekonomik, sigurimi i ritmeve të qëndrueshme të rritjes ekonomike dhe të punësimit. Këto janë sfidat me të cilat po përballen njëkohësisht të gjitha ekonomitë e Europës Qendrore e Juglindore.
Objektiv kryesor mbetet rritja e konkurrueshmërisë: me fjalë të tjera, krijimi dhe rritja e kapaciteteve prodhuese, për të prodhuar mallra e shërbime me cilësi më të lartë e kosto më të ulët, sesa konkurrentët tanë. Aktualisht ekonomia jonë dhe ato të rajonit janë shumë të vogla në madhësi, për të gjeneruar kërkesë të brendshme të mjaftueshme për të nxitur punësimin, dhe të shtrenjta në kosto për të përballuar konkurrencën që vjen prej ekonomive aziatike. Njëkohësisht ekonomitë tona janë të vogla edhe në raport me ekonomitë e Europës Qendrore, madje vuajnë nga një produktivitet i ulët, që nënkupton se në kushtet aktuale cilësia dhe sasia e prodhimit për njësi pune është më e ulët se në partnerët tanë të drejtpërdrejtë, si në planin rajonal, ashtu edhe në atë global. Rritja e prodhimit dhe e punësimit janë të vetmet alternativa për të mundësuar krijimin e vlerave që do të garantojnë konvergjencën me ekonomitë e zhvilluara europiane.
Për ekonomitë e Europës Qendrore ky fenomen ndodhi kryesisht në fund të viteve 1990 dhe u mundësua nga investime kapitale prej tregjeve europiane e atyre globale. Faktorët që mbështetën këto flukse kapitale u zbehën me shpërthimin e krizës financiare globale dhe u tërhoqën plotësisht pas krizës së borxhit sovran. Aktualisht tregjet botërore të kapitaleve janë tërhequr nga ekonomitë e Europës Lindore dhe të vendeve të tjera në zhvillim. Në mungesë të kapitalit të lirë nga jashtë, reformat strukturore në tregjet e punës, të kapitalit, tregut të tokës dhe sistemit të pensioneve mbeten të vetmet mundësi për tërheqjen e kapitaleve dhe investimeve të huaja në mbështetje të rritjes dhe të punësimit. Këto reforma kanë një kosto të lartë financiare dhe përfitimet shfaqen në periudhë afatmesme e afatgjatë.
Ndërkohë, politikat ekonomike aktuale janë të orientuara nga ruajtja e ekuilibrave të brishtë makroekonomikë e financiarë dhe janë të detyruara të fokusohen në kapërcimin e vështirësive të momentit të shkaktuara nga kriza që ka mbërthyer jo vetëm rajonin tonë, por edhe partnerët tanë europianë. Prioritetet e momentit nuk e mbështesin ose më mirë të themi e vështirësojnë ndërmarrjen dhe zbatimin e menjëhershëm të reformave strukturore në ekonomi, të paktën të atyre që kërkojnë burime dhe mbështetje financiare. Por, zgjidhjet përfundimtare të problemeve afatshkurtra do të vijnë në kuadrin dhe kontekstin e përfitimeve dhe konvergjencës ekonomike. Rrjedhimisht, zgjedhjet në përcaktimin e prioriteteve ekonomike, të edukimit, të punësimit, boshllëkut ekzistues në kapitalin human e financiar, politikat fiskale, reformat strukturore dhe ligjore duhet të orientohen nga vizioni dhe objektivat tanë për 20 vitet e ardhshme.
Në këto kushte, kur zgjidhjet afatgjata dhe problematika afatshkurtër në ekonomi janë të ndërlidhura e kushtëzojnë njëra-tjetrën, është i domosdoshëm adoptimi i ankorave të brendshme dhe të jashtme, të cilat do të mbështesin politikat ekonomike dhe të zhvillimit. Duke e parë situatën ekzistuese me një spektër 360 gradë, në një kontekst global, duke vlerësuar kohën dhe mënyrën e vendimmarrjes me qetësi, vlerësoj se vendit i nevojitet dhe e meriton të shkojë si partner drejt një marrëveshjeje të re fleksibël me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Nga këndvështrimi i përgjithshëm, ekonomia shqiptare gëzon stabilitet ekonomik dhe financiar. Ekonomia jonë vazhdon të prodhojë rritje ekonomike pozitive, kemi një sistem të qëndrueshëm financiar, inflacion të ulët por të kontrolluar, kurs këmbimi relativisht të qëndrueshëm dhe norma të ulëta të interesit për financimin e borxhit publik. Gjithashtu, politikat makroekonomike së fundi kanë qenë në linjë me natyrën dhe rekomandimet e programeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Nënshkrimi në këto kushte mundëson një marrëveshje dinjitoze dhe njëkohësisht bën të mundur minimizimin e kostove që shoqërojnë reformat e ndërmarra aktualisht nga autoritetet. Në të njëjtën kohë, në gjykimin e investitorëve të huaj sidomos të atyre në sektorin bankar, kjo do të ndihmonte në uljen e primeve të rrezikut për vendin. Eksperienca e vendeve të tjera ka treguar se ndërhyrja e Fondit Monetar Ndërkombëtar ka mundësuar që Sovereign Ratings (vlerësimi i borxhit sovran) të rikthehen në pozicionet e tyre të mëparshme dhe Spread – et (diferencat në interesat e borxhit) janë ngushtuar menjëherë duke ulur nervozizmin dhe hezitimin e agjentëve për të investuar në këto tregje. Në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare duket se rreziku më i madh lidhet me sigurimin e mjeteve monetare për të përballuar nevojat e menjëhershme që lindin nga njohja e detyrimeve të qeverisë ndaj biznesit dhe nevojat afatmesme për të përballuar detyrimet apo për të mundësuar riinvestimin e detyrimeve që rrjedhin si pasojë e stimujve të jashtëzakonshëm fiskalë të aplikuar në vitin 2009. Marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar do të adresonte skepticizmin e tregut të brendshëm dhe atij ndërkombëtar për madhësinë e borxhit publik, veçanërisht në kushtet e një mungese të madhe në fonde valutore në lidhje me kreditimin e ekonomive të rajonit tonë. Sipas të gjitha analizave të besueshme të vetë tregut dhe të institucioneve të rëndësishme financiare ndërkombëtare, ekzistojnë një numër rreziqesh, jo vetëm për ekonomitë në zhvillim, por edhe për të ashtuquajturat ekonomi të zhvilluara. Partnerët tanë kryesorë tregtarë dhe financiarë janë të fokusuar në problemet e tyre të ekonomisë reale dhe sistemit financiar. Politikat e tyre të korrektimit kanë efekte anësore negative për ekonominë shqiptare që shfaqen në një kërkesë të ulët për produktet tona, në rënien e remitancave dhe në kufizimin e financimeve përmes investimeve direkte dhe formave të tjera të kapitalit ndërkohë që, pavarësisht nga axhustimi i pjesshëm i vërejtur së fundi, raporti i llogarisë korrente ndaj PBB-së vijon të jetë shqetësues. Varësia e ekonomisë shqiptare ndaj vendeve në vështirësi si Greqia e Italia, kërkon marrjen e masave për përballimin e një situate të mundshme mosfinancimi të bilancit të pagesave. Për më tepër autoritetet monetare europiane dhe rregullatorët e tregut bankar e financiar shprehen se ekziston një vendim politik që çdo ekonomi europiane me mungesa financimi duhet të gjejë fondet në bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Marrëveshja e re do të siguronte fonde valutore të sigurta me kosto të ulët drejtpërdrejtë nga llogaritë e FMN-së. Kjo do të rriste vlerësimin e Shqipërisë në lidhje me aftësinë e saj për të shlyer borxhin e huaj, e do të ofronte akses më të madh në tregun financiar ndërkombëtar me kosto më të ulëta financimi. Marrëveshja është një lajm pozitiv edhe për investitorët e huaj dhe partnerët potencialë, jo vetëm nga këndvështrimi i sigurimit të mjeteve financiare por edhe si një garanci për aplikimin e politikave të kujdesshme dhe adaptimin e një rregulli të besueshëm fiskal që mundëson konsolidimin e financave publike në periudhë afatmesme dhe njëkohësisht mban nën kontroll trajektoren e borxhit publik. Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk mund të zgjidhë sfidat e zhvillimit afatgjatë të ekonomisë shqiptare. Problemet që lidhen me konkurrueshmërinë, punësimin e zhvillimet demografike, shfrytëzimin e kapaciteteve, dhe ripozicionimin e ekonomisë sonë në rajon dhe në ekonominë globale, kërkojnë ndërmarrjen e reformave strukturore në edukim, punësim, zgjerimin dhe thellimin e tregjeve financiare e të kapitalit, përshtatjen dhe unifikimin e legjislacionit dhe bashkërendimin e reformave strukturore në nivel rajonal e europian. Por, kapërcimi i këtyre sfidave do të jetë më i lehtë në kushtet e qetësisë që ofron një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Kjo marrëveshje duhet dhe mund të karakterizohet nga një fleksibilitet i mjaftueshëm që të garantojë të gjithë hapësirat e domosdoshme për të stimuluar vazhdimin e reformave strukturore dhe rritjen ekonomike të qëndrueshme të vendit në terma afatgjatë pa u kushtëzuar nga problematika afatshkurtër. Së fundmi shpreh bindjen time se lajmi i një marrëveshjeje do të pritet pozitivisht nga tregjet financiare, të brendshme dhe të jashtme, dhe njëkohësisht do të interpretohet si një garanci se Shqipëria gëzon një ambient të shëndetshëm ekonomik dhe financiar, me mundësi të mëdha investimi dhe fitimi.