Të dukesh, jo të bësh*
Nga Koloreto Cukali, botuar në Dita, 28 nëntor 2013
Duke lundruar në sajte lajmesh, u ndesha rastësisht me aktivitetin publik të disa funksionarëve të lartë në ditët e fundit. Dhe çfarë më kapin sytë: një ministër bujqësie që inspekton një dyqan mishi, një ministre që bashkëbisedon me studentët, një nënkryetar bashkie që viziton pemët e prera në park. Këta më kapi syri sot, por, pas ca ditësh do të mund të shihni të tjerë ministra e funksionarë të lartë që shfaqen në lajme me aktivitete të ngjashme. Përditë ne na kalojnë para syve lajme të tilla, dhe në përgjithësi i ndjekim me një minimum vëmendjeje. Ndoshta mund tu kushtojmë më shumë vëmendje, për të parë se çfarë halli kanë funskionarët e shtetit shqiptar.
Vizita e Sekretarit të Parë
E pakta që mund të them, është që këto farë aktivitetesh më duken totalisht të kota e të panevojshme. Çfarë mund t’i vlejë punës së ministrisë së bujqësisë vizita e ministrit në një dyqan mishi? Mos vallë që të nesërmen do nisim të hamë mish pa hormone? Mos vallë mishi befas do nisë të jetë i kontrolluar një ditë më pas? E dyshoj, madje jam i bindur që jo. Këto lloj aktivitetesh më kujtojnë pak vizitat e Sekretarit të Parë të Partisë, por dhe edhe atëherë nuk zgjidhej gjë edhe pse fuqia e një sekretari partie ishte ku e ku më e madhe se e një ministri. E vetmja arsye që mund tu japë këtyre dhe fotove të gjithë të tjerëve, është “dukja”.
Të dukesh, jo të bësh
Ka ministra që perëndia u jep shansin të dalin me një fëmijë në krah. Ka të tjerë, që profili nuk ua sjell këtë rast. Pavarësisht, klasa politike shqiptare vuan për t’u dukur. Funksionarët tanë vuajnë nga mania e protagonizmit publik ekstrem. Të tërë duan të duken, dhe media është aty, dembele për të kërkuar nga vetja ca më shumë se kaq, e blerë, gati për të bërë qoka.
Unë besoj që mjafton që ministrat të ngrenë strukturat përkatëse, dhe çdo problem ka zgjidhjen e vet. Por, nëse ministrat e kryetarët e kalojnë kohën duke bërë qoka protagonizmi me fotografë nga pas, kush është në Ministri duke ngritur strukturat?
* Titulli origjinal “Një foto me ministrin… Jo, një foto e ministrit me ty”