Fule BE-së: Jepini statusin Shqipërisë
29 nëntor 2013
Komisioneri për Zgjerim Stefan Fule bën përpjekjen e tij të radhës duke i nisur një letër të gjatë 27 vendeve anëtare të BE-së, ku i kërkon të votojnë pro rekomandimit të Komisionit Evropian, që Shqipëria në mbledhjen e Këshillit të BE-së të marrë statusin e vendit kandidat.
Në këtë letër, Komisioneri për Zgjerimin i bën një skaner të hollësishëm zhvillimeve integruese, duke theksuar se në progresraportin e fundit, Shqipëria ka arritur standardet e vendosura në vitin 2012 të domosdoshme për marrjen e statusit. Fule u dërgon vendeve anëtare një sërë të dhënash të reja që lidhen me hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare e kryeministrit Rama, pas publikimit të progresraportit në tetor.
“Dëshiroj t’ju informoj për zhvillimet më të fundit në Shqipëri, posaçërisht në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, sikurse dëshiroj të ndaj me ju pikëpamjet e mia për këto zhvillime përpara mbledhjes së dhjetorit të Këshillit të Ministrave, ku do të merret vendimi për rekomandimin e Komisionit Europian. Në 12 Nëntor Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama lancoi dialogun e nivelit të lartë që lidhet me prioritet kyçe, me qëllim ndihmën e mëtejshme për ta shtuar fokusin dhe koncensusin në integrimin europian. Ky takim ishte një eveniment për t’i bërë një inventar e rezultateve të para të arritura nga Qeveria e re dhe autoritetet dhe planeve të mëtejshme, që lidhen me reformat e kërkuara nga BE-ja. Që kur Qeveria e udhëhequr prej Kryeministrit Edi Rama mori detyrën në shtator ka pasur një vendosmëri të qartë në rritjen e Qeverisjes, zbatimit të shtetit ligjor këto të lidhura me reformat. Mes masave të para të ndërmarra në luftën ndaj korrupsionit është emërimi një koordinatori në rang kombëtar për antikorrupsionin, i cili do të përmirësojë ndërveprimin institucional për këtë çështje. Një tjetër hap lidhet me mandatin e komisionerit që pritet të konfirmohet nga Qeveria në ditët në vijim. Sakaq Komisioneri është përfshirë në hartimin e projektligjit për strategjinë e antikorrupsionit që pritet të përfundojë në dhjetor”, shkruan Fyle.
Komisioneri Fyle në letër rendit të gjitha veprimet antikorrupsion të ndërmarra nga Prokuroria për periudhën Shtator-Tetor, ku janë hapur një mori hetimesh në sektorë delikatë, siç thekson ai, si policia, arsimi, shëndetësia, autoritetet lokale, sektori taksave dhe doganave.
Janë 13 hetime pro aktive për korrupsion, informon Fyle, ndërsa 9 raste i janë referuar Prokurorisë për hetim të aseteve në çështje korruptive të nivelit të lartë, përfshi këtu edhe atë të kryetarit të Bashkisë Vlorë Shpëtim Gjika, një zyrtar i lartë i Partisë Socialiste, e cila qeveris vendin, thekson Fyle.
Nuk mbetet jashtë letrës së Fyles roli i Policisë së Shtetit. Komisioneri thotë se gjatë po të njëjtës periudhë, agjencitë ligjzbatuese i kanë shtuar përpjekjet e tyre përballë krimit të organizuar. Veprimet e ndërmarra gjatë dy muajve të fundit, nënvizon Fyle, kanë krijuar një panoramë pozitive. Këtë Fyle e argumenton me një sërë operacionesh të suksesshme policore, si ai në bashkëpunim me EUROPOL-in për makinat e vjedhura apo lojërat e fatit, ku u zbuluan 500 vepra kriminale, përfshi shtimin e përpjekjeve në luftën ndaj narkotikëve, ku janë arrestuar 318 të dyshuar për këtë vepër penale.
Përballë të tilla përpjekjeve të Qeverisë shqiptare, Komisioneri Fule në letrën drejtuar vendeve anëtare të BE-së jep këtë konkluzion: “Duke pasur shansin të kem bisedime me Qeverinë dhe opozitën,unë jam i bindur se Shqipëria ka ndërmarrë hapa vendimtarë në forcimin dhe funksionimin e institucioneve demokratike gjithashtu duke u angazhuar në mënyrë të gjithanshme në kryerjen e reformave. Qartësisht në dy muajt e fundit, Shqipëria ka forcuar pozitat e saj në marrjen e statusit të vendit kandidat. Duke marrë në konsideratë rekomandimin e Komisionit, Këshilli do të dërgojë një sinjal të fortë tek populli shqiptar, njëkohësisht duke shërbyer si një konsolidim në përfshirjen europiane të vendit. Kjo do të ndihmojë Qeverinë dhe opozitën në shtimin e promovimit të kulturës demokratike mbi të githa gjithëpërfshirës duke prodhuar më shumë reforma. Shpresoj se elementët e mësipërm do të ndihmojnë për një dialog të frytshëm në ditët në vijim”.
Përgjigjja përfundimtare e vendeve anëtare të BE-së për statusin e Shqipërisë pritet të merret në ministerialin e 19 dhe 20 dhjetorit në Bruksel.
Sfida e statusit për Shqipërinë
Me gjithë rezolutën e Parlamentit Europian dhe mbështetjen e eurodeputetëve, çështja e statusit nuk është e përfunduar. Eurodeputetët mendojnë se do të duhet punë për të bindur vendet anëtare të aprovojnë.
Duke iu referuar luftës kundër korrupsionit raportuesi për Shqipërinë Nikola Vuljaniç iu referua denoncimit të ‘Fiks Fare’ për korrupsionin në drejtësi duke thënë se shpresoj që kjo video të pasohet nga arrestime.
Kreu i Delegacionit për Ballkanin në PE, Eduart Kukan: Unë nuk do të thoja me aq lehtësi se vendet anëtare do pajtohen me rezolutën, për shkak të përvojës. Komisioni rekomandoi e Parlamenti mbështeti 5 vjet radhazi Maqedoninë, e Këshilli gjithnjë vendosi ndryshe. Por, mendoj se rezoluta që do të miratohet do të luajë një rol të rëndësishëm për Këshillin, përpara marrjes së vendimit në dhjetor. Thjesht, ata nuk mund ta injorojnë atë.
Eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein: Kjo nuk mbaron veç me këtë rezolutë. Për shembull, në rastin tim, më duhet të shkoj në Berlin. Jo vetëm unë, por dhe disa kolegë të partive të tjera. Shkojmë për të bindur, nëse nevojitet, qeverinë gjermane. Pra, ne do votojmë këtë rezolutë e do të bëjmë maksimumin me qeveritë në shtëpitë tona për të pasur një rezultat të mirë në Dhjetor.
Siç thuhet në raportin tuaj dhe atë të Komisionit, korrupsioni dhe pandëshkueshmëria për krimet janë të gjithëpërhapura dhe mbetet problem serioz korrupsioni në gjyqësor. A jeni në dijeni të videos së transmetuar nga ‘Fiks Fare’?
Raportuesi për Shqipërinë, Nikola Vuljaniç: E pashë videon dhe lexova lajmin, e mendoj se kjo është rruga e duhur për të vepruar mbi këto gjëra. Një ndihmës i Prokurorit të Përgjithshëm u filmua ndërsa kërkonte ryshfet, apo diçka e ngjashme, për të liruar disa njerëz, jashtë burgut, dhe ai u hoq nga detyra brenda disa minutave. Kështu thuhet në artikullin që lexova, pak minuta pas transmetimit.
Dhe një hetim vijon për gjyqëtarë të përfshirë…
Raportuesi për Shqipërinë, Nikola Vuljanic: Shpresoj vërtet që të arrestohen. Kjo nuk thuhet në artikull. Kryesorja është që të shihet se ka një prirje, një vullnet. Një tjetër pikë kyçe është klikimi mendor në kokën e popullit në përgjithësi, i cili duhet të thotë se korrupsioni është i keq. E njoh mentalitetin e Ballkanit. Korrupsioni është mënyra për të gjetur rrugën tënde në shoqëri. Për të çarë e për të arritur sukses në jetë, përmes korrupsionit. Tani, ky klikim i mentalitetit se kjo gjë është e keqe, është një çështje vendimtare. Kjo është pika për të arrestuar një ministër, një Prokuror të Përgjithshëm, një Kryeministër.Pozicioni i medias në Shqipëri është vërtet për të qeshur. Pashë televizionin çdo natë kur isha atje, edhe pse nuk e kuptoj gjuhën. Thjesht për të parë se si funksionon. Ka shumë transmetues privat të pavarur, që më dukeshin plotësisht profesional, si Top Channel e të tjerë. Nga ana tjetër ka një televizion publik të varfër, çfarë është e gabuar. Vendi duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje mediave publike sepse ato janë burimi kryesor e parësor i informimit për qytetarët.
Zoti Kukan, nuk pati amendament nga ju kësaj radhe për 21 Janarin. 4 veta u vranë, siç e dini në protestën e dy viteve më parë. Pati gjykim, por asnjë fajtor për humbjen e jetëve, njësoj si në rastin e shpërthimit të 2009 në Gërdec. Supozoj se mbetët i kënaqur nga gjykimi?
Kreu i Delegacionit për Ballkanin në PE, Eduart Kukan: Jo, jo. Nuk jam i kënaqur me gjykimin. Mbaj të njëjtin qëndrim mbi këtë çështje dhe siç e kam thënë më parë, derisa kjo çështje të hetohet në mënyrën e duhur dhe objektive, dhe që të merren me ata që rezultojnë përgjegjës për këtë, deri atëherë në skenën politike shqipëtare do të ketë një mungesë e nuk do të mund të thuhet se gjithçka shkon mirë. Pse nuk e futa këtë amendament, nuk e di, por mbaj të njëjtin pozicion dhe do jua dëshmoj juve duke insistuar në të ardhmen për këtë. /TCH/