FMN: Shqipëria mban rekord për kreditë e këqija
28 nëntor 2013
Shqipëria zyrtarisht është vendi me nivelin më të lartë të kredive me probleme në të gjithë Evropën Lindore. Aktualisht niveli i huave të pakthyera në afat ka arritur në 25%, duke bërë kështu vendi i parë, dhe pas nesh të vijnë Rumania dhe Serbia.
Të dhënat bëhen të ditura nga një raport i publikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili përveç përqindjes së lartë, shpreh shqetësimet se gjatë viteve të krizës në vendin tonë është rritur mjaft jo vetëm vonesat në pagesat e kësteve, por edhe huatë që bankat nuk kanë më shpresa për t’i kthyer.
Mosshlyerja e detyrimeve të prapambetura që shteti i ka bizneseve por edhe përkeqësimi i bilanceve të sektorit privat ka sjellë për ekonominë shqiptare një ngërç, i cili pavarësisht masave të marra nga institucionet nuk po sjell efekte.
Në dy vitet e fundit Banka e Shqipërisë ka ulur 8 herë normën bazë të interesit për lekun me qëllim stimulimin e kreditimit, por situata e huave me probleme i ka bërë të paefektshme këto lëvizje. Një ditë më parë Banka Qendrore çoi në një tjetër nivel historik interesin për lekun duke e zbritur atë në 3.25%.
Rekomandimet që vetë fondi i ka bërë Shqipërisë është pagesa sa më parë e detyrimeve që shteti i ka bizneseve, ndërkohë që lidhur me këtë çështje ministria e Financave ka kontraktuar kompaninë “Deloitte”, e cila në datën 30 nëntor bën certifikimin e borxhit dhe në 2014-ën do të nisin pagesat.