Shifrat që “trembin” strategjitë

Nga Bardhi Sejdarasi, botuar në Java, 27 nëntor 2013

Nëse ka një sipërmarrje politike që mund të quhet me tërë kuptimin e vërtetë të fjalës “sfidë”, kjo është politika e qeverisë së re “Rama” për punësimin. 300 mijë të punësuar të rinj në hapësirën e një mandati qeverisës e kalon edhe imagjinatën më optimiste… Por duket se llogaritë janë bërë, ndonëse shifrat në tavolinë “trembin” çdo strategji të re që është duke u hartuar

Në vend të prologut…

Në shtator të vitit 2012 qeveria e ikur thirri në ndihmë donatorët dhe, duke iu bashkëngjitur ideve të tyre dy ministri; ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe ministrinë e Punës. Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, iu kërkoi hartimin e një strategjie të re (2013-2020), një strategji kombëtare për edukimin profesional, trajnimin dhe mësimin gjatë gjithë jetës (National Strategy for VET and Lifelong Learning in Albania). Hartimi i strategjisë angazhoi një numër të konsiderueshëm aktorësh të rëndësishëm në vend, por edhe donatorë të njohur, që kishin 20 vjet që kontribuonin për këtë sektor. Jo vetëm kaq; kjo strategji u thirr jo thjesht në mbështetje të strategjive të tilla europiane dhe që kishin si synim edhe objektivat e Shqipërisë për anëtarësim në BE, por edhe sepse gjendja e tregut të punës, të arsimit dhe formimit profesional (por edhe e të të mësuarit gjatë gjithë jetës) kishin filluar të tregonin rënie, stanjacion dhe një lloj kundërshtie midis nevojës për burime njerëzore dhe pamundësisë së tregut të brendshëm për t’i krijuar ato. E kam fjalën për burime njerëzore profesionale, për ato për të cilat u fol edhe tre ditë më parë në konferencën “Vizioni dhe Prioritetet për punësimin dhe aftësinë 2020”

Çfarë thoshin shifrat?

INSTAT deri në këtë kohë raportonte vetëm shifra empirike, (studimi ishte një here në vit), të cilat disa herë jo vetëm që nuk përkonin me realitetin, por na bënin qesharake në raportime ndërkombëtare, për kundërshtitë e tyre, për faktin se institucione të ndryshme jepnin shifra të ndryshme dhe raporte të ndryshme nuk raportonin asnjëherë gjendjen reale të punësimit, papunësisë, forcës reale të krahut të punës etj etj. Viti 2013 solli një realitet tjetër. INSTAT realizoi një metodologji tjetër në matjen e tregut të punë dhe të situatës në të. Iu largua Ministrisë së Punës dhe vrojtoi tregun një herë në tre muaj, duke nxjerrë statistika të ndryshme nga ato të mëparshmet.

Sipas INSTAT, numri i rrogëtarëve (në shtet dhe privat,) ishte vetëm 398 mijë. Ne kishim raportuar gjithnjë shifrën 463 mijë (flas për vitin 2012). Firot nuk mund të jenë gjë tjetër, vetëm ajo që ka raportuar sipërmarrja, pra humbja e vendeve të punës për shkak të krizës, mungesës së prodhimit, të kontratave, të investimeve, të kredive, etj etj, një varg i gjatë arsyesh, që i kemi trajtuar edhe më parë. Edhe INSTAT e “gjen” më në fund këtë shifër, por e raporton vetëm si 54 mijë të papunë, që i zbriten numrit prej 452 mijë të puënsuarish që merrnin rrogë deri në fund të vitit 2011. Pavarësisht diferencës, vihet re trendi, pra humbja e vendeve të punës. Sado informalitet të ketë kjo shifër, serish tendenca është e dukshme: ka gjithnjë e më shumë humbje vendesh pune dhe jo hapje vendesh të reja, ka ndërmarrje që mbyllen dhe jo hapje biznesesh të reja. (Më kujtohet se sa herë shkruanim për këtë çështje vitin e kaluar, sidomos duke iu referuar sektorit të rregjimit të  përpunimit aktiv, ndërtimit etj, qeveria nxirrte në intervistë drejtorin (e dorëhequr tashmë) të QKR, i cili raportonte mijërat e ndërmarrjeve të reja të krijuara?! Ndërmarrje të reja, por edhe punëtorë të pushuar. Nejse! Kjo duket se nuk do të ndodhë më. Dhe mirë bëhet. Shifrat, statistikat nuk mund të përdoren për të rrahur gjoksin, ose anasjelltas, por për të bërë analiza dhe për të gjetur zgjidhje që përmirësojnë gjendjen.

Duke iu referuar përsëri INSTAT, shënon rënie edhe numri i të vetëpunësuarëve, me jo më pak se 5 mijë brenda një viti. Janë 31 mijë gra që kanë humbur pagën gjatë 2012. Siç janë edhe 22 mijë burra- siç thotë INSTAT. Nuk po i përmend këtu sektorët respektive që kanë sjellë humbjen e pagave të të punësuarëve, për të mos e lodhur lexuesin me shifra, por thjesht po raportoj edhe një shifër të entit tonë statistikor kombëtar, pra humbjen e pagës në sektorin publik-shtetëror: janë rreth 10 mijë njerëz që kanë mbetur pa rrogë gjatë vitit 2012.

Ministri i ri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë tha në konferencën që përmenda në fillim të shkrimit se 61% e të papunëve janë të rinj, ose për ta thënë më thjesht; vetëm rreth 40 % e tyre kanë mundur të gjejnë punë. Unë po shtoj këtu edhe një shifër që është vërtet tronditëse: 231 mijë shqiptarë janë diplomuar në shkollat tona të larta. Nga këta-thotë INSTAT, vetëm 143 mijë janë aktualisht të punësuar.

INSTAT vlerëson se rreth 14 për qind e popullsisë mes 15 dhe 64 vjeç është e papunë dhe në kërkim aktiv për punë. Dhe këtu merren parasysh të gjithë shqiptarët me pagë, si dhe të gjithë shqiptarët e vetëpunësuar në bujqësi. Kjo është gjendja në vija të përgjithshme.

Nuk po i hyjmë një analize tjetër që hap debat, asaj të rritjes ekonomike pa punësim. Qeveria “Rama” e ka artikuluar shpesh këtë dhe ka ofruar disa zgjidhje në programin e saj ekonomik. Do të presim edhe pak për të bërë një analizë të kësaj strategjie, sidomos po të marrim në konsideratë premtimin se brenda 100 ditëve të para do të trainohen të gjithë të papunët nën 25 vjeç. Një nismë e mirë, për të qënë realistë.

Vizioni, prioritetet

për punësimin dhe…

Qeveria e re e hodhi shpejt hapin e parë. Mua m’u duk një hap i mirë, po të kesh parasysh jo vetëm ndryshimin e strukturës ekzistuese të ministrisë që është përgjegjëse për punësimin, por edhe network-un e aktorëve të tjerë të rëndësishëm të ofruar pranë kësaj ministrie. Ministri Veliaj ishte kujdesur sakaq që pjesë e realizimit të projektit të tij sfidues të ishin edhe zv/kryeministri, edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Pse? Sepse një koordinim politikash nuk mund të bëhet nga një ministri e vetme! Ky gabim ishte identifikuar edhe nga qeveria e kaluar, kur për punësimin përgjigjej një ministri, për rininë një tjetër, për arsimin dhe formimin profesional një tjetër dhe për të nxënit gjatë gjithë jetës, kush e di se kush. Tashmë “gjalpi është në lakror”, pra entet do të punojnë në një drejtim, donatorët do të mund të ofrojnë dijet dhe financat në një “zyrë” të vetme, aktorët e tjerë- dhe këtu kam parasysh partnerët socialë- gjithashtu- e kështu me radhë. Ajo që duhet vlerësuar në këtë mes, pavarësisht “trembjes” që vjen nga shifrat e mësipërme është ideja e re e hartimit të një vizioni të ri për punësimin, por sidomos për arsimin profesional, formimin profesional dhe të nxënit gjatë të gjithë jetës. Ka vërtet ide të mira, por më duket se ka edhe financa për të realizuar një strategji të mirë, gjithëpërfshirëse, jo të përkthyer  nga kush e di se nga cili vend dhe të lënë mbi tavolinën e ministrit. Rezultati? Duhet të shihet hap pas hapi, por ka premisa. Unë nuk jam nga ata që duartrokas për këtë, jo vetëm se kam më shumë se 8 vjet si anëtar i Këshillit Kombëtar të Punës, por, sepse siç e thashë, kjo është një sfidë e madhe, një sfidë që sjell në çdo hap të papritura, që kërkon financim, koordinim dhe sjellje të ndryshme nga ajo e mëparshmja. Unë dua të vlerësoj qasjen me të cilën qeveria e re është duke punuar në këtë drejtim. Ju kujtoj vetëm një deklarim të ministrit Ahmetaj. Duke folur për edukimin e shkollimin, ministri i Zhvillimit Ekonomik tha se “ka një filozofi që ne si qeveri duam të ngulitim në strategjinë tonë për arsimin profesional”. “Edukim për të gjithë? Patjetër edukim për të gjithë. Edukim të zgjuar e profesional. Më shumë se sa edukim për të gjithë ne do të duam edukim profesional në mënyrë që edukimi dhe rezultati i edukimit të jetë i lidhur me tregun e punës. Ndryshe kemi dështuar dhe në finale do të kemi 40 mijë juristë, do të kemi 40 mijë ekonomisë, 40 mijë shkencëtarë pa punë. Ndërkohë që Shqipëria ka nevojë për tregun profesional”, tha z. Ahmetaj.

Një treg me shumë mundësi, por…

Në kushtet në të cilat ndodhet vendi, kur mbi 50 mijë veta në vit po humbasin pagën, do të thotë se kambana e alarmit nuk tingëllon vetëm në orët fikse, si në kishë. Sot e gjithë ditën duhet orientuar zgjidhja. E thjeshtë për të kuptuar se qeveria nuk mund e nuk dëshiron të punësojë të papunët e shumtë. Vetë programimi i qeverisë në këtë vit flet për shkurtim të administratës publike, më së shumti për shkak të eficencës së saj të ulët, me rreth 18 % (shpresoj që kjo të jetë shifra e saktë që do të serviret së bashku me buxhetin 2014).

Aktorë të tjerë të tregut të punës janë punëdhënësit e mëdhenj, biznesi, investimet vendase e të huaja. Por edhe arsimi professional mund e duhet të sjellë akses në punësim. Qeveria e z. Rama ka shprehur vullnetin për të krijuar 300 mijë vende pune, duke bërë edhe një lloj specifikimi të sektorëve që kanë mundësi të punësojnë punonjës të rinj: sektori i manifakturës, p.sh., mund të punësojë deri në 40 mijë punëtorë të rinj, sektori i shëndetësisë dhe shërbimeve shëndetësore, mund të punësojë deri në12 mijë punëtorë të rinj, sektori detar, pra ai i peshkimit, mund të punësojë deri në 15 mijë punëtorë të rinj e kështu mund të vijoj me sektorin e agrobiznesit (155.000), turizmi (11.000), IT (4000) etj etj.

Pra duket se ka treg, por nuk janë treguar akoma rrugët për të shkuar drejt këtij tregu të punësimit masiv. E para, sepse institucionet e derisotme, nuk kanë mundur ende të tregojnë me shifra se cilat janë nevojat reale për punë në sektorin publik e privat, se cilët janë sektorët që premtojnë ecuri në investime dhe zhvillim të biznesit, se cilët janë sektorët që mund të shërbejnë për diversifikimin e investimeve, se cilët janë rajonet që mund të ofrojnë më shumë mundësi punësimi… Pyetje të tilla mund të sjellësh pa fund. Mungojnë ofertuesit publikë, sikundër mungojnë edhe ofertuesit privatë, sepse nuk ka një mekanizëm që pasqyron ofertën dhe ky duhet të jetë një mekanizmëm unik. Ka vetëm përpjekje, por jo rezultat.

Kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër është ajo se ende nuk janë të shprehura aftësitë që kërkohen nga ekonomia në nivel kombëtar, apo në nivel rajonal. Çfarë vende të reja pune janë duke u hapur, çfarë profesione në nivel të mesëm e të lartë janë duke u kërkuar nga sipërmarrja, çfarë trainimesh janë të nevojshme dhe si sigurohet mbështetja financiare për këto trainime? Nuk ka asnjë të dhënë as për këtë tregues! Nëse duhet të parashikojmë punësimin deri në vitin 2020, duhet të integrojmë tek kjo strategji edhe Strategjinë e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve (2014-2020). Vërtet janë dy strategji të bëra nga dy ministri të ndryshme, por nuk mund të ketë rezultat nëse nuk integrohen këto strategji. Ne nga kjo gjë kemi vuajtur gjatë 20 viteve. Kemi prodhuar strategji pafund, aq sa janë bërë inflacioniste!

Punësimin e nxit dhe e mbështet sektori privat. Arsimimin dhe formimin profesional, por edhe të nxënit gjatë gjithë jetës i ka të nevojshme sipërmarrja private, përpos të tjerash. Kjo sipërmarrje duhet të identifikohet dhe të bëhet faktor në hartimin e strategjive. Vijojmë të vuajmë stagnacionin e disa krerëve të biznesit apo të sindikatave, të cilët “nuk i luan topi” nga istikami i grupeve të punës, vizitave jashtë shtetit, trajnimeve të ILO, apo enteve shtetërore. Duke sjellë në këtë mënyrë ngërçin e parë, atë të mospërfaqësimit real të biznesit, ngërçin e dytë, atë të atrofizimit të mendimit të sipërmarrjes (këta që janë mendojnë se i dinë të gjitha), ngërçin e tretë, atë të mospërçuarjes së atyre projekteve e programeve incentivuese të qeverisë e donatorëve tek biznesi. Këta përfaqësojnë veten dhe biznesin e tyre, por asnjëherë interesat e sipërmarrjes në nivel kombëtar. Eshtë aq e vërtetë kjo sa, edhe pse u tentua dikur (për shumë muaj rresht) nga ministria që drejton sot z. Veliaj, që të miratoheshin kriteret e përfaqësueshmërisë për të gjitha kategoritë e partnerëve socialë, “baballarët” e sindikatave dhe të biznesit, të çimentuar në entet përfaqësuese, e bllokuan çdo nismë, çdo risi. Sfida e punësimit, nuk është sfidë e ministrave, aq më tepër e një ministrie, por e shoqërisë shqiptare, siç është sfidë edhe arsimi dhe formimi profesional, edhe të mësuarit gjatë gjithë jetës, siç është sfidë edhe përfaqësimi dinjitoz i kategorive tona sociale. A ka dritë në fund të tunelit për çka themi?- Le të presim!

 

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi