Për një projekt kombëtar në luftën kundër korrupsionit

Nga Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, botuar në Panorama Online, 27 nëntor 2013

Korrupsioni është dhe mbetet një ndër shqetësimet kryesore të qeverive, organeve legjislative, atyre të Gjyqësorit dhe procedimit penal, si dhe, veçanërisht, i të gjitha institucioneve që operojnë në fushën e financave publike. Llogaridhënia dhe transparenca janë dy prej parimeve kryesore të mirëqeverisjes në sektorin publik, që, nëse zbatohen, mund ta luftojnë dhe kufizojnë me efektshmëri korrupsionin. Roli dhe përgjegjësia e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si institucioni më i lartë i auditimit publik, është që të kontribuojë në transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve shtetërore, nëpërmjet auditimeve të tij. Auditimet e zhvilluara nga institucionet supreme të auditimit, të cilat përfshijnë vlerësimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, verifikimin e ekzistencës së praktikave të mirëmenaxhimit në respektim të parimeve të ekonomicitetit, efikasitetit dhe efektivitetit, si dhe ekzaminimin e pasqyrave financiare, për sigurimin e saktësisë dhe besueshmërisë së tyre, synojnë drejt parandalimit të fenomenit të korrupsionit. Praktika e ndjekur nga shumë Institucione Supreme të Auditimit në luftën e tyre kundër korrupsionit, është ajo e kryerjes së auditimeve të përputhshmërisë, të cilat në vetvete verifikojnë përputhshmërinë e veprimtarisë së subjekteve të auditimit me ligjet dhe aktet e tjera nënligjore në fuqi. Përveç kësaj, roli dhe veprimtaria e Institucioneve Supreme të Auditimit shtrihet edhe në dhënien e rekomandimeve për ndryshime dhe përmirësime të akteve ligjore dhe nënligjore, duke synuar minimizimin e riskut të abuzimit me detyrën dhe fondet buxhetore, minimizimin e korrupsionit dhe tolerancës ndaj tij, shmangien e rasteve të konfliktit të interesit etj.
* * *
Duke vështruar nga afër procesin e menaxhimit financiar, Institucionet Supreme të Auditimit dhe audituesit e tyre janë në një pozitë më të favorshme për të zbuluar anomalitë dhe deviacionet nga procedurat standarde, duke identifikuar kështu edhe ato parregullshmëri të cilat përbëjnë raste korrupsioni. Ndërsa Institucionet Supreme të Auditimit kanë më pak fuqi investigative se organet e Prokurorisë, ky disavantazh është mëse i kompensuar nga familjariteti më i madh i tyre me pasqyrat financiare të subjektit të audituar dhe njohuritë dhe ekspertizën e stafit auditues. Referuar rezultateve të auditimeve që KLSH ka kryer gjatë vitit 2012 dhe nëntëmujorit të vitit 2013, kemi konstatuar parregullsi dhe shkelje financiare në mbledhjen e të ardhurave dhe shpenzimeve të kryera nga institucionet e ndryshme shtetërore të audituara, me dëm ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit në vlerën 28.1 miliardë lekë, ose 201.6 milionë euro, nga të cilat 13.5 miliardë lekë për vitin 2012 dhe 14.6 miliardë lekë për 2013-n. Shkeljet financiare janë vërejtur kryesisht në prokurimet publike, në shitjen dhe dhënien me qira të pasurive shtetërore, në urbanistikë, në shpenzimet operative, në doganat, në tatimet e taksat etj.
* * *
Ne si institucion suprem i auditimit kemi zgjedhur të marrim përsipër rolin tonë dhe të japim kontributin në luftën kundër korrupsionit, edhe nëpërmjet bërjes së kallëzimeve penale në të gjitha ato raste ku si KLSH kemi konstatuar shkelje të rënda, shpërdorim të detyrës me pasoja të konsiderueshme financiare, të kryera nga zyrtarët e administratës shtetërore të çfarëdo niveli. Gjatë periudhës 2012-2013, KLSH ka depozituar në organin e Prokurorisë 65 kallëzime penale ndaj 186 personave në funksione dhe pozicione të ndryshme të administratës shtetërore, ku vlera totale e dëmit të shkaktuar si pasojë e veprimeve të tyre të kundërligjshme është rreth 13.3 milionë euro. Nga totali i kallëzimeve penale të përgatitura dhe depozituara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në organin e Prokurorisë, mund të përmendim si më të rëndësishmet ato të bëra ndaj ish-kryetarit dhe disa prej anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik, kryetarit dhe dy nën-kryetarëve aktualë të Bashkisë Pogradec, ish-kryetarëve të bashkive Orikum, Himarë dhe Sarandë, nënkryetarëve të Bashkisë Durrës dhe disa kryetarë komunash, drejtorit të Agjencisë së Kërkimit Teknik dhe Inovacionit, disa prej punonjësve dhe ish-drejtuesve të lartë të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, disa prej ish-punonjësve të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ish-drejtorit Ekzekutiv dhe nëndrejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, disa prej ish-punonjësve të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ish-regjistruesve dhe kryeregjistruesve të ZVRPP Fier dhe Lushnjë, disa prej punonjësve dhe drejtuesve të ALUIZNI-t Tiranë, Durrës dhe Vlorë, kancelarit të Universitetit të Tiranës, drejtuesve të Albpetrolit etj. Për fat të keq, një pjesë e mirë e këtyre zyrtarëve, ndaj të cilëve KLSH ka depozituar  kallëzim penal, kanë vazhduar apo vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre publike, pavarësisht faktit që legjislacioni në të tilla raste parashikon pezullimin apo largimin e tyre nga detyra. Kjo dukuri ka ardhur nga mungesa e përgjegjshmërisë dhe vullnetit të institucioneve të audituara në ndëshkimin e shkelësve të ligjit brenda stafit të tyre, duke ndikuar në perceptimin e natyrshëm negativ që opinioni publik ka ndaj angazhimit serioz të organeve shtetërore në luftën kundër korrupsionit.
Si pjesë integrale e strategjisë së përgjithshme të institucionit dhe me vullnetin tonë për të kontribuar konkretisht në luftën kundër korrupsionit, KLSH gjatë periudhës 2012-2013 ka nënshkruar, me nismën e tij, një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi me disa prej institucioneve kryesisht të angazhuara, si organi i Prokurorisë së Shtetit, Ministria e Financave, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës dhe disa nga OJF-të më aktive për sigurimin e transparencës së administratës publike.
* * *
Perceptimi negativ i opinionit publik në vendin tonë në lidhje me nivelin aktual të korrupsionit në administratën publike, vjen si pasojë e moszbulimit dhe mosndëshkimit të korrupsionit në nivel të mjaftueshëm nga ana e organeve shtetërore përgjegjëse për ta luftuar këtë dukuri. Për sa kohë ky perceptim do vazhdojë të ekzistojë, asnjë institucion shtetëror, pavarësisht rolit të tij në luftën kundër korrupsionit, nuk mund të flasë për fitore apo rezultate pozitive në luftën kundër këtij fenomeni. Lufta kundër korrupsionit parashtron si domosdoshmëri forcimin dhe përmirësimin e bazës ligjore të cilitdo prej institucioneve shtetërore të angazhuara në të. Në këtë drejtim, projektligji i ri për KLSH, i paraqitur komisioneve përkatëse parlamentare në nëntor të vitit 2012, siguron forcimin e pavarësisë institucionale, organizative dhe ekonomike të tij, zgjerimin e aksesit në drejtim të disponimit të dokumentacionit dhe informacionit përkatës, si dhe rrit nivelin e zbatimit të rekomandimeve. Miratimi sa më parë i këtij projektligji do të fuqizonte kontributin e KLSH në luftën kundër korrupsionit.
* * *
Si KLSH, jemi bërë anëtarë të Task-Forcës së INTOSAI-t për integritetin, për zbatimin e paketës “SAINT” të vetëvlerësimit të institucionit, të bindur që forcimi i integritetit, si një koncept i gjerë, që në thelb ka etikën dhe kulturën, ul korrupsionin, në radhë të parë brenda vetë institucionit. Gjatë dy viteve të fundit, në institucionin e KLSH jemi përpjekur të çrrënjosim antikulturën e mosndëshkueshmërisë, pasi për çdo shkelje të integritetit, të zbuluar dhe hetuar, kemi marrë masa ndëshkimore deri në ndjekje penale ndaj ish-audituesve të institucionit. Forcimi i integritetit institucional ul korrupsionin dhe do të ftoja të gjitha institucionet shtetërore të angazhuara ta përdornin këtë paketë vetëvlerësimi, si mjet efektiv për të kufizuar fenomenin brenda radhëve të tyre
Sikurse dhe Deklarata e Pekinit e datës 26 tetor 2013 e Kongresit XXI të INTOSAI-t e ka theksuar, “Auditimi kombëtar duhet të vihet në shërbim të qeverisjes kombëtare për përmirësimin e menaxhimit publik financiar”. Në bazë të Strategjisë sonë të Zhvillimit 2013-2017, KLSH do të angazhohet për krijimin e Institutit të Përgjegjësisë Materiale për vendimmarrjet e zyrtarëve publikë, si një ndër mekanizmat e rëndësishëm për të parandaluar shkeljet dhe abuzimin me pushtetin. Nuk do të mjaftohemi vetëm me veprimtarinë tonë si auditues të jashtëm, por do të inkurajojmë audituesit e brendshëm që të vendosin theksin në zbulimin e mashtrimit dhe korrupsionit, në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit. Ky inkurajim do të kryhet edhe përmes shkëmbimit të informacionit dhe programeve të auditimit. Në plotësimin e rekomandimeve tona, si dhe drejt thellimit të ndëshkueshmërisë së zyrtarëve me shkelje, urdhri i Kryeministrit Berisha nr. 70, datë 18.04.2006 “Për masat në zbatim të Rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Auditit të Brendshëm dhe Departamentit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion” na ka shërbyer shumë. Gjykojmë dhe besojmë se ky urdhër duhet rifreskuar nga qeveria e re dhe Kryeministri Rama, për të mundësuar një përgjegjësi më të madhe të administratës shtetërore dhe efektshmëri të rritur të rekomandimeve të auditimit të brendshëm dhe të jashtëm publik.
* * *
Ka ardhur koha ta ngremë stekën në luftën kundër korrupsionit. Veçmas, asnjë institucion nuk maksimizon punën e vet. Edhe ekspertiza e vyer dhe kontributi i institucioneve donatore ndërkombëtare nuk arrin të maksimizohet, pa sinergjizimin e përpjekjeve të institucioneve publike dhe shoqërisë civile të vendit. Në këto momente nuk nevojiten projekte dhe strategji më vete të çdo institucioni, por një projekt kombëtar, një strategji kombëtare gjithëpërfshirëse në luftën kundër korrupsionit, ku të sinergjizohen dhe konkretizohen kontributet e secilit institucion. Më lejoni të citoj Profesorin e njohur Skënder Osmani, në studimin e tij “Imazhe dhe vizione për menaxhimin dhe projektizimin”, i cili thekson se “Çdo politikë është projekt, politika ka një gjuhë dhe vetëm një gjuhë, që është projekti… Projekti kombëtar është gjuha e vetme gjithëpërfshirëse e zhvillimit të kombit”. Lufta në sistem kundër korrupsionit nuk mund të mendohet e efektshme, pa bashkëveprimin strategjik të: (1) qeverisë, me të gjitha institucionet në vartësi të saj (Ministria e Brendshme, Ministria e Financave, në veçanti struktura e Inspektimit Financiar dhe ajo e Auditimit të Brendshëm); (2) opozitës, sepse një opozitë konstruktive gjeneron denoncimin e veprimeve korruptive të institucioneve pushtet-mbajtëse; (3) institucioneve të pavarura (Prokuroria e Shtetit, KLSH, ILDKP, Autoriteti i Konkurrencës etj.); (4) organizatave jofitimprurëse me impakt në këtë fushë.
* * *
Përpjekje shumë pozitive për bashkëveprimin dhe një plan të përbashkët veprimi në luftën kundër korrupsionit ka pasur edhe nga qeveria e mëparshme. Përpjekje shumë pozitive po bëhen dhe nga qeveria aktuale, por domosdoshmëri e momentit është përqasja gjithëpërfshirëse e institucioneve kryesore të shtetit, si dhe e gjithë faktorëve të tjerë të fuqishëm, si opozita dhe shoqëria civile. Në cilësinë e kryetarit të KLSH, mendoj që maxhoranca e sotme, në Projektin Kombëtar që do të zhvillojë për një strukturë efikase kundër korrupsionit, të udhëheqë dhe të integrojë të gjithë faktorët. Kështu maksimalizohen jo vetëm përpjekjet tona, por edhe të komunitetit ndërkombëtar. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë të fitojmë besimin e publikut dhe të ulim perceptimin negativ që qytetarët kanë sot lidhur me përpjekjet e institucioneve shtetërore për frenimin dhe kufizimin e korrupsionit. Ndërsa ne, drejtuesit e institucioneve të ndryshme publike dhe jopublike, në këtë luftë kundër korrupsionit, duke perifrazuar të madhin Mid’hat Frashëri, “të gjithë ne duhet ta kemi për nder të jemi shërbestarë”.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi