Banka e Shqipërisë ul me 0.25 pikë normën bazë të interesit për lekun

Konferencë për shtyp e Governatorit Fullani, 27 nëntor 2013

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendos të ulë normën bazë të interesit për lekun me 0.25 pikë përqindje, duke e zbritur atë në nivelin 3.25 për qind. Ky vendim u bë i ditur nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë prezantimit të raportit mujor të politikës monetare të Bankës Qendrore.

Guvernatori Fullani tha se përmes këtij vendimi banka synon të ruajë stimulin makroekonomik dhe të krijojë kushte të përshtatshme për përmbushjen e objektivit të inflacionit. Guvernatori u shpreh se “korrektimi i borxhit fiskal do të jetë i domosdoshëm për rregullimin e borxhit të brendshëm”. Fullani shprehu gatishmërinë e Bankës Qendrore për të ndërmarrë politika lehtësuese në kushtet e krizës ekonomike globale.

FJALA E PLOTE E GUVERNATORIT FULLANI

Sot, në datën 27 nëntor 2013, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Pas kësaj uljeje, norma bazë e interesit zbret në nivelin 3.25 për qind.

Reduktimi i normës bazë të interesit reflekton projeksionet tona për një inflacion të ulët në periudhën e ardhshme, si pasojë e rritjes së ngadaltë ekonomike në vend dhe e presioneve rënëse në inflacion të ardhur nga ekonomia e jashtme. Ky reduktim përforcon stimulin monetar në ekonomi dhe krijon kushte më të përshtatshme për përmbushjen e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme.

Inflacioni vjetor rezultoi 1.7% në muajin tetor, duke qëndruar në të njëjtin nivel me një muaj më parë. Pas reduktimit të shpejtë në muajt korrik e gusht, inflacioni shënoi rritje në dy muajt pasardhës, duke konfirmuar natyrën e përkohshme të rënies së fortë të inflacionit gjatë muajve të verës, por duke mbetur në linjë me vlerësimin e përgjithshëm për presione të ulëta inflacioniste. Luhatjet e inflacionit gjatë vitit 2013 kanë ardhur kryesisht nga ecuria e çmimeve të produkteve ushqimore – kontributi i tyre formon pothuajse tërësisht vlerën e inflacionit total. Nga ana tjetër, çmimet e mallrave dhe të shërbimeve të tjera të shportës së konsumit kanë qenë përgjithësisht të qëndrueshme dhe kanë dhënë një ndikim fare të ulët në inflacion.

Në këndvështrimin makroekonomik, profili i ulët i inflacionit vijon të përcaktohet nga presione të dobëta inflacioniste, si nga kahu i kërkesës dhe nga ai i ofertës. Informacioni i muajve të fundit konfirmon vlerësimin tonë për një rritje nën potencial të ekonomisë shqiptare. Prania e kapaciteteve të pashfrytëzuara të prodhimit shoqërohet me rritje të ngadaltë të punësimit, të pagave dhe të kostove të prodhimit, duke u reflektuar më tej në nivele të ulëta të inflacionit bazë. Paralelisht me të, rënia e inflacionit në partnerët tanë tregtarë dhe qëndrueshmëria e kursit të këmbimit, kanë ndikuar në ngadalësimin e presioneve të importuara inflacioniste. Së fundi, pritjet për inflacionin qëndrojnë të ankoruara dhe në linjë me stabilitetin e çmimeve.

Të dhënat e disponuara makroekonomike tregojnë për rritje të ulët ekonomike gjatë tremujorit të tretë të vitit dhe një përmirësim të lehtë të saj gjatë tremujorit të katërt. Luhatjet e ritmeve të rritjes gjatë vitit të fundit kanë ardhur në masën më të madhe nga luhatjet në ritmet e realizimit të shpenzimeve buxhetore.

Nga ana tjetër, kërkesa e huaj ka dhënë një ndikim të ulët pozitiv në rritjen ekonomike, ndërsa konsumi dhe investimet private mbeten të dobëta.

Konsumi dhe investimet private vazhdojnë të frenohen nga pasiguria e lartë dhe nga kushtet relativisht të shtrënguara të financimit. Lehtësimi i vazhduar i politikës monetare nuk është reflektuar në masën e pritur në rritjen e konsumit dhe të investimeve në vend. Sikurse e kemi theksuar edhe më parë, konsumatori dhe biznesi shqiptar shfaqen mjaft hezitues në marrjen e vendimeve afatgjata të konsumit e të investimeve. Banka e Shqipërisë vlerëson se zbutja e pasigurisë dhe lehtësimi i kushteve të financimit do të krijonin parakushtet për një ecuri më të mirë të këtyre dy përbërësve të rëndësishëm të kërkesës agregate.

Stimuli fiskal u zbeh dukshëm gjatë tremujorit të tretë. Pas një rritjeje të shpejtë në gjysmën e parë të vitit, shpenzimet buxhetore u ngadalësuan në tremujorin e tretë. Stimuli fiskal i nëntëmujorit të parë është reflektuar në një deficit buxhetor rreth 1.2 herë më të lartë se ai së njëjtës periudhe të vitit paraardhës.

Rritja e pritur e shpenzimeve dhe e deficitit buxhetor, në tremujorin e katërt, e zhvendos përsëri në territor pozitiv kontributin e stimulit fiskal në rritjen ekonomike. Megjithatë, nivelet e larta të borxhit publik kufizojnë mundësinë e politikës fiskale për të mbështetur aktivitetin ekonomik në të ardhmen. Banka e Shqipërisë vlerëson se korrektimi fiskal në vitin e ardhshëm është i domosdoshëm për rikthimin e borxhit publik në parametra më të qëndrueshëm. Korrektimi i pritur fiskal për vitin 2014 dhe në vazhdim do të ushtrojë ndikimin e vet në aktivitetin ekonomik. Ndërkohë, reduktimi i huamarrjes publike në tregjet e brendshme financiare do të krijojë më shumë hapësirë për zgjerimin e financimit të sektorit privat.

Të dhënat mbi tregtinë e huaj flasin për një kontribut pozitiv të kërkesës së huaj në rritjen e aktivitetit ekonomik, gjatë tremujorit të tretë. Gjatë kësaj periudhe, deficiti tregtar u tkurr me 17.7% në terma vjetorë, duke reflektuar ecurinë e mirë të eksporteve dhe rënien e importeve. Eksportet shënuan një rritje vjetore prej 13.6% në tremujorin e tretë të vitit, ndërkohë që importet ranë me rreth 5.2%.

Periudha në fjalë është karakterizuar nga ecuria rënëse e normave të interesit në tregjet financiare. Normat e interesit të letrave me vlerë të borxhit publik kanë rënë, si pasojë e reduktimit të huamarrjes së qeverisë në këtë periudhë. Ecuria e yield-eve dhe ajo e normave të interesit në tregun ndërbankar janë në linjë me ciklin lehtësues të politikës monetare. Nga ana tjetër, normat e interesit të depozitave dhe të kredive kanë reaguar më ngadalë, si pasojë e primeve të larta të rrezikut të përfshira në çmimin e kredisë. Sistemi bankar ka adoptuar një përqasje konservatore ndaj kreditimit, në përgjigje të politikave më të shtrënguara të imponuara nga bankat mëma dhe të rritjes së kredive me probleme në bilancet e tyre. Kjo përqasje është reflektuar në kushte më të shtrënguara kreditimi dhe në norma interesi, të cilat nuk kanë ndjekur lehtësimet e politikës monetare. Në prani edhe të kërkesës së ulët për kredi, ajo është reflektuar në rënien e kredisë gjatë muajve të fundit. Në fund të muajit shtator, kredia për sektorin privat rezultoi 2.6% më e ulët se një vit më parë.

Primet e larta të rrezikut të kredisë, si dhe reagimi i pakët i konsumatorit dhe biznesit ndaj normave të interesit, kanë zbehur transmetimin e stimulit monetar në ekonomi. Rikthimi i pritur i këtyre dy treguesve në parametra më normalë do të forcojë transmetimin e stimulit monetar dhe do të krijojë kushte për rimëkëmbjen e kërkesës së brendshme në ekonomi.

Banka e Shqipërisë vlerëson se presionet inflacioniste do të mbeten të dobëta edhe në periudhën e ardhme. Zhvillimet e faktuara deri më tani nuk kanë ndryshuar ndjeshëm projeksionet tona makroekonomike, por kanë shtuar rreziqet në kahun rënës. Rritja ekonomike pritet të mbetet e dobët dhe të mos gjenerojë presione inflacioniste. Ky parashikim reflekton edhe efektin frenues të korrektimit të pritur fiskal për vitin e ardhshëm. Po ashtu, inflacioni i importuar pritet të mbetet i ulët, ndërsa pritjet për inflacionin janë të ankoruara.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Reduktimi i normës bazë të interesit pritet të përcillet në norma më të ulta interesi për kreditimin e ekonomisë. Duke patur parasysh edhe kahun e pritur fiskal për vitin e ardhshëm, ky veprim synon të ruajë stimulin makroekonomik në ekonomi dhe të krijojë kushte më të përshtatshme për përmbushjen e objektivit tonë të inflacionit. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se zhvillimet e pritura ekonomike e financiare, brenda dhe jashtë vendit, do të kërkojnë ruajtjen e natyrës lehtësuese të politikës monetare, në periudhën e ardhshme. Në varësi të kahut dhe të intenstitetit të politikës fiskale në të ardhmen, Banka e Shqipërisë mbetet vazhdimisht e gatshme të vlerësojë dhe të reagojë në kohë përmes politikës monetare.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi