Kontrolli i kontratave të konçesioneve

Nga Ilir Dhima, botuar në Shqiptarja.com, 26 nëntor 2013

Në teoritë e ndryshme për kuptimin e konçesionit,  përgjithësisht vihet re, se akti i dhënies në konçesion të sipërmarrjeve publike – në zbatim të parimit të ligjshmërisë – përkufizohet si “akt me efekte të dyanshme”. Ky përkufizim thirret zakonisht edhe si ‘kontratë konçesionare’, term që ndonëse nuk përmendet ekskluzivisht në legjislacionin shqiptar, edhe në vendin tonë ka gjetur përdorim të gjerë, si një prej llojeve të kontratave administrative (sipas Kodit të Procedurave Administrative), apo si një marrëveshje ndërmjet autoritetit publik kontraktues dhe konçesionarit (sipas ligjit nr. 9693, datë 18.12.2006 “Për konçesionet”). Vetë procesi i zgjedhjes së palës, me të cilën kontraktohet, do të duhet të kalojë përmes një procedure strikte të parashikuar nga ligji. Dhe, pasi  sipërmarrësit i përcaktohet mënyra se si do ta ushtronte veprimtarinë, organit shtetëror përkatës i duhet të kontrollojë respektimin e kushteve të vendosura në kontratë.

Këto parime kanë qenë edhe mbeten bazë për lidhjen e shumë kontratave të tilla gjatë disa viteve rresht, te përmbajtja e të cilave është theksuar, në bazë të nenit 2 (paragr. 3) të ligjit “Për Konçesionet”, se konçesionari merr përsipër (veç të tjerash) të gjitha ose një pjesë thelbësore të rrezikut të lidhur me këtë veprimtari ekonomike. Dhe, hartimi i dokumenteve të konçesionit ka disa rregulla standarde, përmes formularëve që formatohen në atë mënyrë siç përcaktohen procedurat prokuruese. Megjithatë, sipas Rregullave të Dhënies me Konçesion (Kapitulli III, gërma ‘e’), veçoria qëndron në faktin se, ofertuesit që kualifikohen duhet të nënshkruajnë formularin e kontratës, pasi të angazhohen për të pranuar kushtet e kontratës, të cilat janë të panegociueshme dhe nuk do të jenë më të diskutueshme nga palët.

Ajo që ka tërhequr vëmendjen viteve të fundit është në shumë raste moszbatimi korrektësisht nga sipërmarrësit i kushteve të kontratave, duke reflektuar negativisht në sjelljen e efekteve të parashikuara. Ndonëse ka edhe një VKM nr. 27, datë 19.01.2007, sipas të cilit procedura konkurruese quhet e pasuksesshme, kur Këshilli i Ministrave nuk e miraton kontratën, Qeveria e kaluar nuk është treguar aspak dorështrënguar në aprovimin e këtyre akteve. Ndërsa, kontrolli i aplikimit të kushteve të vendosura, pothuajse ka munguar plotësisht nga organet përkatëse të administratës. Dhe ka ndodhur që sipërmarrësit (edhe në sektorë strategjikë) ndonjëherë nuk i kanë shlyer shtetit detyrimet financiare, me pretendimin se për disa vite rresht kanë dalë me humbje, kur të ardhurat nga eksporti i produkteve të nxjerra i kanë pasur të konsiderueshme. Ndërsa në raste të tjera, nuk kanë kryer vëllimin e parashikuar të investimeve, duke shkaktuar kufizimin e zhvillimit afatgjatë të shfrytëzimit të objektit, si miniera, zona naftëmbajtëse etj, apo madje edhe humbjen e jetës së të punësuarve në këto objekte dhe të pronës së banorëve pranë territoreve ku kompania përkatëse kryen aktivitetin e vet ekonomik.

Në këtë kuadër, jo rrallë është lejuar edhe vënia në lëvizje dhe veprim e konkurrencës së pandershme. Pra, gjithçka është bërë, me apo pa ryshfete, për t’u realizuar thjesht dhe vetëm përfitimet konçesionare të palës sipërmarrëse. Kështu, teksa shteti ka mbyllur sytë përpara kësaj batërdie, dëmet që i janë sjellë atij për zhvillimin e qëndrueshëm në rritje të ekonomisë kombëtare, nuk llogariten veçse si tepër të mëdha dhe komplekse.

Mirëpo, a mund të vazhdojë më tej përsëgjati në kohë dhe përsëgjeri në veprimtari kjo gjendje? A mund t’i vihen asaj barriera serioze vetëm me retorika politike, që nuk kursejnë kritikat dhe asgjë tjetër, ndaj atyre subjekteve private, të cilave u janë akorduar nga shteti shqiptar konçesione për shfrytëzimin, përpunimin dhe zhvillimin e pronës publike? Diçka premtuese po fillon të duket, kur nga Ministri i Industrisë dhe i Energjisë është pezulluar hë për hë ndonjë liçencë shfrytësimi minerar apo naftënxjerrjeje, si edhe janë ngitur grupe specialistësh për të kontrolluar nëse respektohen prej këtyre kompanive kushtet e parashikuara në kontrata. Por, kjo diçka nuk është e mjaftueshme. Kopjet origjinale të kontratave konçesionare, që duhet të ekzekutoheshin vazhdimisht në përputhje me kushtet e parashikuara në këto akte administrative, që për fat ende nuk janë zhdukur nga arkivat e dikastereve, atje janë! Me sa kuptohet, ky fakt mbahet parasysh edhe në shkresën e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes drejtuar në të gjitha ministritë që kanë dhënë konçesione në fusha të ndryshme, për t’i dërguar listën e plotë të kontratave konçesionare, te të cilat, nëse vërtetohen elementë të padrejtë ekskluziviteti, do t’i paraqiten Qeverisë kërkesat për heqjen e tyre.

Në këtë situatë, kur ekonomia shqiptare rrezikon të bjerë në reçension nga treguesit e trashëguar prej një qeverisjeje të përmbysur me votimin e 23 qershorit, kur buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm e mban shpresën te huatë e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, kur niveli i punësimit ka qenë dhe mbetet në shifra kritike etj, etj, nuk ka më kohë për të pritur. Shteti ka vazhdimësi dhe, në këtë kuptim, kontrollin e të gjitha kontratave të konçesioneve nga qeverisja e re nuk e pengon asgjë. Aq më pak siguria juridike, përderisa ky kontroll, që mund të shpjerë pa vonesë deri edhe në ndërprerjen, prishjen e disa kontratave para kohës së përfundimit të tyre dhe lidhjen e kontratave të reja, do të kryhet në bazë të kërkesave të të njëjtit legjislacion dhe mbi kushtet e parashikuara në kohën e lidhjes së tyre.

Ndërkohë, braktisja e parimeve të një lidhjeje të tillë, që i përmendëm në fillim, nuk mund të justifikojë asnjë sipërmarrës gjatë ankimimit në organet administrative, apo edhe në rrugë gjyqësore. Domethënë, duke shqyrtuar sa më parë në tërësi dhe veç e veç kontratat konçesionare të lidhura vitet e fundit (sigurisht, edhe ato të muajve të dorëzimit të pushtetit  të njohur si i korruptuar të Berishës) dhe duke i ballafaquar tekstet e hartuara me situatat konkrete të ekzekutimit të tyre, Qeveria aktuale mund të hedhë së shpejti disa nga bazat e realizimit të Programit të saj, për të cilin u votua në masë të gjerë nga zgjedhësit shqiptarë. –

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi