Shpjegimi i ‘Përse qeveria është problemi’

Nga Milton Friedman, botuar në Mapo Online, 23 nëntor 2013

Lobimet e Interesave Speciale

Shpjegimi më i zakonshëm rreth asaj përse qeveria është problemi, të cilin unë e kam theksuar, është influenca e interesave speciale. Shpeshherë, aksionet e qeverisë sjellin benefite të koncentruara kur vendosin shpërndarje të kostos. Një shembull dramatik më ndodhi dje kur po bisedoja me një shofer taksie. Ju e dini se shoferët e taksive janë burimet dhe bartësit e anekdotave. Meqë unë kam qenë për një kohë të gjatë i interesuar në problemin e taksive, unë e pyeta atë se sa është çmimi i një lejeje që duhet të paguajë një shofer taksie për të pasur të drejtë të punojë në rrugët e New York-ut. Sepse, siç mund ta dini ju, atje ka një numër të kufizuar taksish, drejtuesit e të cilave duhet të pajisen me këto medaljone. Ky çmim është sot afërsisht 100.000 deri në 125.000 dollarë.

Është e qartë, nëse ju hiqni këto kufizime në numrin e taksive, beneficet do të kapërcenin shumëfish humbjet. Konsumatorët do të përfitonin duke pasur një shkallë më të gjerë të alternativave. Atje do të kishim më shumë taksi, pra do të kishim nevojë për më shumë shoferë. Për të tërhequr më shumë shoferë, të ardhurat nga ata do të rriteshin. Në zhargonin ekonomik, kurba e ofertës do të ketë një ngjitje pozitive.

Përse akoma vazhdon kufizimi i numrit të taksive? Përgjigja është e qartë: njerëzit që kanë aktualisht këto medaljone do të humbisnin. Ata e dinë se do të humbisnin me siguri. Ata megjithëse nuk janë shumë, do të bënin shumë zhurmë nëpër zyrat e administratës të qytetit. Njerëzit që kanë në dorë të vendosin nëse duhen shtuar apo jo taksitë, nuk e dinë faktin se do të mund të punësoheshin më shumë njerëz apo me punë më të mirë. Nuk ka asnjë nga ju në këtë sallë që do të mendonte të shkonte në zyrat e qytetit për të dëshmuar për të pasur një shërbim taksish më të mirë. Kjo nuk ia vlen për ju për ta bërë këtë. Ju keni të drejtë: sepse ka një injorancë racionale tek ju për mos ta bërë këtë.

Nëse një sipërmarrje private ka dështuar, ajo do të mbyllte dyert nëse nuk do të ndihmohej me fonde nga qeveria për të vazhduar biznesin; por nëse një sipërmarrje shtetërore do të kishte dështuar, ky dështim do të vazhdonte duke e mbajtur edhe me humbje këtë sipërmarrje.

Fenomeni i koncentrimit të benefiteve dhe shpërndarjes së kostove të krijuara, është një shpjegim i përdorur për shumë programe qeveritare. Por unë nuk do të besoja aspak atë edhe për faktin e situatës që ndodhemi sot. Për shembull, kjo nuk shpjegon atë që kur një sipërmarrje shtetërore fillon dhe vazhdon të funksionojë, ajo do të rezultojë kurdoherë me një eficiencë ekonomike shumë më të dobët krahasuar me një sipërmarrje private të së njëjtit produkt prodhimi. Ndoshta është fakti i një benefiti të koncentruar që çon tek një sipërmarrje shtetërore. Sidoqoftë, unë vazhdoj akoma të mos kuptoj përse Shërbimi Postar është më pak eficient sesa United Parcel Services.

Një përgjigje e zakonshme do të ishte ajo që një incentivë për fitime është kurdoherë më e fuqishme sesa incentiva për shërbimin publik. Në një aspekt, unë besoj që kjo është e drejtë, por në një aspekt tjetër unë besoj kjo është komplet e gabuar. Njerëzit që drejtojnë kompanitë private kanë të njëjtat incentiva si edhe njerëzit që punojnë për kompanitë qeveritare. Në të gjitha rastet, incentivi është i njëjtë: për të arritur interesat e tyre. Miku im i vjetër, Armen Alchian, i cili është një profesor në Universitetin e Kalifornisë në Los Angelos, e ka shprehur këtë në një formë shumë të drejtpërdrejtë. Këtu kemi një moment esencial, thotë ai, kjo mund të bëhej nga gjithkush që ju besoni, por me konditën që ky gjithëkushi të vinte interesin tuaj dhe jo interesin e tij (qeverisë) në plan të parë.

Një problem tjetër që ne kemi është ai që njerëzit që drejtojnë korporatat private janë të ngjashëm me ata që drejtojnë sipërmarrjet publike të qeverisë, ashtu si kinezët në Hongkong janë të njejtë me kinezët në tokën mëmë, por rezultatet në aspektin ekonomik janë krejtësisht të ndryshme. Po ashtu si Gjermania Lindore me atë Perëndimore, njerëzit janë të njëjtë, janë gjermanë, por arritjet dhe rezultatet janë krejtësisht të ndryshme.

Argumenti im qëndron në atë se aksionet që bëhen për interesa personale ndryshojnë kryekëput kur ato bëhen në sfera private nga ato që bëhen në sferat publike. Në qoftë se një grup njerëzish fillojnë një sipërmarrje në një sferë private, kjo mund të jetë e suksesshme apo edhe mund të dështojë. Në fakt, shumica e sipërmarrjeve private dështojnë që në fillim të aktivitetit. Por ato që do të kenë sukses, do të vazhdojnë të ekzistojnë për një kohë të gjatë. Në rastet kur sipërmarrja dështon, kjo do të thotë respektivisht një humbje e parave dhe kapitalit të investuar. Njerëzit që e kishin atë në pronësi kanë një fund të qartë për to, që është humbja. Nëse do të mendonin që të vazhdonin akoma, ata duhet të kërkojnë nëpër xhepat e tyre apo forma të tjera, ku shanset janë shumë të vogla tashmë. Ata me siguri do të ngurronin ta bënin këtë, pra ata kurdoherë do të kenë një incentivë të fortë që ose ta vazhdojnë sipërmarrjen ose ta mbyllin atë.

Supozoni të njëjtin grup njerëzish të kenë të njëjtën ide, për të filluar të njëjtën sipërmarrje por në sektorin shtetëror, ku rezultatet e fillimit do të jenë të njëjta si më lart. Pra, do kemi një dështim të saj. Por ndryshe nga rasti i sipërm, ata do të kenë një fund tjetër. Asnjëri nuk do të pranonte që ata kanë bërë gabime, dhe bile askush nuk iu kërkon atyre ta bëjnë këtë. Ata mund të vazhdojnë të argumentojnë se gjoja kjo sipërmarrje nuk ishte planifikuar në një shkallë më të gjerë të mjaftueshme e tjera. Gjë shumë e rëndësishme: ata do të kenë xhepa më të thellë për të kërkuar dhe mundësira shumë më të mëdha. Me një qëllim të mirë, për ta zgjeruar në një shkallë të gjerë këtë sipërmarrje, ata do të përpiqen të bindin njerëzit për të paguar më shumë taksa, apo për të alokuar fonde të buxhetit.

Ky është mekanizmi që shpjegon këtë rregull të përgjithshëm: Nëse një sipërmarrje private është e dështuar, ajo do të mbyllë dyert e saj, vetëm në rast se qeveria do ta ndihmonte me fonde shtetërore; Nëse një sipërmarrje shtetërore është e dështuar, ajo do të vazhdojë të zgjerohet me siguri. Unë do të desha nga ju që të më gjeni të paktën një rast të kundërt me këto.

Shumë shembuj që ilustrojnë argumentin e mësipërm

Qeveria mund të ndërmarrë një aktivitet i cili mund të jetë i dëshirueshëm dhe i nevojshëm në një moment të caktuar. Sapo aktiviteti të ketë filluar, njerëzit në të dyja krahët si në qeveri ashtu dhe në sektorin privat tregojnë një interes të gjerë në të. Nëse arsyeja e fillimit të këtij aksioni zbehet dhe zhduket, ata do të kishin një incentivë të fuqishme për të gjetur një justifikim që aksioni të vazhdojë akoma. Një shembull i pastër në sferat ndërkombëtare është International Monetary Fund (FMN). Ajo ishte krijuar për të administruar një sistem për rregullimin e sistemit të vlerave të shkëmbimit valutor. Diskutimi nëse ky ishte një sistem i mirë apo i keq, del përtej argumentit tim. Në vitin 1971, pasi Presidenti Nixon, kishte mbyllur Dritaren e Arit, ky sistem i këmbimit ishte rrëzuar dhe ishte zëvendësuar me sistemin e vlerave të qarkullimit valutor. Funksioni i FMN-së u humbi, por në vend që të çmontohej, ajo ndryshoi funksionin e saj duke u zgjeruar edhe më tej. U kthye në një agjenci të asistencës për vende me probleme e kriza financiare, duke kërkuar thellë në xhepat e investitorëve dhe sponsorizuesve të saj, për të vazhduar financimin e këtyre vendeve. Në Bretton Woods, ishin ngritur dy agjenci: njëra për të administruar sistemin e shkëmbimit valutor dhe tjetra, Banka Botërore, për të performuar nxitjen e zhvillimit ekonomik. Tani ju keni dy agjenci për të promovuar zhvillimin, të cilat për mendimin tim, të dyja janë duke bërë më shumë dëme sesa ndihmë.

Le të marrim një shembull krejt të ndryshëm në SHBA. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, ne kishim kontroll mbi pagat dhe çmimet. Nën kushtet e inflacionit, shumë punëdhënës e kishin shumë të vështirë për të rekrutuar punonjës. Ata përpiqeshin për të gjetur mënyra për të bërë diçka rreth mundësisë për kufizimin e kontrollit të pagave. Ata filluan të ofrojnë shërbim shëndetësor si një formë benefiti kompensues për tërheqjen e punonjësve dhe arritën të kenë sukses që ky benefit të mund të konsiderohej si i pa taksueshëm nga shteti. Justifikimi ishte zhdukur, njëherazi dhe kontrolli mbi pagat dhe çmimet ishte eliminuar. Por përjashtimi i benefitit të shërbimit shëndetësor nga taksimi nuk ishte zhdukur, përkundrazi, ai vazhdonte akoma. Askush nuk po shpenzonte personalisht para në të, ky përfshihej në shpenzimet e taksapaguesve të tjerë. Kjo bëri që të krijohej një sistem shëndetësor, i cili ishte dhe vazhdon të konsiderohet nga punonjësit si diçka tënden që të takon ku, ata punonjësit, të marrin benefite shëndetësore nga punëdhënësit, pasi kështu këto të fundit, do të mund të fusnin këtë kosto në shpenzime për efekt taksimi. Si rezultat, kjo praktikë është bërë një shtytës orientues drejt mjekësisë së socializuar.

Subvencionet dhe Kufizimet në Importe

Ekspertët liberalë do të argumentonin që problemet tona janë pasojë dhe shkak në atë që publiku dëshiron të gjitha të mirat nga shteti i cili është i “supozuar” t’ia sigurojë këtë publikut. Nga ana e tij shteti, u premton që do tua sigurojë atyre këto benefite por me kusht që këta njerëzit makutë dhe sarafë të paguajnë më shumë taksa, dhe atëherë ne mund t’ju sigurojmë gjithçka që ju keni nevojë. Ata mund të kenë pjesërisht të drejtë, por kjo është shumë larg së vërtetës. Për shembull, kjo nuk shpjegon aspak përse qeveria vazhdon të bëjë subvencione agro-bujqësore. Me të vërtetë, njerëzit e këtij vendi dëshirojnë të paguajnë me taksat e tyre këta fermerë që të kultivojnë prodhime dhe ti hedhin ato në plehra apo ti shesin me çmime të ulëta në vende të tjera? Duke pranuar atë që njerëzit dëshirojnë që qeveria tu sigurojë shërbim shëndetësor (me anë të medicade dhe medicare), por kjo nuk është aspak e vërtetë që njerëzit janë dakord me subvencionimet për prodhimet bujqësore, apo kufizimet për importimin e makinave japoneze, kufizime të cilat rrisin me më shumë se 2000 dollarë koston e çdo personi që nget makinë personale, dhe pa influencuar në pakësimin e shitjeve të makinave të prodhimit vendas. Kjo nuk është e vërtetë për kuotat e importit të sheqerit. Nëse ju do të kishit një votë publike pro asaj që të paguhet sheqeri dyfishin e çmimit krahasuar me atë të tregut botëror, a mendoni ju se njerëzit do të votonin pro kësaj? Pra, nuk është e vërtetë që njerëzit i duan të gjitha ‘të mirat’ e qeverisë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi