A ka përfunduar tranzicioni?
Nga Tonin Gjuraj, botuar në Mapo Online, 23 nëntor 2013
Pranohet, në përgjithësi, se analiza e tranzicionit demokratik në Shqipëri ka qenë kryesisht pronë e politikanëve dhe mediave në vend. Siç do të shkruante në 1991 Grzegorz Ekiert, analiza e tranzicionit drejt demokracisë liberale është më interesantja nga pikëpamja teorike dhe më relevantja nga perspektiva politike, kurse funksionimi dhe konsolidimi i rendit demokratik përbën një prej shumë zhvillimeve të mundshme të procesit të tranzicionit.
Por, a është kompletuar tranzicioni demokratik në Shqipëri? Ka gjithnjë debate lidhur me tranzicionet, se ata mund të fillojnë, por mund të tejzgjaten, madje dhe mund të mos përfundojnë kurrë. Për shembull, a ka përfunduar tranzicioni demokratik me pranimin e vendit tonë në NATO, ose a do të quhet ai i përfunduar nëse marrim statusin e vendit kandidat për në BE këtë dhjetor? A duhen apo maten vetëm standardet ekonomike, apo vendimi mund të jetë thjesht politik dhe për arsye të tjera gjeopolitike e gjeostrategjike? Standardet ekonomike natyrisht që kanë rëndësi të madhe në procesin e tranzicionit të një vendi, por janë kryesisht faktorët politikë ata të cilët mbeten themelorë në përcaktimin e shkallës së suksesit apo dështimit të një tranzicioni paskomunist. Kjo ka të bëjë, më konkretisht, së pari, me konsolidimin e institucioneve demokratike dhe, së dyti, me marrëdhëniet politike në shoqëri.
Tranzicioni demokratik quhet i kompletuar, sipas tranzitologëve Juan Linz &Alfred Stepan, kur arrihet një marrëveshje e mjaftueshme rreth procedurave politike, të cilat prodhojnë një qeveri të zgjedhur, kur kjo e fundit vjen në pushtet si rezultat direkt i votës së lirë e popullore, kur ajo ka de factoautoritetin për të gjeneruar politika të reja, si dhe kur pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, që lindin nga demokracia e re nuk duhet të ndajnë pushtet de jure me trupat e tjerë. Është e dukshme dhe e kuptueshme pra që realizimi i zgjedhjeve të lira jep vetëm legjitimitet zgjedhor, duke krijuar kësisoj një premisë për sistemin demokratik, por ato nuk japin garanci për mirëfunksionimin demokratik të shtetit dhe shoqërisë si e tërë. Në shtetin demokratik, sipas G. Sartorit, në demokracinë përfaqësuese, njerëzit janë të lirë të marrin pjesë në proceset politike dhe të qeverisjes. Ata lejohen të zgjedhin dhe të largojnë me votën e lirë udhëheqësit e vendit në mënyrë periodike, por vendi është demokratik dhe legjitim, nëse drejtuesit e tij qeverisin demokratikisht. Me fjalë të tjera, tranzicioni demokratik nuk mund të quhet “i përfunduar” apo “i kompletuar”, pa sjellje demokratike të elitës së saj politike, veçanërisht asaj pushtetare, pa konsolidimin e institucioneve të shtetit demokratik, që të jenë në gjendje, natyrshëm dhe së brendshmi, t’u rezistojnë tendencave frenuese dhe bllokuese të elitave politike dhe presionit që krijohet brenda vetë sistemit. Shqipëria, në këtë kontekst, është ballafaquar me vështirësi e barriera unike ndoshta, krahasuar me vendet e tjera të ish-Lindjes komuniste.
Di Palma do të argumentonte se, ndryshimet sociale në ish-Lindjen komuniste i atribuohen në një masë të madhe proceseve të modernizimit, të cilat pastaj sjellin konsolidimin demokratik. Shqipëria ka qenë ndoshtapjesërisht e modernizuar në prag të ndryshimeve demokratike, duke mos trashëguar asgjë prej shoqërive industriale të zhvilluara, të cilat kanë të përbashkëta institucionet politike demokratike, ekonomi të lirë tregu dhenorma liberale fetare, shoqërore e seksuale. Shqipëria, po ashtu, jo vetëm që nuk ishte e modernizuar, por nuk trashëgoi pothuajse asgjë liberale.Liberalizimi, sipas Linz dhe Stepan, në një mjedis demokratik mund të kërkojë një përzierje ndryshimesh të politikës dhe ndryshimeve sociale, më pak censurë ndaj medias, hapësirë disi më të madhe për organizimin e aktiviteteve autonome të klasës punëtore, njëfarë mbrojtjeje të individit, lirimin e shumicës së të përndjekurve politikë, kthimin e ekzilantëve, masa për përmirësimin dhe shpërndarjen e të ardhurave dhe më e rëndësishmja tolerimi i opozitës. Mirëpo është parakusht për demokratizimin të kërkojë liberalizim, pasi demokratizimi është një koncept politik edhe më i gjerë e më specifik. Ai kërkon garë të hapur mbi të drejtën për të fituar kontrollin e qeverisjes, zgjedhje të lira kompetitive, rezultati i të cilave përcakton se kush do të qeverisë. Kësisoj, mund të ketë liberalizim pa demokratizim, por në rastin e Shqipërisë nuk mund të ndodhte e kundërta. Pra, vendi nuk mund të vijonte procesin e demokratizimit, pa përmbushur si duhet kushtin e liberalizimit. Kjo, përveç të tjerave, shpjegon arsyen përse Shqipëria ishte unike në rrugën drejt kompletimit të tranzicionit të saj demokratik.
A vazhdon Shqipëria të ketë akoma tipare të një vendi në tranzicion?
Fatkeqësisht, Shqipëria nuk trashëgoi ato që Samuel P. Huntington i kishte quajtur “parakushte për demokracinë”, si, për shembull, përvojën e pluralizmit, shkallën e ndikimit shoqëror e politik të Perëndimit, sepse vendi ishte i vetizoluar për dekada me radhë, pa zhvillim ekonomik në shkallë të gjerë, me mungesë totale të respektimit të të drejtave të njeriut, mungesë të një shoqërie të gjallë civile dhe e pamodernizuar. Të vetmin “parakusht”huntingtonian kishte, në tërësi, homogjenitetin etnik.
Mbështetur në mungesën e këtyre “parakushteve” duket sikur vendi iu nënshtrua një lloj determinizmi politik, por ishin (dhe janë), fatmirësisht, institucionet e demokracive perëndimore, ato të cilat u shikuan si instrumente për kapërcimin e këtyre “parakushteve”, si dhe fakti që ideja e demokracisë ka qenë dhe është sunduese në nivel të gjerë popullor dhe të elitës politike. Problemet e tranzicionit shqiptar nuk kanë të bëjnë me idenë e demokracisë, as me vetë demokracinë, por me zbatimin e saj.
Vendi vijon të ketë një sistem politik të pakonsoliduar dhe larg modelit të një demokracie liberale. Vetëm demokracia zgjedhore (apo funksionale në disa aspekte) nuk mjafton për ta quajtur një sistem politik si demokraci të mirëfilltë. Në Shqipëri, qeveria përgjigjet para qytetarëve që e kanë zgjedhur zakonisht vetëm gjatë fushatave zgjedhore, duke shmangur një llogaridhënie vertikale të herëpashershme dhe duke reduktuar marrjen pjesë dhe ndikimin që opinioni publik duhej të kishte më shumë mbi debatet rreth vendimeve të rëndësishme që prekin shoqërinë.
Sa kohë demokracia shqiptare nuk është një proces që riprodhohet vazhdimisht dhe vetëpërforcues, përtej ndikimit të jashtëm, me qëndrime publike transparente dhe hartim gjithëpërfshirës të politikave publike, që të krijojnë shanse të barabarta dhe llogaridhënie publike që priten prej qytetarëve, kalimi në procesin e konsolidimit demokratik duket ende larg. Për transformimin e shoqërisë shqiptare janë akoma në diskutim shumë faktorë politikë, socialë dhe ekonomikë, që ndikojnë në kompletimin e tranzicionit, i cili më pas do t’i hapte rrugë konsolidimit demokratik.