Dita e Kushtetutës
Nga Sokol Berberi
15 vjet më parë, më 22 nëntor 1998, Kushtetuta aktuale e Shqipërisë u miratua nga populli me referendum. Miratimi i një Kushtetute në vetvete shënon një moment të rëndësishëm historik për zhvillimin dhe të ardhmen e çdo vendi. Kjo, për faktin se Kushtetuta, si pactum societatis, kuptohet si kusht paraprak për një bashkëjetesë civile, paqësore dhe konstruktive. Gjithashtu, Kushtetuta, si ligj themelor, përveç vendosjes së rregullave mbi të cilat bazohet dhe ushtrohet pushteti politik, mëshiron vlerat dhe parimet thelbësore të qeverisjes, që vetë shoqëria i pranon dhe aspiratat e saj më të larta për të ardhmen. Ato janë të përfshira në Kushtetuta, para së gjithash, si deklarata të vullnetit për të qenë pjesë e një civilizimi juridik, me tradita, shpeshherë, shumë-shekullore dhe e “familjeve” kushtetuese ku bëjnë pjesë shumë kombe. Kështu, në Preambulën e Kushtetutës tonë, ndër të tjera shprehen aspiratat dhe vendosmëria e popullit “për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut…”, duke e projektuar të ardhmen e tij si pjesë e familjes kushtetuese europiane.
Kushtetuta shqiptare përshkohet nga ideja e konstitucionalizmit, një lëvizje europiane që lindi në shekullin e iluminizmit, e cila u përpoq me sukses të kufizonte absolutizmin dhe despotizmin e pushteteve monarkike. Kjo ide shprehet kryesisht nëpërmjet Kushtetutës së shkruar, ndarjes së pushteteve (neni 7), shtetit të së drejtës (nenit 4) dhe kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjeve nga Gjykata Kushtetuese (nenet 124, 131). Duke rregulluar garantimin e të drejtave, ndarjen e pushteteve si dhe një përfaqësim politik të qytetarëve, Kushtetuta vendos një sistem që synon mbrojtjen e lirisë individuale dhe kufizimin e pushtetit.
Kontrolli dhe kufizimi i pushtetit është sigurisht funksioni thelbësor i Kushtetutës. Duke ndërfutur ushtrimin e çdo autoriteti shtetëror brenda një kuadri juridik, Kushtetuta i heq pushtetit arbitraritetin, me qëllim që ai të jetë i parashikueshëm dhe i qëndrueshëm.
Kundrejt individëve Kushtetuta ka një funksion garantues të dyfishtë: integrimin e tyre në një komunitet politik dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive individuale. Jetëgjatësia e një Kushtetute i jep asaj një vlerë të fortë integruese. Kushtetuta të reja si kjo e jona mund ta realizojnë këtë funksion, duke ngritur institucione të afta që të promovojnë vlera dhe ndjekin qëllime në dobi të qytetarëve. Kështu, në nenin 3 të Kushtetutës sonë deklarohet: “Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”.
Një funksion tjetër i rëndësishëm i Kushtetutës sonë është ruajtja e paprekshmërisë së mundësive për konkurrencë politike dhe shoqërore, duke penguar një forcë, një shumicë, apo një lëvizje që imponon modele politike dhe kultura totalitare, të cilat përjashtojnë të gjitha modelet e tjera.
Respekti i pactum societatis, domethënë i Kushtetutës, është garanci për emëruesin më të vogël të përbashkët të homogjenitetit politik dhe përbën një kusht të domosdoshëm për qeverisjen. Çdo zyrtar dhe qytetar i përgjegjshëm që preokupohet për të ashtuquajturën mënyrë qeverisjeje është i ndërgjegjshëm se ruajtja e homogjenitetit kushtetues, pra respekti ndaj Kushtetutës, dhe në radhë të parë, besimi në luajalitetin kushtetues përbëjnë kushtin parësor për mirëqeverisje. Në rast se këto mungojnë, atëherë pakica do të ishte më pak e gatshme për të pranuar si të ligjshme vendimet e shumicës. Në rastin e skajshëm, konflikti do të zgjidhej jashtë demokracisë: ose duke përmbysur qeverinë, ose duke ia marrë frymën pakicës.
Kushtetuta shqiptare nga pikëpamja normative ka vendosur një demokraci kushtetuese. Ky pohim është evidentuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila në një nga vendimet e saj, ndër të tjera shprehet: “Demokracia kushtetuese e vendosur me këtë Kushtetutë, bazohet në shtetin e së drejtës, parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.” (vendimi nr.12/2008).
Përpjekja për të lexuar një tekst kushtetues, pa kuptuar kërkesat e konstitucionalizmit dhe demokracisë, është njëlloj si të përpiqesh të këndosh një këngë pa njohur muzikën. Demokracia kushtetuese është një sistem politik hibrid, që bazohet në një bashkim të teorive politike normative, që janë zakonisht të pajtueshme, por bashkëjetojnë në një gjendje tensioni dhe sipas rasteve, në një konflikt të hapur. Në rrënjë ato kanë të përbashkët një vlerë themelore: respektin për dinjitetin e të gjitha qenieve njerëzore. Konstitucionalistët dhe përfaqësuesit e teorive demokratike ndahen në shumë pika, por ata dakordësohen se qeveria/qeverisja, shoqëria dhe qytetarët janë të detyruar t’i trajtojnë të gjithë individët me respekt të njëjtë dhe të duhur.
Kushtetuta imponon detyrim ligjor dhe moral për respektimin e saj. Ajo do të ishte e suksesshme në përmbushjen e funksioneve të saj vetëm nëse normat kushtetuese dhe kuptimet e ofruara pranohen dhe praktikohen në realitetin shoqëror. Në radhë të parë, ky detyrim bie mbi të gjitha institucionet shtetërore, ashtu siç parashikon dhe neni 4 i Kushtetutës. Qeveria, duke cituar Louis Brandeis, një nga ish-gjyqtarët më të shquar të Gjykatës së Lartë të SHBA-ve, “është mësuesi i plotfuqishëm për mirë apo për keq, ajo mëson të gjithë njerëzit me shembullin e saj”. Gjykata Kushtetuese është ngarkuar nga Kushtetuta me rolin parësor të garantimit dhe interpretimit përfundimtar të saj. Ky institucion, i cili është ngritur pothuajse në të gjitha vendet europiane pas Luftës së Dytë Botërore dhe, më vonë, pas rënies së komunizmit, përfaqëson një nga zhvillimet më të rëndësishme të konstitucionalizmit.
Çdo mekanizëm institucional, i ngritur për mbrojtjen dhe respektimin e Kushtetutës, do të dështonte pa mbështetjen popullore. Kjo është thelbësore për një demokraci kushtetuese. Nëse një kushtetutë shërben si “një mjet në jetën e një kombi, ajo nuk mund të jetë”, ashtu siç ish-President i SHBA-ve, Woodrow Wilson ka thënë, “thjesht një dokument për juristët”. Që një Kushtetutë të respektohet dhe të lulëzojë është thelbësore ekzistenca e një kulture kushtetuese, ndryshe parimet dhe normat e qeverisjes do të ishin jo më shumë se fjalë në letër.
Mund të thuhet se kultura kushtetuese përfshin ide të tilla, si predispozitën e qytetarëve të zakonshëm për të njohur dhe pranuar se ata janë të qeverisur nga një dokument i shkruar, një dokument që krijon institucionet e qeverisjes dhe vendos kufij në atë çka qeveria mund të bëjë; besimi i pranuar se Kushtetuta është krijuar nga populli dhe se qytetarët mund ta ndryshojnë dhe shfuqizojnë atë në rrethana të caktuara; ndërgjegjësimi se përderisa Kushtetuta nuk është ndryshuar, të gjithë duhet t’i binden asaj, edhe pse ne jemi të lirë për të mos qenë dakord me tekstin e saj. Kultura kushtetuese përfshin gjithashtu nocionin se Kushtetuta bashkon një popullatë përtej diferencave të saj, duke pasur si element të përbashkët qeverisjen politike. Për të ruajtur një demokraci kushtetuese është e rëndësishme të bindësh popullin për t’u bërë mbështetës i Kushtetutës. Siç Aristoteli e ka përcaktuar, ekselenca e një qytetari duhet të jetë ekselenca e lidhur me Kushtetutën.
Qëndrueshmëria dhe respekti i Kushtetutës do të varej nga krijimi i asaj çka Tocqueville e ka quajtur “zakone të zemrës”, instalimi te qytetarët dhe zyrtarët publikë të besimit se rendi i tyre kushtetues është më i miri nga alternativat e mundura për të vënë në jetë idealet e vendit të tyre dhe për të zbatuar/ndjekur funksionet më specifike. Një demokraci kushtetuese e suksesshme ka nevojë për një sens komuniteti ndërmjet qytetarëve të saj, një ndjenjë që pavarësisht diversitetit fetar, racor, gjeografik apo të bazuar në faktorë ekonomikë, ata janë të gjithë të bashkuar si një popull që ndajnë të njëjtat ideale politike. Që kjo të funksionojë duhet që qytetarët të pranojnë një tërësi normash bazë dhe të besojnë, gjithashtu, se pushteti i përbashkët politik është më i rëndësishëm se sa diferencat e tyre kulturore. Është e rëndësishme, gjithashtu, që qytetarët t’ua kalojnë fëmijëve të tyre besimin te vlerat themelore të rendit kushtetues.
Promovimi i kulturës kushtetuese, i kuptuar si një projekt i rëndësishëm për të ardhmen dhe perspektivën europiane të shoqërisë shqiptare, kërkon angazhim institucional dhe qytetar, qoftë nga aktorët shtetërorë, ashtu dhe nga shoqëria civile. Një propozim i mirë në këtë drejtim do të ishte festimi dhe zhvillimi i programeve edukuese, kryesisht për të rinjtë, në një ditë të veçantë, siç mund të ishte data e sotme, duke e caktuar si “Dita e Kushtetutës”.
* Autori i këtij shkrimi është Anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Opinionet e dhëna në këtë artikull shprehin mendimin personal të autorit