Burokracia “torturuese” e taksave
Nga Top Channel, 21 nëntor 2013
Sistemi i taksave në Shqipëri është një ingranazh i rëndë burokratik që i kushton biznesit kohë dhe para. Në raportin e fundit ‘Të paguash taksat 2014’ Banka Botërore e rendit Shqipërinë si vendin e 146 me sistemin më të vështirë të taksave nga 189 ekonomitë e marrë në shqyrtim.
Sipas Bankës, ndonëse niveli i taksave është më i ulët se sa mesatarja e rajonit dhe e botës, barra e biznesit në Shqipëri rritet nga kostot e larta administrative, që lidhen me numrin e pagesave dhe kohën që merr ky proces. Sipas raportit, një ndërmarrje në shqipëri i duhet të kryejë 42 pagesa në vit për të shlyer detyrimet e saj ndaj shtetit, nga 30 pagesa që është mesatarja e Europës dhe e Azisë qëndrore. Raporti shpjegon në detaje edhe se pse Shqipëria ka këtë numër të lartë pagesash.
Sipas tij, një biznes në Shqipëri është i detyruar të bëjë 13 pagesa në vit për tatimin mbi fitimin, 12 për taksat e punës ose kontributet dhe 17 pagesa për llojet e tjera të taksave, kombëtare apo vendore. Ky numër i lartë pagesash i merr kompanive shqiptare, sipas Bankës Botërore, 357 orë pune në vit. Mesatarja e rajonit për të njëtin tregues është rreth 250 orë në vit.
Në vitin 2007, kur prezantoi taksën e sheshtë, Qeveria e mëparshme, vec uljes së barrës mbi sipërmarrjen synonte dhe thjeshtimin e procedurave për pagesën e taksave. Por sipas Bankës Botërore, sistemi i taksave në Shqipëri mbetet sërish një ndër më të vështirët në botë, duke rënduar barrën e biznesit, para të cilat nuk shkojnë në arkën e shtetit, por humbasin si kosto burokratike.
Qeveria e re ka paralajmëruar se që nga 1 janari do të zbatojë një politikë të re, me ndryshime jo të vogla si në taksat e drejtëpërdrejta të biznesit ashtu dhe në ato mbi të ardhurat e individëve. Por përtej debatit mbi parimin, progresiv apo i sheshtë, sistemi i taksave në Shqipëri sipas Bankës Botërore, ka nevojë të lehtësohet edhe nga barra e lartë administrative, që rëndon kostot e sipërmarrjes dhe nxit informalitetin.