Riorganizimi i territorit: rast pas rasti dhe jo me kritere që mund të abuzohet nesër
Nga Gjovalin Gjeloshi*, botuar në Tema.net, 20 nëntor 2013
Edhe nëse bie në përsëritje, dua të kujtoj të vërtetën se, as në vitin 1992, kur u krijuan për herë të parë komunat pas përmbysjes së sistemit komunist, nuk u bë ndonjë referendum dhe nuk u mor në pyetje ndonjë opinion i gjerë për të përcaktuar se cilët do të ishin kufijtë e komunave. Krijimi u bë pothuaj mbi bazën e ish kooperativave bujqësore të bashkuara e në ndonjë rast edhe u zgjeruan apo u ngushtuan këta kufij. Edhe atëherë, përveç të tjerave, u patën në konsideratë disa faktorë që diskutohen sot: Shtrirja gjeografike, etnia, zakonet, lidhjet gjinore etj.
Por po kaq e vërtetë është se qysh në fillim ka pasur edhe ankesa e jo përshtatje të plotë me këto ndarje kufijsh (as sot asnjë institucion zyrtar në vendin tonë nuk e di sipërfaqen e komunave).
Pra me këtë dua të them se qysh me lindjen e komunave, kanë lindur kërkesat, por edhe mendimet për të bashkuar apo për të ndarë komuna ekzistuese. Edhe në vitin 1996, pak përpara zgjedhjeve lokale, është bërë një diskutim i tillë. Madje në këtë vit, diku janë bashkuar komuna, por më shumë janë ndarë. Edhe në vitin 2000 i njëjti problem, edhe para zgjedhjeve të 2003-shit, e njëjta kërkesë, e kështu me radhë.
Dua të them se nuk duhet konsideruar iniciativë politike e asnjërës parti, sepse do të ishte një gabim i rëndë nëse harta e re administrative do të shikohej me sy politik dhe do të synoheshin bashkime për “të mbytur” elektoratin e njërës a tjetrës parti. Duke kujtuar problemet e krijuara qysh në fillim të aktivitetit të komunave, do të thosha, jo vetëm që është e nevojshme, por se i ka kaluar koha krijimit të një harte të re me synim bashkimin, zgjerimin e forcimin e komunave. Kjo duke u studiuar rast pas rasti, por kurrsesi me korniza. Për mua, kriteret e shprehura në projektligjin përkatës janë vetëm konturet e një kornize, e cila nuk të lejon të bësh bashkime reale (vullnetare apo të detyrueshme, nuk ka rëndësi, mjaft që të jene të studiuara), lënë vend për ekuivoke nesër që ministria përkatëse të veprojë sipas orekseve e këtu ndoshta pastaj do të kemi keqkuptime politike.
Po të bashkojmë komunat sipas këtyre kritereve, nuk kalon shumë kohë dhe përsëri do të lindë nevoja e bashkimit apo edhe e ndarjes së tyre. Kjo do të ishte, jo vetëm një humbje kohe, por edhe një kthim prapa në organizimin administrativ të territorit te vendit.
Pa rënë në përsëritje të shkrimeve të tjera, mendimi im është se komunat në përgjithësi duhet të bashkohen që të përftojmë komuna edhe me territor, por edhe me popullsi më të madhe. Por me kornizat që paraqet ministria e Pushtetit Vendor nuk mund të prekësh në asnjë rast komunat e zonës fushore, që në shumë raste këto kanë më tepër shanse. Nëse vihet si kusht që duhet të bashkohen komunat me popullsi nën 5 mijë banorë, atëherë asnjë komunë të zonës fushore nuk preket. Ndërsa për komuna, që mund të bashkohen sipas projektligjit, kushtet e vëna përjashtojnë njëri- tjetrin. Në zona malore ku dendësia e popullsisë është në shifra të ulëta, nuk mund të realizosh bashkime komunash që të arrihet numri mbi 7 mijë banorë dhe njëkohësisht largësia e ekstremeve të këtyre komunave me qendrat të jenë më pak se 20 km. Jo gjithmonë numri i banorëve duhet të jetë përcaktues. Përvoja e vendeve të tjera tregon se ka “sa të duash” komuna me më pak se 5 mijë banorë, ashtu siç ka edhe komuna me më shumë banorë se sa bashkia e kryeqytetit tonë.
A është studiuar fakti, se edhe në komuna me mbi 10 mijë banorë, kostoja e administratës vendore, jo vetëm për periudhën 2002/2003, por edhe në vitin 2004 është planifikuar në masën mbi 40 përqind.
Nga të dhënat që kam prej komunave të qarkut të Lezhës, nga biseda që kam bërë me disa kryetarë të komunave të qarkut të Beratit e të tjerë, del se 70-80 përqind e diku edhe më tepër, (deri në 100 përqind), e fondit grant, shkon për shpenzime administrative (paga, sigurime, shpërblime këshilltarësh e kryetarë fshatrash e shpenzime të tjera operative të administratës). Atëherë çfarë duhet të bëjmë me këto komuna që kriteret e vendosura i anashkalojnë? Nëse quhet joefektive një komunë që siguron vetëm 10 përqind të ardhura kundrejt buxhetit total, çfarë duhet të bëjë Ministria e Pushtetit Vendor me bashkinë e Sarandës, nëse për vitin 2003 kjo bashki ka bërë 24 milion lek shpenzime telefonike (pa llogaritur këtu as internet dhe as postë elektronike). A duhet të propozojmë që Sarandën ta bashkojmë me Delvinën apo me komunat periferike, nëse tenderi i pastrimit me lekët e buxhetit të shtetit në këtë bashki, për vitin 2003 ka qenë 250 milion lek dhe bashkia vet ka mbledhur nga taksa e pastrimit vetëm 1 milion lek(?!). A thua 10 përqind bëjnë një milion kundrejt 250 milionëve?
A ka rrugë të tjera për uljen e kostos administrative, përveç bashkimeve vend e pa vend dhe të pastudiuara? Ministria e Pushtetit Vendor i ka statistikat se sa shpenzime administrative bëheshin në komunat tona në periudhën 1992-2000. Njësitë Vendore (komunat), nuk planifikonin më tepër se 3-4 milion lek (të vjetra) në llogarinë 03 (me sistemin e llogarive të asaj periudhe ), kundrejt 12-15 a më shumë, milion lek (të vjetra), që bëhen planifikimet sot (nga viti 2001 e këtej). E me gjithë këtë “lum shpenzimesh” nuk po vëmë re se punët e administratave po kryhen më mirë. Nga viti 2001 e këtej kryetarët e njësive dhe administratat e tyre, jo se notojnë në bollëk parash, por krahasuar me grantin që kanë, mund të bëheshin punë shumë më tepër në dobi të investimeve në komunitet. Duhet të mendojmë më tepër për kushtet në të cilat po kalojmë, ndaj nuk ka pse të kemi komoditet të tepruar në administrate, aq më tepër kur zgjedhësve tanë nuk po u sigurojmë as minimumin e komoditetit të shërbimit. Granti, duhet të jetë shërbim ndaj komunitetit në tërë parametrat e tij, dhe jo ta kthejmë të tërin në karburant e karta telefonike, në udhëtime e dieta, sikur drejtohet komuna nga Tirana, e në energji elektrike, sikur administratat punojnë edhe natën apo në vizita kolektive në Turqi pa ndonjë efektivitet.
Tjetër. Në VKM Nr 551, datë 7.11.2002 “Për pagat…”, si komunat me 5 mijë banorë, që konsiderohen të paefektshme, e deri te ato me 20 mijë banorë, klasifikimi grupit të pagave është i njëjtë(?!). Që të bashkohen komunat duhet edhe motivimi, qoftë i administratave apo edhe i drejtuesve të njësive. Ç’motiv duhet të ketë fjala vjen kur, si kryetari i komunës Kolsh në Lezhë me 5 mijë banorë ashtu edhe kryetari i komunës së Bushatit në Shkodër me 18 mijë banorë, paguhen me të njëjtën pagë? Kjo edhe pse në VKM ka kufij minimal e maksimal, cili është ai këshill komune që nuk vendosë për maksimumin e pagës së kryetarit të komunës, edhe në e pastë hasëm, sepse nga paga e tij varet edhe shpërblimi i këshilltarit. Ç’vlerë ka intervali 21-65 mijë lek për kryetarin e njësisë, që jepet në librin e pagave sipas vendimit në fjalë, kur të gjithë tentojnë maksimumin e pagës edhe me minimumin e banorëve. Me ç’përgjegjësi duhet të ngarkohen këshilltarët e komunës Malzi të Kukësit, fjala vjen, nëse aprovojnë pagë maksimale për kryetarin e komunës edhe pse komuna e tyre nuk ka 20 por pak mbi 5 mijë, kur kështu veprojnë edhe anëtarët e këshillit të Përgjithshëm të RTV shqiptar me drejtorin e përgjithshëm të RTV, sepse edhe shpërblimi i tyre është në vartësi të përqindjes së pagës së tij. Të parët e kanë për thesin e miellit, të dytët, “meqenëse janë mundësitë, pse t’ia kursejmë shtetit”. Me këtë dua të them se duhet të ketë një fragmentarizim me të detajuar të nivelit të pagave sipas numrit të banorëve nëpër komuna e vetëm atëherë do të ketë: maksimum pagash- maksimum banorësh e për rrjedhojë do të zbresë edhe kostoja e administratës vendore.
Po të bashkojmë komuna sipas idesë së Ministrisë së Pushtetit Vendor, (për numrin e banorëve pas bashkimit), atëherë i bie që, fjala vjen, në rrethin e Kukësit duhet të bashkosh komunat Arrën, Surroj e Ujmisht e megjithëse edhe me kaq nuk mund të bëhet më fjalë për largësi më pak se 20 km, periferi- qendër, prapë duhet të shtohet edhe komuna Bushtricë për të realizuar numrin e banorëve mbi 7 mijë. Ose, po të vazhdosh me këtë mendësi: duhet patjetër të bashkosh komunën Fajzë me atë Gjinaj të rrethit të Hasit dhe a e dini se sa del rrezja e territorit: Aq sa ç’është largësia e periferisë së rrethit të Pukës nga kufiri shtetëror. Vazhdojmë më tej: Vërtetë popullsia fshatare e rrethit të Skraparit prej vetëm 16588 banorë është e ndarë në jo më pak se 8 komuna, çka do të thotë, më pak banorë se vetëm një komunë në rrethin e Shkodrës, por a mund ta riorganizojmë të tërë Skraparin, nga Çepani e deri në Zhepë në vetëm dy komuna?
Do të vazhdojmë më tej me një kufizim tjetër që propozohet: Ndryshimet nuk duhet të prekin kufijtë aktual të qarqeve. Pse u dashka kështu kur ekzistojnë mundësi për të rregulluar kufij aktual midis komunave që bëjnë pjesë në qarqe apo rrethe të ndryshme. Madje ka edhe raste të bashkimeve që mund të ishin vullnetare. Fjala vjen; fshati i Urakës në komunën e Rremullit, rrethi Matit, Qarku Dibër është në kufi me fshatin Perlat Qëndër të komunës Kthellë, rrethi Mirdite, qarku Lezhë. Uraka kërkon prej kohësh (madje ka të dhëna se kërkesa është bërë qysh para viteve 90-të), që të bashkohet me rrethin e Mirditës, me komunën kufitare. Ndër të tjera arsyeja është se Zalli i Radacit (lumi) dhe një pjesë e liqenit të Ulzës, nuk i lejon banorët e këtij fshati që të komunikojnë lirshëm gjatë të gjithë vitit me qëndrën e komunës së tyre. Veç kësaj, Uraka ka edhe lidhje gjinore me Prosekun apo Perlatin. E njëjta situatë paraqitet edhe me fshatin Fushë-Krejë të komunës Lurë, po qarku Dibër. Të udhëtosh nga Fushë- Kreja për në qendër të komunës Lurë duhet të bësh minimumi 15 km rrugë malore në të përpjetë. Ndërsa po ky fshat me komunën e Kurbneshit, qarku Lezhë, është larg 7-8 km dhe në rrugë të tatëpjetë. Pra në të dy rastet do të kishim bashkime efektive, po të mos kishim kufizimet ligjore që paraqiten.
Pas një studimi me parimin “rast pas rasti” e jo me kritere pa vend, komunat duhet të bashkohen e një hartë e re të lindë. Unë them se nuk duhet të vlerësojmë fort konceptin “bashkime vullnetare apo të detyrueshme” kur ky bashkim është në të mirë të së ardhmes të komunitetit në të gjitha pikëpamjet e as të vlerësojmë fort “lidhjet tradicionale historiko-gjeografike”, kur ato mendohet se po na pengojnë. Tashmë lëvizjet demografike të popullsisë, i kanë kapërcyer këto koncepte edhe në zonat më tradicionale të vendit tonë. Është një komunë në Lezhë, midis shumë e shumë të tjerave, Balldreni, të cilën unë e kam drejtuar për tetë vjet, që ka banorë nga të 26 rrethet e dikurshme të Shqipërisë. Mjafton që njësia vendore t’u shërbejë zgjedhësve të vet, të jetë sa më efektive.
*Shkrimi është botuar për herë të parë më 16 qershor 2004