Përfitimet nuk do të jenë të shpejta

Nga Arben Malaj, botuar në Panorama Online, 20 nëntor 2013

Janë shqetësuese vlerësimet e fundit për ekonominë tonë. FMN dhe Moody’s analizojnë rritjen e lartë të borxhit publik strukturën e financimit me instrumente afatshkurtra.

Ata theksojnë rëndësinë që kanë investimet private dhe sidomos investimet e huaja për të reduktuar shkallën e lartë të ekspozimit që ka vendi ynë përballë monedhave të huaja, ku edhe struktura e lartë e kredive në valutë përbën një shqetësim real.

Kompania “Moody’s” vlerëson faktin që vendi mund të ketë disa zhvillime/ndikime pozitive, të cilat normalisht duhet t’i ulin risqet potenciale. Këtu përfshihen përfitimi i statusit të vendit kandidat dhe fillimi projektit TAP, i cili mund të sjellë investime shtesë në ekonomi, hyrje në valutë të huaj dhe efekte pozitive në punësim. (https://www.moodys.com/credit-ratings/Albania-Government-of-credit-rating)

Mbetet i paqartë efekti i krizës globale në rritjen ekonomike të eurozonës dhe efekti zinxhir në ekonominë e vendeve të rajonit tonë. Pa një rritje ekonomike më të lartë, sfida e stabilitetit të financave publike do të vazhdojë të jetë e vështirë.

Efektet pozitive në vitin 2014 nga marrja e statusit të vendit kandidat dhe nga projekti TAP mbeten të pamundshme për t’u llogaritur dhe të paqarta se kur e japin efektin e tyre.

Më konkretisht, përfitimi i statusit të vendit kandidat nuk mund të pritet të sjellë hyrje të konsiderueshme në ekonominë tonë që në vitin 2014.

Mundësia për akses në fondet IPA, në pjesën që janë fonde investimesh reale në ekonomi, është e kushtëzuar nga çelja e negociatave, proces i cili nuk fillon automatikisht sapo përfiton statusin e vendit kandidat.

Bazuar edhe në përvojën e vendeve të Ballkanit, që e kanë përfituar statusin e vendit kandidat dhe kanë çelur negociatat për anëtarësim, efekti direkt i përfitimit nga këto fonde në vitet e para është i vonuar ose modest.

Statusi i vendit kandidat mund të kishte efekte pozitive indirekte te biznesi privat në perceptimin që vendi është në rrugë të mbarë drejt BE-së, çka do të nënkuptonte një funksionim më të mirë të shtetit ligjor dhe një përgjegjshmëri më të madhe për reformat ekonomike dhe stabilitetin e financave publike.

Por, n.q.s. FMN dhe Moody’s parashikojnë përkeqësim të borxhit publik, efekti i analizave të tyre te biznesi privat është më i madh se efekti i perceptimit nga përfitimi i statusit të vendit kandidat. Prandaj efekti indirekt i përfitimit të statusit të vendit kandidat mbetet i paqartë dhe i vështirë për t’u kalkuluar.

Këto dy analiza bashkohen dhe verifikohen në treguesit e kuadrit makroekonomik dhe buxhetin afatmesëm, si edhe në shifrat e buxhetit vjetor 2014. Shumat konkrete të përfitimit nga projektet konkrete të BE-së do të jenë të pasqyruara në këto dokumente, çka është e lehtë të shikosh rritjen dhe efektin e tyre.

Duhet të mbajmë parasysh edhe shkallën e ulët të thithjes së këtyre fondeve, çka do të rezultojë se efekti i drejtpërdrejtë i statusit të vendit kandidat në buxhetin e dy-tri viteve të ardhshme do të jetë jo i konsiderueshëm dhe aq më pak në nivelet që kompensojnë rënie e burimeve të tjera të financimit të ekonomisë. Ndaj qeveria duhet të fokusohet në reformat për nxitjen e rritjes ekonomike dhe rikthimin gradual të stabilitetit të financave publike. Edhe faktori tjetër që konsiderohet se do të sjellë efekte pozitive e rithekson shqetësimin që fillimi i tyre po spostohet dhe pa qartësitë se kur ky projekt fillon konkretisht, me çfarë dinamike e volum investimesh mbetet i paqartë.

I qartë është mesazhi se ekonomia ka nevojë imediate për investime private dhe sidomos investime të huaja.

Duke parë se TAP mund të ketë spostim në kohë apo një gradualitet më të madh në zbatimin e tij (siç ishte spostimi nga viti 2014 në vitin 20150, bëhet imediate që qeveria të analizojë një nga një projektet aktuale që janë në fazë implementimi, t’i asistojë nga afër këto kompani për të reduktuar dhe eliminuar çdo vonesë.

Kompanitë private që kanë filluar projektet e tyre, duke filluar nga më të mëdhatë, por pa nënvleftësuar asnjë tjetër, ato kanë edhe interes konkret që të avancojnë investimet e tyre. Rritja e tyre redukton diferencën dhe risqet që krijohen nga deficiti tregtar apo i bilancit të pagesave, duke sjellë efekte pozitive në ekonomi. Duhet të synohet rritje investimesh që ushqejnë një rritje më të lartë ekonomike dhe rritje të të hyrave në valutë të huaj.

Bazuar në shqetësimet e analizave dhe vlerësimeve të Moody’s dhe FMN, duhet pa vonesë të ndërmerren disa reforma dhe hapa konkretë.

Së pari – të eliminohet çdo vonesë e mëtejshme në prezantimin dhe implementimin e politikave ekonomike e fiskale për periudhën 2014-2017. Kjo redukton paqartësitë për biznesin vendas dhe të huaj, kaq të domosdoshëm për ta ndihmuar ekonominë tonë të dalë nga niveli i rritjes anemike.

Së dyti – të konfirmojë politikat konkrete të rritjes së të ardhurave dhe efikasitetit të shpenzimeve. Që në buxhetin e vitit 2014 duhet përgjegjshmëri maksimale për të ndryshuar trendin përkeqësues të financave publike, duke reduktuar ritmet e rritjes së deficitit dhe borxhit, garantuar një trend zbritës të nivelit të tyre.

Së treti – qeveria duhet të eliminojë çdo vonesë në implementimin e buxhetit të vitit 2014. Çdo vonesë ka efekte negative mbi biznesin dhe ambientin ekonomik në tërësi.

Së katërti – qeveria duhet të qartësojë skemën e pagesës së borxheve të trashëguara, duke e ndarë atë midis investimeve të vitit 2014 dhe një borxhi të ri shtesë. Instrumentet e financimit të tij duhet të jenë sa më mirë të harmonizuara midis burimeve dhe afateve të financimit.

Së pesti – qeveria duhet të përfundojë gjithë procesin e ristrukturimit të ministrive dhe agjencive publike për të eliminuar paqartësitë, mbivendosjet dhe mosrakordimin në administratën publike.

Së gjashti – qeveria duhet të ketë fokus të veçantë në politikat dhe institucionet e marrëdhënieve me biznesin për të lehtësuar çdo projekt në vazhdim dhe të reja. Raporti “Doing business 2014” i ka qartësuar pikat e dobëta dhe reformat e domosdoshme për të përmirësuar ambientin e biznesit.

Këto janë disa nga hapat që mund të kompensojnë vonesat e efekteve pozitive që pret të ketë ekonomia jonë nga përfitimi i statusit të vendit kandidat dhe nga projektet gjeostrategjike (TAP). Ato mund të ndalin përkeqësimin e stabilitetit të financave publike, që është pikënisja e krizave të rënda jo vetëm buxhetore.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi