ODIHR: Duhet reformë e re zgjedhore
20 nëntor 2013
Partitë politike do të angazhohen sërish për të ndërmarrë një reformë zgjedhore dhe për të adresuar sugjerimet e OSBE/ODIHR-it. Kjo deklaratë erdhi dje gjatë takimit mes ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe shefes së Misionit të Vëzhguesve të ODIHR-it, Conny McCormack. Gjatë takimit, Bushati është angazhuar se qeveria shqiptare do të vazhdojë punën për të përmirësuar legjislacionin, duke ndërmarrë një reformë zgjedhore. “Në emër të qeverisë shqiptare, i shpreha gatishmërinë misionit të ODIHR-it për të vazhduar punën me reformën zgjedhore dhe institucionale, në mënyrë që t’u paraprijmë në kohë zgjedhjeve vendore dhe zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”, u shpreh Bushati. Nga ana saj, shefja e misionit të ODIHR, McCormack, theksoi se “ne po punojmë për të identifikuar prioritetet e nevojshme që zgjedhjet e ardhshme të jenë edhe më të mira”.
Opozita
Conny McCormack është takuar dje dhe me liderin e opozitës, Lulzim Basha, me të cilin ka biseduar rreth zhvillimeve në zgjedhjet e pjesshme. Basha, gjatë takimit ka thënë se zgjedhjet e 23 qershorit u organizua nga PD edhe arritën standardet më të larta, edhe pse në kushtet e presionit dhe shitblerjes së votës nga ana e së majtës. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi dje se bojkoti i të majtës për të plotësuar KQZ-në bëri që të mos funksionojnë sistemi i anikimimit. “Fatkeqësisht, bojkoti institucional ndaj KQZ-së vazhdon dhe ky bojkot bëri të mundur që edhe për çështjen e ndjeshme të blerjes së votave në Korçë, sikundër të çdo gjëje tjetër të zgjedhjeve të 23 qershorit, sistemi i apelit të mos funksionojë e vendimmarrja të kryhet me një shkallë të vetme, siç ishte Kolegji Zgjedhor, i cili fatkeqësisht dje mbylli sytë para asaj që çdokush tjetër në Shqipëri ka parë dhe dëgjuar, blerjes me sistem e rrjet kriminal të votave në Korçë”, tha Basha.
Takimet
Gjatë takimeve të shefes së vëzhguesve të ODIHR është vendosur theksi te zbatimi i rekomandimeve të këtij institucioni, në mënyrë që të ketë përmirësimet e duhura në zgjedhjet e ardhshme. McCormack u takua edhe me kreun e Kuvendit, Ilir Meta, i cili gjatë diskutimit theksoi se rikompozimi i KQZ-së do të bëhet me konsensus dhe bashkëpunim me të gjitha forcat politike. “Çdo ndryshim apo riformatim i KQZ-së duhet bërë përmes frymës së konsensusit politik dhe në bashkëpunim të plotë me institucionet dhe ekspertët ndërkombëtarë, në mënyrë që të evitohen ndërhyrjet politike ndaj integritetit të punës së këtij institucioni të rëndësishëm në të ardhmen”, është shprehur Meta. Ndërsa zyrtarja e ODIHR është shprehur e gatshme për të kontribuar në këtë proces.
Bylykbashi:PS e LSI s’do respektojnë konsensusin
Rikthimi i delegacionit të OSBE-ODHIR në Tiranë dhe takimet me disa nga aktorët e rëndësishëm në vend vetëm një ditë më parë kanë hapur edhe një herë debatin e reformës zgjedhore.
Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit të saj, Oerd Bylykbashi në një intervistë për “A1 Report” është treguar skeptik ndaj reformës, duke argumentuar se Partia Socialiste dhe LSI nuk do të respektojnë konsensusin, duke iu referuar numrave që kanë në parlament.
Duket se një pikë e rëndësishme e këtij debati është edhe rikompozimi i KQZ. Deputeti Bylykbashi, i pyetur për propozimin që pak kohë më parë ministri për marrëdhëniet për parlamentin, Ilirian Celibashi kishte dhënë për KQZ me një anëtare është shprehur se “ka qenë Partia Socialiste, kur ishte në opozitë, që ka refuzuar këtë propozim”.
Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi është shprehur po ashtu se, Kodi Zgjedhor deri më tani ka funksionuar, por ka munguar vullneti politik që ka sjellë pengesa.