Nga Afrim Krasniqi: Koha për institucionet
19 Nëntor 2013
“Në demokraci vendimet merren nga qytetarët dhe institucionet, në autokraci nga oligarkia dhe udhëheqësi”. E thënë nga studiuesi Xh.Sartori rreth një dekadë më parë në analizën krahasuese midis demokracive të reja eksperimentale dhe demokracive funksionale, sentenca mbetet aktuale për Shqipërinë. Vendi ynë është demokraci, por kufiri që e ndan atë me autokracinë është i brishtë dhe shpesh përzihet, duke krijuar paqartësi dhe skepticizëm. Mjafton të analizojmë politikat e sigurisë, – një fushë me interes kombëtar dhe detyrime kushtetuese, për të arritur në përfundimin se në modelin shqiptar vendimet e rëndësishme vijojnë të mos merren në institucione, por nga vullnetet individuale të udhëheqësve të radhës. Sa herë u ndryshuan mazhorancat shefat e rinj kërkuan të krijojnë një shtet “të ri” me fytyrën e tij. Kështu ndodhi më 1992, 1997, 2002 dhe 2005. Për kujtesë, më 2005 ish kryeministri shpalli nga VOA shkrirjen e SHISH, më pas po ai shpalli aksionin për shkarkimin e kryeprokurorit, pastaj po ai vendosi që Shqipëria ti bashkohet misionit në Çad apo që vota shqiptare në OKB të jetë kundër Italisë, po ai vendosi që vendi ynë të strehonte drejtuesit ekstremistë ujgurë apo irakenë, në dy rastet, akte me pasoja direkte në politikën e jashtme. Kritikat se vendimet janë nominale, nuk kanë transparencë dhe përbëjnë devijim nga detyrimi kushtetues për bashkëveprim institucional, ndihmuan në krijimin e imazhit të liderit të fortë politik që sundon përmes institucioneve sa më të dobëta politike e kushtetuese. Këtë vlerësim e gjejmë në çdo raport të BE, OSBE, Freedom House etj, si argument i mjaftueshëm për ta përkufizuar demokracinë shqiptare model ende hibrid, një sistem midis demokracisë dhe autokracisë.
Ngjarjet e fundit në vend lidhur me Shqipërinë dhe armët kimike konfirmuan të njëjtën sëmundje të politikës shqiptare: dominimin e vullnetit të individit, udhëheqësit të radhës, mbi institucionet dhe detyrimin kushtetues për transparencë dhe bashkëpunim institucional. Shqipëria u përfshi dhe doli nga një histori e ndërlikuar politike dhe diplomatike pa pasur asnjë akt zyrtar qeveritar, pa mbledhje dhe as mendim të Këshillit të Ministrave, pa mbledhje dhe as vendim të Parlamentit, pa mbledhje dhe as vendim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare apo Komitetit Ndërministror të Sigurisë, pa mbledhje dhe as konsultim me komisionin e politikës së jashtme apo të sigurisë në parlament, pa informim apo konsultë me kryetarin e shtetit, ashtu edhe pa mbledhje dhe as konsultë me shefin e shërbimit sekret, shefin e shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, etj.
Vendimi dhe bisedimet u mbajtën sekret dhe qarkulluan vetëm midis titullarit të qeverisë (institucion kushtetues) dhe stafit të tij (institucion administrativ, jo me përgjegjësi kushtetuese). Asnjë institucion tjetër nuk pranon të jetë pjesë e procesit, të jetë konsultuar apo të ketë marrë një vendim. Por në fund, vendimi mban emrin e shtetit shqiptar, të Shqipërisë, dhe pasojat, në çdo rast, bien mbi shtetin shqiptar dhe Shqipërinë. Një “detaj” që udhëheqësit e harrojnë sa herë vijnë në pushtet dhe e kërkojnë sa herë janë në opozitë.
Shqipëria ka kushtetutë, ka një Strategji të Sigurisë Kombëtare miratuar më 2004, ka ligje specifike në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme, ka President, ka parlament, ka kryeministër, ka qeveri, ka shërbim sekret, ka shtab të ushtrisë, ka një sërë institucionesh të tjera vertikale dhe horizontale në fushën e sigurisë, siç, duke qenë anëtar në NATO, ka të sajat edhe parimet e Aleancës për qeverisje demokratike, vendimmarrje gjithëpërfshirëse dhe transparente. Pothuajse të gjitha këto institucione (të paguara nga taksat tona), ligje apo instrumente politike e kushtetuese u injoruan në rastin e pranimit fillimisht, procesin e negocimit dhe në fund refuzimit të kërkesës për përfshirje në operacionin për shkatërrimin e armëve kimike siriane. A është logjike të merret një vendim me kaq rëndësi pa vënë në dijeni as kreun e shtetit dhe anasjelltas, kreu i shtetit pa kërkuar informacion me shkrim sipas kompetencës kushtetuese ndaj ekzekutivit dhe institucioneve të tjera të përfshira?
Në kushtet e një jete politike bipolare dhe thellësisht partiake e di se ka shumë zëra që mendojnë: institucionet janë të tepërta kur udhëheqësi i radhës ka mandatin dhe votat për të marrë vendime. Alibi të tilla janë të papranueshme në demokraci funksionale. Kështu mund të ndodhte në një sistem oligarkie, në demokraci duhet të ndodhë ndryshe. Asnjë individ nuk ka pushtet të marrë vendime që nuk lidhen me të, por me vendin, me interesat kombëtare dhe me themelet e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Ndaj asnjë alibi nuk mund të ketë vlerë për të lejuar që individi të vendosë mbi institucionet, që vullneti i një personi të imponohet si vullnet shtetëror, popullor dhe kombëtar. Një mësim që vlen sidomos për ata që morën votat për të ndryshuar sistemin nominal, jo për ta zëvendësuar atë formalisht, duke ndjekur të njëjtat metoda.
Kriza e fundit nxori në pah edhe dobësinë e dukshme të parimeve të sigurisë. Shqipëria është vendi i vetëm në NATO që nuk ka një Strategji Sigurie Kombëtare të rishikuar (e fundit u bë më 2004 dhe jetëgjatësia e saj do duhej të ishte vetëm 3 vjet). Askush nuk flet për të, askush nuk e citon dhe nuk e merr seriozisht, duke e marrë të mirëqenë çdo fjalim të udhëheqësve të rastit, për të na imponuar aleatë strategjikë apo vendime strategjike, – të dyja de facto në emër të shtetit shqiptar. Në një vend me elitë politikë dhe sjellje serioze institucionale mazhoranca nuk do ndërmerrte asnjëherë akte të tilla pa konsultuar më parë projektin e saj minimalisht me Presidentin dhe Parlamentin, siç opozita nuk do të reagonte asnjëherë si OJF kritike pa ofruar më parë alternativë të zgjidhjes institucionale dhe vullnet real për të qenë pjesë e vendimmarrjes dhe e përgjegjësisë.
Nga ana tjetër, ashtu si në të kaluarën e tranzicionit, ne vijojmë ende të përballemi me sjelljen arrogante të politikës ndaj institucioneve të sigurisë. E shprehur përmes ndryshimeve ligjore pa konsultim me institucionet përkatëse, përmes shkurtimit të buxhetit duke injoruar kërkesat e tyre, përmes retorikës kolektive politike denigruese, përmes shkarkimeve masive në emër të “reformës”, refuzimit absurd të titullarit të një pushteti për të takuar edhe formalisht shtatë gjeneralët shqiptarë të NATO-s, krijimi i një strukture paralele kontrolli e drejtimi në shërbimin sekret deri edhe përmes zgjedhjes, promovimit apo emërimit në kupolën e lartë institucionale të individëve me shtetësi të dy ose trefishtë, pra të besuar për besnikëri ndaj 2-3 vendeve e shteteve të tjera.
Raste të tilla të injorimit gati 9 vjeçar të Strategjisë së Sigurisë, injorimit të institucioneve kryesore përgjegjëse për sigurinë, të leximit të gabuar të rotacionit politik edhe si rotacion në organet e sigurisë, etj, si dhe debati i fundit mbi armët kimike do të duhet të na ndihmojnë, të na nxisin dhe të na shtyjnë të ndryshojmë sjellje politike, të korrektojmë sjelljen institucionale, të korrigjojmë praktikat e punës dhe vendimmarrës dhe të dëshmojmë vullnet politik e shtetëror për zgjidhje optimale, transparente, gjithëpërfshirëse dhe kushtetuese në të ardhmen. Siç bën çdo shtet serioz.
Siç Shqipëria ende nuk e ka bërë. Ky korrektim thelbësor i sjelljes dhe praktikëve përbën një hap serioz drejt demokracisë funksionale aq të premtuar. Mesazhi është i qartë: duam institucione të forta kushtetuese, jo liderë të fortë politikë. Të parat jetojnë gjatë, sa më gjatë aq më mirë, të dytët ndryshohen periodikisht, sa më shumë ndryshohen aq më mirë. Të parat gjithnjë na kanë munguar, të dytët i kemi pasur përherë në këto 101 vjet. Këtë kërkuan edhe ata mijëra të rinj në protestën e tyre, këtë sugjerojnë miqtë tanë, këtë ka kriter BE, dhe në fund të fundit, kjo po, do të ishte rilindje dhe modeli për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.