Banka e Shqipërisë fle gjumin e dimrit

Nga Fatos Çoçoli, botuar në Shqiptarja.com, 18 nëntor 2013

Tani që një mundësi për ekonominë tonë me demontimin e armëve kimike siriane u humb, duhet të kthehemi me energji të shtuara në mundësitë që kemi për të siguruar rritje ekonomike nga burimet tona. Një krim i përbindshëm ekonomik po ndodh tek ne dhe askush nuk e ngre zërin dhe nuk e denoncon me forcën e duhur. Kredia bankare, motorri dhe aresyeja kryesore për të besuar në zhvillimin e ekonomisë së vendit, është në gjendje nokdauni. Bankat tregtare, që janë krijuar për të dhënë para hua(kredi), që e kanë detyrë parësore ta bëjnë këtë, nuk po e bëjnë për biznesin dhe qytetarët.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, kredia e bankave tregtare të Shqipërisë për ekonominë(dhe jo qeverinë) në tremujorin e tretë korrik-shtator të këtij viti ishte 27 përqind më e paktë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Edhe si shifër absolute është njëzet herë më e pakët, praktikisht afër zeros, nëse e krahasojmë dhe kujtojmë shifrat e kreditimit në vitet 2006-2009(në nivele 200-300 milionë euro për tremujor). Ndërsa huatë bankare në vendet fqinje me ne po rriten gradualisht dhe sektori bankar me këtë rritje po e merr veten, tek ne po ndodh e kundërta. Sektori bankar që i rezistoi mirë furtunës së viteve 2009-2012, tani ka hyrë në një ngërç të rrezikshëm.

Bllokimi i vërtetë ka të bëjë me kreditin, pse qytetarët vijojnë t’i depozitojnë kursimet e tyre nëpër banka. I bie që bankat nuk po duan të japin para hua. Edhe pse janë të mbytura në para depozitash, notojnë në këto para. Vetë bankat të rendisin një armatë arësyesh pse nuk japin: pasiguri për bërjen e biznesit në vend, borxhe të qeverisë tek sipërmarrjet, kreditë e pakthyera të vetë biznesit, mosnjohje e bankave nga sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, mungesa e një tradite transparence në marrëdhëniet e kompanive me bankat, struktura të dobta përmbarimi për ekzekutimin e kolateralit bankar, etj. Të gjitha këto arësye qëndrojnë për ta bërë tregun bankar shqiptar të vështirë, por jo të pamundur.

Po këto arësye, në një shkallë më të vogël, i kanë edhe vendet fqinje me ne, si Maqedonia, Mali i Zi dhe madje edhe Kosova. Megjithatë, kreditimi atje funksionon, nuk po përjeton ngërç. Në të kundërt, po rigjallërohet. Kurse tek ne, pas marrëzive qeveritare të gjysmës së parë të këtij viti në planin financiar dhe atë fiskal, bankat rrinë duarkryq, në gjendje pritjeje. Banka jonë qëndrore, Banka e Shqipërisë ka kohë që fle gjumin e dimrit. Nuk ka lëvizur asnjëherë me forcë në këto pese vite të vështira të pasojave të krizës botërore. Vitet 2008-2013, me inflacionin tejet të ulët dhe nën vetëkontroll nga kërkesa e dobët e shqiptarëve për të shpenzuar, praktikisht e kanë nxjerrë të papunë bankën tonë qëndrore, që me ligj duhet të shqetësohet vetëm për kontrollin e inflacionit. Kurrë kjo bankë qëndrore, ndryshe nga simotrat e saj edhe të rajonit(për të mos folur për bankat qëndrore perëndimore), nuk veproi me shpejtësi dhe me forcë për të nxitur kreditimin.

Kur qytetarët nisën të tërhiqnin me nxitim dhe frikë depozitat e tyre që në nendor 2008, me shpërthimin e krizës, ajo nuk kërkoi me forcë nga qeveria që menjëherë të shtohej me herë garancia për depozitat. Kjo garanci për afro gjashtë muaj(tetor 2008-mars 2009) ngeli në nivelin qesharak 750 mijë lekë të reja(7 mijë e pesëqind dollarë) për depozitë, për të shkuar në 2 milionë e pesëqind mijë lekë të reja vetëm në fund të marsit 2009. Ndërkohë, dëmi ishte shkaktuar dhe 600 milionë euro i kishin ikur sistemit bankar shqiptar. Kur kërkoheshin veprime energjike dhe të shpejta me normën e interesit, Banka e Shqipërisë bëri disa ulje tejet të rralla dhe eunuke me 0.25 përqind në çdo gjashtë muaj, duke dëmtuar ritmin e kredive për ekonominë. Bankat e tjera qëndrore çuan menjëherë normën e interesit pranë zeros, duke ndihmuar kreditin e vendeve të tyre. Banka jonë qëndrore këtë nuk e bëri. Kjo dëshmon të paktën pazotësinë e saj, në rastin më të mirë(pa u futur në interesa të ngushta të bankave private që mund të kenë diktuar këtë politikë për të paktën katër vite rradhazi 2009-2012)

Ndërkohë, me kreditë bankare me përqindje interesi aq të larta, qytetarët kanë të paktën 5 vjet që hezitojnë të investojnë dhe shpenzojnë. Në të kundërt, kanë rritur kursimet në banka. Një vlerësim i përafërt flet për rreth 9 miliardë dollarë depozita bankare. Nëse bëhet inventari i këtyre parave gjendje në vend, do të rezultojnë më pak se pesë miliardë në kasafortat e bankave tregtare. Afro gjysma ka fluturuar jashtë. Po si? Në formën e transfertave të bankave filiale të bankave të huaja, për bankat mëmë jashtë vendit, të depozitimit si depozita me afat pranë bankave mëma apo bankave të mëdha ndërkombëtare. Si dhe në shumë forma të tjera të ndërlikuara investimesh. Dhe janë para që duheshin përdorur këtu, pse bankat në territorin shqiptar nuk janë krijuar të thithin depozitat e qytetarëve të këtij vendi dhe t’i nxjerrin këto para jashtë. Këto para duhet të kanalizoheshin si kredi për të financuar biznesin, investimet ne vend dhe vetë qytetarët.

Me bankën tonë qëndrore që vetëm ruajtësen e këtyre parave nuk e ka bërë me efektshmëri ndonjëherë, fondet që bankat tregtare të këtushme nxjerrin jashtë shtetit arritën në fund të vitit 2012  rekordin historik 2.5 miliardë dollarë. Kjo është sa 27 për qind e të gjithë depozitave që shqiptarët kanë vendosur në banka. Kjo rrjedhje gjigande e parave të shqiptarëve është arësyeja kryesore që atrofizon kredidhënien bankare në vend. Banka e Shqipërisë në maj të këtij viti, me një vendim të saj i klasifikoi investimet e bankave jashtë shtetit me koefiçient maksimal rreziku, duke i detyruar ato që për çdo fond që investojnë jashtë, të mbajnë fonde të papërdorura rezervë. U kujtua pesë vjet pas shpërthimit të krizës botërore! Ndërkohë që rreth 4.7 miliardë dollarë kursime të shqiptarëve kanë lënë Shqipërinë. Megjithatë, ne themi më mirë vonë se kurrë. Është dita që qeveria dhe banka jonë qëndrore t’i bashkojnë forcat. Dhe mund të bëjnë shumë.

Qeveria mund të hapë një fond garancie për vitin e ardhshëm, në mënyrë që bizneset që janë kreditore të saj, të lehtësohen në marrëdhëniet e tyre me bankat, të vështirësuara për shkak të borxheve që ju ka qeveria. Ky fond mund të parashikohet në Buxhetin e Shtetit të vitit 2014. Edhe nëse fillimisht do të ishte shumë modest(disa miliona euro), do të bënte mjaft punë në përmirësimin e klimës psikologjike të raportit të lëkundur biznes-bankë.

Nga ana tjetër, Qeveria e re duhet t’ua kërkojë me forcë bankave që paratë që ua besojnë qytetarët shqiptarë ato t’i investojnë këtu. Bankat ende kanë likuidet të bollshëm. Vetëm në dy vitet e fundit depozitat në sistem janë rritur me gati 1.5 miliardë dollarë. Banka e Shqipërisë duhet të tregohet aktive. Ajo duhet realisht, dhe jo vetëm me fjalë, t’i vendosë bankat tregtare në pozita pune për të gjuajtur jo thjesht kreditë e lehta me blerjet e bonove të Thesarit të Shtetit, por në tregun e vështirë e sfidues të kreditimit të ekonomisë private dhe qytetarëve në Shqipëri. Vetë qeveria e re mund të jetë më nxitëse ndaj këtij roli të bankës sonë qëndrore. Diku duhet të dalë nisma për çlirimin e kreditit shqiptar nga ngërçi i pamerituar ku ka hyrë dhe kjo dyshe qeveri-bankë qëndrore e ka detyrë parësore që ta bëjë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi