Integrimi kalon nga Berlini

Nga Olsi Baze, botuar në BalkanWeb, 17 nëntor 2013

Javët që po lëmë pas kanë qenë një periudhë e ngarkuar diplomatikisht për Tiranën zyrtare, prej axhendës të ngjeshur dhe mesazheve diplomatike që po vijnë në adresë të saj. Në një hapësirë kohore të shkurtër vendi përjetoi rekomandimin e Komisionit Europian për të marrë statusin e vendit kandidat, takimin e përbashkët me delegacionin e PE, vizitën e Komisionerit për Zgjerimin, vizitat diplomatike të ministrave të Jashtëm të Italisë, Greqisë, Holandës, Lituanisë, Rumanisë dhe Sekretarit parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë në Gjermani, Ernst Burgbacher, e cila mund të cilësohet shumë e rëndësishme nga mesazhi që përcolli për Shqipërinë.
Gjermania dhe Turqia i deklaruan Shqipërisë statusin e partnerit strategjik, ndërsa nga ana tjetër, qeveria shqiptare shpalli partnership strategjik me Athinën. Shqipëria ka nevojë për një partner strategjik për sigurinë dhe ajo është SHBA, brenda strukturës euro-atlantike, dhe një partner strategjik ekonomik për integrimin, që është Berlini.
Të gjitha takimet, edhe pse prekin çështje të ndryshme, artikulojnë problematikë të njëjtë; statusi kandidat i Shqipërisë dhe pengesat që vendi ynë do të hasë në muajt që vijnë. Italia dhe Austria kanë shprehur mbështetje të hapur për Shqipërinë në një moment historik për vendin, ndërsa fqinjët jugorë, me anë të ministrit të Punëve të Jashtme Venizelos kanë përcjellë në fasadë, mesazhe dhe dëshira të një bashkëpunimi të ngushtë me Shqipërinë, pavarësisht se Venizelos mbërriti në Tiranë me një qëllim tjetër.
Greqia po përjeton vështirësi ekonomike dhe gjatë këtyre dy viteve ka përjetuar poshtërime në skenën ndërkombëtare, duke u kthyer në një protektorat ndërkombëtar dhe humbur sovranitetin e saj. Venizelos erdhi realisht për t’i përcjellë një ultimatum Tiranës, të cilin e përcolli sërish presidenti helen gjatë vizitës zyrtare në javën e parë të nëntorit.
Ultimatumi grek në thelb përmban këtë mesazh politik: Qeverisë shqiptare i është dhënë afat deri në dhjetor të zgjidhë çështjen e marrëveshjes detare të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese Shqiptare, në të kundërt shteti helen nuk do të ratifikojë në parlament statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, e për rrjedhojë do bllokojë anëtarësimin e Shqipërisë. Ky skenar do të shoqërohet me njohjen unilaterale të marrëveshjes së ujërave nga ana e Greqisë, e cila më pas do të bllokojë me luftanijet e saj hapësirën detare të cilën ajo e kërkon me ngut për qëllime gjeoenergjetike.
E ndodhur përballë një presioni historik qytetar për mospranimin e armëve kimike siriane në vend, muajin që vjen, mazhoranca rrezikon të përballet me një tjetër problematikë shumë delikate, atë të kufirit detar. Protestat e qytetarëve ditët e fundit treguan se shoqëria nuk pranon asnjë negociatë të fshehur dhe asnjë presion të brendshëm ose ndërkombëtar, qofshin edhe partnerë strategjikë që prekin interesin publik dhe negociatat qeveritare që janë në dëm të vendit.
Situata, në këtë rast mund të perceptojë me një skenar të padëshirueshëm për NATO-n në aspektin e sigurisë, pasi asaj do t’i shtohej një problem jo i vogël midis dy vendeve anëtare, skenar ky i ngjashëm me atë të Greqisë dhe Turqisë për ishullin e Qipros, ku aleanca e ka të pamundur të ndërhyjë në rast konfliktesh midis dy vendeve anëtare.
Letra e ambasadorëve grekë drejtuar qeverisë së tyre nuk është gjë tjetër veçse një sinjal indirekt për të bllokuar statusin kandidat për Shqipërinë.
Qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj Turqisë, ku notat e miqësisë që lidhin dy vendet i tejkaluan standardet diplomatike, duhet kuptuar në këtë kontekst të vështirë politik. Ndihma ushtarake e qeverisë turke ndaj ushtrisë shqiptare i përcolli një sinjal Athinës, që të mos kryejë veprime të cilat do cenonin Shqipërinë, edhe pse deklarata e Erdoganit në Prizren i dëmtoi akoma më shumë marrëdhëniet me Greqinë dhe shtetin tjetër jo shumë miqësor ndaj shqiptarëve, Serbinë.
Diplomacia shqiptare, duke qenë ende e paqartë dhe kaotike në përcaktimin e qëndrimeve të saj përballë kësaj situate të krijuar, duhej të orientohej që në fillim në një strategji politike, të mbështetur tek oferta e zyrtarit të lartë gjerman që vizitoi Shqipërinë javën e parë të tetorit.
Partneriteti strategjik që ai ofroi, nënkuptonte se Gjermania ofronte që procesi i integrimit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE kishte dritën e hapur të kalonte dhe monitorohej nga Berlini. Në ofertën gjermane nuk bëhej fjalë vetëm për investime strategjike ekonomike, por për një mbështetje gjeostrategjike që Shqipërisë asnjëherë nuk i është ofruar në kuadër të synimit të saj integrues në BE.
Përfshirja e Shqipërisë në “TAP” është rrjedhojë direkte e vendosmërisë së Kancelares gjermane, e cila refuzonte që Gjermania të paguante për projektin “Nabucco”, duke qenë se vendi i saj nuk do të përfitonte ekonomikisht prej tij, duke i hapur përfundimisht rrugën atij “TAP”. Ky projekt gjeoenergjetik, jo vetëm që e fuqizon Shqipërinë në një fushë ku asnjëherë në historinë e saj nuk ka qenë aktore, por i jep një kartë politike dhe ekonomike, e cila e ndihmon shumë në anëtarësimin e saj në BE.
Së fundi, Gjermania aktualisht është vendi prej të cilit varet edhe e ardhmja ekonomike e shtetit helen, pa miratimin e së cilës, Greqisë i bllokohen edhe fondet financiare për të cilat ka nevojë. Nëse procesi i integrimit të Shqipërisë do kalojë nga Berlini, do të shuhen edhe pretendimet e Athinës kundër Tiranës për marrëveshjen e ujërave detare. Në rast të një refuzimi të autoriteteve greke ndaj statusit kandidat të Shqipërisë në BE, Gjermania, i vetmi shtet dhe lokomotivë e ndërtimit të BE, mund të ushtrojë presion direkt ndaj Athinës, të cilën mund ta kërcënojnë me bllokimin e fondeve të BE-së dhe të FMN-së, për të cilat Greqia ka nevojë për t’i shpëtuar kolapsit ekonomik.
Integrimi i vendit kalon nga Berlini dhe nëse klasa politike shqiptare do të këmbëngulte në këtë drejtim, integrimi europian do të ishte një proces shumë herë më i lehtë dhe i arritshëm shpejt.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi