Hyrje në demokraci

Nga Blendi Salaj, botuar në Shqip, 17 nëntor 2013

Nga e hëna në të premte zgjati protesta e parë kuptimplotë në historinë e Shqipërisë paskomuniste. Asnjë qelq nuk u thye, asnjë fjalë e pahijshme nuk u shqiptua. Të premten në darkë festohej fitorja. Dhe me gjithë entuziazmin që shpërtheu – ju garantoj; askush s’është dehur. Ata që nuk ishin fizikisht në Bulevardin Dëshmorët e Kombit ndërsa Kryeministri mbante fjalën e tij, kanë humbur një shfaqje të rrallë Demokracie. Lexues i dashur, nëse do të ishe atje të premten në orën 17:00, do të kishe gjetur mes protestuesve miqtë e tu më të mirë, kolegët, ndonjë kushëri që ke vite pa e takuar apo gjinekologun që të ka ndjekur fëmijën e parë. Do shihje “goca të bukura”, gjyshe të bardha, djem me tatuazhe (edhe vajza me tatuazhe për atë punë), piktorë, kineastë, arkitektë, infermiere, shkrimtarë, ambientalistë, gjyshër, gazetarë, foshnja, body builder-a…

Rinia

Studentët dhe nxënësit dua t’i përmend në një fjali të veçantë. Të patregueshëm, në energjinë e tyre, dhe në çlirimin e plotë mendor dhe shpirtëror që kanë nga autoriteti i Njëshit. Ata kanë mposhtur frikërat e prindërve të tyre, dhe këtë vetësiguri shpërthyese po ia injektojnë gjithë shoqërisë. Protesta ishte një vend ku qytetarët erdhën për “t’u pagëzuar” në një mënyrë të re të menduari, sjelli dhe jetuari. Të lirë nga frika, mund të aplikojnë demokracinë direkte, të thonë atë që mendojnë dhe të mbrojnë atë që u përket. Ishte një ushtrim në Vetëvendosje. Kjo protestë sublime është normale në Demokracitë e shëndetshme, i paimagjinueshëm në Diktatura, risi në Shqipëri. Nëse dikush vijon të thotë se kjo ishte një protestë e kurdisur nga Partia Demokratike, ky me siguri gënjen, së paku gënjen vetveten.

Isha dëshmitar i një neverie të qartë që të rinjtë protestues treguan ndaj çdo politikani apo njeriu pranë politikës që u afrua aty, siç u dëshmua në episodin gati-komik të dy kryetarëve të PD-së, dhe lëvizjes së tyre “brilante” për t’u bërë pjesë e protestës që u prit me dëbimin turpërues, le të mos përmendim gjestet me gishta të protestuesve në drejtim të liderëve. E gjej ironike që njerëzit e politikës, të cilët media i ngre në statusin e perëndisë, protestuesi normal i injoron dhe përbuz haptas. Ndoshta media duhet të çlirohet nga skllavëria mendore ndaj Liderit, gjithashtu.

Shkaku

E nëse do të çliroheshim, do të shihnim se shkaku i protestës nuk ishin as nxitësit e Partisë Demokratike, as agjitatorët, as ambientalistët apo (larg qoftë!) media. Shkaku ishte fare i qartë dhe mu aty. Në njërën anë arsenali kimik shfarosës i Assadit, i cili në mediat botërore thuhej se do të përfundonte në Shqipëri, dhe në anën tjetër komunikimi i pakët dhe i paqartë i Kryeministrit. Mosadresimi i shqetësimit publik i cili nuk u ngrit në një ditë, por në gati dy javë, dhe mund të ishte menaxhuar shumë herë më mirë. Por opinioni u injorua, u la të mendojë ç’të dojë. Asnjë nga arsyet që Kryeministri përmendi në fjalimin e tij nuk përbente ndonjë sekret. Shumë nga gjërat që ai tha, si për të na treguar se kishim bërë gabim që protestuam, ai mund t’i kishte thënë kohë më parë. E nëse vërtet nuk kishte lirinë të thoshte se demontimi nuk do ndodhte në Mjekës (Sekret?!), atëherë mund të kishte thirrur në zyrën e tij opinionbërësit kryesorë në vend, për t’u shpjeguar arsyet e heshtjes së tij, që momenti delikat të kalohej si duhej. Meqë, sipas Kryeministrit, ishte projekt madhor dhe që ia vlente, ai i pari duhet ta kishte trajtuar me kujdesin që meritonte.

Por askush nuk u informua për asgjë. Dhe nga ana e qytetarëve kjo u përjetua si një mospërfillje, injorim dhe autoritarizëm i pajustifikuar, e nga sa u pa, fyes dhe i papranueshëm. Shqetësimi dhe zemërimi u ngritën natyrshëm. “One Man Show” është regjimi i Assadit në Siri, këtu në Shqipëri, i bëjmë gjërat ndryshe. Ne nuk mund të trajtohemi si milingona, dhe kjo në vetvete është po aq e rëndësishme sa çështja ambientale. Edhe ministrat deklaruan padije të plotë, si të ishin ekuipazhi i Kapiten Ahabit. Deputetë të PS-së u deklaruan kundër. Kryeministri izolohej ndërsa orët kalonin dhe aktivizmi social rritej në rrjete. U mobilizuan në këtë çështje, edhe më të mirët e shqiptarëve në çdo cep të botës. E gjitha, nën kërcënimin e një rreziku të perceptuar jo nga ndonjë strategji e hollë e opozitës, por nga mënyra si qeveria e trajtoi çështjen. Kryeministri mund ta kishte nisur vetë këtë bisedë i pari. Mund t’i kishte dhënë tonin dhe argumentin, por nuk e bëri. Ndaj, në mendimin tim modest, kjo ishte një fiasko e plotë komunikimi, për t’u bërë në tekstet shkollore, shembull i mënyrës sesi nuk duhet trajtuar qytetari. Nuk mund të shpjegohet ndryshe sesi një rast i shkëlqyer për Shqipërinë (sipas Ramës), jo vetëm që nuk u shfrytëzua, por i kushtoi kaq shumë në opinion publik.

Kosto në opinion publik nuk ka vetëm për qeverinë, por edhe për opozitën, që u rrek ta merrte peng protestën, por që “…u përzunë si legena” – tha njëri nga protestuesit. Me një pafytyrësi neveritëse, këta që shkaktuan Gërdecin folën e fjalët s’patën turp t’u dalin nga goja. Ne nuk kishim dalë për të rrëzuar qeverinë, por për të kërkuar që vullneti ynë në këtë çështje të dëgjohet, e gjithsesi ish-pushtetarët e djeshëm, në emissione notturna-t e tyre, panë një mundësi.

Kosto kanë edhe ata deputetë të opozitës që zakonisht rrahin gjoksin për kauza sociale, por kësaj here u zunë në ca nga spërdredhjet më të çuditshme që kam dëgjuar. Duke i bërë protestë protestës në një mënyrë të padenjë, e duke treguar se nuk njohin respektin, e as ndonjë gjë tjetër për atë punë. E duke komunikuar me zgjedhësit në një gjuhë që as mendohet të mendohet. Kosto në opinion publik kanë edhe ambientalistët e politizuar, që dilnin (me të drejtë) për çdo shkurre që pritej kur Kryeministri nuk ishte “i tyri”.  Megjithëkëto, nga sa i kam ndjekur që pas tërheqjes së Shqipërisë nga ky proces, shumica e politikanëve nuk kanë marrë asnjë mësim. Keq për ta. Janë aq të dobët në politikë, sa s’mund të flitet për pranim gabimesh. Sidoqoftë, vonesa që i kushtoi qeverisë pati një efekt anësor fantastik, këtë ushtrim demokracie të paprovuar më parë.

Në fund, duhet të them se jam i lumtur që jetoj në një vend ku qytetarët nuk kanë drojë të protestojnë edhe ndaj Kryeministrit që vetë e kanë zgjedhur pak muaj më parë. Jam i kënaqur që Policia u soll në mënyrë të shkëlqyer, e dua t’i jap meritë Edi Ramës që asnjëherë nuk u përpoq ta frenonte apo manipulonte protestën me ndonjë mënyrë. Në fund NE mësuam diçka. Tani dimë se mund të bëjmë që zëri ynë të dëgjohet. Dimë se mund të grumbullohemi, të flasim lirisht dhe pa u cenuar, dimë se mund ta ushtrojmë Demokracinë ca më shpesh se një herë në 4 vjet. Mësuam se mund të bëjmë vetë që të kemi një qeveri nga populli, për popullin. Këto janë në fund të fundit vlerat më thelbësore amerikane. Ndaj ne do të përfillemi, do të përfshihemi, do të respektohemi dhe do jemi gjithmonë aty, çdo herë që cenohet interesi publik. Si në një demokraci që po shërohet.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi