Tranzicioni dhe “kostoja” e integrimit
Nga Tonin Gjuraj, botuar në Mapo Online, 16 nëntor 2013
Premisat prej nga u nis tranzicioni demokratik në Shqipëri kanë qenë jofavorizuese, duke filluar nga mungesa e traditës demokratike në vend, vetizolimi i skajshëm për dekada me radhë, mungesa e mediave të lira, të një gjyqësori të pavarur dhe shoqërisë civile, deri në një kontekst rajonal aspak të favorshëm kur nisën ndryshimet demokratike, me luftën në ish-Jugosllavi, Ballkanin e paqëndrueshëm dhe vendin tonë periferik në raport me botën demokratike.
Në fakt, teoritë e tranzicionit në të kaluarën, para viteve ’90, nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje problemeve të etnicitetit, konflikteve të brendshme etnike, ultranacionalizmit apo diasporës, çështje të cilat karakterizuan studimet e tranzicionit pas këtij viti. Fakti që Shqipëria nuk i kishte këto probleme si pengesë në territorin e saj (këtu nuk kam parasysh Kosovën, Maqedoninë e Malin e Zi), do të ishte në favor të saj në rrugën drejt demokratizimit por, çuditërisht, vendi u ballafaqua me barriera të tjera, të cilat vështirësuan njëlloj rrugën drejt kalimit nga komunizmi drejt demokracisë.
Së pari, “kostoja” politike e tranzicionit, që lidhet me integrimin evropian. Integrimi evropian ishte (dhe është) prioriteti kryesor në axhendën politike të forcave politike shqiptare. Kjo sepse BE-ja mbeti aktori më demokratizues dhe më dominues i jashtëm, për arsye se përfaqëson një grup vendesh demokratike e të stabilizuara dhe për arsye të kondicionaliteteve kryesisht politike, institucionale dhe financiare. Institucionet e demokracive perëndimore janë parë gjithnjë si një parakusht për zhvillimin e demokracisë dhe paradigma të kushtëzimit, pasi BE-ja konsiderohet si garanci për demokracinë dhe procesin e demokratizimit. Përveç kësaj, BE-ja është ndjekur edhe si model organizmi institucional dhe legjislativ.
Kaq e fortë ishte forca tërheqëse e BE-së, saqë besimi tek Brukseli, jo tek Tirana, mbeti dominant gjatë gjithë tranzicionit. Besimi në BE (dhe NATO) u hoqi pothuajse fare mbështetjen partive politike shqiptare, qeverive qendrore dhe gjyqësorit. Si “kosto” e integrimit në këtë rast u prodhua legjitimimi i demokracisë shqiptare nga jashtë. Paradoksi ishte se, ndërsa elita politike delegjitimohej nga brenda, prej shqiptarëve, ajo kërkonte dhe arrinte të gjente legjitimim nga Brukseli.
Së dyti, “kostoja” ligjore. Në tërësi, duhet pranuar që legjislacioni shqiptar u përshtat me atë të BE-së, por pa ndonjë lidhje të fortë me realitetin tonë. Reforma legale manifestoi parregullsi të theksuar në drejtim të rendit dhe institucioneve ligjore. Së pari, ai mbeti kryesisht abstrakt dhe larg realiteteve shoqërore, ekonomike dhe politike të kohës. Ligje të ndryshme nuk reflektonin në mënyrë të natyrshme nevojat e grupeve të ndryshme të njerëzve, por u avancuan si një kontribut “original” i një grupi apo partie të caktuar politike. Në të shumtën e rasteve mungoi konsensusi në hartimin dhe aprovimin e tyre; së dyti, ekspertët e huaj në ndihmë të procesit të reformave në Shqipëri nuk morën në konsideratë traditën legale shqiptare, si dhe lanë mënjanë psikologjinë dhe historinë e zhvillimit të shoqërisë shqiptare. U parashutuan aspekte të huaja legjislative ose ligjet “shijuan” një version jokorrekt, për të mos thënë, deri diku të pasaktë të përkthimit në shqip. Procesi kushtetues ishte përjashtues dhe pothuajse një dështim. Legjislatorët dhe konstitucionalistët nuk morën parasysh traditën e së drejtës kushtetuese në Shqipëri. Përpjekjet për të përçmuar atë çfarë kishte ekzistuar më parë në këtë vend ndikuan fuqishëm në këtë proces. U ballafaquam me ndryshime pafund të legjislacionit, ku, për shembull, disa herë u ndryshua Kodi Penal dhe disa nene të tij, apo ligji antiduhan etj., të cilët u imponuan dhe “zbatuan” pa u përshtatur me realitetin shqiptar, duke i kthyer ligjet në diçka normative dhe joreflektive, pa marrë parasysh aspekte të së drejtës zakonore shqiptare dhe kapacitetet zbatuese të tyre. Po ashtu, e njëjta qasje u ndoq edhe me ligjin e tokës, apo të kthimit dhe kompensimit të pronave, duke fiksuar idenë tek shqiptarët, madje edhe midis vetë politikanëve, se “ligjet janë të mira, por nuk zbatohen si duhet”. Për të patur një proces legjislativ sa më efikas dhe sa më demokratik, ligji(-et) lipset të burojë nga brenda, jo nga jashtë. Kjo ishte një “kosto” e madhe për vendin dhe procesin e zbatimit të ligjit.
Pra, tranzicioni shqiptar, në drejtim të legjislacionit, nuk analizoi në thellësi rolin e kulturës, historisë dhe ndërkombëtarizimit të politikës në procesin e demokratizimit. Tranzitologjia shqiptare mbeti në kufijtë e një përcaktimi të drejtpërdrejtë thjesht institucionalist dhe elektoralist të demokracisë, pa hyrë në mikroprocese, praktika a modele të negociuara sa më gjerësisht, një proces ky aq i nevojshëm, i natyrshëm dhe i dobishëm për të lehtësuar zbatimin e ligjit dhe siguruar shtetin e së drejtës.
Së treti, “kostoja” ekonomike. Tregtia e lirë me vendet e rajonit apo të BE-së u konsiderua automatikisht si një hapësirë e favorshme për të patur në dispozicion një treg të madh që do të zhvillonte biznesin vendas, por prodhimi vendas u nxit shumë pak, përveç sektorit të ndërtimit dhe në njëfarë mase të bujqësisë në vitet e fundit, që mbeti kryesisht në duart e kapitalit vendas, kurse sektorë të tjerë, kryesisht ai bankar, i telefonisë celulare dhe fikse, apo në një masë të konsiderueshme edhe sektori energjetik, mbetën në dorë të kapitalit të huaj. Shteti më shumë se sa rregullator, mbeti administrator i pothuajse gjithçkaje, edhe pse u artikulua rëndom modeli liberal i zhvillimit, tregtia e lirë, investimet e huaja etj.
Përtej “kostove” që mund të ketë patur procesi i integrimit, Shqipëria nuk mund të ketë prioritet tjetër përveç kësaj, pasi shanset tona për demokratizim nuk i kemi patur (as nuk i kemi) njëlloj si me vendet e tjera të ish-Lindjes. Shqipëria ka akoma nevojë dhe bindje më të thellë për të përdorur kapitalizmin si formë dominante të prodhimit kombëtar, shteti nga ana e tij për më shumë kapacitete njerëzore të afta, si dhe mekanizma ligjorë në përforcim të sundimit të ligjit, pasi vendi nuk trashëgoi institucione demokratike. Po ashtu, në mungesë të traditës, shoqëria civile ende nuk është aktive, e gjallë dhe e pavarur, krahasuar me vendet perëndimore, si dhe vijohet të manifestohen barriera të përfshirjes së grupeve të reja të veçanta në procese politike. Tranzicioni ka qenë kaotik dhe herë-herë konfliktual, si dhe pritshmëritë jo të larta, jo thjesht prej adoptimit të politikave jokorrekte, por edhe si rezultat i një stili joadekuat të lidershipit politik. Për arsye të prapambetjes ekonomike dhe mungesës së theksuar të kulturës politike demokratike, tranzicioni shqiptar mbeti unik dhe më i vështirë se vendet e tjera të ish-Lindjes. Natyrisht që ka një korrelacion midis këtyre dy faktorëve dhe stabilitetit demokratik të vendit, por kjo mbetet për t’u hetuar më gjerë e më thellë në këtë drejtim.
Shqipëria po shfaq vështirësi në kapërcimin e sfidave që çojnë drejt finalizmit të procesit të tranzicionit dhe kjo lidhet dukshëm me një kombinacion të ndikimit të së kaluarës dhe mënyrës së tranzicionit. Por, mbi të gjitha, uniciteti i tranzicionit shqiptar kishte të bënte më tepër me një pikënisje shumë më të dobët socio-ekonomike, krahasuar me vendet e tjera të ish-Lindjes.