Përse qeveria është problemi

Nga Milton Friedman, botuar në Mapo Online, 16 nëntor 2013

Kur një prift shërben një meshë, ai zakonisht ka një tekst. Zakonisht ky tekst shpreh një mendim me të cilin ai vetë ka rënë dakord dhe që duhet ta shpjegoje atë duke e zhvilluar idenë edhe me shembuj praktikë të jetës së përditshme. Jam përpjekur shpesh të gjej fjalën e përshtatshme për anti-tekst, sepse unë kam një meshë për ta shërbyer sonte, por ky tekst është i tëri gabim. Teksti vjen nga “Freedom Review” si një çështje e trajtuar atje gjatë muajve shtator-tetor, vend i cili është krejt i papërshtatshëm për këtë lloj teksti. Fjalën e kam për një përcaktim të njohur rreth: “Doktrinës së paqartë e të trashë në dukje e Reagan-it, për atë se Qeveria është Problemi.” Ky është teksti im apo anti-teksti për sonte.

Teksti më ngarkon dy detyra: njëra është e lehtë por tjetra është e vështirë. Detyra e parë është që të demonstroj atë që qeveria është problemi; kjo është detyrë e lehtë. Detyra e vështirë është për të kuptuar përse qeveria është problemi. Përse ndodh që njerëz të orientuar drejt ideve dhe frymëzime publike prodhojnë një rezultat kaq të ndryshëm nga ajo që ata operojnë në tregun politik dhe ekonomik? Përse ndodh ajo që nëse do të merrnim një kampion, shembull i zgjedhur në mënyrë të rëndomtë nga njerëz që ndodhen në këtë sallë, për të zëvendësuar ata që janë sot në qeveri, gjasat do të jenë që politikat tona nuk do të mund të na ndihmonin për të zënë vend atje. Ky është fjalëkryqi përpara nesh i shtruar për zgjidhje. Përsa i përket detyrës së lehtë, më lejoni që në fillim të plagjiarizoj fjalët nga një këngë dashurie në të cilën tregohet që qeveria është problemi.

Le të listojmë problemet madhore që kemi dhe të tregojmë se nga shkaktohen ato.

Të provuarit që qeverisja është problemi

Një nga problemet madhore që kemi në vend, është degradimi i sistemit arsimor. Pas asaj të ushtrisë, industria e edukimit arsimor është më e madhja në vend. Shpenzimet totale të qeverisë për shkollimin, unë e quaj shkollim në vend të edukimit arsimor, pasi jo i gjithë shkollimi është edukim arsimor; po përafrohen me shpenzimet ushtarake. Duke llogaritur në buxhet të ashtuquajturën Peace Divident (term i përdorur pas Luftës së Ftohtë, ku shpenzimet e luftës ishin shkurtuar dhe pjesa e fondeve të papërdorura ishte premtuar të futej në fusha të tjera social ekonomike), këto shpenzime po ua kalojnë atyre të mbrojtjes. Sasia e parave e përdorur për një nxënës, është trefishuar, ndërkohë që cilësia e arritur është gjithnjë e më e ulët. Shkollat po degradojnë dhe ky është një problem i madh ku qeveria është përgjegjëse pa diskutim.

Paligjshmëria dhe Krimi

Nëse ka ndonjë funksion të shtetit për të cilin do të binin dakord të ishte ashtu dhe libertarianët anarkistë deri në ekstrem, ky është funksioni i mbrojtjes së individëve në shoqëri, të cilët atakohen dhe dëmtohen nga individë të tjerë. Pra, për t’ju mbajtur ju nën mbrojtje nëse goditeni rëndom ose jo, nga njerëz të tjerë. A ka ndonjë që mund të thotë se tek ne ky funksion po bëhet mirë? Pak. Bile shumë larg asaj që duhet. Kjo bëhet pjesërisht, sepse ka shumë ligje që thyhen; dhe sa më shumë ligje të tilla që thyhen të ketë, aq më vështirë është të parandalohen ato për të mos u thyer. Kjo nuk vjen për mungesë në të kuptuarit e nevojës së ruajtjes të ligjit, por për më tepër, nga shkaku i rritjes së përqindjes së atyre ligjeve që nuk mund të bindin dhe të fitojnë besimin e njerëzve. Ju mund të diktoni forcërisht vetëm ato ligje që shumica e njerëzve besojnë në to si ligje të mira, pra ato ligje që pengojnë ato veprime të cilat nuk duhen bërë edhe nëse nuk ka ligje. Kur ligjet parandalojnë akte të paligjshme, të cilat shumica e njerëzve i gjykojnë si të moralshme dhe të drejta, këto mund të zbatohen vetëm me mjete force. Ndalimi i alkoolit, ishte një shembull tipik i kësaj.

Aktualisht, unë besoj se kemi një numër të madh të paligjshmërisë, veçanërisht, shkatërrimi nga brenda të qyteteve në përpjekje për të ndaluar të ashtuquajturat droga. Unë i emërtoj të ashtuquajtura droga, sepse drogat më dëmtuese në SHBA janë ato legale si: cigarja dhe alkooli. Ne dikur ishim përpjekur të ndalonim përdorimin e alkoolit dhe të narkotikëve, e bërë kjo me një kosto jashtëzakonisht të madhe nga shteti. Ne tani po përpiqemi të ndalojmë përdorimin e narkotikëve me një kosto akoma më të madhe. Një konsekuencë e veçantë që nuk unë e konsideroj që nuk duhet mbrojtur absolutisht, është kërdia që bëhet në Kolumbi, Peru dhe vende të tjera nga qeveria jonë, për arsye që ne nuk jemi në gjendje të zbatojmë ligjet tona.

Le të kthehemi këtu në shtëpinë tonë, pavarësisht nëse e besoni apo jo, këtu kemi një funksion krejt të papërshtatshëm të qeverisë për të ndaluar njerëzit nga të ngrënët e diçkaje që ju e konsideroni të dëmshëm për ta, dhe që ju besoni që qeveria duhet të ndërhyjë pasi qenka e dëmshme për ta apo për të tjerët. Përpjekjet e qeverisë për ta bërë këtë kanë dështuar. Sepse kjo ka bërë më shumë dëme ndaj viktimave të pafajshme, përfshirë dhe publikun e gjerë dhe veçanërisht banorët brenda këtyre qyteteve, duke mos sjellë asnjë të mirë për ata që kanë zgjedhur të përdorin narkotikë të ndaluar, qoftë edhe po të ishin legale këto. Ne do të kishim përsëri viktima të pafajshme edhe nëse drogat do të legalizoheshin. Por ata përdorues do të ishin më të paktë në numër, dhe do të kishte mundësi të bëhej shumë më tepër për reduktimin e numrit të përdoruesve të tyre.

Të pastrehët 

Çfarë e ka shkaktuar këtë masë të madhe të të pastrehëve në vend, e cila përbën një fatkeqësi dhe skandal? Shumica e saj është e shkaktuar nga aksionet e qeverisjes. Kontrollimi i rentës nga shteti ka kontribuar për këtë, apo me forma të tjera siç është vendimi i qeverisë për të mbyllur qendrat e njerëzve me probleme mendore duke i hedhur ata në rrugë. Apo krijimi i programeve të strehimit publik, duke shkatërruar ndërtesat e strehimit duke i kthyer ato në terrene për krime dhe veprime të tjera të liga.

Shkatërrimi i Familjes dhe vlerave të saj

Po përballemi me një kolaps të jashtëzakonshëm të vlerave të familjes, me një numër në rritje të shtatzënisë në moshë të mitur, lindje të jashtëligjshme dhe familje vetëm me një prind. Qeveria nuk mund të jetë përgjegjësja e vetme për këtë gjëndje shqetësuese; sidoqoftë, ajo ka kontribuar në një shkallë të madhe për këtë gjendje. Një nga arritjet më produktive të Institutit të Manhattan-it ishte sponsorizimi i studimit të Charles Murrey për këto fenomene. Libri i tij Losing Ground, na sjell evidenca bindëse që këto probleme sociale janë një pasojë e politikave të gabuara dhe të keqorientuara qeverisëse. Personalisht unë mund të shtoj që një tjetër keqorientim i politikave të qeverisë që ka luajtur rol në rrënimin e vlerave sociale e kulturore, është politika e thirrjes nën armë. Por këtë argument do ta trajtoj në një rast tjetër.

Kostoja e Strehimit dhe mungesat për Strehim 

Një tjetër problem social është kostoja e lartë e strehimit dhe shkatërrimi i sistemit të strehimit. Pjesa veriore e Bronx-it duket si pamjet e disa fotografive të ardhura nga Jugosllavia të disa zonave atje të shtëpive me strehë të rrënuara. Pa dyshim që këtë e ka krijuar kontrolli i rentës nga këshilli i qytetit të New York-ut. E bërë kjo direkt apo indirekt nga nëpërmjet qeverisë duke marrë këto njësi strehimi nga pronarët pasi kështu do të mund të kontrollonin rritjen e qirave nga ana e pronarëve. E njëjta gjë ka  rezultuar kudo ku kontrolli i rentës ka qenë adoptuar apo i detyruar, ku veçanërisht New York-u është pa asnjë dyshim rasti më i rëndë.

Për një kohë të gjatë kemi patur një zgjerim në të gjithë vendin një sistem ligjesh për rregullimin zonal të ndërtimeve dhe aksione të tjera të qeverisë të cilat kanë rritur në mënyrë drastike koston e ndërtimeve. Një nga miqtë e mi në Kaliforni, ka qenë kontraktor ndërtimi që para Luftës II Botërore. Unë e pyeta: duke supozuar që ju do të ndërtonit të njëjtën ndërtesë sot si ajo në vitin 1945 me të njëjtën firmë projektuese, dhe duke supozuar që çmimi i krahut të punës, materialeve të ndërtimit e tjera, do të ishin të njëjta si në atë kohë, sa do të kushtonte vetëm pjesa e lejes së ndërtimit nga qeveria? Pasi u mendua pak, ai tha: Të paktën ¼ e kostos më tepër se atëherë.

Rritja e tejskajshme e kostos për Shërbimin Shëndetësor

Shteti ka luajtur një rol gjithnjë në rritje në shkallë të gjerë në sistemin shëndetësor në vend. Për dekada të tëra, shpenzimet totale në Medicare ishin rreth 3 deri në 5% të të ardhurave kombëtare. Tani kjo përqindje shkon rreth 12-13%, ku kishim një përshpejtim të madh pas reformave të vitit 1965, të marra në këtë fushë. Disa nga ju mund të keni parë një artikull të publikuar një gazetë ekselente të informimit publik, Wall Street Journal, në të cilin unë kam cituar dhe ilustruar në shifra koston për pacient në ditë, e axhustuar kjo me inflacionin. Kjo kosto ishte 26 herë më e madhe në vitin 1989 krahasuar me atë të vitit 1946; numri i personelit për krevate spitalore ishte 7 herë më i lartë, ndërkohë që numri i krevateve në spitale është përgjysmuar. Avancimet e mëdha në sistemin mjekësor kanë qenë konkrete, por avancime të tilla kishim edhe përpara vitit 1965 duke vazhduar edhe më pas. Këta njerëz në personel 7 herë më të shumtë në numër që janë sot për krevat spitalor, nuk janë aspak të angazhuar në shërbimin direkt ndaj pacientëve, shumica dërrmuese e tyre janë njerëz që thjeshtë firmosin në formularët e pafund të qeverisë, për të bërë të mundur të paguhen si të punësuar nga shteti.

Krizat financiare

Besoj se të gjithë jeni në dijeni të dobësive të sistemit tonë financiar. A ka ndonjëri dyshim në atë se shkaktari i këtyre dobësive është qeveria në Ëashington? Krizat në kreditet dhe depozitat ishte prodhuar nga qeveria, ku në fillimet e tyre ishte shkaktuar nga përshpejtimi i inflacionit në vitet ‘70, e cila kishte shkatërruar vlerat monetare të shumë njerëzve, pastaj më vonë, në vitet ‘80, kjo ishte shoqëruar me një sistem rregullimi shumë të varfër, bërë nëpërmjet rritjes së sasisë së mbuluar nga siguracionet e depozitave deri në 100.000 dollarë, dhe tani së shpejti, nëpërmjet asaj që njihet si një kontroll i plotë i menaxhimit të krizave. Ju e dini tashmë listën e gjatë të tyre.

Problemet e transportit

Ne të gjithë ankohemi rreth aksidenteve rrugore në autostrada. Kjo është interesante për arsye të ndryshme. Industria e prodhimit të automobilave privatë është në gjendje të prodhojë çfarëdolloj automobili për çdo klient, por qeveria duket të jetë e paaftë të prodhojë një sistem të autostradave që të jenë krahasimisht cilësore me to. Një kontrast i ngjashëm ekziston lidhur me agjencitë e fluturimit dhe aeroportet. Industria e prodhimit të avionëve privatë ka qenë në gjendje të ndërtojë të gjitha modelet e avionëve që agjencitë e fluturimeve komerciale dëshironin të blinin; ku dhe këto agjenci kanë mundur të rekrutojnë pilotët, stjuardesat, mekanikët dhe grupet e shërbimit, e kështu me radhë. Ku është ngushtuar gryka? A është ajo në aeroporte, në ambientet e kontrollit të fluturimeve? Përse? Sepse ato janë të administruara nga qeveria.

Politikat ekonomike jo efektive

Unë akoma nuk i kam përmendur politikat ekonomike jo të zgjuara dhe efektive. Ku do desha të theksoja faktin që administrata e Bushit ka praktikuar politika të kundërta me ato që njihen si Reaganomiks (politika ekonomike të formëzuara dhe të zbatuara gjatë viteve të lidershipit të administratës së Ronald Reagan). Kjo ka bërë që të kemi si rrjedhojë një rikuperim shumë të ngadaltë deri të paktën, në vitet ‘90. Po ashtu, unë nuk jam ndalur gjatë në të ashtuquajtura ‘Mbirregullime të Industrisë’, apo politikat agrare nën të cilat taksapaguesit paguajnë fermerët për të rritur prodhime bujqësore të cilat do të shkatërrohen, depozitohen apo hidhen poshtë. Unë nuk kam përmendur tarifat dhe kuotat, apo Affirmative Action (ligj federal që rregullon një zbatim të detyruar në raportin e punësimeve të pakicave racore dhe njerëzve me ngjyrë qoftë në administratë shtetërore, qoftë në korporata bizneset e të cilave lidhen kontrata ku palë është qeveria); apo ligjet për kufijtë e  pagave dhe orët e punës. A ka akoma ndonjë dyshim që qeveria është problemi?

Asnjëra nga këto që përmendëm nuk tregon se qeveria nuk ka në të vërtetë një funksion real. Absolutisht, tragjedia qëndron në atë që: meqenëse qeveria po bën shumë gjëra për të cilat ajo nuk është e nevojshme aspak për t’i bërë, dhe ku fatkeqësisht këto funksione janë duke u bërë shumë keq. Është e vërtetë se një nga funksionet normale dhe të detyrueshme të shtetit është mbrojtja e vendit nga armiqtë e huaj, apo në preventivin e forcës ose të autoritetit të disa individëve apo grupeve brenda për brenda vendit, duke siguruar një sistem juridik adekuat për t’i zgjidhur këto lloj konfliktesh. Këto të fundit, mendoj se janë ato që qeveria duhet të performojë. Siç është përmendur nga Mr. Gilder lidhur me librat e Huber dhe Olson, vendimet e diskutuara të gjyqësorit, nuk është aspak vendi që një qeveri duhet ta konsiderojë si një funksion të saj.

Ndotja e ambientit

Unë do të befasohesha nëse ndonjë nga kolegët apo partnerët tanë në universitete do të thoshte aty këtu se tregu privat dhe kapitalizmi, por jo qeveria është problemi, dhe do të mund të sillnin argumente sipas së cilave janë sipërmarrjet private shkaktarët e pasojave të dëmshme për shoqërinë tonë.

Një nga përgjigjet më të shkurtra për ta do të ishte: Ndotja. Sipërmarrjet private, mund të thonë ata, se janë përgjegjëse për ndotjen e ujit, të ajrit dhe për shkatërrimin e tokës. Unë do t’u sugjeroja që të krahasojnë shkallën e ndotjes në ato vende të cilat janë qeverisur nga qeveri të tilla si në Poloni, Rumani dhe Bashkimin Sovjetik me shkallën e ndotjes në këtë vend. Ndryshimi nuk është në atë se qeveritë tona kanë qenë më shumë eficiente për shmangien e ndotjes. Kjo ka ndodhur për shkak se sipërmarrjet private kanë kuptuar se ndotja nuk sjell përfitim, dhe se është më shumë e leverdishme të mos kishte ndotje.

Në fakt, mendoj se kemi këtu një funksion real të qeverisë lidhur me ndotjen, dhe ky do të ishte ai i përcaktimit të kushteve për vlerësimin e dëmeve jo vetëm të palëve përgjegjëse, por dhe impaktit të këtyre dëmeve për gjithë shoqërinë. Sidoqoftë, deri tani politikat dhe praktikat e qeverisë aktuale nuk ka qenë as eficiente dhe as efektive. Një shembull është ligji i Clean Air (i ajrit të pastër), kaluar së fundi, i cili do të bëjë shumë pak gjëra rreth pastrimit të ajrit, por më shumë do të bëjë në zhvatjen e xhepave të industrisë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi