Populli që po kërkon të ketë pushtetin e tij

Nga Mentor Kikia, botuar në BallkanWeb, 15 nëntor 2013

Pavarësisht, nëse protestat që kanë prekur tashmë pjesën më të madhe të qendrave urbane e universitare në Shqipëri, do ta detyrojnë apo jo qeverinë të tërhiqet nga “vendimi” i pashpallur për të pranuar demontimin e armëve kimike të Sirisë, ato duhet të shihen si një zhvillim shumë i rëndësishëm shoqëror, politik dhe social. Edhe sikur ky reagim qytetar të mos e realizojë kauzën për të cilën u ngrit, ky nuk duhet të shihet kurrë si një dështim.

Shoqëria e korri fitoren e saj!

Reagimi popullor nisi, ashtu siç nis në çdo vend dhe shoqëri tjetër, nga një grup njerëzish që numëroheshin vetëm disa dhjetëra dhe brenda pak ditësh u shtua dhe protesta u shumëfishua në disa qytete, duke marrë trajtën e një proteste mbarë popullore. Tashmë shumica e atyre që dalin në rrugë as e dinë se kush ishte i pari që i ftoi për të protestuar. Po të analizosh përbërjen e grupeve protestuese, shikon se shumica prej tyre janë të rinj, studentë dhe nxënës, madje edhe fëmijë. Për herë të parë që nga viti 1990, kur të protestuarit u përhap shpejt e shpejt si një epidemi që pushtoi tërë vendin, shqiptarët u hodhën në protesta, për t’i shërbyer një kauze, të cilën ata e zgjodhën vetë, siç është ajo e kontestimit të idesë se sjellje së armëve kimike. Për herë të parë në periudhën postkomuniste(duke përjashtuar 1997-ën kur njerëzit e vjedhur përmes mashtrimit dolën në rrugë për të kërkuar paratë e tyre, protesta që ia lanë shpejt vendin një kryengritjeje të përgjakshme) shqiptarët dolën në sheshe pa i organizuar ndonjë parti politike. Për herë të parë në Tiranë u bashkuan aq shumë njerëz, pa patur nevojë që të urdhërohet mbyllja e shkollave dhe vënia e nxënësve në rresht, apo të sillen mitingashë nga qytete e fshatra të Shqipërisë, ngarkuar me autobusë duke u paguar një sanduiç. Isha vërtet i surprizuar nga organizimi i grupeve të të rinjve, parullat që ata kishin shkruar dhe guximi e lirshmëria për të folur, sa në tribuna, sa para kamerave.

Çfarë ka ndodhur me shoqërinë tonë?

Ajo që po ndodh me protestat kundër armeve kimike, është padyshim një lajm i madh për ne. Është një lajm i madh jo sepse thjesht njerëzit kanë dalë, sipas tyre, të mbrojnë vendin e tyre nga një rrezik i mundshëm. Por më shumë se kaq, lajmi i madh është se shqiptarët kanë dalë në protestë vetë, pa i organizuar një parti politike me lista nëpër institucione, me lista nëpër seksionet e degëve nëpër lagje, apo më keq akoma, me mitingashë të paguar. Shqiptarët dolën të protestojnë sepse menduan se jeta dhe vendi i tyre mund të kërcënohen. Pa asnjë lider në krye, pa asnjë flamur politik dhe vetëm me një kauzë. Jo armëve kimike!

Dalja në rrugë e këtyre të rinjve, të cilët nuk kishin lindur akoma kur bashkëmoshatarët e tyre në vitin 1990 u derdhen rrugëve për të ndryshuar Shqipërinë, është një tregues i ndryshimit të shoqërisë. Kjo, sepse, pas 90-ës, shoqëria jonë u fut në një krizë të madhe identiteti që u pasqyrua edhe me tkurrjen deri në fatalitet të rolit të saj. Ishte politika ajo që mori në dorë frenat e jetës publike. Është politika sot ajo që organizon të gjitha eventet publike, e madje edhe në 1 Maj, edhe atë protestë modeste të punëtorëve, e merr përsipër ta organizojë partia që është në opozitë, duke e politizuar kësisoj. Shoqëria u tërhoq në indiferentizëm, duke vegjetuar nëpër kafene e duke mos guxuar as të mendojë e jo më të veprojë. Në mënyrë sistematike politika ia vrau kurajën shoqërisë, e kërcënoi në mënyrë primitive me bukën e gojës dhe zhbëri çdo përpjekje për organizime publike. Ajo korruptoi, bleu e shpërbëhu çdo lëvizje sindikale, apo i shndërroi ato në shtojca e seksione të vetat. Dhe pas këtij defaktorizimi të frikshëm e të paprecedent, nuk kishte më opinion publik e shoqëror dhe populli ishte vetëm një turmë e bindur. Mendimin e popullit e përvetësuan ta përfaqësojnë një dyzinë OJF-shë (pra ajo që quhet rëndom shoqëria civile), një pjesë prej të cilave të shndërruara në shoqëri tregtare fitimprurëse e një pjesë të shndërruara në vegla të politikës.

Vetë populli nuk ka mendim, ose edhe kur e ka nuk e thotë e nuk e shpreh. Por, problemi i armëve kimike, edhe pse duhet pranuar se ka ndjeshmëri shumë të madhe për të nxitur reaksione publike shumë herë më të mëdha se ky, e ndezi zjarrin e reagimit qytetar. I nxori në rrugë të rinj e të reja, që tashmë përfaqësojnë një gjeneratë pa asnjë lidhje me të shkuarën dhe që premton të nisë një epokë të re për shoqërinë tonë.

Pavarësisht, nëse do ta detyrojë ose jo qeverinë të tërhiqet nga çështja e armëve kimike, tashmë shoqëria e hipotekoi suksesin e saj. Ajo mbolli farën e reagimit popullor. Atë reagim që ne e kërkojmë shpesh kur mësojmë se si qeveritë na vjedhin e na shfrytëzojmë, duke thënë: S’ka popull këtu, nuk ngrihet askush, mirë na e bëjnë, ne nuk e ngremë zërin…

Ata të rinj që lanë shkollën për një ditë, morën në rrugë mësimin më të madh të jetës së tyre. Ata morën leksionin, se kur ti mendon se duhet ta ngresh zërin, duhet ta ngresh. Kur ti mendon se duhet të protestosh, duhet të protestosh. Kur ti mendon se qeveria po bën një veprim të gabuar, duhet të dalësh në rrugë për ta ndaluar. Ky është leksioni që ata e morën dhe njëkohësisht ua dhanë të gjithëve. Ndaj ky është një lajm i mirë, por jo vetëm për shoqërinë, ky është një lajm i mirë edhe për vetë politikën dhe demokracinë në radhë të parë. Populli ka pushtetin e tij, dhe deri tani nuk e kishte ushtruar, apo e kishte ushtruar përmes votës, një proces shpesh i deformuar nga interesat, pazaret, blerjet me para në dorë, apo tregtia e vendeve të punës. Të rinjtë që u bënë pararoja e këtyre protestave janë duke u dhënë të tërëve leksionin e madh se populli mund dhe duhet ta ushtrojë pushtetin e tij, edhe në këtë mënyrë. Le të jemi optimistë, duke shpresuar se kemi hyrë në një faze të re të zhvillimit social e shoqëror.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi