Në vorbullën e privates dhe publikes

Nga Valbona Nathanaili, botuar në Shqip, 15 nëntor 2013

Nga shkollat kërkojmë shumë, në mos të gjitha! Kërkojmë të sigurojnë përgatitje akademike dhe profesionale; të formësojnë brezat jo vetëm në aspektin personal, por edhe social; të edukojnë qytetarë të gatshëm për të qenë pjesë e frontit të punës ose për të marrë përsipër përgjegjësitë e zhvillimit të vendit. Por a është në gjendje shkolla jonë publike të plotësojë këto pritshmëri që kemi ndaj saj? Vështirë të japësh përgjigje pozitive! Për më tepër, gjendja varion shumë jo vetëm nga qyteti në qytet, por edhe brenda një qyteti. Alternativë mbetet shkolla private. Dhe pyetja përsëri është po ajo: A është në gjendje shkolla jonë private, veçanërisht ajo me statusin e një organizate fitimprurëse, të plotësojë këto pritshmëri që kemi ndaj saj?

Duhet pranuar se hapja e shkollave private, fitimprurëse ose jo, u shoqërua me thyerjen e “monopolit” të dijes dhe të edukimit që mbante shkolla publike. Për prindërit e pasur shqiptarë nuk u desh shumë kohë të kuptonin se shkolla publike që “u kishte rënë për pjesë” në zonën ku jetonin nuk plotësonte pritshmëritë që kishin për edukimin e fëmijëve të tyre. Zgjidhja: shkollë private. Në logjikën e tregut dhe të fitimit, shkollat private duhet të jenë më efektive: paga më të mira për mësuesit, më shumë motivim, kushte më të mira. Për më tepër, shkollat private, në kushtet e konkurrencës me njëra-tjetrën dhe me vetë shkollën publike, për të mbijetuar, duhet të jenë domosdo të mira.

Por standardi i pagesës dhe i ndjekjes së një shkolle private është kafshatë që nuk kapërdihet nga pjesa dërrmuese e shoqërisë sonë. Çështja që shtrohet nuk është thjesht se sa shumë fëmijë që vijnë nga familje “të varfra” mësojnë në shkolla publike, por që shumica e fëmijëve tanë përsëri vazhdojnë të mësojnë në shkolla publike. Në vazhdim të kësaj ideje, duhet theksuar se dispozitat normative të MASh lejojnë regjistrimet e fëmijëve vetëm në shkollën që ndodhet pranë qendrës së banimit. Të kërkosh të regjistrosh fëmijën në një shkollë që bie ndesh me dispozitat e mësipërme ose është e pamundur, ose duhet të njohësh dikë në drejtorinë arsimore, mundësisht drejtorin. Duke përmbledhur dy argumentet e mësipërme, konkluzioni është i qartë: pavarësisht arritjeve që ka shkolla ose aftësive që mund të ketë fëmija, e vetmja shkollë ku mund të shkojë është ajo që gjendet te dera e shtëpisë. Konkluzioni mund të pasurohet tani me një argument të ri: nëse konkurrenca ndikon pozitivisht në përmirësimin e shkollave private, kjo nuk vlen për shkollat publike, sepse ndërmjet tyre mungon ky mekanizëm: e mirë ose e keqe (po përdor fjalor urban), shkolla do të vazhdojë të jetë po ajo, sepse çdo pallat rreth e rrotull, çdo shtëpi e ndërtim është një mundësi për kontingjent nxënësish. Sigurisht që mungesa e konkurrencës ndërmjet shkollave publike në sistemin tonë arsimor nuk është kushti i domosdoshëm që një shkollë të jetë e keqe, por është aq i mjaftueshëm sa ta mbajë atë (shkollën) në parametrat e të qenët e tillë. Në përfundim të një viti shkollor me rezultate jo të kënaqshme, në shkollë maksimumi mund të ndërrohen drejtuesit, por e gjithë “ngrehina” mbetet po ajo: e njëjta kurrikul, të njëjtët mësues, e njëjta pagë, të njëjtat tekste, i njëjti shans edhe për fëmijët të vazhdojnë të studiojnë në një shkollë që nuk bën për ta, që i frenon, në mos i çedukon, pra në një shkollë ku “ajo që nuk shkon” është vetë mënyra e konceptimit të shkollës. Viti i ri shkollor fillon sikur të mos ketë ndodhur asgjë, në një sistem tepër kokëfortë, që riciklon vetveten në të njëjtën mënyrë, me të njëjtat probleme dhe me të njëjtin vizion.

Pra, politikat arsimore të deritanishme në sistemin parauniversitar, i lënë shkollat publike ashtu si janë, ndërkohë që nxisin arsimin privat, me logjikën “sa më shumë shkolla private, aq më pak shpenzime për arsim”, pasi në një farë mënyre ato shërbejnë si valvula shfryrjeje për shtrëngesën e fondeve. Kjo sjell që të gjitha dallimet ndërmjet grupeve të ndryshme në shoqëri të pasqyrohen edhe në edukim: “hirrë” për disa dhe “krem” i cilësisë së parë për disa të tjerë, thotë një nga pedagogët më të njohur. Situata bëhet akoma më dramatike po të kihet parasysh fakti që edhe shumë nga shkollat private të hapura në vend shpesh janë për të qarë hallin. Së pari, sepse mungon kontrolli nga institucionet përkatëse, shpesh për shkak të mungesës së personelit, shpesh sepse ne të gjithë e dimë sa të thjeshtë e kanë “inspektorët” për të bërë sikur inspektojnë (sigurisht jo të gjithë!). Së dyti, sepse një shkollë që funksionon si një organizatë fitimprurëse, niset më shumë nga motivi i fitimit se nga plotësimi i nevojave që ka shoqëria për qytetarë demokratikë. Aty ku interesat e fëmijës bien ndesh me ato të biznesit, prevalojnë interesat e biznesit. Për të mos harruar faktin që, falë kapitalit financiar që ka, propagandon e promovon shpesh edhe vlera false.

Problemi “si t’u sigurojmë të gjithë fëmijëve një arsim të përshtatshëm” që në kontekstin tonë përkthehet jo vetëm sa të drejtë kanë prindërit për të zgjedhur një shkollë të përshtatshme publike për fëmijën, por edhe nga duhet të anojë peshorja, nga privatja apo publikja, hap debat në të gjitha vendet. Por në rastin tonë, nisur nga të ardhurat e pamjaftueshme të pjesës më të madhe të popullsisë për t’u dhënë arsimin e duhur fëmijëve, zgjidhje nuk janë shkollat private dhe mburrja sa shumë kemi, por përmirësimi i shkollave publike në sistemin arsimor parauniversitar, edhe nëpërmjet mekanizmit të konkurrencës ose “zgjedhjes” së lirë! Është një mënyrë për të rritur indirekt edhe shkallën e përgjegjshmërisë së mësuesve e drejtuesve të shkollave përpara prindërve. Një arsyetim i tillë, ndonëse metodologjikisht është shumë i rëndësishëm në jetën e shkollës dhe të fëmijëve, sigurisht që mund të ketë edhe kundërshtarë të shumtë, por në mungesë të vendit për të vazhduar me argumente pro e kundër, mund të japim një shembull nga ShBA: afro 40 shtete e kanë pranuar si pozitive “regjistrimin e hapur”, që do të thotë mundësinë e regjistrimit të fëmijës edhe në një shkollë, që jo detyrimisht është pranë vendbanimit, shoqëruar sigurisht me specifikime përkatëse që lidhen me madhësinë e shkollës, infrastrukturën apo llojin e saj etj.

E rëndësishme është se duhet të fillojmë të mendojmë ndryshe, të kuptojmë rolin e vendin që ka tregu e privati në shoqëri, pa e fetishizuar. A është vërtet ekonomia e tregut kaq e egër sa e zbatojmë ne apo si çdo gjë tjetër edhe këtu më shumë se kuptojmë, klonojmë; më shumë se të merremi me politika ekonomike e sociale, merremi me fushata dhe parulla për konsum ditor.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi