Shoqëri projektesh!
Nga Gilman Bakalli, botuar në Mapo Online, 11 nëntor 2013
Një erë e fortë projektesh fryn në Shqipëri. Gjithçka është dhe mundet me qenë projekt: një libër, një film, një sipërmarrje bamirësie, një angazhim për të drejtat e grave, për të papunët, për romët, për pastrimin e bregdetit, për pyllëzim, për demontim armësh e minash luftarake, për shkatërrim armësh kimike etj. Gjithçka e gjithkush lind, jeton dhe vdes si projekt. Ose si objektiv projektesh. Edhe idetë, para se me qenë të tilla, janë projekt-ide. Nuk ka mbetë skutë e shoqërisë shqiptare pa u rrahur nga erërat e forta të projekteve. Thuajse çdo institucion shqiptar ka integruar në infrastrukturën e tij të ashtuquajturat zyra për projektet. Thuajse çdo individ ka qenë të paktën një herë në jetë, direkt ose indirekt, pjesë e një projekti. E pamundur të mos jesh pjesë e një projekti, sepse sot, praktikisht, gjithçka mundet me qenë projekt. Edhe një raport dashurie mundet me qenë projekt. (E kush beson më tek dashuria e përjetshme?). Edhe vetja mundet me qenë projekt. Edhe stili i jetës po ashtu. S’kemi zënë akoma vend si shoqëri. Jemi një projekt-shoqëri.
Projekti e fillon jetën e tij si një dëshirë për ta shndërruar një ide kreative në biznes fitimprurës. Është në vetë natyrën e projektit të shndërrohet në një biznes me qëllime përfitimi, i cili nuk ka domosdoshmërisht lidhje me idenë fillestare që e solli në jetë dhe të kthehet në një realitet të pavarur. Tërësisht autonom dhe tejet rezistent! Autonom ndaj idesë dhe rezistent ndaj dështimit. Në një shoqëri si e jona, me institucione të pakonsoliduara dhe në tranzicion pafund, projektet shtrihen si metastaza, të cilat kanë jetën e tyre të pavarur nga trupi institucional që i ka lindur. Duket se ka një raport proporcional midis boshllëqeve në punën e institucioneve shtetërore dhe natyrës inflacionare të projekteve. Në këtë kontekst, prania e zyrave të projekteve nëpër institucionet shtetërore mund të lexohet edhe si një patericë përballë pamundësisë së shtetit për ta kryer si duhet misionin e tij.
Duke u kthyer në biznese të mirëfillta, projektet i nënshtrohen ligjeve të ashpra të konkurrencës. Megjithëse, në njëfarë mënyre, logjika e projektit nuk e njeh aspak dështimin. Sepse në çdo dështim fshihet fara e një projekti të ri. E megjithatë konkurrenca i ka detyruar projektet të pësojnë një metamorfozë të çuditshme. Sot, projektet janë kthyer vetë në produkt. Një ushtri e tërë specialistësh organizojnë seminare për të mësuar teknikat e prezantimit të projekteve. Botime të shumta librash e manualesh kanë si synim të tregojnë se si lindin, krijohen dhe mbahen në jetë projektet. Sot ka projekte edhe mbi mënyrën e menaxhimit të projekteve. Ai momenti kur projekti masturbon me veten.
Edhe individi shqiptar nuk mundet t’i qëndrojë larg kësaj forme ekzistenciale që bazohet tek Projekti. Prej tij pritet konfigurim i vazhdueshëm: arsimim, specializim, përshtatje me tregun, rritje personale, përmirësim i vazhdueshëm. Mania e projekteve e detyron individin as më shumë e as më pak se sa ta shndërrojë Unin e tij në një shoqëri aksionere. Prandaj nuk duhet të na habisë numri i madh i shqiptarëve që duan me çdo kusht mastera, doktoratura dhe tituj të tjerë akademikë. Ku i dihet se çfarë kërkojnë prej tij projektet e së nesërmes… ?!