Antikorrupsioni, prezantohen strategjitë, Rama: Çelësi, modernizimi i sistemit

12 nëntor 2013

Lufta kundër korrupsionit”, e organizuar nga Ministria për Çështjet Vendore, ka mbledhur sot në një Konferencë Kombëtare në Tiranë, gjithë kabinetin qeverisës, me pjesmarrjen e kryeministrit Edi Rama, ambasadorë të akredituar në vendin tonë, sikurse edhe drejtues të institucioneve të drejtësisë, si kryetari i Gykatës së Lartë, i KLSH-së, nënkryetari i KLD-së, kryeprokurori etj.
Kjo konferencë, e cila ka nisur punimet një ditë më parë, ka për qëllimin hartimin e një strategjie efikase të luftës kundër korrupsionit, si një nga çështje kryesore në procesin integrues të vendit.
Në konferencë mbajnë fjalim të gjithë ministrat e kabinetit qeverisës si dhe kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit, Majlinda Bregu dhe kryetarja e ILDKP-së, Zana Xhuka.

RAMA: NDESHKIMI I KORRUPSIONIT, JO LUFTA, POR MODERNIZIMI I SISTEMIT, KETU TE NISIN REFORMAT
Kryeministri Edi Rama vlerëson se korrupsioni është një shërbim alternativ i paligjshëm që merr zhvillim kur mungon një shërbim i ligjshëm. Sipas tij, mbetet që nën lidershipin e qeverisë të modernizohet sistemi që mos ti lihet rrugë shërbimit të paligjshëm.
“Nuk ka asnjë dyshim që fuqia ndëshkuese është një domosdoshmëri për luftën kundër korrupsionit, por nga ana tjetër fuqia nuk është themeli i luftës kundër korrupsionit, themeli është modernizimi. Modernizimi i çdo mekanizmi që shteti ka në strukturën e vet. Nuk duhet të largojmë asnjë çast nga mendja se korrupsioni është një shërbim alternativ i paligjshëm në mungese të një shërbimi të ligjshëm. Korrupsioni arrin më shpejt aty ku shërbimi shtetëror jocilësor dhe arkaik nuk arrin dot”.
“E pra sfida jonë është që shërbimin publik, shërbimin ndaj qytetarit Kushtetuta dhe Ligji së bashku dhe me programin e çdo qeverie e njohim si të drejtë të patjetërsueshme të qytetarit ta bëjmë të tillë që shërbimi alternativ të bëhet sa më pak i preferuar. Që të ndodhë kjo na duhet të jemi të gjithë së bashku në një front, duke u udhëhequr dhe nga një fjalë kyçe. Modernizim”, u shpreh Rama sot në konferencën antikorruopsion, në panelin e së cilës ishin të ftuar ambasadori i BE, Sequi, ministri Çuçi, etj.
Sipas Ramës, korrupsioni nuk duhet adresuar si një luftë ekskluzive e qeverisë, por si një luftë që udhëhiqet nga qeveria.
“Është sistemi që i korrupton njerëzit dhe jo njerëzit sistemin.
Ne ndjejmë domosdoshmërinë e një reforme të gjithanshme për të bërë të mundur që sistemi të imunizohet nga korrupsioni. Kjo nuk është beteja ekskluzive e qeverisë, por po kështu nuk ka asnjë dyshim se pa lidershipin e qeverisë, kjo betejë është thjesht e pamundur”.
Kryeministri garantoi se qeveria do të punojë për të çuar përpara reformat e konceptuara posaçërisht për të forcuar sistemin në mënyrë të tillë që ti bëhet ballë tundimit nga korrupsioni.
“Ne jemi shumë të vendosur që të shkojmë përpara. Ne besojmë se paketa jonë e reformave të konceptuara posaçërisht për të forcuar sistemin dhe për të mundësuar që mekanizmat e këtij sistemi të mund të funksionojnë në mënyrë të tillë që ta bëjnë të mundshme përballjen me tundimin e korrupsionit dhe pasojat e korrupsionit”.
Rama kërkoi që sistemi të modernizohet dhe të bëhet efikas në mënyrë që ky sistem i tillë të jetë pika e vetme e referimit për qytetarin.
“Ta modernizojmë sistemin tonë, ta bëjmë efikas, në bazë të Kushtetutës, në bazë të ligjit të drejtave të njeriut, të drejta të sanksionuara në ligj, të jetë pika e vetme e referimit për qytetarin dhe të jetë dera e vetme që qytetari troket pa pasur mundësinë të dalë nga dera e pasme ku mungon shërbimi i kulturuar”.

SEQUI:ANTIKORRUPSIONI, INVESTIM NË RRUGËN E SHQIPËRISË DREJT BE-së
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi deklaroi të mërkurën se lufta kundër korrupsionit është një investim në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Duke folur në konferencën e organizuar për antikorrupsionin, ambasadori Sequi vuri në dukje angazhimin në vijimësi të BE-së për të mbështetur Shqipërinë në politikat e saj kundër këtij fenomeni.
“Gjatë 15 viteve të fundit BE është angazhuar në ndërtimin e një Shqipërie demokratike, ku të sundojë ligji. Për këtë qëllim asaj i janë akorduar fonde në vlerën e rreth 150 milionë eurove”, tha Sequi.
Ai nënvizoi nevojën e ‘një mobilizim kompleks’ të institucioneve shqiptare në përpjekjet për të vendosur sundimin e ligjit. “Pritshmëritë tona janë të qarta dhe realiste. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një investim për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe një motor i fortë që çon përpara vendin”, tha sequi në konferencën e sotme kushtuar antikorrupsionit.

ÇUÇI: QYTETARET PRESIN REZULTATE, NE TE PERKUSHTUAR TU PERGJIGJEMI
“Qeveria është thellësisht e ndërgjegjshme që qytetarët presin të shohin rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe po aq thellësisht jemi të përkushtuar të bëjmë çdo përpjekje që na çon në këto rezultate”, tha sot ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, në konferencën Kombëtare Antikorrupsion.
Çuçi vuri në dukje se qeveria përballet me një realitet kokëfortë, për shkak se Shqipëria perceptohet nga qytetarët e saj si një vend me nivel të lartë të korrupsionit. “Në 2012 “Transparency International” na listoi të 113 ndër 174 vende, bazuar në perceptimin e qytetarëve për shkallën e korrupsionit në sektotin publik”, tha Çuçi, ndërsa shtoi se qeveria përballet gjithashtu edhe me lënien pas dore të luftës kundër korrupsionit në vitet e fundit të qeverisjes paraardhëse. “Mes të tjerave në 4 vitet e fundit, Departamenti kundër Korrupsionit në Kryeministri nuk ka bërë asnjë kallëzim penal ndaj një punonjësi publik”, theksoi ai.
“Të vetëdijshmë që korrupsioni është një pengesë madhore për zhvillimin e vendit dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, qeveria jonë ka përcaktuar luftën kundër tij si një prioritet të dorës së parë për çdo institucion publik”, tha Çuçi. Sipas tij, për të koordinuar këtë punë shumëplanëshe dhe me rëndësi parësore për zbatimin e programit të Qeverisë, si dhe në pajtim me rekomandimet e BE, Shqipëria emëroi Koordinatorin Kombëtar kundër Korrupsionit, miratoi një plan emergjent masash kundër korrupsionit, ka caktuar zyrtarë të lartë që do të shërbejnë si pika kundër korrupsionit në çdo ministri, si dhe ka nisur punën për hartimin e Strategjisë Kombëtare kundër korrupsionit për 4 vitete e ardhshme. Ky proces përfshin ngritjen e sistemit të bashkërendimit dhe monitorimit të nismave për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit në vend.
“Plani i masave emergjente përfshin masa afatshkurtra për të adresuar boshllëqe flagrante ligjore dhe institucionale që mundësojnë korrupsionin në sektorë të ndryshëm publikë”, tha më tej Çuçi.
Duke u ndalur tek Strategjia Kombëtare kundër Korrupsionit, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore bëri të ditur se do të hartohet mbi bazën e praktikave më të mira ndërkombëtare dhe vendore, në një proces të gjerë konsultimi me specialistë të sektorit public, por dhe me sektorin privat, shoqërinë civile dhe median. “Kjo strategji multidimensionale do të përcvaktojë masa konkrete për të luftuar korrupsionin”, theksoi ai.
Duke folur për Koordinatorin Kombëtar, Çuçi tha se “Qeveria e ka konceptuar si një strukturë që ofron platformë bashkëpunimi dhe bashkërendimi të nismave të të gjithë aktorëve që punojnë për të parandaluar dhe luftuar korrupsionit në Shqipëri, Parlamentin, institucionet e administratës publike, sistemin e drejtësisë, sektorin privat dhe shoqërinë civile, si dhe partnerët ndërkombëtarë”. Koordinatori Kombëtar, sipas tij, do të nxisë nisma ligjore që kontribuojnë në mënyrë të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, si dhe do të ofrojë ndihmë teknike për nismat kundër korrupsionit të ndërmarra nga aktorët e sipërpërmendur.
Koordinatori do të monitorojë zbatimin e Strategjisë Kombëtare kundër korrupsionit që përfshin ngritjen e një baze të dhënash qëndrore, në të cilën institucionet përgjegjëse do të raportojnë për raste konkrete të korrupsionit që janë identifikuar dhe ndjekur nga ato duke mundësuar harmonizimin në nivel kombëtar të statatistikave për rastet e korrupsionit dhe veprimet kundër tyre. “Koordinatori Kombëtar do të sigurojë transparencë të plotë dhe qasje për publikun në nismat e qeverisë për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin dhe do të jetë promoter i rigjallërimit të angazhimit të shoqërisë civile në monitorimin e cilësisë së qeverisjes dhe shërbimeve për qytetarët”, nënvizoi Çuçi.

AHMETAJ: MBIZOTERIMI I LIGJIT, SUKSES NDAJ KORRUPSIONIT
Reformim të institucionit të auditit të brendshëm, ringritje e statistikave ekonomike, rishikim të rregullave, klauzolave kundër eskluzivitetit në fusha të ndryshme ekonomike që sjellin dëm ekonomik dhe tek konsumatori, rifreskim të regjistrimeve të bizneseve në QKL, QKR, regjistrim i tyre edhe në banka dhe institucione të çertifikuara për shpejtësi më të madhe, etj, janë pjesë e reformave që ka nisur Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe Tregtisë (MZHEST) në betejen kundër korrupsionit.
Ministri i MZHEST-së, Arben Ahmetaj e quajti përmirësimin e klimës ndaj biznesit, si hap i parë i luftës kundër korrupsionit dhe proceseve korruptive, prej të cilave ekonomia shqiptare ka humbur mbi 300 milionë euro gjatë 3 viteve të fundit. “Antikorrupsioni është prioritet objektiv dhe suksesi ndaj tij është pasojë e mbizotërimit të ligjit”, tha ai.
I pranishëm në Konferencën Kombëtare “Lufta kundër korrupsionit”, që po zhvillohet sot në Tiranë, Ahmetaj parashtroi rëndësinë që merr në këtë luftë pjesëmarrja e qytetarëve dhe biznesit.
Duke konsideruar ngritjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, “një hap të parë në dialogun me qeverinë, që synon përmirësim në vendimarrje”, Ahmetaj tha se, “në këtë betejë ka vend për pjesëmarrje të shoqërisë civile”.
“Shoqëria civile është ftuar të monitorojë çdo vendim që merr qeveria në fushat e biznesit dhe për çdo lloj shërbimi”, tha ai.
Ministri njoftoi nisjen e punës për reformimin e auditit të brendshëm, si instrument shumë i rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit. “Ka një nismë për ta riformatuar auditin nga niveli më i lartë, tek më i ulti”, tha Ahmetaj, që e quajti “të dështuar” institucionin e auditit të brendshëm, që gjeti në ministri. “Ky institucion ka dështuar, pasi nuk janë marrë masat që ta kthejë këtë instrument, si të parin në luftën kundër korrupsionit”, tha ai.
Ahmetaj bëri të ditur nisjen e punës për hartimin e një kuadri të ri ligjor mbi transparencën e komunkimit me sipërmarrjen, në bashkëpunim me BERZH-in, për të siguruar sukses të ri në luftën kundër korrupsionit. “Heqja e pengesave administrative është në themel të kësaj lufte”, tha Ahmetaj.
Ringritja e statistikave ekonomike në MZHEST në kushtet kur ato mungojnë, ç’ka lë dyshime mbi aktivitetin ekonomik të shumë sektorëve, përbën një tjetër reformë të nisur në këtë ministri.
Ahmetaj njoftoi se në fund të muajit dhjetor, ministria do të nxjerrë paketën e plotë të privatizimit të ndërmarrjeve që janë ende gjysëm private dhe gjysëm shtet. “Kjo paketë do jetë në website –in e ministrisë ku gjithkush do të ketë informacion të plotë”, tha ai.
Si pjesë të luftës kundër korrupsionit, ministri tha se me Autoritetin e Konkurrencës ka nisur puna për rishikimin dhe rregullimin e disa klauzolave që krijojnë situata eskluzive në fusha të ndryshme, pas konstatimeve mbi dëmin që kanë shkaktuar për ekonominë, konsumatorin, shoqërinë.
Gjitashtu pjesë e reformave në luftën kundër korrupsionit, Ahmetaj përmëndi nevojën për rifreskim urgjent të të dhënave pranë qëndrave “One stop shop” si QKR, QKL, pasi prej vitesh mungon rifreskimi i të dhënave për firmat dhe bizneset.
“Ne po punojmë që të shtrijmë regjistrimin e biznesit përtej QKR, QKL-së edhe në banka, apo institucione të tjera të çertifikuara për këto qëllime”, tha ministri i Ekonomisë.
Nisur nga rënia me 6 pikë të Shqipërisë në raportin e fundit të “Dooing bussiness 2014”, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka nisur dje analizën e thelluar mbi elementët që sollën këtë frenim. “Ne do të nisim reformat për këtë përmirësim pasi kemi detyrë të punojmë për të lehtësuar barrierat që pengojnë të bërit e biznesit”, tha Ahmetaj.

TAHIRI: DIKASTERI IM LUFTE PA KOMPROMIS KORRUPSIONIT
Lufta kundër korrupsionit është shpallur si një prioritet i qeverise shqiptare, gjatë Konferences Kombëtare antikorrupsion, e cila po zhvillon sot punimet e saj në Tiranë.
Gjatë ketij aktiviteti, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri garantoi se, dikasteri i tij i ka shpallur luftë pa kompromis korrupsionit. “Ministria e Brendshme është në fazën e përpunimit të strategjisë së plotë e integral për të parandaluar çdo praktikë korruptive brenda Policisë së Shtetit, duke nisur nga një ligj i ri që reformon tërësisht SHKB-në”, tha Tahiri
“Po instalojmë linjën e gjelbër që do të funksionojë 24 orë. Qytetarët do të komunikojnë me një strukturë brenda ministrisë së Brendshme, jashtë Policisë së Shtetit, ku do të hetohen denoncimet për rastet e korrupsionit brenda radhëve të Policisë së Shtetit”, theksoi Tahiri.
“Praktika e deklarimit të pasurisë për çdo punonjës të policisë nga zyrtari më i lartë tek polici më i thjeshtë është një pjesë tjetër e strategjisë. Po përfundojmë aktet normative përkatëse për ndërprerjen e marrëdhënieve potenciale mes strukturave të policisë së shtetit me qytetarët në terma financiarë, përshembull pagesa e gjobave të policisë rrugore do të bëhet pranë bankave e zyrës së postës shqiptare. Mendojmë ridimensionimin e kodit etik të policisë.”, nënviozi Tahiri
Kreu i ministrise se Brendshme bëri të ditur se po punohet me grupe ekspertësh me ICITAP për paketën ligjore të sigurisë publike, duke përfshirë një ligj të ri për Policinë e Shtetit, pjesë e të cilit do të jenë, ligji i ri për gradat, armët dhe përdorimin e armëve, ligji i ri për shoqëritë private të sigurisë, ligji i ri për funksionimin e Akademisë së Policisë, si dhe për Byronë e Hetimit”.

NACO: KEMI BERE HAPA PARA NE LUFTEN KUNDER KORRUPSIONIT
I pranishëm në konferencë, ministri i Drejtësisë Nasip Naço paraqiti qasjen e dikasterit që ai mbulon lidhur me luftën kunder korrupsionit. Ministri Naço përmendi si masë për kete luftë hapjen e faqes online “stop korrupsionit” si një portal online, ku qytetarët mund të denonojnë aferat korruptive në sistemin e drejtësisë.
Një tjetër masë, tha Naço, është lançimi i spotit “stop korrupsionit” në drejtësi në mediat sociale, si dhe paketa e ndryshimeve ligjore antikorrupsion të miratuar nga qeveria dhe që pritet të miratohen në parlament”
Ministri Naço u shpreh edhe në lidhje me Byronë Kombetare të Hetimit si një instrument në ndihmë të prokurorisë për të hetuar zyrtarët e lartë të shtetit. Sipas tij, hetimi i zyrtarëve të lartë nga Byroja Kombëtare e Hetimit është pjesë e propozimeve të Ministrisë së Drejtësisë, së bashku me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, ku përfshihet edhe kalimi i veprës penale të korrupsionit tek Krimet e Rënda.
ministri Naço, gjithashtu vlerësoi edhe krijimin e Gjykatës Administrative.
“Gjykata Administrative e krijuar rishtazi ka si qëllim t’i vi në ndihmë qytetarëve, të cilët vlerësojnë se ndaj tyre janë marrë masa administrative të kundraligjshme. Kjo gjykatë i jep zgjidhje të shpejtë çështjeve, duke hetuar verpimin adminisrativ. Ajo është ngritur dhe është në përputhje të plotë me kërkesat e Bashkimit Europian”, theksoi Naço.

BEQJA: KORRUPSIONI NË SHËNDETËSI, PESHQESH, BAKSHISH, RRYSHFET
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja deklaroi sot se korrupsionit në shëndetësi i vishen fjalë të tilla si peshqesh, bakshish dhe ryshfet. “Shendëtësia është një nga sektorët ku për korrupsionin ekzistojnë tre fjalë peshqesh, bakshish dhe ryshfet. Të treja bashkëjetojnë në shoqërinë shqiptare. Ndoshta ndjehen më shumë në shëndetësi. Sigurisht që tashmë kemi dy muaj në qeveri dhe njerëzit presin çfarë do ofrojmë”,-deklaroi ministri Beqja.
Gjatë prezantimit të situatës në sektorin e shëndetësisë ministri tregoi se si funksionon skema e mashtrimit dhe korrupsionit në shëndetësi. “Në datën 9 shtator një kompani farmaceutike ka dorëzuar një kërkesë për të futur një bar në Shqipëri. Po atë ditë bari është studiuar me qindra faqe materjal dhe është lejuar të futet në Shqipëri. Kjo na bën të dyshojmë. Rastin po e auditojmë. Do fillojmë procedurat për të përsëritur licencimin e futjes së barit në Shqipëri. Sigurisht që me ligj çmimi i barit është i negociuar. Por nga hetimi rezulton se çmimi i barit është 2,4 herë më shtrenjtë se fatura reale. Faturat kanë diskauntin 54%. Nëse në të gjithë tregun farmaceutik të barnave të rimbursueshme ky discaunt është 24 milion dollarë në vit. Përse përdoren keto para, për të korruptuar mjedisin e shëndetësisë. Ato para i paguajnë shqiptarët me çmimet e barnave.
E njëjta gjë ndodh edhe me aparaturat e shtrenjta mjekësore. Çdo ditë ndeshem me aparatura të reja që prishen. Dhe kryesisht prishen te spitalet publike kjo ndodh sepse janë lënë pa kontrata mirëmbajtje”,- deklaroi Beqja.
Ministri renditi dhe një sërë masash që do të merren për të luftuar dhe parandaluar korrupsionin në shëndetësi.
“Brenda vitit do ti dorëzojmë të gjitha ambasadave të huaja një kërkesë. Do u kërkoj informacion për kompanitë farmaceutike që sjellin barnat. Cilat janë barnat që janë unik në tregun tonë për të ofruar alternativa të tjera.  Kemi dhe një listë me masën afatgjata. Zbatimi i recetës elektronike, edukim i personelit mjekësor, vendosja e kartelave elektronike shëndetësore dhe furnizimi i spitaleve me barna. Korrupsioni është kancer në shëndetësi. Korrupsionin do ta luftojmë me efektivitet nëse do ngulmojmë te zbulimi dhe parandalimi i hershëm”, -deklaroi Beqja.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi