Fyle në Tiranë: Luftoni korrupsionin dhe krimin e organizuar

11 nentor 2013

Eurokomisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, ka theksuar sërish që Shqipëria duhet të përmbushë pesë prioritetet dhe të tregojë vendosmëri në luftën kundër krimit e korrupsionit. Në nisje të vizitës së tij dy ditore, Fyle është takuar me kryeministrin Edi Rama. Në konferencën e përbashkët për shtyp, diplomati europian ka theksuar se dialogu politik mes qeverisë dhe opozitës është thelbësor për të rigjallëruar jetën politike të vendit.

“Ne kemi diskutuar një sërë çështjesh, natyrisht kemi folur edhe për statusin kandidat. Këto takime do të jenë një mundësi për të parë se çfarë pritet nga Shqipëria, për sa i përket rekomandimit për statusin kandidat. Natyrisht që përveç rekomandimit, në propozimin për statusin KE ka theksuar edhe 5 prioritete kyçe, të cilat duhen përmbushur. Shqipëria duhet të tregojë vendosmëri në trajtimin e këtyre sfidave, për sa i përket krimit dhe korrupsionit. Shqipëria duhet të tregojë rezultate”,- deklaroi ai.

Më herët Stefan Fyle ka takuar presidentin e Republikës Bujar Nishani. Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, Nishani pasi vlerësoi fillimisht Progres Përparimin e Komisionit Evropian për objektivitetin në njohjen e arritjeve të Shqipërisë dhe rekomandimin për marrjen e statusit të vendit kandidat pa kushte, shprehu besimin e palëkundur se Këshilli Evropian do të marrë një vendim pozitiv në dhjetor. Ai ka theksuar se institucionet dhe shoqëria shqiptare do të vazhdojnë përpjekjet për përballimin e sfidave të identifikuara nga Raporti, plotësisht të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë e tyre parësore dhe nevojën për ndihmë nga partnerët evropianë në këtë përballje.

Komisioneri Fyle është përqendruar në rëndësinë që partnerët evropianë i kushtojnë rolit sa më aktiv të Shqipërisë dhe shqiptarëve për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal, perceptimit të aktorëve evropianë për arritjet e Shqipërisë në procesin e reformave, dhe integrimit, bazuar në prioritetet e përcaktuara dhe kontributin e saj në rajon.

Kreu i Shtetit vuri në dukje vendosmërinë e Presidentit për të mbështetur të gjitha nismat që përshpejtojnë reformat dhe i shërbejnë krijimit të një ambienti politik bashkëpunues dhe konsensual dhe e siguroi bashkëbiseduesin se do të luajë pa hezitim garantuesin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese dhe do të punojë për thellimin e reformave për një drejtësi efikase, transparente dhe të pavarur nga ndikimet politike dhe të interesave të tjera.

Gjatë vizitës së eurokomisionerit janë parashikuar takime edhe ministren e Integrimit Klajda Gjosha, kreun e kuvendit Ilir Meta, ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, si edhe me kreun e opozitës Lulzim Basha.

Ai do të marrë pjesë gjithashtu në një takim me studentë si dhe në ceremoninë e diplomimit të organizuar nga Akademia Rajonale për Demokraci. Kjo është vizita e tretë brenda këtij vitit e Komisionerit në Shqipëri dhe e para që prej ardhjes në pushtet të qeverisë së re.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi