Goja që shqipton fjalët e ligjit
Nga Ilir Dhima, botuar në Shqiptarja.com, 3 nentor 2013
Po, kështu është përkufizuar në përgjithësi që prej dy shekujsh roli i gjyqtarit, veçanërisht në traditën e shteteve me legjislacion të kodifikuar. Kësaj tradite i përkasim ne. Prandaj, veç të tjerave, edhe Ligji Themelor i Republikës së Shqipërisë urdhëron që gjyqtari në ushtrimin e funksionit të tij duhet të zbatojë vetëm Kushtetutën dhe ligjin.
Nëse ndokujt, si palë e një procesi gjyqësor, nuk i mbushet mendja që një vendim i bazuar plotësisht te legjislacioni në fuqi nuk i jep atij drejtësinë që do të dëshironte, vështirë të të besojë që e drejta dhe drejtësia (it.: il diritto e la giustizia) janë dy kategori të veçanta, që sidoqoftë e mbështesin njëra tjetrin. Por jo gjithmonë mund të njësohen. Ama, kur gjyqarët – herë me drojtje dhe herë me kapadaillëk mënjanojnë rregullin e përcaktuar, duke e shndërruar atë në një hiç, ata i kundërvihen edhe së drejtës, edhe drejtësisë, të cilat do t’ia detyronin mirënjohjen kujtdo që do t’i jepte goditjen fatale kësaj dukurie.
Tabloja në gjykatat e vendit tonë është e mbushur, në mos plotësisht, së paku pjesërisht me shembujt të tillë, edhe atëhere kur e drejta dhe zbatimi i saj janë plotësisht të qartë. Dhe, të gjithë ata, madje një popull i tërë, që ballafaqohen drejtpërdrejt apo tërthorazi me shembuj të tillë humbasin besimin te e drejta dhe drejtësia, të cilat nuk janë fajtore, janë viktima të jo pak gjyqtarëve, të anësive, ndikimit politik, interesave të ngushta, paaftësisë, pasioneve dhe favoreve personale të tyre. Ndërkohë që, gjyqtari nuk mund dhe nuk duhet ta ndryshojë as forcën dhe as ashpërsinë e ligjit, por ta bëjë udhëtarin, që e di se drita e kuqe ndizet për të ndërprerë kalimin e tij, të jetë i vëmendshëm dhe t’i hapë mirë sytë. Përndryshe, me kaosin e lëvizjeve dhe shtimin e sjelljeve antiligjore në një shoqëri, respekti i saj për gjyqtarët bie më shumë se sa për këdo tjetër.
Me sa kuptohet, këto kushte e detyruan t’i hiqte ‘dorashkat’ e diplomacisë edhe Ambasadorin e SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili me pjesëmarrjen e tij në Simpoziumin mbi Etikën Gjyqësore të zhvilluar të martën e kësaj jave nuk mënoi të thoshte, se këtu në Shqipëri disa gjyqtarë duhet të ishin në burg. Kjo thënie gjithrrokëshe vlerësohet në masë të gjerë si një konstatim mjaft realist. Jo, më shumë se sa një konstatim, kjo thënie merr vlerat e një thirrjeje, që plotëson në formatim elementin e ndëshkimit. Të atij ndëshkimi, si detyrë e kohës, që duhet të veprojë jo vetëm mbi funksionarët dhe nëpunësit e korruptuar apo të kriminalizuar, por edhe mbi ata gjyqtarë, të cilët nuk e kanë ndjerë dhe as nuk e ndjejnë veten të barabartë me të tjerët përpara ligjit, duke e shtrembëruar dhe devijuar këtë, për hir të interesave private dhe duke kujtuar se funksioni i tyre ka forcë më të madhe se sa ajo e ligjit.
Në refererim të punimeve të atij Simpoziumi, Fjalimi i Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, nën drejtimin qoftë edhe administrativ të të cilit është Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nuk u ndje të ishte në rezonancë me atë të mikut të huaj, që pritet të largohet së shpejti. Megjithëse u kujdes që të mos anashkalonte haptazi shqetësimin e përgjithshëm për dobësitë e theksuara në funksionimin e sistemit tonë të drejtësisë, artikuluar fare qartë nga Arvizu, Nishani shprehu vetëm besimin e tij, sipas të cilit, sfida për shtetin ligjor qenka një sfidë që nuk mbaron kurrë. Sigurisht, nuk mbaron kurrë, por duhet të fillojë dikur. Dhe, më e thjeshta, madje më e shpejta është që të niset nga reforma për pastrimin e gjykatave nga ata që kanë njollosur fasadat, sallat dhe togat e tyre. Sepse, baticat që përpijnë funksionarët e tjerë, nuk mund të ndryshojnë rrugën ose drejtimin e tyre për t’i lënë gjyqtarët mënjanë.
Vërtet që një nga katër parimet e statusit të gjyqtarit është parevokueshmëria nga detyra e tij, megjithatë ky shoqërohet edhe me parime të tjera, prej zbatimit korrektësisht të tyre parevokueshmëria vihet në dyshim, prandaj edhe në shqyrtim. Por, jo siç është vepruar deri tani, kur edhe ndonjë masë administrative e ndërmarrë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, shpesh anullohet nga Gjykata e Lartë. Ose, siç veproi së fundmi KLD, duke futur në veprim Inspektoratin e vet për të zhvilluar një testim për gjyqtarët, duke u nisur nga ankesat e qytetarëve të thjeshtë, që më së shumti nuk janë në gjendje t’i formulojnë juridikisht ato. Atëherë, kjo që thamë më lart, mos është një gjë pa krye, apo një sfidë që nuk e lejon shtetin e së drejtës të përballet me ‘të?
Asgjë nuk është e pazgjidhshme, as në këtë drejtim, kur ekziston vullneti, për t’iu përgjigjur konkretisht shqetësimit të popullit dhe kërkesave për zhvillime të reja në rrugën drejt Bashkimit Europian. Përveç shqyrtimit me objektivitet, profesionalizëm dhe pa zvarritje të dosjeve me vendime gjyqësore të kontestueshme, ka edhe një rrugë tjetër që nuk kërkon ndonjë stërmundim për të rrëmuar nëpër analet jurisprudenciale, por në ato të kontrollit të pasurive të deklaruara dhe të padeklaruara të çdo gjyqtari. Efektet e përftuara nuk do të na shkaktonin habinë e një zbulimi, përderisa përflitjet në këtë drejtin kanë qenë dhe mbeten të shumta. Nuk do të shkaktonin habinë e një zbulimi, por e kombinuar kjo rrugë me të parën do të zgjeronte dhe do të rriste nivelin e transparencës së një prej të vërtetave shkakësore për gjendjen nga duam të dalim. Si në ngërçet e vdekjes dhe në ato të lindjes, kur bashkë me dhimbjet e ndokujt praktikave që u ka shkuar koha duhet të zhduken dhe kritere të reja vlerësimi të shfaqen.