Çelibashi: Administrata, do ruajmë ekuilibrin midis interesit politik dhe atij publik

Intervistë e Ministrit Ilirjan Çelibashit, dhënë gazetës Mapo, 9 nentor 2013

Zoti Celibashi, periudha e 50 ditëve të para të qeverisë ka si emblemë dy aksione të mëdha: mbylljen dhe kontrollin nga policia të lojërave të fatit, dhe prishjen e dy ndërtimeve pa leje. Megjithatë, për të dyja këto operacione ka dyshime se janë në kufijtë e ligjshmërisë. E para, se jo të gjitha pikat e lojërave të fatit janë të paligjshme (shumë nga ato janë hapur tashmë) dhe e dyta, për të dyja godinat e prishura u tha se janë me leje…A rrezikon qeveria të shkelë vijën e kuqe me të drejtat e individëve? Cili është komenti juaj për kritikët?  

Është shumë e rëndësishme që çdo veprim i një qeverie të caktuar, apo edhe i një funksionari publik dhe i një niveli të ulët, duhet të karakterizohet nga respektimi i ligjit dhe duhet të jetë në përputhje me interesin publik. Kjo qeveri ka në vëmendje sa më sipër, në lidhje me të gjithë veprimin e saj. Dyshime në lidhje me legjitimitetin e veprimeve të fundit, të cituara nga ju, mundet të ketë nga ata të cilët ose nuk kanë informacionin e duhur në lidhje me si dhe për çfarë janë ndërmarrë këto nisma, ose nga ata të cilët nuk kanë dëshirën dhe vullnetin për të pranuar atë çfarë kjo qeveri po bën në interes të mirëqenies ekonomike dhe sociale të qytetarëve të vet.

Denoncimi, parandalimi, eliminimi i veprimtarive të paligjshme përbën një përgjegjësi thelbësore dhe parësore të organeve të ruajtjes së rendit publik. Aktiviteti i lojërave të fatit, ndërtimet e paligjshme përbëjnë thyerje dhe mosrespektim të ligjit. Në këtë kontekst aksionet e fundit që ka zhvilluar kjo qeveri janë aksione të cilat synojnë rivendosjen e shtetit ligjor, përmbushjen e interesit publik.

Ministri i Brendshëm deklaroi para pak ditësh se qeveria ka vendosur që të ndalojë fare lojërat e fatit në vend dhe se për këtë gjë është duke përgatitur një projektligj. Jeni në dijeni të këtij drafti dhe mund të na thoni se cilat janë në vija të përgjithshme synimet e tij, a bëhet fjalë për moratorium dhe nëse po, sa parashikohet të zgjasë?

Është një çështje e cila nuk ka ardhur në vëmendje të qeverisë kështu papritur. Kjo është një çështje e cila meritoi edhe programin elektoral të kësaj shumice qeverisëse. Ne jemi duke punuar për një projekt ligjor, i cili do ta rregullojë këtë aktivitet për aq sa një aktivitet i tillë do të mundet të lejohet të ushtrohet në Republikën e Shqipërisë. Një gjë  është e sigurt, që kjo qeveri nuk inkurajon zhvillimin e këtyre aktiviteteve ekonomike.

A mund të na shpjegoni diçka më shumë për planin konkret të qeverisë për ndërtimet e paligjshme; kur do të nisë një aksion, nëse do të nisë, nga cili vend dhe a janë studiuar veç e veç të gjitha rastet?

Kjo qeveri ka rastin që më së fundi t’i japë fund kaosit në administrimin e territorit. Ky është objektiv madhor i kësaj qeverie. Përmbushja e këtij objektivi sapo ka filluar. Pastrimi nga ndërtimet e paligjshme i zonave me rëndësi kombëtare, veçanërisht i siteve kulturore dhe arkeologjike, parqe, akse automobilistike/hekurudhore, bregdet, zona turistike etj., përbën emergjencën e aksionit të kësaj qeverie në lidhje me ndërtimet pa leje. Me vendimin e fundit të KKT-së është urdhëruar ndalimi i ndërtimeve në Krujë, Berat dhe Gjirokastër. Në lidhje me ndërtimet pa leje është ngritur një Task-Forcë, e cila do të menaxhojë dhe do të zhvillojë pikërisht procesin e prishjes së ndërtimeve të paligjshme.

Në tranzicionin e pushtetit dhe emërimet e reja në administratë vihet re se ndryshe nga PS, LSI ka vepruar më shpejt duke bërë zëvendësimet. Te PS, më shumë në rrethe ka ngadalësi në ekzekutim dhe emërime, çka ka sjellë dhe pakënaqësi. Pse po ndodh një gjë e tillë dhe, a është e vërtetë se postet politike në administratë po ndahen në mënyrë të barabartë( 50% me 50%) me LSI-në?

Më duhet të them që nuk ka një proces lëvizjesh në administratë, i cili konsiston si një shuarje e etjes për punësim të militantëve, apo mbështetësve të dy forcave politike, PS dhe LSI. Është një proces i cili synon të ndryshojë në administratë atë pjesë që jo vetëm ka qenë thellësisht politike dhe vepruese vetëm në përmbushje të interesave politike të shumicës qeverisëse së shkuar, por edhe e paaftë profesionalisht. Do të gënjenim nëse nuk do të pranonim që ka një presion shumë të madh për punësim, por nga ana tjetër është po kaq e vërtetë që në këtë proces ne po përpiqemi të nisemi nga principe që lidhen me profesionalizmin dhe interesin publik. Është një proces shumë i vështirë, por besoj që do të jemi në ekuilibër midis interesit politik dhe atij publik.

Mazhoranca e bollshme e 23 qershorit varet nga LSI-ja. Në çdo rast, qëndrimi i saj në pushtet është në dorë të LSI-së. Sipas jush, si po shkon bashkëpunimi PS-LSI, apo Rama-Meta deri më tani?

Jo për interes politik, por me siguri mundet të thuhet dhe të pranohet se kjo shumicë qeverisëse e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit është e kompaktësuar dhe uniforme në të gjithë performancën e vet të deritanishme. Pra ka më shumë se bashkëpunim ndërmjet forcave politike që përbëjnë këtë koalicion qeverisës.

Pse nuk po zbatohet nisma e Ramës për lënien e mandateve nga ministrat? Si është parashikuar të bëhet kjo procedurë dhe kur?

Besoj se mbani në vëmendje që në lidhje me këtë çështje nuk kemi shpallur ndonjë afat. Ky kabinet ka jo më shumë se 50 ditë që është formatuar dhe nuk ka qenë koha për të filluar procedurat e lënies së mandatit të deputetit. Shqyrtimi i disa akteve të rëndësishme në Kuvend ka përcaktuar edhe kohën e fillimit të këtij procesi, kohë e cila nuk do të jetë shumë e largët nga kjo ditë që ne po flasim.

Reforma në Drejtësi është shprehja më e shpërdoruar këto vite tranzicioni në Shqipëri e sërish, drejtësia vazhdon të konsiderohet si një nga hallkat më të korruptuara. Si një person që vini nga ky sistem, ku mendoni se duhet ndërhyrë në këtë drejtim? Dhe, a do të ketë një shkrirje të Gjykatës së Lartë me atë Kushtetuese, siç edhe është përfolur?

Po e filloj me përgjigjen për pjesën e fundit të pyetjes suaj. Gjej rastin të përgënjeshtroj të gjitha sa në ndonjë media është thënë për gjoja një projekt të kësaj mazhorance për shkrirje të Gjykatës Kushtetuese me Gjykatën e Lartë. Nuk ka asnjë deklarim të tillë nga ana jonë dhe nuk ka një projekt të tillë. Për më tepër reforma në drejtësi nuk ka lidhje me këtë proces të bashkimit apo të shkrirjes së këtyre dy gjykatave. Nga ana tjetër mendoj se për shumicën e shqiptarëve, por edhe të një pjese të madhe të politikës, reforma në drejtësi është një proces me pritshmëri të madhe. Sistemi i drejtësisë është i korruptuar. Nuk është i besueshëm në shërbimin që ai bën, si dhe me “gropa” të mëdha në profesionalizëm. Janë shumë pak përfaqësues të drejtësisë që nuk janë të përfshirë në skema korruptive të dhënies së drejtësisë. Duhet të rishikohet organizimi dhe implementimi i sistemit të karrierës, i statusit të punonjësit të drejtësisë, veçanërisht i gjyqtarëve. Trajtimi ekonomik i këtyre të fundit apo edhe i prokurorëve është thuajse skandaloz. Sistemi i emërimit, transferimit në detyrë i gjyqtarëve dhe i prokurorëve meriton një rikonsiderim tërësor. Po kështu edhe procedurat e shqyrtimit të çështjeve. Më vjen vërtet keq, por gjyqtarët dhe prokurorët e këtij vendi në shumicë nuk janë ajo elita e shoqërisë apo e funksionarit të shtetit, ashtu sikurse ata janë në vendet e tjera europiane, apo SHBA, ku dhe vërtet meritojnë edhe respektin e shoqërisë, jo vetëm si njerëz të ligjit por edhe të dijes e kulturës në përgjithësi.

Gjatë komisionit të Asociim-Stabilizimit, europarlamentarja Doris Pack përmendi postin që ju mbani aktualisht si shembull për qeverinë e fryrë, duke u shprehur që Shqipërisë nuk i duhej një ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin. Në të vërtetë, sa të domosdoshëm e konsideroni pozicionin tuaj në kabinet?

Po qartësisht opinioni i znj. Pack, me gjithë respektin për të, është një opinion i nxituar, jo i bazuar në një analizë. Posti i Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin nuk është një kolltuk për qoka politike apo shoqërore. Kjo qeveri nga njëra anë synon të jetë (edhe për atë që ministrat nuk do të jenë deputetë) më e fokusuar në punën e saj të përditshme, veçanërisht në kryerjen e reformave të mëdha, por nga ana tjetër është e nevojshme që të ketë një koordinim më të mirë me Kuvendin për këto reforma. Kjo qeveri nuk e shikon Kuvendin si noterin e vullnetit të saj politik të shprehur në iniciativa të ndryshme ligjore të saj. Duke mos e parë si të tillë, ty si qeveri të duhet të koordinohesh me Kuvendin për t’u dhënë udhë iniciativave të tua veçanërisht për reformat e mëdha. Është nën përgjegjësinë e këtij ministri për të bërë këtë koordinim me Kuvendin, por edhe me faktorë të tjerë shtetërorë ose jo, në procesin e reformave të mëdha ligjore apo edhe kushtetuese.

Zoti Celibashi, mazhoranca ka paralajmëruar dhe ndryshim të KQZ-së. Ju vetë personalisht jeni shprehur se ka nevojë për ndryshimin e formulës së kompozimit të këtij institucioni. Cila mund të jetë formula që do të kërkojë mazhoranca dhe kur pritet të ndërmerret një reformë e tillë?

Organizimi dhe funksionimi i KQZ-së do të meritojë vëmendjen e kësaj shumice. Por në këtë proces ne do të punojmë ngushtësisht me opozitën, duke respektuar kontributet e saj.

Mazhoranca ka tashmë 85 vota në dispozicion, ndaj ka mundësi që një reformë të tillë ta bëjë edhe e vetme. Doja t’ju pyesja, do të hidhet një hap i tillë në mënyrë të njëanshme, apo në çdo rast do kërkoni konsensusin e opozitës?

Kjo mazhorancë ka marrë mandat për reforma të mëdha apo të thella. Por nga ana tjetër, ne duhet t’i ruhemi arrogancës kundrejt opozitës. Besoj se do gjejmë rrugët e bashkëpunimit me opozitën për këto reforma.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi