Mjekësia në hall

Nga Isuf Kalo, botuar në Panorama Online, 4 nëntor 2014

kaloBesoj ky titull nuk do t’i habisë qytetarët tanë tashmë të njohur me hallet e pasosura të mjekësisë. Por ç’të jetë ky hall i ri? Në fakt, ai nuk është vetëm i yni. Është i mjekësisë së sotme në përgjithësi. Fjala është për një term në dukje linguistik. Por për të, Wendy Leebove, e Institutit Amerikan të Përmirësimit të Cilësisë në Shëndetësi, hapi pak ditë më parë një debat të gjerë. Në artikullin e saj “Patient eksperience Terminology Help Needed” ajo kërkon mendime e ndihmë nga kolegët dhe qytetarët për të gjetur termin e duhur që do mund të përmbledhë e të pasqyrojë me një fjalë apo folje të vetme tërësinë e misionit të sistemit shëndetësor të sotëm dhe relacionet e tij me ata për të cilët ai punon dhe bashkëvepron.
Ky përcaktim konsensual, sipas saj, duhet për të determinuar strategjinë që do të ndjekin sistemet shëndetësore në kontekstin e rrethanave dhe relacioneve të reja të tyre me qytetarët, pacientët, familjarët, komunitetin dhe partnerë të tjerë të interesuar. Këto kanë evoluar paralel me marrëdhëniet e reja shoqërore, ekonomike, mendësore dhe etike të sotme. Falë tyre, shërbimet mjekësore nuk konsiderohen më “biznes apo monopol ekskluziv” i bluzave të bardha. Ato përfaqësojnë sot një fushë të gjerë partneriteti me palë e protagonistësh të tjerë të interesuar. Ndër ta, pa dyshim, më kryesorët janë të sëmurët dhe qytetarët.
Pacient ose përdorues i shërbimeve?
Tradicionalisht, termi “pacient” është përdorur deri sot gjerësisht për individët, të cilët zakonisht kërkojnë ndihmë ose këshilla mjekësore në klinika apo spitale kur ata janë të sëmurë. Në këtë vështrim profesionistët e mjekësisë janë quajtur servitorë, “ofrues të shërbimeve”, kurse “pacientët” si “përfitues apo përdorues” të tyre.
Mirëpo ky perceptim dhe vetë termi “pacient” është vënë në pikëpyetje sepse duket tashmë i njëanshëm e jo i plotë. Arsyeja është se të sëmurët e sotëm, dhe sidomos ata të ardhshëm, duke qenë më të informuar dhe të fuqizuar me të drejta dhe aftësi bashkëveprimi, nuk pritet të jenë më përfitues pasivë. As termi “përdorues të shërbimeve” në debatin e mësipërm nuk konsiderohet korrekt e as ndërveprues. Ai nënkupton që të sëmurët e marrin në mënyrë të njëanshme shërbimin krejt të gatshëm nga mjeku. Në fakt, në një masë apo tjetër, sidomos në rastin e sëmundjeve kronike, të sëmurët dhe familjaret e tyre bashkëveprojnë e kontribuojnë aktivisht në procesin e kujdesit në formën e vetëmonitorimit dhe vetëmenaxhimit të sëmundjes. Tipik të tillë janë p.sh. të sëmurët me diabet. Ata janë jo vetëm “përfitues përdorues”, por edhe “partner”, bashkëpunëtorë e bashkautorë në krijimin dhe implementimin e kujdesit mjekësor. Në këtë perspektivë “aktivizimi” apo “angazhimi” i të sëmurëve nga ana e mjekëve në këto procese dhe mbështetja për ti aftësuar ata të kryejnë rolin e partnerit,vlerësohet sot po aq i rëndësishëm sa dhe roli tradicional i tyre si “servitor” apo “ofrues të shërbimeve”.
Mirëpo si termi “pacient” ashtu edhe ai “partner” nuk u përshtatet të gjithë individëve që marrin shërbime mjekësore. Të tillë janë individët që nuk vuajnë ndonjë sëmundje, por marrin shërbime në qendrat shëndetësore pa kontribuuar ata vetë në to, si për shembull: kryejnë checkup-in klinik apo analiza për të njohur gjendjen e tyre shëndetësore, ose marrin këshilla për ushqimin e shëndetshëm. Termi “pacient partner” nuk u përputhet as individëve me sëmundje mendore, as atyre të moshës fëminore, të cilët për specifikën e tyre nuk bashkëveprojnë dot me personelin mjekësor.
Edhe ata me gjendje akute kritike dhe urgjente i përfitojnë pasivisht shërbimet si pacientë jo si partnerë, sepse as ata vetë, as familjarët e tyre nuk janë në gjendje të bashkëveprojnë me stafin mjekësor gjatë ofrimit të kujdesit. Për këto arsye, termi “pacient” deri tani i përdorur në mënyrë të përgjithësuar, sa vjen e po tkurret dhe justifikohet kryesisht në rastet e mësipërme specifike.
Utopia e një miqësie
Ridefinimi i relacioneve mjekësi-pacient dhe ridizenjimi i sistemeve shëndetësore në një model të ri me pacientin në qendër, në fakt u iniciua që gjatë viteve ‘80 të shekullit të kaluar. Shkak u bë gjenerata e re e të sëmurëve të moshës së informatikës, të cilët nuk ishin si “pacientët” e mëparshëm: të bindur, të duruar e të varur nga mjeku (mjek-dependent).
Ankesat, pakënaqësitë dhe kërkesat në rritje të tyre lidhur me shërbimet mjekësore e sidomos për cilësinë dhe koston, i detyruan drejtuesit e spitaleve të propozonin një model miqësor, me mirësjellje gati familjare ndaj tyre. Modeli “friendly hospital” pretendonte që personeli me bluzë të bardhë t’i trajtonte të sëmurët e shtruar si “miq apo mysafirë”. Mirëpo kjo rezultoi utopike. Klinicistët e kundërshtuan. “Të sëmurët, – sipas tyre, – nuk vijnë në spital me dëshirë si miq. Ata vijnë për të zgjidhur një problem shëndetësor. Dhe detyra e mjekëve nuk është t’u plotësuar atyre dëshirat dhe gjithçka kërkojnë miqësisht. Detyra e tyre është profesionale, t’u vendosin diagnozën, t’i mjekojnë dhe t’u ofrojnë shërbimet e duhura konform shkencës mjekësore”.
Logjika e re ekonomike
Ndërkohë, pamjaftueshmëritë e financimit nga sigurimet shëndetësore imponuan skema më racionale të alokimit dhe përdorimit të fondeve spitalore, një nga të cilat qe ai i DRG (Diagnoze Related Group). Në këtë skemë spitali financohet me shumë të paracaktuar fikse për të sëmurët e shtruar me të njëjtën diagnozë, pavarësisht se sa shërbime kanë marrë, sa ato kanë kushtuar dhe se sa gjatë ka qëndruar secili prej tyre. Zakonisht shuma e mësipërme është më e vogël sesa shpenzimet reale të duhura për kujdesin optimal.
Në këto rrethana, spitalit i duhet të ekonomizojë, të ofrojë vetëm shërbimet më të domosdoshme dhe t’i mbajë të sëmurët e shtruar sa më pak ditë për të mos e tejkaluar shumën e rimbursuar. Por kjo rrezikon të cenojë korrektesën dhe cilësinë e shërbimeve. Prandaj sfida e re menaxheriale për spitalet e sotme vetvetiu u bë raporti ekonomi–cilësi. Cilësia doli si faktor kyç në marrëdhëniet e spitaleve me tregun. Kjo sepse pacientëve u është njohur ligjërisht e drejta që ta zgjedhin spitalin apo qendrën shëndetësore sipas saj. Për pasojë, spitalet konkurruese për të thithur më shumë të sëmurë e për të përfituar më tepër rimbursim, u duhet të maksimalizojnë eksperiencat pozitive dhe shkallën e kënaqësisë të përjetuar nga të sëmurët gjatë shërbimeve të marra në to.
Kështu, si asnjëherë më parë të sëmurët, me zgjedhjet dhe preferencat e tyre do kenë në dorë suksesin apo dështimin menaxherial të një institucioni shëndetësor. Pikërisht ky status i ri krijoi nevojën e një termi dhe definim tjetër të tyre, të cilën Wendy Leebov po e kërkon në debatin që ka hapur.
Miq, bujtës, blerës, klientë apo konsumatorë?
Në atmosferën menaxheriale të re, matja, përmirësimi dhe certifikimi i cilësisë së shërbimeve me anë të standardeve dhe akreditimit, dhe identifikimi i “shërbimeve ekselente” mes shërbimeve spitalore konkurruese, doli si element i domosdoshëm i tregut mjekësor. Strategjia për cilësinë dhe kosto-eficiencën më të mirë u bazua në parimin gjithëpërfshirës “përmirësimi i cilësisë së shërbimit nga kushdo (jo vetëm nga klinicistët) dhe për cilindo (pra në përfitim jo vetëm të të sëmurëve, por edhe të ofrueseve të kujdesit dhe të partnerëve të tjerë).
Në këtë kuadër, të sëmurët nga “pacientë, miq apo mysafirë”, u shndërruan në “blerës” të shërbimeve apo “klientë”. Por termi “klient” për ta nuk pëlqehet etikisht nga pjesëmarrësit në debat. Sipas tyre, ai ndoshta u shkon profesioneve të tjera që ofrojnë shërbime zyrtare burokratike, si për shembull: juristit, por në kontekstin mjekësor ai reflekton në mënyrë të vrazhdë e të ngushtë kryesisht marrëdhëniet ekonomike.
Po kështu termi “konsumator” i përdorur në tregun e lirë, në rastin e shërbimeve mjekësore tingëllon i dehumanizuar e me karakter të theksuar komercial. Njësoj si termi “përdorues” apo “përfitues i shërbimeve”, termi “konsumator” i paraqet padrejtësisht të sëmurët sikur vetëm marrin, blejnë dhe përfitojnë pasivisht shërbimet pa bashkëvepruar në krijimin, ofrimin dhe implementimin e tyre.
Duhen më shumë se një fjalë?
Atëherë, cili term do mund t’i përmbushë të gjitha parametrat e të reflektojë me besnikëri në mënyrë holistike në një fjalë apo folje të vetme të gjitha ato që realisht sot përbëjnë eksperiencat që përjetojnë të sëmurët në relacion me sistemin shëndetësor?
Me gjithë mendimet e shumta e diverse në debatin e hapur, ende nuk ka konsensus për fjalën a foljen e duhur e aftë të definojë “gjuhën” dhe terminologjinë e re përmbledhëse të kujdesit shëndetësor. Përkundrazi, pranohet që shëndetësia e sotme përfaqëson një “industri të re shërbimesh” në të cilën duket e pamundur të përmblidhen në një term të vetëm veprimtaritë dhe eksperiencat e përjetuara nga të gjitha palët e përfshira dhe kontribuuese në të. Debati megjithatë mbetet i hapur.
“Bla-bla-bla”?
I sjellë në kontekstin e shëndetësisë sonë debati terminologjik dhe përpjekjet e mësipërme janë pa dyshim përtej horizonteve të perceptueshme sot prej saj. Ato në realitetet tona mund që tingëllojnë retorikë, bla-bla-bla, pa bukë. Por “toka megjithatë lëviz”. Dhe bashkë me të vijnë shpresa dhe agime të reja. Diku më herët, diku më vonë. Rëndësi ka që ato të mos na gjejnë në gjumë. Agimi i ri i shëndetësisë moderne është pa dyshim si asnjëherë i bardhë e plot dritë, veçanërisht për të sëmurët dhe qytetarët. Këtë e kanë kuptuar edhe disa nga mjekët. Dy vjet më parë, njëri prej tyre, Robert Truog, në artikullin “Evolucioni i marrëdhënieve pacient–mjek”, i paralajmëron kolegët e tij si më poshtë:
“Në dekadat e fundit ka ndodhur një lëvizje tektonike shoqërore e karakterizuar nga fuqizimi i individëve kundër autoritarizmit qeveritar e institucional, e cila ka krijuar një lëvizje bazuar në të drejtat, e konkretizuar kjo me të drejtat e të sëmurëve si një kërkesë sociale e njëjtë me atë të të drejtave të grave, të minoriteteve e të konsumatorëve. Falë saj është mundësuar të zhvendoset fokusi i autoritetit për vendimmarrjet shëndetësore nga mjekët te të sëmurët. Interneti me web-et e shumta të tij për informimin publik mjekësor e shëndetësor ka krijuar te një numër i konsiderueshëm të sëmurësh besimin që ata mundet në një masë apo tjetër t’i vetëmenaxhojnë problemet e tyre mjekësore duke i pasur mjekët kryesisht si konsulentë”. Si do t’i quajmë dhe do ta trajtojmë këtë “racë” të re të sëmurësh? Siç kemi bërë deri sot me pacientët e dikurshëm?
Eureka. Ne e dimë fjalën…
Por agimi i pritshëm në shëndetësinë tonë ende nuk ka ardhur. Të sëmurët e mjekët tanë përgjithësisht ose nuk i dinë, ose i shpërfillin të drejtat e shpallura të tyre. Ata dhe qytetarët nuk janë të informuar për sëmundjet që vuajnë, as të aftë për t’i vetëmenaxhuar ato. Spitalet nuk e ndiejnë obligim për të prodhuar e ofruar material të tillë për ta. Mjekët tanë as i aktivizojnë e as i mbështesin të sëmurët që të mund të kryejnë rolin e partnerit. “Analfabetizmi” shëndetësor në popullatën tonë dominon mbi “civilizimin” shëndetësor. Të sëmurët janë blerës të painformuar për cilësinë dhe koston reale të shërbimeve që paguajnë.
Prandaj nuk quhen dot as “konsumatorë”. Sepse u mungojnë të drejtat legjitime që duhet të kishin si të tillë në tregun shëndetësor. Ata nuk dinë çfarë dhe pse i bëjnë procedurat që u rekomandon mjeku. Nuk dinë a ka diku më të mira, më të sakta e më të lira, apo dhe më sigurta se ato. Bashkë me sëmundjet ata vuajnë informacionin dhe respektin e munguar. Mund edhe të vdesin kur nuk duhet të vdisnin, duke u lënë familjareve pengun e asaj që mund të bëhej, por që nuk u bë.
Prandaj mjekësia jonë nuk është në hall për termin që kërkon Wendy Leebov. Ajo e di atë. Të sëmurët tanë kanë qenë dhe janë thjesht “pacientë”. Nuk janë ende palë, partnerë, pjesëmarrës, klientë, as konsumatorë. Janë ashtu siç kanë qenë gjithmonë: nevojtarë, të duruar, të nënshtruar e të frikësuar. Si personazhe migjenian që u buzëqeshin dhimbshëm e me sforcim nga halli mjekëve dhe drejtuesve; atyre që kanë në dorë babëzisht të gjithë pushtetin vendimmarrës dhe monopolin ekskluziv në mjekësinë tonë. Por gjer deri kur kështu vallë?

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi