Paradokset e qeverisë “Rama”
Nga Blendi Kajsiu, botuar në Panorama Online, 8 nentor 2013
Lajmi se qeveria shqiptare është duke shqyrtuar kërkesën e SHBA-ve për të importuar dhe shkatërruar në territorin e Republikës së Shqipërisë armët vdekjeprurëse kimike nga Siria, natyrisht që të lë gojëhapur. Është një nga ato lajme që fillimisht dukej tejet konspirativ për t’u besuar. Konfirmimi i tij nga ministri i Jashtëm shqiptar të vë përballë një realiteti që nuk e rrok as imagjinata, sepse ngërthen në vetvete tri paradokse të forta.
Së pari, qeveria “Rama” mori si vendim të saj të parë ndalimin e importit të mbetjeve të parrezikshme. Arsyeja ishte se në kuadrin e kapaciteteve tona të kufizuara administrative dhe infrastrukturore, edhe mbetjet e parrezikshme në letër bëhen të rrezikshme në terren. Ky ishte një vendim i admirueshëm dhe u prit mjaft mirë edhe nga publiku i gjerë, që ishte shprehur prej kohësh kundër importit të mbetjeve.
Në këtë kontekst nuk ka asnjë arsye përse qeveria shqiptare duhet të mendohet gjatë për të refuzuar importin e mbetjeve toksike dhe vdekjeprurëse nga Siria. Nëse ne rrezikohemi edhe nga mbetjet e parrezikshme, imagjino se çfarë rreziku na kanoset nga mbetje super të rrezikshme, siç janë armët kimike. Aq më tepër që eksperienca jonë me demontim armësh, siç ishte rasti i Gërdecit, nuk është aspak pozitive, edhe kur aty kanë qenë të përfshira kompani amerikane. Edhe eksperienca “e suksesshme” me lëndët tona kimike ka prodhuar mbetje që nuk dimë ku t’i çojmë dhe janë abandonuar në mungesë totale sigurie në Qafëmollë, sikurse tregon reportazhi i fundit i gazetarit Gjergj Erebara (Shqip, 4 nëntor, 2013).
Së dyti, qeveria shqiptare po e trajton këtë problem si një çështje ndërkombëtare. Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) si dhe mjaft media shqiptare prej kohësh e kishin bërë publik shqetësimin për armët kimike, duke i kërkuar qeverisë të prononcohej. Ndërkohë, prononcimi bëhet në Francë, te një gazetë e huaj, siç është “Le Mond”. Ky injorim i mediave dhe shoqërisë civile shqiptare për një problem që shumë më tepër se Francën prek Shqipërinë, është alarmues.
Heshtja e qeverisë në hapësirën publike shqiptare për një çështje kaq të rëndësishme vë në dyshim transparencën e vendimmarrjes. Aq më tepër kur politikanët e sotëm në pushtet akuzonin qeverinë “Berisha” dje se ishte jotransparente në vendimmarrjen e saj për importin e mbetjeve. Në këto kushte është paradoksale që qeveria shqiptare të mos i japë asnjë informacion publikut shqiptar, i cili informohet nëpërmjet prononcimeve të zyrtarëve shqiptar në mediat e huaja.
Së treti, qeveria “Rama” po e shqyrton kërkesën për importin e armëve kimike në kuadrin e ruajtjes së marrëdhënies miqësore dhe strategjike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. Ama pikërisht pranimi i kërkesës do të përbënte një rrezik afatgjatë për këto marrëdhënie. Ideja se Shqipëria nën presionin e SHBA-ve mund të pranojë armët kimike nga Siria ka ndezur një antiamerikanizëm të paparë te publiku shqiptar. Mjafton t’u hedhësh një sy blogjeve dhe komenteve në internet për të kuptuar se qytetarët shqiptarë nuk janë të indinjuar vetëm me qeverinë e tyre, por edhe me Amerikën, që i ka bërë asaj një kërkesë të tillë. Shumë prej tyre shprehin indinjatën se superfuqia amerikane po abuzon duke e përdor aleatin e saj të dobët dhe të varfër, Shqipërinë, si kosh për plehra toksike.
Ndaj, nëse qeveria “Rama” vërtet dëshiron të ruajë dhe forcojë marrëdhënien miqësore dhe strategjike me Amerikën, do të duhej që një orë e më parë ta refuzonte kërkesën për importin e armëve kimike. Ashtu sikurse kanë bërë edhe shumë vende të tjera europiane, si Norvegjia. Përndryshe, servilizmi i tepruar i qeverisë do prodhojë antiamerikanizëm të tepruar në popull.
Mendoj se ekziston një shpjegim për sjelljen paradoksale të qeverisë. Si shumë qeveri të tjera para saj, edhe qeverisë “Rama” i duhet të zgjedhë midis interesit afatshkurtër të qeverisë dhe interesit afatgjatë të Shqipërisë. Nga njëra anë qeverisë i intereson ta ketë mirë me SHBA-të, që nesër apo pasnesër të marrë mbështetjen e tyre për aksionet e saj politike. Nga ana tjetër, qeveria “Rama” duhet të ketë parasysh interesin e Shqipërisë, që nuk ka asnjë lidhje me importin e armëve kimike nga Siria. Te kjo kontradiktë buron edhe sjellja e çuditshme e zyrtarëve tanë.
Deri tani qeveria duket se është vënë në siklet për t’u bërë qejfin amerikanëve. Për këtë qëllim ajo rrezikon të injorojë elektoratin dhe publikun shqiptar që e solli atë në pushtet. Ama, eventualisht qeveritë shqiptare janë rrëzuar ose kanë ardhur në pushtet nga elektorati shqiptar, edhe kundër dëshirës së europianëve apo amerikanëve. Ndaj qeveria duhet të njehsojë interesin e saj me interesin e elektoratit shqiptar. Për këtë mjafton t’i thotë jo importit të armëve kimike nga Siria.