Testi i referendumit të dhjetorit
Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 7 dhjetor 2013
Në përgjigje të praktikës kushtetuese të nismës me mbi 60 mijë nënshkrime, me 8 prill 2013 Presidenti i Republikës caktoi datën 23 dhjetor si dita e zhvillimit të referendumit kundër dy neneve të ligjit të njohur si ligji i importimit të plehrave. Data u kushtëzua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kurse tematika e referendumit është “shfuqizimi i nenit 22, pika 3, dhe nenit 49 të ligjit nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
Pas zgjedhjeve të 23 qershorit mazhoranca e re, në aktin e saj të parë zyrtar, miratoi Aktin Normativ për shfuqizimin e këtyre dy neneve. Akti Normativ u shqyrtua dhe u votua në parlament me 10 tetor 2013, pra – duke marrë forcë ligjore. Pas këtij akti kushtetues nuk ka ende një akt tjetër që merr në shqyrtim referendumin, tashmë të shpallur. Në këto rrethana, përvecse humbën shansin të kemi të parin referendum popullor problematik në historinë shqiptare, kemi krijuar edhe një paradoks kushtetues: objekti i referendumit është shfuqizuar, ndërkohë që data e referendumit ka mbetur në fuqi.
Debati është juridik dhe vuan nga paqartësitë në legjislacion. Në paketën kushtetuese dhe ligjore nuk ka një nen që parashesh anullimin e referenduimit, ligji mbi referendumet është i vjetruar, jashtë kohës dhe pa referenca zgjidhjeje, ndërkohë që Kodi Zgjedhor dhe paketa ligjore zgjedhore nuk e trajtojnë këtë problematikë. Zyrtarisht KQZ është e detyruar të veprojë me referendumin për sa kohë nuk ka një dekret tjetër që anulon datën 22 dhjetor. Zyrtarisht Presidenti duket se e ka të pamundur të krijojë argumente të bazuar ligjorë që bëjnë të mundur anulimin e dekretit për datën e referendumit. Zyrtarisht objekti I referendumit ka rënë me votimin e tetorit në parlament, ndaj nuk ka sens që të bëhet një referendum për diçka që nuk ekziston.
Debati është politik dhe vuan gjithashtu nga paqartësi në sjelljen dhe praktikën politike. Nismëtarët e referendumit e përshëndetën anulimin e dy neneve nga qeveria e re, por moralisht ata nuk kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Ata do të duhet të kërkonin konsultim dhe miratim me mbi 60 mijë nënshkruesit, gjë që nuk e kanë bërë për dy motive: sepse nuk kanë mekanizëm konsultimi dhe sepse i japin të drejtë vetës të flasin nën emër të nënshkruesve për sa kohë ishin përfaqësues të tyre në KQZ dhe Gjykatën Kushtetuese. Problemi i dytë është politik: ashtu siç mazhoranca e re anuloi nenet për importimin e plehrave, ashtu mund të krijohet një rrethanë e re kur e njëjta mazhorancë, apo një tjetër pas saj, të rikthejë këto nene, dhe për pasojë, ta rikthejë situatën aty ku ligjërisht ishte në prill 2013 kur Presidenti dekretoi datën e referendumit.
Praktika shqiptare ka treguar se çdo qeveri ka miratuar edhe akte që dikur ka kontestuar, për më tepër kur qeveria aktuale përbëhet në një të tretën e saj nga qeveria e kaluar, pra nga qeveria që miratoi importin e plehrave. Nëse kjo ndodh, gjithçka nis nga e para dhe pas 2-3 vitesh kemi përsëri një datë tjetër referendumi. Për më tepër, debati publik ka përfshirë një temë të re shumë më problematike që lidhet me mjedisin, siç është projekti për asgjësimin e armëve kimike nga Siria, një projekt madhor, por i kontestuar që në nisje nga ambientalistet dhe nismëtarët e referendumit për plehrat.
Mazhoranca aktuale, përmes zv/kryeministrit Peleshi deklaroi me 10 tetor në parlament se përmes votimit të Aktit Normativ “zgjidhet përfundimisht edhe çështja e referendumit kundër importimit të tyre, që ishte parashikuar për t’u zhvilluar më 22 dhjetor 2013”. Pra, ajo e konsideron çështje të mbyllur. Disa deputetë të tjerë të mazhorancës, përmenden madje edhe kursimin e kostos së lartë të referendumit, por ata nuk shprehën konkretisht hapa politikë e ligjorë që i japin zgjidhje institucionale këtij problemi. Opozita nuk mori pjesë në votim, ajo kritikoi Aktin Normativ, dhe sipas traditës shqiptare, mund të rishohë edhe pozicionin e saj ndaj referendumit, për ta përdorur atë si test politik, pavarësisht absurditetit që mbart një aventurë e tillë.
Në këto rrethana kërkohet një zgjidhje e qëndrueshme, ligjore dhe e pranueshme. Në praktikat e deritanishme Presidenti i ka tërhequr dhe ndryshuar dekretet e tij zgjedhore në të paktën dy raste: më 1991 dhe 2007. Në dy rastet Presidenti është konsultuar me partitë politike dhe në konsensus të gjerë ka vendosur anulimin e datës së zgjedhjeve dhe caktimin e një date të re. Në rastin konkret jemi në situatën kur nuk ka konsultime midis palëve, data është dekretuar dhe nuk flitet për shtyrje por për anulim të referendumit. Paketa kushtetuese e kompetencave të Presidentit nuk parasheh një të drejtë të tillë, ndaj në mungesë të referimit, do të duhet të kërkohen mekanizma të tjera extra-kushtetues për zgjidhjen e ngërçit kushtetues mbi referendumin.
Janë të paktën dy mekanizma të tillë. I pari, nëse Presidenti, nismëtarët e referendumit, KQZ dhe partitë kryesore parlamentare bien dakord se objekti i referendumit është konsumuar, atëherë lehtësisht gjendet një zgjidhje, p.sh, duke ia kaluar të drejtën KQZ të anulojë zgjedhjet. Nëse konsultimet nuk funksionojnë, mund ti lindë e drejta çdo pale politike, të kontestojë vendimet e palës tjetër dhe kështu, të krijohen precedentë kritikë kushtetues. I dyti, nëse asgjë nuk ndryshon dhe vendi shkon drejt referendumit, atëherë mazhoranca mund t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese ndërhyrjen për zgjidhje të sforcuar të ngërçit, përmes anulimit të një votimi me objekt të shfuqizuar.
Deri tani nuk është konsumuar asnjëri prej këtyre mjeteve kushtetuese dhe politike.
Palët, duke iu larguar përgjegjësisë direkte, kanë preferuar të kërkojnë zgjidhje tek të tjerët, ndërkohë që kalendarikisht javën tjetër do të duhej të nisë fushata elektorale për referendumin e 22 dhjetorit. Si do veprojnë KQZ, qeveria, parlamenti, partitë, Presidenti, Aleanca kundër Importimit të Plehrave, Gjykata Kushtetuese? Raste të tilla, sado absurde apo komplekse në dukje janë raste të mira për të venë në provë aftësinë tonë për zgjidhje institucionale dhe serioze të problematikave politike e ligjore. Një test që ende nuk ka përfunduar, përkundrazi, pritet të fillojë në ditët e ardhshme.