Kryeministria do të jetë qendra e ekselencës së administratës publike shqiptare
Deklaratë për shtyp e Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, 7 neneto 2013
“Sot dëshirojmë të njoftojmë publikun e gjerë, të gjithë të interesuarit, se duke filluar nga java që vjen, Kryeministria, hapur dhe publikisht, do të shpallë konkurset për vendet e lira të punës, në njësitë e saj.
Këto konkurse do të jenë një dimension publik dhe i hapur, mendojmë për herë të parë në Shqipëri.
Për herë të parë në vend, ne do të synojmë që praktikat e rekrutimit të jenë të ndryshme nga ato tradicionalet. Për herë të parë, rekrutimi do të kryhet nga qendrat e vlerësimit. Qendrat e vlerësimit janë ato qendra, të cilat mundësojnë meritokracinë të vijë në vendin e punës.
Pra, praktikat e reja të rekrutimit janë ato që do të udhëheqin këtë proces rekrutimi të profesionistëve të spikatur, të studiuar në Shqipëri apo jashtë vendit, të kualifikuar, të talentuar dhe ekselentë.
Qëllimi i këtyre konkurseve do të jetë i qartë;
Kryeministria do të jetë qendra e ekselencës së administratës publike shqiptare.
Ne ftojmë të gjithë të interesuarit, të rinj apo jo të rinj, të cilët ndihen të aftë të jenë pjesë e ekselencës, që janë shkolluar në Shqipëri, jashtë Shqipërisë, që jetojnë këtu apo jashtë Shqipërisë, të kthehen dhe të japin kontributin e tyre, në një proces historik për të ardhmen e vendit.
Ftojmë të gjithë të kualifikuarit, por mbi të gjitha ne do të inkurajojmë kreativitetin. Pra, ftojmë të gjithë të rinjtë me ide kreative dhe dinamike që të bëhen pjesë e këtyre konkurseve publike dhe të meritokracisë.
Kreativiteti do të jetë udhëheqja dhe kultura e re e qeverisë shqiptare. Inovacioni dhe kreativiteti do të jetë kultura që do të implementohet, duke filluar nga kryeministria në çdo ministri të linjës. Sepse, ne duam që ta orientojmë punën e qeverisë, jo nga problemi, jo nga zgjidhja, por nga rezultati.
Ne i besojmë qasjes se për çdo problem, ekziston një zgjidhje kreative. Ndaj na duhen njerëz të aftë, kreativë, inovativë në institucionin tonë.
Këto konkurse janë pasojë e një procesi të reformimit dhe të ristrukturimit të qeverisë shqiptare, të cilin publiku i gjerë besoj e ka ndjekur.
Si pasojë e këtij ristrukturimi, që synon reformimin dhe modernizimin e Kryeministrisë dhe të institucioneve të tjera të qeverisë shqiptare, kemi krijuar disa njësi të ndryshme, të reja, në kryeministri.
Unë do të përmend 4 prej tyre, por padyshim që publiku i gjerë do të njoftohet përmes gjithë masmedias për vendet e lira dhe përshkrimin e punës për çdo pozicion, që do të shpallet javën që vjen.
Është krijuar njësia për mbështetjen e investimeve strategjike të biznesit. Është një risi sepse kjo njësi nuk ka ekzistuar më parë pranë kryeministrisë. Synimi i saj është që të shkëpusë nga burokracia dhe nga fenomene të tjera negative, marrëdhënien e investitorëve seriozë dhe strategjikë me institucionet publike shqiptare.
Kjo njësi do të ketë për detyrë që të funksionojë si një “One Stop Shop”, pra të zgjidhë dhe të tejkalojë të gjitha pengesat burokratike që shpeshherë kanë qenë arsyeja e parë dhe e fundit, se përse investitorë seriozë janë larguar nga Shqipëria.
-Njësia e kërkimit dhe inovacionit ka të bëjë pikërisht me atë që përmenda pak më sipër, që ne jemi të vendosur të krijojmë politika, më shumë se sa politikë. Ne duam t’i japim zgjidhje inovative shumë problemeve dhe shërbimeve publike, të cilat tradita nuk ka mundur t’i adresojë dot siç duhet dhe me cilësi.
-Njësia e jetësimit të prioriteteve, ose siç quhet në termin britanik “delivery unit” besoj e keni ndjekur, është dhe kjo një njësi e re, që ka të bëjë drejtpërdrejt me qasjen tonë të orientuar nga rezultati. Në këtë njësi, ne ftojmë të aplikojnë dhe të marrin pjesë të rinj të cilët kanë kulturën e rezultatit. Do të jetë një grup prej 5-6 të punësuarish, specialistësh në këtë njësi, të cilët do të fokusohen në disa prioritete kryesore të qeverisë shqiptare dhe do t’i ndjekin ato deri në realizmin e tyre, për të hequr dorë nga praktikat e orientimit nga procesi kur një punë fillonte, projektohej siç duhej, por asnjëherë nuk shkonte deri në fund.
-Njësia e hulumtimit dhe komunikimit do të jetë përsëri një njësi që do ta bëjë Kryeministrinë dhe qeverinë shqiptare të jetë shumë pranë publikut, do të sigurojë transparencën, komunikimin në kohë reale, të drejtpërdrejtë, me të gjitha mjetet e komunikimit, në mënyrë që të plotësojmë një nga kërkesat e publikut, por dhe një detyrim në raport me parimet e demokracisë që është informimi i publikut, transparenca dhe pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje.