Ata e konsiderojne normale

Nga Gjergj Erebara, botuar në Shqip, 7 tetor 2013

Normalisht duhej të qe një periudhë e qetë lajmesh. Pas ndryshimit të qeverive dukej sikur do të fillonte një periudhë cicmicesh pa rëndësi, por gjithsesi shqiptarët do të kishin qetësinë dhe mungesën e konfliktualitetit për të cilën patën shpresuar pas epokës “Berisha”. Megjithatë, nuk doli kështu. Qeveria e re duket se pëlqen të punojë partizançe. Megjithëse u mburr për shumë vite para zgjedhjeve për cilësitë e saj për të vepruar me ligje e me burokraci, këto fjalë dolën pa rëndësi pas zgjedhjeve. Megjithëse me shumë të drejtë, u ankua për praktikat e sundimit të unit gjatë qeverisë paraardhëse, një qeverisje mesjetare antishtet, sot nuk po vepron më ndryshe.

Le të fillojmë pra me lajmet që normalisht do të quheshin skandale, apo “scoop”-e, por që në fakt janë të rëndomta.

Në Norvegjinë e largët, një gazetari i bie në dorë një dokument sekret, ku thuhet se një nga vendet ku mund të demontohen armët kimike të Sirisë do të jetë Shqipëria. Ne u informuam falë ekzistencës së internetit dhe fillimisht e injoruam lajmin si diçka pa gjasa të ndodhë. Shqipëria, thamë, është një vend tepër i pasigurt për të kryer operacione të tilla. Franca, Gjermania, Italia e vende të tjera kanë shumë dekada eksperiencë në shpërbërjen e helmeve ushtarake dhe magazinimin e sigurt të mbetjeve. Ata e kanë bërë këtë përgjatë të gjithë kohës. Në fund të fundit, ata i kanë shpikur armët kimike. Sa për fillim, Shqipëria nuk ka ende asnjë magazinë për mbetjet e rrezikshme. Nuk është e vështirë të ndërtosh një magazinë të tillë, por forca jonë shtetformuese është e tillë që asnjë qeveritari nuk i bie ndër mend të ndajë fonde e të prokurojë studimet e ndërtimin e një magazine të tillë. Pastaj vjen puna për sigurinë që duhet të ketë një magazinë mbetjesh të rrezikshme. Dhe këtu shohim se te baza ushtarake në Qafmollë, ku gjenden të pamagazinuara siç duhet mbetjet e rrezikshme të ushtrisë shqiptare, roja rishfaqet vetëm pasi në media publikohet lajmi se në të nuk ka rojë.

Megjithatë lajmi na doli i vërtetë. Gazetarët, shoqëria civile dhe të gjithë shqiptarët panë nga qeveria e tyre me shpresë se dikush do të dilte t’i sqaronte. Qeveria nuk e pa të arsyeshme të jepte asnjë sqarim për shqiptarët. Vetëm kur një gazetar francez pyeti, atëherë ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, tha dy fjalë. Pra për ta është normale që shqetësimet e të gjithë shqiptarëve të injorohen, ndërsa pyetja për nga kureshtja e një gazetari francez të marrë përgjigje. Ndoshta shqiptarët duhet të krijojnë ndonjë fond për të paguar një gazetar të huaj që ai të bëjë pyetje për qeverinë sa herë që ne shqiptarët kemi ndonjë shqetësim. Konventa e Aarhusit me rregullat e saj të transparencës dhe të komunikimit publik në rastet e projekteve me ndikim mjedisor nuk kanë rëndësi. Ato janë copa letre pa vlerë.

Akoma pa marrë veten nga historia e armëve kimike, na vjen bomba tjetër. Në Korçë, një qytet historikisht i majtë, emisioni “Fiks Fare” filmon njerëz duke marrë dy mijë lekë për një votë. Socialistët e Korçës na thanë se kjo është një “praktikë normale”. Të përdorësh para që nuk dihet se nga kanë dalë për të paguar votuesit, kjo na qenka “normale”. Madje disa shprehën edhe habinë se pse ne të tjerët jemi habitur. Pra ne jemi anormalët, të çuditshmit, naivët që nuk e kuptojmë se gjërat kështu bëhen, ligjet nuk kanë rëndësi. Pagesa për vota është e zakonshme dhe normale.

Pastaj pati edhe nga ata që shtruan pyetjen: Ç’pati Topi (Channel) me PS-në. Pra nuk paska rëndësi se u blenë votat apo jo. Pyetja më interesante qenka se cila qe skema konspirative që publikoi si të pazakontë atë që duhet të konsiderohet si e zakonshme. Dhe pa mbaruar kjo, nëpër televizione dalin pronarët e kazinove. Njëri prej tyre kishte 75 milionë lekë taksa të papaguara, kishte një vit e më shumë që punonte pa licencë, por prezantohej si “biznesmen i ndershëm”.

Opozita, e cila është përgjegjëse për çmendurinë shqiptare të pikave të basteve, akuzon qeverinë për “prishje të konkurrencës”, për bllokim të lirisë së të bërit biznes e gjëra të tilla. Ajo çka për ne është anormale, për ta është normale.

Pastaj na vjen pallati i Lulit tek Uji i Ftohtë. Është e qartë për të gjithë se ai pallat nuk duhej të ishte aty ku është, mbi det. Por na thonë se pallati i pushimeve verore të opozitës është me leje të rregullt, i ka letrat me vulë e firmë. Ka shumë gjasa që do të kërkojë dëmshpërblim për shembjen. Madje, na thonë se kështu kanë bërë të gjithë. Hidh një sy në Tiranë dhe e kupton se një pjesë e madhe e pallateve është ndërtuar mbi toka publike, pothuajse çdo pallat ka kate shtesë. Kjo është ajo çfarë quhet “normale”. Njëra, nga ato që mbronte pallatin mbi det, madje gjeti edhe një idealizim të të gjithë kaosit urban. Na tha se e pëlqen Shqipërinë si Manhatani. Pra atë që ne e njohim konvencionalisht si vjedhje, ata na e prezantojnë si “ndërtimi i Manhatanit”.

Nëse brezi i ardhshëm i shqiptarëve, ata që sot po dalin nga bankat e shkollave, do të kenë ndonjë problem, ai nuk do të jetë papunësia, vështirësitë ekonomike… problemi më i madh do të jenë vështirësitë e të kuptuarit se çfarë është normale e për ta dalluar atë nga anormalja. Dhe një vend që nuk ka parime e nuk ka konvencione, që nuk di të dallojë vjedhjen nga biznesi, vështirë se mund të ndërtohet e të bëhet në fund të fundit, një vend “normal”.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi