Simpozium mbi etikën gjyqësore

5 nentor 2013

Në një simpozium mbi etikën gjyqësore, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani theksoi se çelësi i zgjidhjes së gjithë problematikave gjendet tek përcaktimi i drejtë i hapave dhe orientimi drejt standardeve që kërkohen, jo për ata që janë brenda institucioneve dhe kanë mandatin për të ushtruar funksionet që mbajnë, por për shërbimin që duhet të marrë qytetari.

“Unë kam besuar dhe vazhdoj të besoj se kurimi dhe kuruesi më i mirë i sistemit gjyqësor dhe ndoshta i vetmi është dhe duhet të jetë vetë komuniteti i gjyqtarëve, vetë sistemi i gjyqësorit”-deklaroi Nishani.

Duke përmendur diskutimet me drejtuesit e sistemit gjyqësor lidhur me orientimin dhe kurimin në tërësi të veprimtarisë së padrejtë të sistemit gjyqësor dhe të gjyqtarëve, Presidenti Nishani theksoi rëndësinë e vlerësimit nëpërmjet mekanizmave të duhur të profesionalizmit dhe pavarësisë.

“Pa dyshim që kemi mekanizma, është shumë e rëndësishme që mekanizmat t’i dimensionojmë në formën dhe në përmbajtjen që ato meritojnë duke prevaluar profesionalizmi dhe pavarësia”.

Kreu i shtetit shprehu dhe një inkurajim të qartë për të gjithë gjyqtarët e Republikës për garantimin e sundimit të ligjit.

“Unë gjej rastin sot dhe dëshiroj që të inkurajoj gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë kudo ku ata janë. Kanë përsipër një mision jetësor, ruajtjen e sundimit të ligjit. Në një shoqëri demokratike askush nuk mund të jetë garant i sistemit politik, shoqëror, social etj, askush nuk mund të jetë garant i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, askush nuk mund të jetë garant i funksionimit në mënyrë demokratike, të lirë të institucioneve të shtetit, përveçse ligjit dhe vetëm ligjit. Presidenti i Republikës dhe deri tek qytetari më i thjeshtë bëhen garant të suksesit të përmbushjes së misionit të tyre vetëm përmes ndjekjes, respektimit dhe zbatimit të ligjit. Kjo është historia e provuar dhe e konsoliduar e demokracisë botërore”.

Gjatë fjalës së tij në simpoziumin “Strategji për të përmirësuar performancën gjyqësore dhe për të rritur besimin publik te gjyqësori”, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen në emër të shtetit shqiptar për ndihmën dhe bashkëpunimin e dhënë nga partnerët, veçanërisht  nga qeveria amerikane përmes ambasadës së saj në Tiranë dhe misionit OPDAT.

Në simpoziumin mbi etikën gjyqësore ishin të pranishëm edhe Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço dhe Ambasadori i SHBA në Tiranë, Alexander Arvizu.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi