Prognoza e BE: “Ekonomia ndryshon drejtim pozitivisht”

Ekonomia në Evropë ka shënuar pikën e kthesë: nga viti i ardhshëm do të ketë rritje. Megjithatë ka ende shumë për të bërë paralajmëron Rehn. Koment i DW, 6 nentor 2013

Pa mimikë të veçantë dhe me zërin e zakonshëm monoton, Komisioneri i BE-së për ekonominë dhe politikën monetare, prezantoi eskpertizën gjashtëmujore për ekonominë. Olli Rehnit, i cili vjen nga Finlanda dhe në fjalimet e tij bën pushime të gjata reflektimi, iu desh gati një gjysmë ore për të shpjeguar faktet dhe grafikët. Por pastaj erdhi lajmi pozitiv, të cilin evropianët e presin që prej një viti e gjysmë recesion: “Ne shohim shenja të qarta për një kthesë ekonomike”, tha Olli Rehn në Bruksel, por njëherazi tërhoqi vëmendjen: “Rritja megjithatë do të ketë ritme të ngadalta dhe do të bëhet e dukshme me vonesë nëpërmjet vendeve të reja të punës. Për këtë arsye ende nuk mund të shpallim fitoren dhe nuk duhet të bëjmë gabimin që të bëhemi neglizhentë.”

Pas tkurrjes së ekonomisë prej 0,4 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PPB) gjatë vitit në vazhdim (2013), sipas parashikimit të Rehn viti i ardhshëm do të shënojë një rritje prej 1,4 për qind. Në 2015-n rritja do të jetë 1,9 për qind.

Ekonomia po merr veten, rreziku për euron largohet

Besimi i menaxherëve të ekonomisë dhe i vetë konsumatorëve në vendet në krizë Greqi, Spanjë apo Itali po rritet përsëri, njoftoi Komisioneri Rehn. Megjithatë në këto vende dhe në Evropë në përgjithësi mbetet serioz problemi i papunësisë, e cila vazhdon të jetë e lartë në nivelin 12 për qind. Rritja veç kësaj ka shpërndarje shumë të ndryshme rajonale. Ndërkohë që në shtetet balltike rritja do të jetë deri në 4 për qind, Sllovenia dhe Qipro do të shënojnë një tkurrje të lehtë edhe vitin e ardhshëm. Rimëkëmbja e buxheteve shtetërore në Evropë vazhdon, reduktimi i deficiteve po ngadalësohet, paralajmëroi Olli Rehn. Vetëm në vitin 2015 borxhi i ri do të jetë 2,5 për qind të PBB-së. Për eurozonën, pra 17 vendet e euros, Komisioneri dha një njoftim të qartë. Pasi kostot për emetimin e titujve shtetërore të borxhit, pra borxhet e reja, për vendet në krizë janë ulur, nuk ka më gjendje alarmi:

“Stresi në zhdukje në tregjet e titujve shtetërorë të borxhit, tregon se rreziku ekstrem i një shpërbërjeje të euros, i cili ishte i pranishëm në tregje edhe vitin e kaluar, është kapërcyer.” Edhe këtë lajm të mirë për eurozonën dhe kursin e shpëtimit të ministrave të financave, Rehn e deklaroi pa buzëqeshje në fytyrë. Ftohtësi nordike. Ndoshta i rëndonte ende në stomak fakti që pikërisht atdheu i tij Finlanda do të ketë një rritje të pazakontë modeste ekonomike për shkak të krizave të rënda strukturore në industri.

Rekomandimi për Gjermaninë: rritje e pagave

Komisioneri Rehn iu referua edhe negociatave për koalicionin qeverisës në Berlin mes konservatorëve dhe socialdemokratëve. Ai i rekomandoi qeverisë së ardhshme gjermane të zbatojë shpejt këshillat e Komisionit të BE-së dhe shteteve të tjera anëtare për politikën ekonomike. “Gjermania duhet të krijojë kushte për paga në rritje në periudhë afatgjatë. Taksat e larta dhe kontributet sociale duhet të reduktohet, veçanërisht për klasat e ulëta të të ardhurave. Investime më të mëdha në infrastrukturë do të ndihmonin në stimulimin e kërkesës së brendshme. Kjo do të kishte efekte pozitive afatgjata edhe tek produktiviteti”, ishin këshillat e Rehn për Gjermaninë. Ai regoi kështu për kritikën nga SHBA ndaj bilancit tregtar prej vitesh me tepricë pozitive të gjermanëve (eksporte më të larta se importet). Shumë shtete në jug të eurozonës shohin tek eksporti gjerman shkakun për dobësinë e tyre ekonomike. Por këtë kritikë Olli Rehn nuk e pranoi.

Franca dhe Gjermani si thelbi i Evropës, duhet të tregojnë rezultate

Komisioneri për ekonominë nuk vuri në shënjestër vetëm Gjermaninë. Çelësi për një eurozonë të shëndetshme janë dy fuqitë më të mëdha ekonomike, pikërisht Gjermania dhe Franca. Të dyja duhet të inicojnë reforma dhe të përmbushin premtimet. Franca duhet të përmirësojë aftësinë konkurruese dhe të vendosë në baza më të mira sistemin e saj të pensioneve, kërkoi Rehn.

Një lloj shqetësimi paraqet për ekspertët e Komisionit të BE-së zhvillimi i ekonomisë botërore, i cili pasqyrohet natyrisht edhe në Evropë. Rritja ekonomike e vendeve në ekspansion industrial ka shënuar rënie, thuhet në ekspertizën e Brukselit për koniunkturën. Vitet e ardhshme rritja globale me vetëm 4 për qind do të mbetet nën mesataren statistikore. Rreziqe sheh Komisioni i BE-së edhe në SHBA. Amerikanët duhet të bëjnë përpjekje tejet të mëdha për të dalë nga kriza e vazhdueshme e buxheteve publike.

Javën e ardhshme Komisioneri Rehn do të paraqesë masa konkrete për secilin vend në Evropë. Për herë të parë Olli Rehn mund të marrë në shqyrtim projekt-buxhetet e vendeve anëtare për vitin e ardhshëm. Ky shqyrtim është pjesë e një bashkëpunimi më të mirë në fushën e politikave ekonomike, për të cilin kanë rënë dakord në kulmin e krizës ekonomike kryetarët e shteteve dhe qeverive.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi