A duhet të ndalohen partitë ekstremiste?

Nga Jan-Werner Muller*, botuar në Mapo Online, 6 nentor 2013

Fushata e qeverisë greke mbi partinë e së djathtës ekstreme “Agimi i Artë”, ka vënë në pah një problem që duket se ishte zhdukur së bashku me përfundimin e Luftës së Ftohtë: A ka vend brenda demokracive liberale për partitë që duken antidemokratike? Sa për të qenë të sigurt, demokracitë liberale janë ndier të kërcënuara që nga rrëzimi i komunizmit më 1989 – por kryesisht nga terroristët e huaj, që nuk kanë tendenca të formojnë parti politike dhe të marrin pjesë në seancat parlamentare të atyre shteteve. Për këtë arsye, a duhet të shpallen të jashtëligjshme partitë e ekstremit, që synojnë të konkurrojnë brenda kornizës demokratike, apo një ndalesë e tillë mbi lirinë e të shprehurit do ta vinte vetë në rrezik një kornizë të tillë?

Mbi të gjitha, është vendimtare që vendimet e tilla t’u besohen institucioneve të paanshme, si gjykatave kushtetuese, e jo partive tjera politike, liderët e të cilave gjithnjë do të ishin të prirë t’u ndalojnë veprimtarinë rivalëve. Fatkeqësisht, vendimi kundër “Agimit të Artë” më shumë identifikohet si interes i qeverisë, sesa një gjykim i marrë me kujdes dhe në mënyrë të pavarur.

Duke patur parasysh këtë vetëmbrojtja e tepërt demokratike në fund mund të rezultojë me shkatërrimin e saj. Nëse njerëzit njëmend nuk e duan demokracinë, atëherë kush mund t’i ndalë ata. Një gjyqtar tjetër i Gjykatës Supreme amerikane, Oliver Wendell Holmes, pat thënë se “nëse bashkëqytetarët e mi duan të shkojnë në ferr, unë do t’i ndihmoj ata. Kjo është puna ime”.
Për këtë arsye duket se demokracitë janë të mallkuara nëse i ndalojnë ato parti, por janë edhe të mallkuara nëse nuk i ndalojnë. Apo, nëse mund të përdorim shprehjen e filozofit më me ndikim liberal të shekullit njëzet, John Rawls, kjo duket të jetë “dilemë praktike, të cilën vetëm filozofia nuk mund ta zgjidhë”.
Historia nuk ofron leksione të qarta, ndonëse shumë njerëz preferojnë të mendojnë të kundërtën. Në retrospektivë, është evidente se Republika e Weimarit mund të ishte shpëtuar, po të ishte ndaluar me kohë Partia Naziste. Joseph Goebbels, ministri i Hitlerit i Propagandës, mburrej pas marrjes së ligjshme të pushtetit nga nazistët: “Do të mbetet gjithnjë një nga talljet më të mëdha të demokracisë se ajo u ofroi armiqve të saj të përbetuar mjetet përmes të cilave edhe u asgjësua”.
Por një ndalesë mund të mos e kishte penguar pakënaqësinë e përgjithshme të popullit gjerman me demokracinë liberale dhe një regjim autoritar mund ta kishte pasuar atë.
Në të vërtetë, përderisa Gjermania Perëndimore ndaloi një parti neonaziste dhe Partinë Komuniste në vitet pesëdhjetë, disa shtete – posaçërisht në Evropën Jugore dhe Lindore, ku demokracia filloi që të asociohej me shtypjen e pluralizmit – kanë nxjerrë pikërisht një leksion të kundërt lidhur me parandalimin e autoritarizmit. Kjo është arsyeja përse Greqia, për shembull, nuk ka dispozita ligjore për ndalimin e partive.
Fakti se Greqia sido që të jetë po mundohet që ta shkatërrojë “Agimin e Artë” – Parlamenti grek pak kohë më parë votoi për ta ngrirë financimin shtetëror të partisë – tregon se në fund, shumica e demokracive do ta vënë diku vijën e kufirit. Por, ku ndodhet ky kufi?
Si fillim është me rëndësi ta pranojmë se vija duhet të jetë e qartë para se të ngrihen në sipërfaqe partitë e ekstremit. Po qe se duam ta mbajmë sundimin e ligjit, vetëmbrojtja demokratike nuk duhet të duket si “ad hoc” apo arbitrare. Rrjedhimisht, kriteret për ndalesa duhet të jenë të qarta paraprakisht.
Një kriter që duket i pranuar universalisht është përdorimi, inkurajimi apo të paktën lejimi i dhunës nga një parti – siç ishte rasti me rolin e “Agimit të Artë” në sulmet mbi emigrantët në Athinë. Ka më pak konsensus rreth partive që nxisin urrejtjen dhe janë të përkushtuara në shkatërrimin e parimeve themelore të demokracisë – posaçërisht pasi shumica e partive ekstremiste në Evropë madje theksojnë se nuk janë kundër demokracisë; përkundrazi, po luftojnë “për popullin”.
Por partitë që synojnë të përjashtojnë, apo të nënshtrojnë një pjesë “të popullit” – për shembull, emigrantët e paligjshëm dhe pasardhësit e tyre – janë duke shkelur parimet bazë të demokracisë. Madje edhe nëse “Agimi i Artë” – një parti neonaziste në paraqitje dhe përmbajtje – nuk ka qenë e përfshirë në aktet e dhunës, qëndrimi ekstrem kundër-emigrantëve dhe nxitja e urrejtjes në kohë trazirash të mëdha sociale dhe ekonomike duhej ta bënin atë kandidat të arsyeshëm për ndalesë.
Kritikët thonë se kjo është thikë me dy tehe. Çdo mosmarrëveshje me politikën qeveritare rreth emigrantëve, për shembull, mund të cilësohet “raciste”, duke rezultuar në pengimin e lirisë së shprehjes. Për këtë arsye nevojitet njëfarë standardi, si ai klasik amerikan: shprehja në fjalë duhet të paraqesë “rrezik të qartë dhe aktual”.
Partitë dytësore, që nuk janë të lidhura me dhunën politike dhe nuk nxisin urrejtje, mbase duhet të lihen të qeta – pa marrë parasysh se nuk na pëlqen retorika e tyre. Por partitë që janë më afër marrjes së pushtetit paraqesin një çështje tjetër, madje edhe nëse ndalimi i tyre mund të duket jodemokratik. Në një rast të njohur, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut u pajtua me ndalimin e Partisë turke të Mirëqenies, sa kohë ajo ishte anëtare strategjike e koalicionit qeverisës.
Është mit që ndalesat i kthejnë liderët e partive ekstremiste në martirë. Shumë pak njerëzve u kujtohet se kush kishte qenë në krye të neonazistëve dhe komunistëve gjermanë të pasluftës.
Ndalimi i partive nuk duhet të nënkuptojë heshtjen e qytetarëve, që janë të prirë të votojnë për ekstremistët. Shqetësimet e tyre duhet të dëgjohen dhe të diskutohen; dhe nganjëherë është më së miri që ndalesa të kombinohet me përpjekje të shtuara për edukim civil, duke theksuar, për shembull, që emigrantët nuk ia shkaktuan telashet Greqisë. Është e vërtetë se masat e tilla mund të tingëllojnë si kujdestari – por format e tilla të angazhimit publik janë mënyra më e mirë që të shmangim atë që anti-ekstremizmi të duket si ekstremizëm.

*Autori është Profesor i Politikës në Princeton University.  


    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi