“Modelet e duhura që skema e pensioneve të mos dështojë”

Intervistë e gazetës Dita me Kosta Barjaba, 5 nentor 2013

Çfarë ndodh me skemën e pensioneve, efektet që i shkakton buxhetit, organizimi i saj, rreziqet dhe mbrojtja shoqërore. Aktualisht buxheti i shtetit përballon pjesën më të madhe të shpenzimeve në një skemë jo të suksesshme, pasi nuk nxitet punësimi. Një javë më parë publikuam intervistën se si po shkon drejt falimentit skema e pensioneve ndërsa, sot akademiku Kosta Barjaba, sugjeron që skema e pensioneve të mos dështojë, duhet të rritet punësimi. Por mbi të gjitha, shteti të heqë disa përgjegjësi, si ato të arsimit profesional, e t’ia kalojë iniciativave private, si në vendet e zhvilluara. Mbi të gjitha Barjaba shpjegon se mbrojtja shoqërore dhe shpëtimi i skemës së pensioneve mund të arrihet duke ndjekur dy modele, atë të Tony Blair në Britaninë e Madhe dhe të qeverisë Obama së fundmi, me nxitjen e punësimit.

Profesor, si do ta karakterizonit ju sistemin aktual të mbrojtjes shoqërore në Shqipëri?

Sistemi ynë i mbrojtjes shoqërore është një sistem i kufizuar, jo efiçent, mund të themi i sëmurë. Pa bërë lojëra fjalësh, mund të themi se sistemi i mbrojtjes shoqërore është vetë një sistem i pambrojtur.

I pambrojtur, në ç’kuptim?

Në kuptimin që sistemi nuk furnizohet me burime financiare nga një model dinamik i zhvillimit ekonomik të vendit. Mungesa e efiçencës dhe qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike dhe e “përkthimit” të saj në rritje të standardit të jetesës, ka bërë që sistemi të mbesë zbuluar. Nëse e krahasojmë mbrojtjen shoqërore me çatinë e një shtëpie, mund të themi se kjo gjysmë-çati mbulon një shtëpi me kolona të rrënuara dhe trarët e saj janë të amortizuar. Për shembull, nëse i referohemi përfundimeve të njëpasnjëshme të Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera prestigjioze ndërkombëtare, rezulton se Shqipëria ka ndjekur një model zhvillimi ekonomik me nivele minimale, ose zero, të hapjes së vendeve të reja të punës. Sikur vetëm ky defekt të ishte, do të mjaftonte për ta bërë sistemin e mbrojtjes shoqërore anemik. Një tjetër kolonë e rrënuar është përdorimi grabitqaro-barbar i pasurive dhe burimeve natyrore, të ardhurat prej të cilave nuk gjenerojnë burime për mbrojtjen shoqërore. Për të mos përmendur pastaj raportin jomiqësor, madje armiqësor, të zhvillimit ekonomik me mjedisin.

Po vetë sistemi i mbrojtjes shoqërore, a ka probleme?

Natyrisht që ka. Madje shumë probleme. Defekti kryesor i sistemit është pasiviteti. Sistemi është, pra, kryesisht pasiv. Që të bëhet aktiv, sistemi kërkon edhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve, jo vetëm si përfitues, por edhe si kontribues e sponsorë të tij. Për shembull, parimi kryesor i sistemit të mbrojtjes sociale që aplikoi Tony Blair ishte “Nuk ka të drejta, pa përgjegjësi”. Ç’ka do të thotë se nuk mund të ketë përfitime sociale, pa u përpjekur aktivisht dhe në mënyrë të verifikueshme për të kërkuar punë ose përfituar trajnim. Një ndër tiparet kryesore të politikave laburiste të tregut të punës, ishte mbështetja e kalimit nga asistenca në punë dhe kushtëzimi i përfitimeve sociale nga qenia aktiv në treg. Pra, përfituesit e asistencës sociale duhet të bëhen pjesë e atij që Giddens, projektuesi i Rrugës së Tretë dhe këshilltari i Blair, e quan sistemi i mirëqenies pozitive. Duke lançuar Rrugën e Tretë, Blair synonte të ndërtonte urat e bashkimit midis liberalizmit dhe social-demokracisë në ndërtimin e sistemit të mirëqenies.

Nga ana tjetër, sistemi ka një varësi të lartë nga qeverisja dhe kjo e bën atë vulnerabël. Qeverisja e keqe rëndon drejtpërsëdrejti mbi programet e mbrojtjes shoqërore. Por më problematike është varësia e sistemit nga financat publike dhe buxheti i shtetit. Kjo varësi bën që programet e mbrojtjes shoqërore të duken sikur janë një barrë mbi sistemin e mirëqenies dhe jo pjesë integrale e saj. Kjo sepse sistemi vetë nuk gjeneron burime nga sektori privat, që duhet të ishte një bashkë-sponsor i tij, për të mos thënë, nëse përdorim gjuhën e reklamave televizivë, sponsori gjeneral! Po sjell vetëm dy shembuj të kësaj varësie. Sistemi i arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri është një sistem, në mos tërësisht, kryesisht publik. Në një kohë që duhet të ishte kryesisht privat. Kjo do të thotë që dega e këtij programi, formimi profesional, duhet të mbështetet kryesisht nga burime private, që duhet të vijnë nga punëdhënësit. Gjermania dhe Britania e Madhe kanë sfiduar papunësinë jo vetëm nëpërmjet këtij programi, por edhe për faktin se kanë mundur të mobilizojnë burime nga sektori privat, i cili e vlerëson arsimin dhe formimin profesional një mision të tij të natyrshëm, jo një detyrim të kërkuar nga qeveritë. Sektori privat në këto vende, por edhe në vende të tjera, përballon deri në 70 për qind të burimeve të financimit. Ndërkohë që në Shqipëri ky kontribut është i pandjeshëm.

Pse ndodh kjo?

Për dy arsye. Edhe për shkak të hezitimit, mentalitetit dhe mungesës së motivimit të punëdhënësve, por edhe për shkak të politikave qeverisëse. Po ndalem në këtë të dytën. Legjislacioni shqiptar detyron, prej gati 20 vjetësh, krijimin e Fondit Kombëtar për Punësimin, nga kontributet e punëdhënësve. Një pjesë e tyre mund të përdoren për financimin e arsimit dhe formimit profesional. Por ky Fond ende nuk është krijuar dhe në këtë pikë qeveritë kanë shkelur arbitrarisht ligjet e vendit. Kontributet e punëdhënësve përfundojnë në zëra të tjerë të buxhetit dhe devijojnë nga destinacioni i tyre ligjor; mbështetja e punësimit dhe formimit profesional. Prandaj krijimi dhe përdorimi në respekt të ligjit i Fondit të Punësimit duhet të jetë një ndër veprimet e para të riinxhinierimit të shërbimeve të punësimit.

Po me programet, ose kolonat e tjera të sistemit të mbrojtjes shoqërore, si paraqitet gjendja?

Një tjetër program i sistemit me një varësi të panatyrshme, gati asfiksuese e sfilitëse, nga buxheti i shtetit është skema e pensioneve. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, gjatë vitit 2012 transfertat nga buxheti i shtetit për sistemin e pensioneve ishin rreth 27 për qind të fondit të pensioneve. Gjatë periudhës 2006-2012 financimet prej buxhetit të shtetit për skemën e pensioneve u dyfishuan. Në vitin 2011, financimi i buxhetit të shtetit për pensionet ishte i barabartë me defiçitin buxhetor. Nuk gjej dot një rast tjetër për t’iu referuar në këtë nivel varësie. Pra, parimisht ne kemi një skemë pensionesh kontributive, ndërsa praktikisht mbajmë pjesë të mëdha të kësaj skeme me transferta buxhetore. Kjo do të thotë që nëse buxheti i shtetit ndalon financimin e skemës (Zoti mos e dhëntë që kjo të ndodhë dhe në fakt, nuk mund të ndodhë) një në katër pensionistëve i ndërpritet pensioni. Por buxheti i shtetit nuk mund të shërbejë pambarimisht për të mbyllur gropën financiare të skemës së pensioneve. Kjo vjen në kundërshtim me parimet e skemës kontributive dhe të vetë sistemit. Kjo varësi krijohet nga mungesa e mekanizmave efiçentë si edhe nga performanca e dobët në grumbullimin e kontributeve për furnizimin e skemës. Kjo varësi nuk vepron vetëm brenda skemës së pensioneve, por ka një rrezatim dhe efekt shoqëror dhe ekonomik të gjerë. Keqmenaxhimi i skemës dhe performanca e dobët në grumbullimin e kontributeve, duke detyruar që skema të financohet nga buxheti, pengojnë investimet në aspektet e tjera të portofolit të zhvillimit njerëzor. Sipas vlerësimeve të Open Data Albania të vitit 2011, nëse nuk merren masa urgjente për rritjen e numrit të kontribuesve dhe uljen e evazionit kontributiv, Shqipëria do të harxhojë për sigurimet shoqërore aq sa shpenzon për investime në rrugë, shkolla e spitale të marra së bashku. Këto fakte flasin vetë dhe nuk kanë nevojë për komente të mëtejshme. Pra, dobësitë e sistemit të mbrojtjes shoqërore pengojnë sinergjinë midis mbrojtjes shoqërore dhe investimeve e politikave publike. Kjo mungesë e bën mirëqenien të paqëndrueshme dhe sistemin të pasigurt.

Ju pohoni që burimet kryesore të financimit janë ato buxhetore. Por a janë destinuar e përdorur këto burime sipas prioriteteve të mbrojtjes shoqërore, në përgjigje të nevojave të grupeve në nevojë të popullsisë?

Unë mendoj se jo. Edhe brenda programeve të sistemit ka asimetri, të cilat pasqyrojnë këndvështrimin e gabuar të qeverive ndaj misionit dhe kolonave të sistemit. Problemi më i madh i sistemit është mungesa e sinergjisë midis politikave të punësimit dhe skemës së pensioneve. Kjo sinergji presupozon që punësimi fuqizon skemën sepse shton numrin e kontribuesve dhe përqindjen e kontributeve në financim. Një tjetër asimetri është midis sistemit të pensioneve dhe kolonave të tjera të sistemit. Pensionistët përbëjnë rreth 50 për qind të përfituesve të sistemit, por financimi i skemës së pensioneve thith mbi 80 për qind të fondeve të mbrojtjes shoqërore. Por edhe kolonat ose programet e tjera, financohen në mënyrë asimetrike dhe joadekuate. Për shembull, nëse nuk llogarisim sistemin e pensioneve, prioritetet e financimit të sistemit të mbrojtjes shoqërore janë: I) pagesat për personat me paaftësi; II) ndihma ekonomike; III) pagesa e papunësisë; IV) nxitja e punësimit. Në fakt, një sistem aktiv dhe i shëndoshë i mbrojtjes shoqërore do të kërkonte një rithemelim të disa programeve dhe një renditje tjetër: I) nxitja e punësimit; II) pagesat dhe shërbimet për personat me paaftësi; III) riintegrimi social (në vend të ndihmës ekonomike); sigurimi i punësimit (në vend të pagesës së papunësisë). Duke iu referuar prioritetit të nxitjes së punësimit, unë nuk bëj pjesë në ata që mendojnë se vendet e punës hapen vetëm nëpërmjet financimeve publike. Por duke iu referuar disa reformave të tregut të punës në disa vende, për shembull, administratën e Presidentit Obama, rritja e financimeve publike është një rrugë e nxitjes së punësimit. Në vitin 2009 Presidenti Obama miratoi një paketë të veçantë, stimuluesi Obama, për nxitjen e krijimit të vendeve të reja të punës. E cila rezultoi e suksesshme.

Cilat do të ishin, sipas jush, sfidat kryesore të sistemit të mbrojtjes shoqërore në të cilat duhet të fokusohet qeverisja socialiste?

Sfidat kryesore të sistemit të mbrojtjes shoqërore janë dy: e para, punësimi, punësimi, punësimi; e dyta, pensionet, pensionet, pensionet. Nëse përballohen këto sfida, sistemi fuqizohet e shëndoshet. Nëse nuk përballohen ato, sistemi nuk ka zgjidhje tjetër.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi