Duhet reformim në tërësi i qeverisjes vendore
Nga Bexhet Zeqiri, botuar në Shekulli Online, 2 nentor 201
Reforma në administrimin e qeverisjes vendore prej shumë kohësh është pjesë e politikës shqiptare. Mendoj se ky reformim nuk mundet dhe nuk duhet të konceptohet thjesht si një reformë territoriale, por si një reformim në tërësi i pushtetit vendor. Natyrisht, reforma territoriale është përcaktuese, kryesisht për komunat, efikasiteti i të cilave varet në një masë të konsiderueshme nga madhësia e territorit, asetet dhe popullsia, por në tërësi është e domosdoshme edhe për njësitë vendore më të mëdha, bashkitë. Në konceptimin e drejtuesve, jo vetëm të pushtetit vendor, rëndom mbizotëron mendimi dhe perceptimi i aktivitetit si “përdorues fundorë të fondeve buxhetorë dhe kryerja e një sërë aktivitetesh minimale sociale në shërbim të komunitetit” që thjesht mund të përkthehet: “me fonde buxhetore …punojmë, …pa fonde buxhetore …vegjetojmë”. Një analizë e aktivitetit të njësive të qeverisjes vendore, në bazë të auditimeve të kryera, në një sërë bashkish dhe komunash, për vitet e fundit 2011–2012, tregon problematikën, vështirësitë dhe mungesën e efikasitetit në administrimin e tyre. Shkurtimisht po paraqesim disa prej tyre: Në buxhetet e miratuara dhe të shpenzuara për çdo vit, struktura e shpenzimeve është pothuajse standarde, në % deri diku të njëjtë për pothuajse pjesën më të madhe të bashkive dhe komunave të Shqipërisë. Pjesën më të madhe, në shpenzimet vjetore faktike e zënë “Pagat dhe shtesat mbi pagat”, të cilat arrijnë nga 23% deri 26%, “Shpenzimet operative” nga 19% deri 25%, “Ndihma ekonomike e tjera” nga 25% deri 29% dhe “Investimet” nga 20% deri 33%.
Në shpenzimet kryera për vitin 2012 krahasuar me vitin 2011 në tre zërat e parë kemi rritje shpenzimesh. E kundërta ndodh me shpenzimet për “investimet” të cilat nga 33% që zënë për vitin 2011 zbresin në 20% për vitin 2012.
Nëntë bashki që përfaqësojnë një numër popullsie prej 96 mijë banorësh, shpenzimet për “investime” për vitin 2011, nuk i kalojnë 4,000 lekë për banor, kurse për vitin 2012, gjashtë bashki, që përfaqësojnë një numër popullsie prej 60 mijë banorësh, shpenzimet për “investime”, nuk i kalojnë 4,800 lekë për banor. Kurse tri bashki, me një numër popullsie prej 30 mijë banorësh nuk kanë kryer asnjë investim për vitin 2011. Vlera e investimeve e cila mbas çdo viti vjen me ulje është një tregues se njësitë vendore duke mos investuar nuk mund të presin gjenerim të ardhurash kryesisht në planin afatgjatë. Tjetër tregues domethënës për efektivitetin e ulët të njësive të qeverisjes vendore, është planifikimi dhe arkëtimi i të ardhurave vendore të cilat për vitin 2011 arrijnë deri 3,200 lekë për banor dhe vitin 2012 deri 3,800 lekë për banor. (Në total të ardhurat e veta të arkëtuara nga bashkitë përbëjnë 25% të shpenzimeve faktike dhe janë pothuajse në nivelin e shpenzimeve për investime). Në qoftë se do të shohim realizimin e të ardhurave vendore rezulton se në asnjë njësi vendore realizimi i tyre në rastin më të mirë nuk e kalon 70%.
Për bashkitë në fjalë të ardhurat për vitin 2011 janë realizuar 62%, ose 186 milion lekë më pak se planifikimi, kurse për vitin 2012 janë realizuar 70%, ose 99 milion lekë më pak. Tregues janë të ardhurat e realizuara nga tri bashki (mesatarisht 12 milion lekë secila), ose rreth 2,000 lekë/banor, për një popullsi prej 18,600 banorë. Reformimi i pushtetit vendor duhet të përshijë jo vetëm reformën territoriale, jo vetëm komunat, por reformimin në tërësi të njësive të qeverisjes vendore, duke rritur performancën në drejtim dhe efektivitetin në shërbimet ndaj komunitetit, duke futur elementët e drejtimit të një njësie administrative biznesi. -Njësitë e qeverisjes vendore, duhet të publikojnë rezultatet financiare vjetore në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 9228, datë 29.04.2004 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”. Duhet të zbatojnë standardet e kontabilitetit për analizën, vlerësimin dhe raportimin, gjë që do të bënte të nevojshme auditimin financiar dhe certifikimin e pasqyrave financiare. Auditimi dhe certifikimi i detyrueshëm i pasqyrave financiare, do të konsolidonte performancën e tyre, besueshmërinë financiare dhe do të krijonte hapësira kreditimi nga bankat e nivelit të dytë, mundësi e dështuar aktualisht.