FMN: Roli i industrisë në rritjen e produktivitetit në ekonomitë e përparuara nuk është vendimtar
Sipas Monitor, 21 prill 2018
Nuk ka asgjë të veçantë në lidhje me punët në industrinë prodhuese, u shpreh FMN-ja javën e kaluar nëpërmjet një reagimi të ashpër ndaj politikanëve dhe ekonomistëve të cilët shqetësohen se pa një sektor industrial të fortë, ecuria e ekonomive do të përkeqësohet dhe pabarazitë do të rriten, shkruan Financial Times.
Sipas Fondit, prodhimi nuk luan një rol unik dhe vendimtar në rritjen e produktivitetit në ekonomitë e zhvilluara, nuk është një fazë e domosdoshme për përparimin e ekonomive të vendeve në zhvillim dhe ka shumë pak ndikim në moslejimin e krijimit të hendeqeve të mëdha ndërmjet vendeve të mira dhe të këqija të punës.
Rezultatet e kërkimeve të tij bien në mënyrë të drejtpërdrejtë në kundërshtim me deklaratat e disa prej liderëve botërore si Donald Trump, i cili i ka vënë prodhimet “made in America” në qendër të politikës ekonomike amerikane dhe për më tepër, ka njoftuar një sërë pengesash tregtare për të mbrojtur prodhimin amerikan kundër konkurrencës së padrejtë.
Kritikat e forta të FMN-së u bënë të njohura nëpërmjet publikimit të botimit të kapitujve analitikë të raportit të saj kryesor, “Parashikimi Ekonomik Botëror”, një mënyrë e cila do të vihet re pa diskutim nga administrata Trump. Me uljen e normave të interesit dhe me rritjen e pabarazisë së vendeve që po shkëputeshin nga industria prodhuese, FMN-ja e pranoi se këto ishin argumente shumë sipërfaqësore vetëm për të krijuar një situatë të zymtë ekonomike.
Në vendet e zhvilluara si Shtetet e Bashkuara dhe ato të BE-së, prodhimi është shoqëruar me një rritje të shpejtë të produktivitetit në dekadat e fundit. Prodhimi intensiv i punës u zhvendos në vende si Azia, ku pagat ishin më të ulëta, duke lejuar që pjesët e teknologjisë së lartë të sektorit të merrnin rëndësi më të madhe, duke ndikuar në rritjen e ecurisë së sektorit.
Në të gjithë botën, numri i vendeve të punës në industrinë e prodhimit dhe prodhimi total ishin në nivele të qëndrueshme gjatë 50 viteve të fundit, duke sugjeruar kështu se industria nuk ishte një model i përmirësimeve të efikasitetit.
Kur FMN-ja shqyrtoi në mënyrë më të detajuar industritë e prodhimit dhe sektorë të ndryshëm të shërbimeve, ajo zbuloi se “ekzistonte një mbivendosje e madhe midis rritjes së produktivitetit të punës në disa sektorë të shërbimeve dhe nënsektorë të prodhimit, me disa industri të shërbimeve që paraqesin norma të rritjes së produktivitetit po aq të larta sa edhe industritë e prodhimit me performancë të lartë”.
Këta nuk ishin shembuj të izoluar të shërbimeve postare dhe telekomunikacioneve, ndërmjetësimit financiar dhe të tregtisë me shumicë dhe pakicë që, në të gjithë botën, përbëjnë gjysmën e totalit të punësimit në sektorin e shërbimeve të tregut, që renditet në vendin e tretë si sektori me rritjen e produktivitetit në punë. Në total, FMN-ja zbuloi se kalimi në ekonomitë e përparuara nga sektori i prodhimit në atë të shërbimeve kishte ndikim “sasior të papërfillshëm” në ecurinë e përgjithshme ekonomike.
Ndërsa në ekonomitë në zhvillim, kalimet dhe zhvendosjet në llojet e ndryshme të vendeve të punës, kanë pasur ndikim pozitiv në rritjen e produktivitetit që nga viti 2000, “një periudhë kur puna është zhvendosur nga bujqësia me produktivitet të ulët në sektorin e prodhimit në disa raste dhe në atë të shërbimeve të tregut”, sipas studimit të FMN-së. Me anë të një mesazhi drejtuar vendeve të varfra, Fondi, u mundua që t’i qetësonte këto vende duke u thënë se ato nuk duhet të shqetësoheshin për fazën e tranzicionit nga bujqësia tek sektori i prodhimit dhe ai i shërbimeve, duke qenë se ajo është një fazë e zakonshme që prek të gjithë ekonomitë e vendeve në zhvillim.
FMN-ja zbuloi se, ndonëse punët industriale kishin një pagë më të lartë si për punonjësit me kualifikim të lartë, të mesëm dhe të ulët, duke krijuar kështu shumë më pak pabarazi në pagë në sektorin e prodhimit, gjithsesi këto fakte nuk mund të shpjegonin tendencat e larta të pabarazisë në nivelin e të ardhurave gjatë gjeneratës së kaluar. Pothuajse e gjithë rritja e pabarazisë shkaktohej nga ndryshimet që ndodhin brenda sektorëve si të industrisë ashtu edhe ata të shërbimit dhe jo nga lëvizjet nga njëra punë në tjetrën.
Sipas FMN-së, faktorët kryesorë që fshiheshin pas pabarazisë më të madhe të nivelit të pagave nuk kanë lidhje me zhvendosjen e forcës punëtore nga sektori i prodhimit në atë të shërbimeve, por kanë lidhje me zhvendosjen e punonjësve me kualifikim të mesëm ndërmjet sektorit të teknologjisë dhe të tregtisë, dhe rrjedhimisht me presionin e lartë që rezulton në rënien e nivelit të pagave te punonjësit me kualifikim të mesëm dhe të ulët.