Ballkani meriton një shans për të lënë pas gjakderdhjen
Letër e hapur e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave drejtuar kryeministrit grek, Antonis Samaras
I nderuari Z. Kryeministër Samaras
Anëtarët e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave janë thellësisht të indinjuar nga përmbajtja e një letre që u është dërguar Juve nga njëzet e tre ish-ambasadorë të Republikës Helenike. Për ne kjo letër është denigruese.
Duke tërhequr vëmendjen e qeverisë greke që kriza financiare të mos çojë në mohimin e rolit primar të interesave kombëtare të Greqisë, autorët e letrës në fjalë gabojnë rëndë kur sugjerojnë se Shqipëria është një vend “i krijuar nga Fuqitë e Mëdha më 1913 dhe se, deri më sot, ky vend nuk ka mbajtur një qëndrim miqësor ndaj Athinës, duke u bërë, qysh nga formimi i tij, një vend problematik për Greqinë”.
Për ne kjo gjuhë është shqetësuese dhe jokorrekte. Asnjëri prej pretendimeve të tyre nuk është i vërtetë. Po kështu, nuk është e vërtetë as që “pas zhvillimeve pozitive për Tiranën për sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me Kosovën dhe Shkupin, rivaliteti i Tiranës ndaj Athinës po vjen duke u rritur”. Këta ish-diplomatë shprehin keqardhje për mbështetjen që Greqia ka dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ata pretendojnë se Shqipëria ka marrë “mjaft përfitime politike nga Athina, pa i dhënë kësaj të fundit asgjë në shkëmbim” dhe i sugjerojnë qeverisë Tuaj, z. Samaras, që t’i “ndreqë gabimet e së kaluarës dhe të jetë më e kujdesshme për sa i përket synimit të Tiranës [për t’u anëtarësuar] në Bashkimin Europian”.
Si anëtarë të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, në të cilën bëjnë pjesë edhe një numër ish-ambasadorësh dhe diplomatësh elitarë shqiptarë, që kanë shërbyer në vende dhe në organizata ndërkombëtare të rëndësishme, ne i refuzojmë vendosmërisht këto pretendime dhe e inkurajojmë Shkëlqesinë Tuaj, si Kreu i Qeverisë të një vendi fqinj dhe mik, si Greqia, që të mos i merrni në konsideratë gjuhën e përdorur prej tyre dhe mënyrat e tyre të vjetra të të menduarit për hir të marrëdhënieve më të mira midis dy popujve tanë dhe midis qeverive të të dyja vendeve.
Popujt e Ballkanit gjenden sot në një udhëkryq nga më të rëndësishmit në historinë e tyre. Ky mund të jetë, ndoshta, kapitulli “i fundit” i historisë së tyre ballkanike, i cili, nëse përdorim fjalët e kancelarit Otto von Bismarck, deri vonë mund të përshkruhej si historia e atyre “vendeve për të cilat askush s’ka dëgjuar kurrë ndonjë gjë” dhe për të cilat “nuk ia vlen të sakrifikosh as edhe eshtrat e një ushtari të vetëm”. Ne, në Shqipëri — dhe besojmë se edhe popujt e tjerë të Ballkanit — dëshirojmë që ky gadishull juglindor i kontinentit tonë të jetë pjesë e Europës së ardhshme. Në këtë fillim të shekullit të 21-të, ne duhet të bëhemi të gjithë së bashku dhe të shkruajmë bashkërisht kapitullin që do të mbyllë një histori mijëravjeçare të përgjakshme në Ballkan, për të nisur një epokë që vendet tona nuk e kanë njohur kurrë më parë.
Për të gjithë popujt e Ballkanit, përfshirë dhe grekët, kjo është një kohë kur ne, më në fund, duhet të kuptojnë se rruga drejt prosperitetit nuk është ringjallja e kujtimeve të së shkuarës, ose përdorimi i forcës, i presioneve dhe i kërcënimeve për të larë hesapet me të shkuarën, por krijimi i atyre kushteve politike, ekonomike e sociale që çojnë në krijimin e urave lidhëse, në zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe në krijimin e shoqërive të hapura demokratike.
Në këtë kuadër, një politikë e jashtme më realiste e Republikës Helenike, e cila kërkohet të pushojë së pretenduari territore shqiptare në atë rajon që ende quhet prej saj “Epiri i Veriut”, është shpresa më e mirë për zgjidhjen përfundimtare të disa prej problemeve më të vështira në Ballkan. Të tilla janë anulimi i gjendjes së luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë; njohja zyrtare nga ana e qeverisë greke e kufijve shtetërorë të Shqipërisë të përcaktuar nga Konferenca e Londrës më 1913; të drejtat pronësore të popullsisë çame, të cilën ish-ambasadorët grekë në mënyrë të shëmtuar dhe aspak diplomatike e konsiderojnë një “popullsi myslimane [që] do të duhej të ishte dëbuar në Turqi”; njohja zyrtare nga ana e Republikës Helenike e Republikës së Kosovës, si një shtet i pavarur dhe sovran; zgjidhja e mosmarrëveshjeve lidhur me emrin zyrtar të Republikës së Maqedonisë, etj.
Të gjithë duhet të përpiqemi që t’i mposhtim mbeturinat e nacionalizmit ekstrem në Ballkan, kudo që ai shfaqet, dhe të fokusohemi në mundësitë që ofron e ardhmja për të gjithë ne.
Progresi i bërë gjatë këtyre viteve në të gjitha ish-vendet komuniste të Ballkanit provon në mënyrë bindëse se e kaluara mund dhe duhet të tejkalohet në emër — dhe për hir – të një të ardhmeje më të mirë. Si një vend fqinj dhe miqësor, Greqia duhet ta dijë se ne të gjithë jemi pjesë e një të ardhmeje europiane të përbashkët, dhe prandaj s’duhet të dëgjojmë këshillat cinike të disa ish-ambasadorëve grekë që e nxisin Athinën të jetë “më e kujdesshme” në mbështetjen që ajo i jep çështjes së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ne shpresojmë që drejtuesit e vendeve të Ballkanit më në fund kanë kuptuar se ata nuk mund të vazhdojnë ta mbajnë të ardhmen e popujve të tyre peng të fantazmave mesjetare, ose të një të kaluare të sajuar, duke u përpjekur të lajnë hesape të vjetra në një mënyrë që dëmton të sotmen dhe të ardhmen tonë. Mençuria e qytetarëve të vendeve tona si edhe ajo e qeverive të vendeve tona do të matet me atë se sa efektivisht ato do të jenë në gjendje të tejkalojnë të kaluarën problematike dhe të forcojnë themelet e një të ardhmeje më të mirë e më të të begatë.
Vështirësitë dhe pasiguritë në këtë rrugë nuk mund të nënvleftësohen. Në Ballkan ka ende pengesa dhe sfida, por ky rajon nuk është më “qendra e stuhisë” apo një “fuçi baruti” në zemër të Europës. Problemet në Ballkan as janë të reja, as mund të zgjidhen shpejt. Por faktet tregojnë se progresi i bërë është real, i konsiderueshëm dhe inkurajues, dhe ne besojmë se Greqisë, si djepi i demokracisë antike dhe si e para demokraci moderne në Ballkan, i takon të luajë një rol të rëndësishëm konstruktiv.
Në gjykimin tonë, Greqia, si fqinji ynë jugor, që merr Presidencën e radhës të Bashkimit Europian në janar 2014, nuk duhet ta heqë nga prioritetet e presidencës së saj çështjen e zgjerimit të BE-së. Përkundrazi, në frymën e “Samitit BE-Ballkani Perëndimor” të Selanikut (2003), Greqisë i përket të drejtojë përpjekjet në mbështetje të kandidaturës së Shqipërisë. Për ne është e vështirë ta mendojmë se Athina mund t’i krijojë probleme serioze kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, se ajo mund ta frustrojë këtë proces ose ta kundërshtojë atë. Në vend që t’u vërë veshin retorikës nacionaliste ose demagogjisë politike të një numri diplomatësh në pension, ne presim që Athina ta mbështesë pa rezerva integrimin e Shqipërisë në BE, pasi ky është i vetmi opsion i arsyeshëm, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Greqinë.
Si pjesë e elitës kulturore dhe akademike shqiptare, të mbështetur edhe nga shumë intelektualë të shquar në mbarë botën, ne besojmë sinqerisht se barra historike e së kaluarës nuk është më e rëndë se shpresat e së ardhmes. Po kështu, sfidat me të cilat ndeshen popujt e Ballkanit sot nuk janë pengesa, por oportunitete. Për popujt e rajonit tonë, koha e sotme përbën një nga ato mundësi të rralla, të cilat Hegeli i quante “momente unike” të historisë. Dhe e veçanta më e madhe e këtij momenti për popujt e Ballkanit është se ky mund të jetë fundi i luftërave gjakderdhëse, i fantazmave dhe i historisë së tyre armiqësore. Përpara popujve tanë qëndron një e ardhme e shkëlqyer dhe ne s’duhet ta komprometojmë atë.
Ju përcjellim Juve, Zotëri, përshëndetjet e ngrohta të të gjithë anëtarëve të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, si edhe urimet tona të përzemërta për sukses në misionin Tuaj si kryeministër i Greqisë fqinje dhe mike.