Sugjerime për reformimin e altertekstit
Nga DRITAN NELAJ, botuar në Shqip, 1 nentor 2013
Shumëkush mund ta ketë vënë re se qeveria e re nisi punën përmes akteve të vullnetit të cilat janë domethënëse, por që duhen pasuar domosdoshmërisht nga reforma serioze në rast se synimi është kapërcimi i gjendjes aktuale dhe ndërtimi i një realiteti tjetër. Rishikimi i politikave, si dhe qeverisja e mirë duhet të shtrihet në një sërë sektorësh përfshirë dhe sistemin arsimor. Në mënyrë që kjo të ndodhë nevojitet vullnet politik, aftësia e administratës, konsultimi me grupet e interesit, si dhe fuqizimi i përfituesve të shërbimeve publike. Në këtë shkrim do të paraqiten disa propozime për reformimin e politikës së tekstit shkollor, propozime të cilat mbështeten në të dhëna të grumbulluara për tre vite me radhë nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në bashkëpunim me grupet e interesit. Propozimet e trajtuara në këtë shkrim u japin gjithashtu zë shqetësimeve të prindërve, nxënësve dhe mësuesve lidhur me cilësinë e dobët të teksteve shkollore dhe mungesës së mekanizmit për përmirësimin e teksteve. Shkrimi do të trajtojë me radhë disa prej dobësive të administrimit të politikës së Altertekstit.
Komisioni i Miratimit të Teksteve
Ky komision është i ngarkuar për të administruar miratimin e teksteve, të cilat në parim vlerësohen nga ekspertë të fushës, lidh kontratat me shtëpitë botuese tekstet e të cilave certifikohen si të përputhshëm me kriteret e rregullores së Altertekstit dhe mbikëqyrur procesin e vlerësimit dhe përzgjedhjes së teksteve nga mësuesit e lëndës. Vitet e fundit veprimtaria e këtij komisioni ka dëshmuar se në formën aktuale ai nuk i përballon dot me cilësi detyrat e tij. Së pari, ky komision përbëhet nga punonjës të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, persona të cilët përmbushin detyra të tjera përpos punës në Komisionin e Miratimit të Teksteve. Së dyti, duke qenë se anëtarësia e komisionit përbëhet nga punonjës të ministrisë autonomia e këtij organi, si dhe aftësia për të përballuar presioneve nga jashtë është mjaft e vogël. Për më tepër ky komision përballet me një ngarkesë të lartë administrative, ndërkohë që nuk është pajisur me një staf administrativ, i cili do të rriste shpejtësinë dhe cilësinë e veprimtarisë së tij. Më tej ky komision ka dëshmuar probleme me transparencën dhe aftësinë për t’iu përgjigjur nevojës për përpunimin e opinioneve të nxënësve, prindërve dhe mësuesve lidhur me nevojën për përmirësimin e një sërë tekstesh, të cilat gjenden ende në qarkullim pa iu nënshtruar një analize serioze, e cila merr për bazë përvojën e përdoruesve të tyre. Në këto kushte statusi dhe përbërja e Komisionit të Miratimit të Teksteve duhet ndryshuar, duke marr parasysh përvojën e mëparshme të Bordit të Miratimit të Teksteve, i cili kishte një shkallë të lartë autonomie, ndërkohë që anëtarësia e këtij organi mund të jetë e përzier me specialistë të jashtëm dhe punonjës të MAS.
Komisioni i Vlerësimit të Teksteve
Ky organ është një grupim i përkohshëm që ngrihet njëherë në vit nga Komisioni i Miratimit të Teksteve dhe që në parim përbëhet nga njohës të anës shkencore, pedagogjike dhe gjuhësore të teksteve. Duke pasur parasysh shqetësimet në një shkallë të gjerë të mësuesve, prindërve dhe nxënësve lidhur me cilësinë e dobët të teksteve, mund të arsyetohet se puna e kryer nga Komisionet e Vlerësimit të Teksteve ka qenë jo e mirë apo produkti i punës së tyre mund të jetë deformuar nga vendimmarrja e Komisionit të Miratimit të Teksteve. Sipas studimit të fondacionitShoqëria e Hapur për Shqipërinë gjatë vitit 2012, 53% e nxënësve pranonin që u është dashur të punojnë me tekste jocilësore, ndërkohë që rreth 69% e prindërve dhe nxënësve që janë hasur me tekste jocilësore pohojnë se ky shqetësim është diskutuar me mësuesit e lëndës, të cilët ishin pajtuar me shqetësimin e tyre. Problemi fillestar me këtë komision është fakti që anëtarët e tij janë anonimë, gjë që kërcënon seriozisht parimin e transparencës, si dhe nxitjen për përgjegjshmëri të anëtarëve të komisionit gjatë vlerësimit të teksteve. Justifikimi i Ministrisë së Arsimit ka qenë se anonimati mbron anëtarët e komisioneve nga ndikimi i shtëpive botuese, por në fakt në kushtet e lidhjeve të pashëndetshme midis politikës dhe shtëpive botuese, e vetmja mbrojtje e anonimatit është shmangia e publikut të gjerë nga procesi. Jo më kot fondacioni së bashku me grupet e interesit përgjatë periudhës së miratimit të ligjit të arsimit parauniversitar gjatë vitit 2012 këmbënguli që në nenin për tekstet shkollore të përfshihej fjala transparencë, e cila tashmë është shndërruar në një kërkesë ligjore. Për të përmirësuar punën e Komisionit të Vlerësimit të Teksteve, i cili përbën dhe filtrin e parë të sigurimit të cilësisë në këtë proces garues është me rëndësi që anëtarët e tij të jenë të njohur për publikun, të shpërblehen mirë financiarisht për punën e kryer, si dhe të mundësohet mbrojtja e teksteve nga vetë autorët në seanca publike, të cilat mund të ndiqen nga të interesuarit. Emrat e vlerësuesve duhen vendosur në kopertinën e brendshme të teksteve që vlerësohen prej tyre në mënyrë që përgjegjësia të jetë e qartë dhe për publikun.
Komisioni i Përzgjedhjes së Teksteve
Ky komision përbën dhe filtrin e tretë dhe mjaft të rëndësishëm të sigurimit të cilësisë së tekstit. Komisioni përbëhet nga mësues të lëndës tekstet e të cilës merren në shqyrtim për të përzgjedhur më pas njërin prej tyre, i cili do të përdoret më pas nga shkolla përgjatë vitit shkollor. Kjo do të thotë se në rast se do të merren në shqyrtim tre tekste konkurruese në lëndën e fizikës së klasës së shtatë, atëherë Komisioni i Përzgjedhjes së Teksteve përbëhet nga mësues të lëndës së fizikës, të cilët japin mësim në klasën e shtatë. Numri i përbërjes së komisioneve ka ndryshuar përgjatë viteve, pasi fillimisht ai ndërtohej me mësues brenda një shkolle dhe më pas u zgjerua me mësues të disa shkollave me afërsi gjeografike. Problemi kryesor me të cilin haseshin këto komisione, konfirmuar si nga anketat, por edhe nga fokus grupet me mësues përgjatë vitit 2010, 2011 dhe 2012, është cenimi i pavarësisë së mësuesve dhe ndërhyrjet e dhunshme nga drejtorë shkollash apo punonjës të drejtorive arsimore për të favorizuar tekste të caktuara. Kjo brishtësi e pozicionit të mësuesve duke pasur parasysh që fati i vendit të punës varej nga titullari i drejtorisë arsimore, duket se ka cenuar rëndë funksionimin e komisioneve dhe cilësinë e vendimmarrjes së tyre. Gjithashtu, një problem serioz është dhe pjesëmarrja e vakët e prindërve në këto komisione gjë që favorizonte një vendimmarrje të mbyllur dhe larg cilësisë. Me ndryshimet ligjore të vitit 2012 tashmë prindërit do të kenë rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e drejtorit të shkollës, si dhe në emërimin e mësuesve të rinj dhe kjo përbën një shpresë në forcimin e rolit të përfituesve të shërbimit arsimor në përcaktimin e cilësisë së burimeve njerëzore që ofrojnë shërbimin përfshirë dhe në cilësinë e përzgjedhjes së teksteve. Sigurisht, ky zhvillim pozitiv do të ndodhte në rast se zgjedhjet për prindërit në bazë shkolle realizohen në mënyrë të hapur dhe demokratike.
Mekanizimi i përmirësimit të cilësisë së teksteve
Përmirësimi i vazhdueshëm i teksteve është një parakusht i rëndësishëm në përmbushjen e parimit të Altertesktit. Mënyra sesi është administruar kjo politikë ka treguar që besimi te dora e padukshme e tregut ka qenë mjaft i madh, por kjo në kushtet e deformimit për shkak të lidhjes informale të politikës, administratorëve të procesit dhe shtëpive botuese e ka bërë të pamundur funksionimin e mekanizmit të tregut sigurisht nëse ai mund të funksionojnë i vetëm në rrethanat e një produkti të tillë si teksti shkollor. Deformimi i paradigmës së Altertekstit (parimi i konkurrencës i ndërthurur me pjesëmarrjen e profesionistëve, mësuesve, nxënësve dhe prindërve si filtra që do të garantonin interesin publik në këtë proces) ka dëmtuar seriozisht cilësinë aktuale, por edhe potencialin për përmirësimin e vazhdueshëm të teksteve shkollore. Në këto kushte, lind si domosdoshmëri ndërtimi i një mekanizmi, i cili do të grumbullonte të dhëna mbi përvojën e drejtpërdrejtë të përdoruesve të teksteve (mësues, nxënës, prindër) lidhur me cilësinë dhe problemet që shfaqin tekste të caktuara përgjatë vitit shkollor dhe më pas këto të dhëna t’u përcillen botuesve dhe autorëve në mënyrë që trajtimi i tyre të përbëjë kusht për ricertifikimin e teksteve. Ky mekanizëm duhet administruar nga Bordi i Përzgjedhjes së Teksteve ky i përforcuar nga një staf administrativ, ndërkohë që puna në nivelet e poshtme mund të administrohet nga drejtoritë arsimore.
Gjithashtu do të ishte më e arsyeshme që procesi i shqyrtimit dhe përzgjedhjes së teksteve të zhvillohej çdo dy vjet (të mos jetë i përvitshëm) gjë që do të ulte shpenzimet e administrimit të procesit, do të zvogëlonte ngarkesën e punës për mësuesit dhe burimet e tjera njerëzore të përfshira në proces, si dhe do t’i jepte kohë të mjaftueshme mekanizimit të vjeljes së përvojës së përdoruesve të teksteve që të përcillte informacionin te shtëpitë botuese dhe publiku në mënyrë që botuesit të kishin kohë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur problemeve të ngritura ndaj teksteve të tyre. Më tej forcimi i filtrave të sigurimit të cilësisë së teksteve do të zvogëlonte numrin e teksteve konkurruese dhe rrjedhimisht do ta bënte edhe më të administrueshëm procesin.
Sigurisht që reforma e teksteve shkollore nuk do të ishte e plotë pa reformën e kurrikulës, atë të formimit profesional dhe kualifikimit të vazhduar të mësuesve, menaxhimit të shkollës, vlerësimit të njohurive dhe pjesëmarrjes së vërtetë të prindërve dhe nxënësve në punët e shkollës. Këto çështje do të trajtohen në një shkrim tjetër.