Ç’farë po ndodh në administratën publike
Nga Zamira Çavo, botuar në Shqip, 31 tetor 2013
Shteti ynë sot është në pikën e tij më të vështirë. E them këtë jo vetëm sepse autoriteti i tij është rrënuar nga mungesa e zbatimit të ligjeve, jo vetëm sepse eknonomikisht është i dobët për shkak të babëzisë pushtetare që i ka lënë arkat bosh, por dhe pamundësi vepruese për shkak të një Administrate të dobët, të sëmurë dhe të korruptuar! Kjo e fundit merr për mua një rëndësi parimore dhe praktike.
Besoj se të gjithë biem në një mëndje që administrata jonë publike vuan nga disa sëmundje të trashëguara. Ahmet Zogu që u përpoq të vinte bazat e shtetit nuk bëri dot një Administratë Publike. Arsyet mund t’i konsiderojmë të mjaftueshme për t’i numëruar, por pa dyshim, ajo më kryesorja, ishte mungesa e arsimimit dhe e njerëzve të aftë profesionalisht. Ndaj kjo administratë u ngrit mbi injorancën e shtrirë vertikalisht dhe “besnikërinë” ndaj Zogut si elementin kryesor të mundësisë për të qenë pjesë e kësaj administrate. Shteti i kohës së diktaturës së Hoxhës e gjeti të tillë administratën dhe me kalimin e viteve, e shndërroi në një makinë ku çdo hallkë e saj ishte pjesë e një zinxhiri që shënonte “besnikërinë” ndaj Partisë dhe Enverit! Dhe kur sot themi se vetëm në kohën e Enverit kishte shtet dhe shtet të fortë ama, bëjmë gabimin e radhës, sepse nuk kemi kuptuar faktin që vetëm shtet të fortë nuk kishte në atë kohë, por kishte “dorë” të fortë që drejtonte gjithçka! Pra për më shumë se 80 vite të ekzistencës së shtetit shqiptar, administrata publike ka qenë një element i dobët, i sëmurë, që pothuaj asnjëherë nuk e ka luajtur rolin e saj organik në administrimin e gjërave publike dhe sidomos në shërbim të njerëzve.
Për 23 vite demokraci, Administrata Publike jo vetëm nuk u shërua nga këto “plagë” por u riforcua me po këtë model: besnikëria ndaj liderit! Në AP sipas kahjes që ka marrë pushteti, janë punësuar militantët ekstremë të cilët e kanë shfrytëzuar këtë post në hierarkinë e administratës si mjet për të siguruar ca përfitime që t’i “mundëson” posti! Të djathtë e të majtë e administruan “pasurinë tonë publike” sipas interesave partiake ose klanore!
Le të vijmë tani në administratën aktuale publike. Reformimi që po bën qeveria “Rama”, është sigurisht shpresëdhënës në objektivin e vet. Të largosh nga administrimi i “publikes” ata individë që i kanë shërbyer “besnikërisë” dhe jo funksionit të tyre, është më e pakta që mund të bëhet, (sepse unë mendoj që ndëshkueshmëria është ajo që vendos themele të forta të një shteti). Por në administratën publike gjërat po lëvizin jo rrallë në mënyrë të gabuar.
Së pari: Ka mjaft raste që individë militantë, besnikë arrogantë, të berishizmit, jo vetëm nuk largohen por “gradohen” duke qenë, fjala vjen si drejtoreshë e burimeve njerëzore në Tatime! Dhe ky nuk është një lapsus, por një realitet konkret që duket dhe në donacionet që kanë bërë disa individë ndaj Partisë Demokratike dhe që tani gjenden të “graduar” në administratën publike të qeverisjes Rama! Unë jam kundër largimeve nga administrata të njerëzve të aftë, të trajnuar dhe efektivë në punën e tyre. Sepse një profesionist i qëndron besnik ligjit dhe jo “shefit”, por jam tërësisht kundër emërimeve të tilla, madje me gradime! Kjo është një shenjë që më bën të mendohem për shpresën time në bërjen e një shteti të vërtetë!
Së dyti: Në emërimet në administratën publike, për shkak të aleancës PS-LSI, është e dukshme një ndarje e tortës së administratës publike. Duket se LSI është pragmatistja më e paskrupullt e politikës shqiptare, ndaj ka përfituar postet më të rëndësishme, që i sigurojnë një punësim të gjerë të anëtarëve të saj. Kushdo e ka vënë re se, ndërsa Partia Socialiste po kërkon t’i bëjë gjërat sipas “kërkesave bashkëkohore”, të paktën në dukje, LSI ka “mbaruar punë”. Ka bërë emërimet, çemërimet, ka shtuar numrin e anëtarëve të saj me ish-demokratët, që tashmë kanë ruajtur shumë pozicione pune, pasi janë konvertuar në LSI-sta dhe nuk ka pyetur shumë për profesionistë, por për “militantë” që do t’i duhen nesër! Kjo është një tjetër shenjë e standardeve të ndryshme në qeverisje, që sigurisht nuk të bën aspak optimiste!
Së treti: Unë mendoj se sot Shqipëria ka shansin e fundit për të bërë shtet! Dhe kjo do të thotë, Shansi i fundit për të ndërtuar një administratë publike me standarde bashkëkohore. Nuk kemi luksin të eksperimentojmë me dukjen dhe jo me thelbin. Nuk ka pse mburremi se kemi vënë disa njerëz të ndershëm në krye të institucioneve, sepse kjo nuk mjafton. Një mik më tha se “këta njerëz që po vihen në pozicione të ndryshme në AP, janë të ndershëm dhe kanë frikë, ndaj nuk do gabojnë”. Sërish unë them se nuk mjafton. Pyetja ime është e thjeshtë: Nga kush kanë frikë, nga ligji apo nga Rama? Një profesionist do kishte frikë ligjin. Por kur profesionizmi nuk merret si kriter, më mbetet të besoj të dytën dhe ky është një sinjal tjetër i dyshimit në të ardhmen.
Së fundmi: Mendoj se dy partitë e mëdha, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, duhet të shikojnë me shpejtësi riorganizimin e tyre. Jam e bindur se do kenë shumë firo në numrat e tyre, firo që mund t’i gjejnë tek LSI, e cila realisht po ndërton administratën tonë publike, sipas mënyrës së saj të njohur.