Rrënimi i pasurive natyrore dhe rishikimi i koncesioneve
Sipas Top Channel, 30 tetor 2013
Vitin e kaluar eksportet e naftës bruto nga Shqipëria arritën, sipas të dhënave zyrtare, 534 milionë dollarë. Prej disa vitesh shitja e burimeve natyrore është shndërruar në zërin dominues të eksporteve shqiptare.
Sipas INSTAT, që nga viti 2005, kompanitë private të cilat shfrytëzojnë rezervat natyrore të vendit kanë eksportuar mbi 1.6 miliardë dollarë vetëm naftë edhe krom. Kjo është përafërsisht sa 12 për qind e prodhimit të përgjithshëm kombëtar aktual. Por cilat janë përfitimet që kanë marrë qytetarët nga shfrytëzimi masiv i pasurive të tyre natyrore?
Shqipëria filloi të mblidhte të ardhura në buxhet nga konçesionarët që nxjerrin naftën dhe kromin në vitin 2008, kur qeveria vendosi të rrisë rentën minerare nga 2 në 10 për qind të prodhimit bruto. Që nga ai vit, në total qeveria ka mbledhur në buxhet nga renta dhe detyrimet e tjera të kompanive konçesionare vetëm rreth 200 milionë dollarë.
Por duhet thënë gjithashtu se një pjesë të madhe të kësaj shume, të 200 milionë dollarëve, janë paguar nga kompania publike “Albpetrol”. Ndërsa kompanitë private, ato të cilat kanë “pjesën e luanit” në fushat krom dhe naftëmbajtëse, kanë arkëtuar vetëm nga eksportet mbi 1.6 miliardë dollarë, por deri më sot nuk kanë paguar asnjë lek tatim mbi fitimin, sepse raportojnë humbje duke deklaruar shpenzime të larta.
Një fenomen përballë të cilit qeveritë në të shkuarën janë deklaruar të dorëzuara. Por pse administrata ka qenë e pafuqishme për të kontrolluar kompanitë konçesionare?
Në vitin 2006, qeveria e asaj kohe i lejoi disa nga kompanive më të mëdha konçesionare që të shfrytëzonin burimet natyrore dhe të dërgonin faturat e shpenzimeve përmes vendeve offshore. Këto vende, siç mund të jetë rasti i Qipros, kanë rregulla të veçanta në fushën fiskale dhe informacioni tatimor dhe verifikimi i faturave është praktikisht i pamundur.
Edhe pse të ardhurat janë rritur fort, në të njëtën kohë në letra kompanitë kanë deklaruar të njëtën rritje edhe për shpenzimet. Si rezultat, ndonëse kanë arkëtuar mbi 1.6 miliardë dollarë vetëm nga eksportet që nga viti 2005, duke nënvizuar, pa përfshirë ato në tregun e brendshëm, kompanitë e naftës dhe kromit kanë paguar në buxhet, nga të gjitha taksat direkte, më pak se 200 milionë dollarë.
Bëhet fjalë për vetëm 12 për qind, në një kohë kur sipas FMN, të paktën në naftë, taksa optimale duhet të jetë nga 65 deri në 85 për qind. Si nafta dhe kromi janë të dyja pasuri natyrore të parinovueshme. Këto pasuri vetëm merren, shfrytëzohen dhe nuk kthehen më. Aktualisht kompanitë private që kanë konçesionet po i shfrytëzojnë ato me ritme të shpejta. Prodhimi i naftës ka arritur në 1.2 milionë tonë në vit, ndërsa rezervat e kromit janë gati duke përfunduar.
Dhe teksa burimet natyrore po shkojnë drejt fundit, të ardhurat që kanë marrë qytetarët shqiptarë, ata të cilët janë pronarët e vërtetë të këtyre pasurive, janë minimale. Sepse fitimet shkojnë diku tjetër, tek privatët. Ndërkohë që financat publike janë zhytur në spiralen e borxhit që rritet pafund.
Gjiknuri nis rishikimin e konçesionit të Bulqizës
Një grup i posaçëm pune në Ministrinë e Energjetikës do të kontrollojë të gjitha praktikat koncesionare të lejeve minerare në zonën e Bulqizës. Lajmin e dhanë dje burimet zyrtare në Ministrinë e Energjetikës, sipas së cilës, ministri Damian Gjiknuri ka urdhëruar vlerësimin e përgjithshëm të aktivitetit minerar sipas detyrimeve të marrëveshjeve koncesionare dhe lejeve minerare të dhëna në zbatim të legjislacionit minerar në fuqi. Grupi do të analizojë realizimin e programit të koncesionit, ndërsa do të kontrollohet edhe plotësimi i kushteve të sigurisë dhe të shëndetit në punë të punonjësve të punësuar në aktivitetin minerar. Kontrolli përfshin gjithashtu edhe evidentimin e aktiviteteve të palicencuara që ushtrojnë veprimtari në këtë zonë. Në planin e punës do të jetë edhe kryerja e bilancit të rezervave të mineralit të kromit për secilën leje minerare, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të tyre, ashtu sikurse bilanci i realizimit të prodhimit të mineralit në vite, krahasuar ky me prodhimin e parashikuar në programet e secilës marrëveshje dhe leje minerare. Grupi i punës do të shqyrtojë edhe realizimin e grafikut të investimeve të kryera sipas detyrimeve të parashikuara në kontratat koncesionare dhe kushteve të vëna në lejet minerare. Gjatë këtij viti kompania ACR-ja ka shitur 100 për qind të aksioneve grupit “Balfin”. Sipas të dhënave zyrtare të bëra publike nga vetë Ministria e Ekonomisë, ACR nuk ka realizuar 13 milionë euro nga plani i detyrueshëm i investimeve, që kryesisht kanë të bëjnë me hapjen e thellësisë së minierës për rritjen e jetëgjatësisë së saj. Partia Socialiste në opozitë mendonte se në këto kushte duhet të ishte ndalur. Marrëveshja përmbante edhe një plan të detyruar investimesh për rritjen e sigurisë në punë, përmirësimin e teknologjisë në minierë dhe zgjatjen e jetës së saj. Por plani i investimeve nuk u zbatua si nga “Darfo” fillimisht, ashtu dhe nga ACR-ja më vonë. Partia Socialiste në opozitë premtoi zgjidhje të situatës dhe zbatimin e kontratave koncesionare.
“Albpetrol”, pezullohen 35 monitoruesit e koncesioneve
Dy drejtori që operonin si pjesë e Albpetrolit, janë “ngrirë” në funksionimin e tyre, pas një kontrolli të bërë pranë kësaj shoqërie aksionere dhe shkeljeve të gjetura. Burime zyrtare nga Albpetrol thanë se në total janë pezulluar 35 punonjës, të cilët në detyrat e tyre kishin monitorimin e marrëveshjeve hidrokarbure me palët e treta. Në fakt, edhe pse me detyrë monitorimin, në fakt asnjë procedurë e tillë nuk rezulton të jetë kryer nga drejtoritë kundrejt kontratave me kompanitë koncesionare.
Numri më i madh i punonjësve të pezulluar janë supervizorë, të cilët kanë si detyrim monitorimin në terren të kontratave dhe investimet e kompanive. Pesë janë kompanitë me të cilat Albpetrol kishte marrëveshje që duhet të mbikëqyreshin dhe këto janë Bankers Petroleum, Stream Oil, Sherëood, Transoil dhe Phoenix. Asnjë nga 20 supervizorët e Albpetrol nuk ka kryer procedurë monitorimi ndaj palëve të treta, madje prej tyre nuk disponoheshin as rroba pune për të bërë kontrollin në terren, që janë specifike për hyrjet në kantier. Më shqetësuese paraqitet situata lidhur me shpenzimet e deklaruara nga kompanitë koncesionare. Burime zyrtare të Albpetrol konfirmojnë se janë deklaruar 1.5 miliardë dollarë shpenzime të kryera nga kompanitë, por ndërkohë nuk rezulton asnjë faturë e dorëzuar që justifikon këto deklarime.
Kontrolli i kryer në Albpetol ka nxjerrë në pah edhe një shkelje tjetër, që lidhet me dorëzimin e puseve për kompaninë “Phoenix”. Rezulton që dorëzimi i puseve është bërë pa zbatuar standardet dhe procedurat e kontratës, e cila parashikon që dorëzimi i puseve të bëhej pjesë-pjesë përgjatë një afati kohor prej 18 muajsh. Në të vërtetë, puset janë dorëzuar menjëherë pa zbatuar as pikën e marrëveshjes koncesionare, që parashikon se rreth 300 punonjës të atyre puseve duhet të mbahen në punë për të paktën edhe 6 muaj të tjerë. Kjo ka prekur direkt të punësuarit në këto puse, çka në numër rezultojnë të jenë jo pak, ndërkohë që dorëzimi është bërë vetëm pak kohë para zgjedhjeve elektorale të 2013-s.