Akuzat politike

Nga Ilva Tare, botuar në JAVA, 30 tetor 2013
Akuza nga foltorja e Parlamentit ku gjithçka që del nga goja e politikanëve është e amnistuar, por asnjë hetim konkret dhe serioz i nisur për ndonjë nga ish Ministrat e Berishës, që në teori por edhe praktikë duhet të kenë firmosur

Historia e akuzave politike në Shqipëri që zbehen sapo pala akuzuese ngjitet në pushtet duhet të marrë fund. Ose opozitarët të kenë prova e fakte për shkeljet e ligjit, ose më mirë të mos krekosen si gjeli në majë plehut dukë cërmitur dhëmbët që sapo marrin pushtetin u bien fare nga goja. Ose ka edhe një alternativë tjetër. Duhet ndryshuar rrënjësisht gjuha dhe sjellja e komunikimit politik ku etika dhe vlerat të jënë standardi përcaktues dhe sharjet e tipit po kjo është politika të dërgohen në varrezën e politikës së vjetër.

Kur e veja e diktatorit u dënua vetëm për kafe e bonbone nga akuzat fillestare për gnocid një popull i tërë u ndje u zhgënjyer. Historia përsëriti vetveten ekzaktësisht sic ndodh me kombet që nuk mësojnë nga gabimet e tyre. Opozita e Berishës në vitet e pushtetit të socialistëve bërtiste dhe tundte prangat për të korruptuarit sapo të vinte në pushtet. Kur demokratët hynë në Kryeministri nuk u panë kund pranga për bosët socialist të mafias sic thoshte Berisha, madje shumë shpejt pjesa më e madhe e tyre u bënë miqtë e biznesit të politikës më të afërt të tij.

Pas zgjedhjeve të 23 Qershorit te 2013 ‘déjà vu-ja” po rifshfaqet megjithë zhgënjimin qytetar që për disa është më i madhe për të tjerë i pritshëm. Akuzat për burg e pranga për zyrtarë të lartë të qeverisë së Berishes të korruptuar dhe të përfshirë në shpërdorimin e fondeve publike vazhdojnë të artikulohen nga socialistët tashmë në pushtet, por veprime konkrete për ndëshkim nuk janë shfaqur ende në horizont.

Ka një pretendim se qeveria nuk fut njerëz në burg dhe lavdi Zotit që është kështu. Por qeveria ka në dorë të gjithë mekanizmat që së pari të vërtetojë ato që i ka denoncuar si afera korruptive me dokumentacion zyrtar dhe së dyti të të vërë në punë të gjitha mekanizmat dhe institucionet që janë përgjegjës për ngritjen e akuzave e më pas edhe ndëshkimin e përfituesve të paligjshëm.

Këtë javë dëgjuam Kryeministrin Rama që i akuzoi demokratët se kanë vjedhur edhe naftë e fasule nga rezervat e shtetit. Përsëri akuza nga foltorja e Parlamentit ku gjithçka që del nga goja e politikanëve është e amnistuar, por asnjë hetim konkret dhe serioz i nisur për ndonjë nga ish Ministrat e Berishës, që në teori por edhe praktikë duhet të kenë firmosur. Edhe akuzat pas së cilave del emri i familjarëve të ish Kryeministrit apo rrethit të tij të ngushtë kanë vazhduar por deri ditën kur organi i hetimit të thërrasë në cilësinë e të pandehurit ndonjërin prej tyre janë fjalë boshe që i merr era po me shpejtësine marramendëse që kanë zerot e llogarive të tyre të përfolura bankare.

“Thuajini oborrit të bëhet gati të paguaj më shumë” – tha Rama në Kuvend me ton paralajmërues. A do të thotë kjo se oborrëtarët dhe bashkëpunëtorët e tyre të akuzuar për përfitim të parave të shqiptarëve janë të falur për çfarë kanë marrë por do kenë fatkeqësinë që do paguajnë më shumë taksa në arkën e qeverisë së Ramës? Nëse përfundon kështu premtimi për luftën e pashembullt antikorrupsion të Rilindjes atëherë paralelizmi i kafeve të Hoxhës dhe fasuleve të Berishës është jo vetëm i pashmangshëm, por edhe i papranueshëm edhe në qoftëse behët në emër të paqes sociale dhe mos provokimit të një lufte ballore me ish-pushtetarët e djeshëm.

 

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi