Harito: Administrata e depolitizuar – një luftë e gjatë dhe e përditshme
Ministrja për Inovaconin dhe Administratën Publike, Milena Harito në një intervistë me DW, thekson nevojën e futjes së konkurseve të hapura dhe transparente për ngritjen e administratës profesionale e larg politikës. Postuar 30 tetor 2013
DW: Në Shqipëri ka shpërthyer debati për zëvendësimet në administratë, apo institucione të tjera. Opozita ju akuzon si qeveri e re se ka filluar fshesa politike. Si i përgjigjeni ju kësaj akuze?
Harito: Në përgjithësi barra e akuzës është e atij që akuzon, do të ishte shumë mirë që opozita të nxirrte emra, shifra, të fliste për atë çfarë ndodh. Unë vetë kërkoj personalisht një raportim javor për ndryshimet në administratë, dhe për momentin nuk konstatoj asnjë parregullsi. Janë rreth 20 veta që janë larguar duke dhënë dorëheqjen. Nuk ka parregullsi të tjera. Opozita e gjykon me kutin e saj, le të themi me mënyrën si është sjellë vetë me parë dhe na akuzon ne për gjëra që ka bërë gjatë gjithë viteve të qeverisjes, por në mënyrë më masive në muajt e fundit.
DW: Po në media debatohen disa emra së fundmi, emra që lidhen me largime nga detyra apo zëvendësime në polici, dogana, Arkivin e Shtetit, etj. Pse duheshin bërë këto largime për shembull?
Harito: Këtu duhet bërë diferenca mes nëpunësve civilë, të cilët rekrutohen me konkurs, dhe në bazë të ligjit duhet të rekrutohen në këtë mënyrë dhe emërimeve të tjera të drejtuesve të lartë, të cilët emërohen nga kryeministri dhe ministrat e tjerë, sipas ligjit. Në këtë rast është përgjegjësia e atyre që emërojnë që të zgjedhin njeriun që është njeriu i duhur.
DW: Retorika politike për një administratë të më të zotëve, të talentuarve, larg të korruptuarve tingëllon si një retorikë shumë e bukur për t’u besuar në realitetin shqiptar…
Harito: Sigurisht kjo është çështje pune dhe luftë e përditshme. Dhe është e vështirë se ne jemi duke ndryshuar një mentalitet, i cili le të themi prej 70 vjetësh ka qenë kështu, pra që në administratën publike hyhej me miqësi apo me lidhje. Ndërkohë shumë shqiptarë kanë jetuar e punuar jashtë, janë përballur atje me procedurat e konkurrimit, dhe me faktin që duhet të provojnë që janë më të mirët, po ashtu në Shqipëri në sektorin privat janë përballur me këtë realitet. Mentaliteti ka ndryshuar për një pjesë të madhe të shoqërisë. Ne po përpiqemi qe kjo të ndryshojë edhe në administratën publike. Por është një luftë e përditshme.
DW: Përvoja e gjatë e hidhur me politizimin e administratës publike nga palët që kanë ardhur në pushtet e zëvendësimet e klientelës bëjnë që të mungojë besimi mes palëve politike e shpesh edhe në shoqëri, se ju do të jeni ndryshe. Çfarë do t’iu bënte ju ndryshe?
Harito: Ne e kemi shpjeguar shumë qartë këtë gjë dhe do ta ngremë në formë sistemi. E kemi shpallur që pas fitores së zgjedhjeve, krijimin e një baze
CV-sh online, pra u kemi bërë thirrje të gjithë njerëzve që dëshirojnë të jenë pjesë e administratës publike të shprehin vullnetin e tyre nëpërmjet një baze të dhënash dhe të depozitojnë CV-të e tyre. Këtë gjë po e përdorim tani për çdo post që hapet për administratën publike duke shpallur konkurse, duke sjellë në to shumë njerëz, nëpërmjet kësaj baze të CV-ve. Pra kjo bën që të kemi shumë më tepër kandidatë në këto konkurse të hapura shpresojmë që të vijnë më shumë në të ardhmen.
DW: Mazhoranca përmend konkursin si mjet për meritokracinë. Po konkursi ka ekzistuar edhe më parë si formë. Problemi qëndron tek duart politike që fshihen pas konkurseve, apo duart e mikut në një shoqëri që e ka traditë të ngulur klanin dhe mikun.
Harito: Pra edhe njëherë, duart pas konkurseve kanë ekzistuar gjithmonë, është e vërtetë kjo që thoni, presione ka shumë, ka shumë lidhje, është vend i vogël. Por konkurset e mëparshme vetëm sa shpalleshin sepse e kërkonte ligji, dhe kishte shumë pak informacion publik. Ndërsa ne duke iu bërë thirrje njerëzve në mënyrë të personalizuar, duke iu bërë thirrje atyre që janë në bazën e të dhënave, ata që janë shprehur që duan të hyjnë në administratë, e duke i lajmëruar për hapjen e posteve, ne nuk kemi më asnjë kontroll mbi numrin e njerëzve që vijnë e kandidojnë. Nuk vjen më një njeri me dy shokët e vet, për t’u bërë pjesë formale e konkursit, por vijnë një numër njerëzish, i pacaktuar ky, që ne nuk e kontrollojmë dot. Ky ndryshim sigurisht do kërkojë kohë që të pranohet nga shoqëria dhe përveç kësaj të bëhet efektiv.
DW: Në një fjalim në parlament ju thatë se duhet ndryshuar sistemi, njerëzit nuk do të korruptoheshin aq kollaj nëse sistemi nuk e mundëson këtë. Si do ta ndryshoni ju sistemin?
Është pikërisht kjo që thashë më parë, duke forcuar sistemin e konkurseve dhe duke ardhur në to shumë kandidatë, vetvetiu do të bëhej e pamundur të zgjidheshin njerëz që nuk kanë kualifikimin e duhur apo CV-n e duhur për postin. Duke qenë se shumë njerëz e shohin kush merr pjesë, kjo rrit mundësinë e kontestimit nëse procedura nuk është e drejtë. Hapja dhe transparenca të ngritura në sistem do të bëjnë që rekrutimet të jenë ndryshe nga ç’kanë qenë më parë, të jenë rekrutime të hapura dhe t’u japin mundësinë të gjithëve.
DW: Po shpesh militantizmi partiak në Shqipëri lidhet drejtpërdrejt me sigurimin e një vendi pune, sidomos në një vend me papunësi të lartë. Çfarë masash do të merrni ju për t’i ndarë këto, militantizmin nga meritokracia?
Harito: Mendoj se edhe këtu ka një legjendë. Është e vërtetë që administrata ka në tërësinë e saj 80.000 vende pune. Ka aktualisht 6.000 nëpunës civilë, dhe me ligjin e ri shkon ky numër në rreth 20.000. Ndërkohë që mazhoranca aktuale ka marrë rreth 1.milionë vota. Shumë thjesht llogaria nuk del. Nuk fitohen zgjedhjet duke shpërndarë vende pune.
DW: Shtyrja e ligjit për nëpunësin civilu prit ashpër nga opozita, madje ajo ishte arsyeja që ajo braktisi parlamentin. Ndërkohë bashkëpunimi me opozitën kërkohet si kriter nga BE. Si do veprohet për të fituar besimin e palës tjetër?
Harito: Me këshillën e Sigmës, që është edhe konsulenti i Komisionit Europian për këtë çështje e ka punuar për hartimin e ligjit u vendos që ligji të hynte në fuqi, e ky moment është i rëndësishëm. Ligji hyri në fuqi më 1. tetor, ashtu si ishte parashikuar. Është momenti më i rëndësishëm pra, se nuk ka kthim mbrapa. Konsensusi i arritur në Maj nuk u prish. Pjesa tjetër është teknikalitet i rekomanduar nga Sigma. Një gjë jashtë vullnetit tonë, sepse nga 30 maji deri në 1 tetor nuk ishte përgatitur asgjë që do ta bënte këtë ligj të zbatueshëm nga ana juridike. Kjo është një zhurmë politike e opozitës. Ndërsa çështja një teknikalitet, efektet e ligjit u shtynë për pak muaj që të përgatiten aktet nënligjore. Opozita e sotme kishte 3 muaj e gjysmë kohë që të përgatiste këto akte nënligjore. Ndërkohë kur u bënë zgjedhjet ne nuk e dinim votat që do të kishim në Kuvend dhe nuk kishim si të imagjinonim asnjë skenar nga ato që thotë opozita.
DW: Një ndër pesë kriteret e Bashkimit Europian për integrimin e mëtejshëm të vendit është edhe një administratë profesioniste dhe e depolitizuar. Keni shpresa ju se ky kriter do të përmbushet?
Harito: Kjo do të jetë një përpjekje e vazhdueshme për të gjithë mandatin tonë qeverisës. Pa dyshim që në çdo moment ne do të japim llogari për mënyrën si funksionon administrata publike. Dhe do të gjykohemi në fund të mandatit nëse kemi arritur të bëjmë disa hapa përpara në këtë drejtim.