Civici: Si ta lexojmë raportin “Doing Business 2014”?

Nga Prof. Dr. Adrian Civici, botuar në Panorama Online, 30 tetor 2013

U bënë 11 vite që Banka Botërore publikon raportin e saj “Doing Business”, në të cilin analizon në nivel global faktorët dhe elementet më esenciale të aktivitetit tregtar e ekonomik të bizneseve të vogla e të mesme të çdo vendi të botës, dhe po kaq vite, edhe në Shqipëri flitet e diskutohet për konkluzionet e rekomandimet e këtij raporti. Megjithëse “Doing Business” evidenton e analizon një set të gjerë indikatorësh sasiorë e cilësorë që në vetvete përbëjnë “radiografinë” apo “skanerin” nga më profesionalët për cilësinë e funksionimit të bizneseve, për politikat favorizuese apo penguese të tyre, për situatën ligjore e institucionale ku ato veprojnë etj., në fakt, në Shqipëri, në shumicën dërrmuese të rasteve, duket se na intereson vetëm “vendi në klasifikimin e përgjithshëm”. Detajet, ku normalisht “fshihet dhe djalli”, kalojnë në plan të dytë, përballë luftës politike e mediatike nëse “jemi rritur apo kemi zbritur në pozicionin tonë në krahasim me një vit më parë”, nëse “kemi lënë mbrapa vende të rëndësishme, apo jemi kaluar dhe nga disa vende afrikane problematike” etj.

Duket sikur gjithçka që ka të bëjë me këtë tregues të rëndësishëm monopolizohet nga politika, qeveria në pozitë që kërkon dhe gjen vetëm anët e mira dhe vështirësitë objektive kur e interpreton këtë tregues, apo opozita që tradicionalisht e përdor atë për të dëshmuar dështimet e qeverisë. Këtë vit ndoshta është ndryshe. M.q.s. të dhënat e “Doing Business 2014” shkojnë deri në qershor 2013, do të jetë opozita që do përpiqet ta justifikojë dhe pozita që do ta kalojë në lupë. Një gjë është tashmë fakt: Shqipëria renditet e 90-ta në 189 vende të botës të marra në studim, pra 5 pozicione më poshtë se një vit më parë dhe 8 vende më poshtë se dy vite më parë. Jemi pothuajse të fundit në rajon duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën.

Megjithatë, nuk është kjo çështja më thelbësore që duhet të na kënaqë apo mërzisë, pasi klasifikimi thjesht si renditje ndikohet dhe nga dy elemente “sasiore”: numri vendeve të reja që shtohen në analizë, dhe shpejtësia dhe cilësia e reformave që kanë vende të ndryshme që lëvizin ndjeshëm në klasifikim. Më shumë se kaq duhet të preokupohemi për avancimin dhe cilësinë e reformave tona, për shpejtësinë me të cilën po i realizojmë dhe, mbi të gjitha, për cilësinë dhe kapacitetin tonë vendimmarrës për përmirësimin e klimës së biznesit nga njëri vit në tjetrin. Pas çdo treguesi apo indikatori të analizuar në “Doing Business” fshihet apo qëndron një politikë specifike ekonomike, financiare apo ligjore e administrative, dhe përtej vendit në klasifikim duhet të shohim përmbajtjen e politikave dhe cilësinë e zbatimit të tyre në praktikë, duhen analizuar shkaqet dhe faktorët e suksesit apo dhe dështimeve të mjaft reformave në vende të tjera. Analiza krahasuese e reformave dhe politikave është më e rëndësishme se “lëvizjet e Shqipërisë në klasifikimin e përgjithshëm apo atë specifik për çdo tregues”. Kjo, pasi në raport theksohet në mënyrë specifike se “është shumë e rëndësishme të sigurohet një konvergjencë sa më e lartë e vendeve të ndryshme në praktikat e mira në fushën e klimës së biznesit”.

Raporti vlerëson indikatorë të rëndësishëm që korrespondojnë me etapat dhe segmentet më të rëndësishme në jetën dhe aktivitetin e një biznesi: krijimi i ndërmarrjes, marrja e një lejeje ndërtimi, aksesi në elektricitet, prona dhe lehtësia apo vështirësia e transferimit të saj, marrja e kredisë, mbrojtja e investimeve, pagesa e tatimeve dhe taksave, tregtia kufitare, realizimi i kontratave, cilësia e menaxhimit financiar, procedurat e punësimit dhe largimit nga puna. Në disa prej tyre tashmë kemi bërë hapa të rëndësishëm që thjesht duhen konsoliduar, të tilla si “marrja e kredisë” apo “mbrojtja e investitorëve” për të cilat ndodhemi në vendet 13 dhe 14 në rankimin botëror; zgjidhja e problemeve të likuiditetit, ku renditemi në vendin e 62-të, procedurat e hapjes së një biznesi, ku jemi në vend të 72-të (por me përkeqësim prej 8 vendesh në krahasim me një vit më parë – dhe kjo kërkon një analizë të veçantë se çfarë ka ndodhur që në Shqipëri janë në sens përkeqësimi këto procedura). Duke e justifikuar si të “pranueshme” dhe renditjen në vend të 85-të për tregtinë me vendet kufitare, ku pak a shumë jemi në treguesit mesatarë edhe me vendet e zhvilluara, duket se problemet e vërteta shqetësuese për klimën dhe lehtësinë e të bërit biznes në Shqipëri fillojnë me treguesit e tjerë, tregues që më shumë se shifra, luajnë rolin e një lakmuesi që tregon aciditetin e mjedisit të biznesit te ne.

Po e fillojmë nga indikatori më negativ, lehtësirat dhe procedurat e “dhënies së lejeve të ndërtimit për kompanitë e huaja”, ku zëmë, as më pak e as më shumë, vendin e 189-të, pra të fundit në botë, vend që duket se e kemi mbajtur edhe një vit më parë. Nëse duam investime të huaja, nëse duam prezencën e kompanive dhe firmave të mëdha ndërkombëtare, nëse synojmë tërheqjen e sa më shumë kapitaleve në Shqipëri, mjafton ky tregues që investitorët seriozë të tremben apo hezitojnë të investojnë në Shqipëri. Procedurat e komplikuara, çështjet e të drejtave të pronësisë, kohëzgjatja në ditë e procesit dhe kostot akoma mjaft të larta të tij janë një pengesë serioze në këtë drejtim, që kërkojnë analizë të detajuar dhe vendimmarrje të shpejtë për t’i përmirësuar. Jemi në vendin e 158-të përsa i përket aksesit dhe furnizimit me energji elektrike, ku spikat numri shumë i madh i ditëve për procedurat e lidhjes së energjisë, kontratat me sistemin shpërndarës e kontrollues apo punimet me të tretët, respektivisht 177 ditë në total me kosto që shkojnë nga 3400 deri në 16500 USD.

Problematik mbetet indikatori i pagesës së taksave, për të cilin vlerësohemi në vendin e 146-të, ku duket se problemin më të madh e kemi me dy elemente: numri i taksave që paguhen nga biznesi (42 të tilla në vit, nga respektivisht 12 që paguhen në vendet e OECD dhe 26 në vendet e Europës lindore dhe Azisë Qendrore); dhe koha e harxhuar për pagimin e këtyre taksave (357 orë në vit harxhon një biznes shqiptar për procesin e pagimit të taksave dhe tatimeve, ndërkohë që në vendet e OECD harxhohet vetëm 175 orë). Të dyja këto shifra “bërtasin” vetë për reformat urgjente që duhen ndërmarrë në lidhje me reduktimin e numrit të taksave për biznesin dhe procedurat e pagimit të tyre. Flasim shumë për taksimin e sheshtë apo progresiv, për uljen e informalitetit në sistemin e taksave dhe tatimeve, për eficiencën e sistemit tonë tatimor, por nuk flasim sa duhet për një reformë të rëndësishme, siç është ajo e përqendrimit apo reduktimit të numrit të taksave. P.sh., Maqedonia e ka reduktuar në 29 numrin e taksave që paguan biznesi në një vit, Kosova në 33, Kroacia në 19 etj.

Degradimin më të madh duket se e kemi pasur në indikatorin e realizimit të kontratave, ku renditemi në vendin e 124-rt, duke humbur jo pak, por 28 vende në krahasim me një vit më parë. Akoma kemi një numër të madh procedurash për përgatitjen e një kontrate, numër të lartë ditësh dhe kosto të konsiderueshme. E vështirë të imagjinohet klimë e qetë dhe e qëndrueshme e të bërit biznes nëse kolona vertebrale e tij në kushtet e ekonomisë së tregut, “kontrata”, paraqitet kaq problematike. Bizneset shqiptare vazhdojnë të ankohen dhe ta “pësojnë” jo pak nga kontratat problematike, nga procedurat e ngarkuara administrative e ligjore për respektimin e tyre, nga neglizhimi i kontratave të rregullta si pasojë e procedurave të zgjatura e të lodhshme etj. Kultura e respektimit të kontratave dhe të drejtave të pronësisë është akoma në nivele minimale, kur dihet nga të gjithë se esenca e funksionimit të tregut dhe një ekonomie tregu në tërësi qëndron te cilësia, transparenca, respektimi i kontratave dhe lehtësirat e procesit të falimentimit. Kjo është e vlefshme si për bizneset, ashtu dhe për shtetin apo institucionet publike. Jo më kot, një nga teoritë ekonomike më të përmendura dhe të analizuara është ajo e “kostos së transaksioneve”, që lidh eficiencën e një ekonomie apo grupe biznesesh me kostot dhe pengesat ligjore e institucionale të funksionimit të tyre.

Më shumë se sa rendja pas shifrave, një raport i tillë si “Doing Business” duhet të shërbejë për të ndërtuar me shpejtësi një paketë reformash me objektiva e indikatorë të matshëm, të tipit: ulja e procedurave dhe kohëzgjatjen në ditë me 50% brenda dy viteve; përgjysmimi i numrit të taksave (jo i të ardhurave nga taksat që janë tjetër çështje) që paguan biznesi dhe procedurave të tyre në 2-3 vitet e ardhshme; zvogëlimi drastik i procedurave të hartimit të kontratave dhe procedurave administrativo-ligjore për zgjidhjen apo interpretimin e tyre; përmirësimi dhe natyrisht zvogëlimi i procedurave për aksesin në energjinë elektrike, reduktimi me 40-50% i informalitetit etj. Përgjigjja më e mirë që mund t’u jepet konkluzioneve të “Doing Busines 2014” është hartimi i një matrice politikash e masash konkrete për vitin dhe vitet në vazhdim.

Jo më kot, në raportin e Bankës Botërore nënvizohet se “pushtetet publike fiksojnë rregullat e të drejtës së pronës, reduktojnë kostot e konflikteve kontraktore, lehtësojnë shpenzimet e transaksioneve ekonomike”. Kur këto rregulla e politika nuk janë në cilësinë e duhur, “sipërmarrësit krijojnë e menaxhojnë me vështirësi ndërmarrjet e vogla e të mesme, që janë burimi kryesor i rritjes ekonomike dhe punësimit”. Konkluzioni i raportit është se ekonomitë më të mira nuk janë ato ku rregullat janë minimale, por ato ku pushtetet publike kanë arritur të krijojnë një sistem rregullator që lehtëson funksionimin e tregut dhe mbron interesat kryesore publike, pa e kufizuar me rregulla të kota sektorin privat, një sistem rregullator që buron dhe administrohet nga institucione solide. Si rrallë ndonjëherë në gjuhën e Bankës Botërore, në “Doing Business 2014” njihet “roli fondamental që luan shteti në zhvillimin e sektorit privat”.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi