Ministri Çuçi: Reforma administrative – territoriale, brenda dy vitesh

Intervistë e S. Minxhozi me Ministrin Bledi Çuçi, botuar në Java, 30 tetor 2013

Zoti ministër, duket se po nis të marrë formë një ndër premtimet kryesore të PS gjatë fushatës elektorale, pikërisht ai që ka të bëjë me reformën e qeverisjes vendore. Tashmë kanë dalë në media piketat e para të kësaj reforme. Në mënyrë të përmbledhur, cilat janë objektivat kryesore të kësaj ndërmarrjeje komplekse?

Ju faleminderit për mundësinë që më dhatë për t’uofruar qytetarëvenjë vështrim mbi çështjet kryesore të një prej reformave më të rëndësishme e me parësore për qeverinë tonë. Qeveria shqiptare do të zhvillojë dhe do të zbatojë Reformën Administrativo-Territoriale me qëllim fuqizimin e njësive të qeverisjes vendore duke rritur kapacitetin e tyre për të ofruar shërbime të një cilësie të lartë për qytetarët dhe duke rritur efiçencën e menaxhimit të burimeve financiare dhe njerëzore të këtyre njësive. Kjo reformë është bërë e domosdoshme për të adresuar problemet e mëdha të krijuara nga fragmentarizimi i tepruar i territorit të vendit dhe për ta thelluar procesin e decentralizimit në Shqipëri, duke përfshirë decentralizimin fiskal. Reforma e decentralizimit mori hov pas miratimit në vitin 1998 nga vendi ynë të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, e cila u bë guri udhërrëfyes i kësaj reforme. Megjithë epërsinë dhe përfitimet që solli kjo reformë, ajo ruajti një hartë administrative-territoriale tepër të fragmentarizuar me 385 njësi të qeverisjes vendore. Decentralizimi nuk mori në konsideratë faktin se që nga riorganizimi i fundit i madh i njësive vendore në vitin 1992, bilanci i kostove dhe përfitimeve të ruajtjes së shumë njësive të vogla të qeverisjes vendore kishte ndryshuar shumë për shkak të migrimit masiv të brendshëm, progresit teknologjik dhe rritjes së pritshmërive të qytetarëve lidhur me  shërbimet që ata presin nga qeveria vendore. Ndërkohë, shumë vende të tjera evropiane kanë ndërmarrë në dy dekadat e fundit ristrukturimin administrativo-territorial të njësive të qeverisjes vendore me qëllim që të riparojnë ‘dëmet’ e shkaktuara nga fragmentimi territorial i pajustifikuar.

Një reformë e tillë do të sjellë, mesa është thënë deri tani, një shkurtim të fortë të numrit të subjekteve të qeverisjes vendore. Sa i thellë parashihet ky proces? A keni shifra konkrete të përmasave që do të ketë kjo rrudhje?

Nuk do ta quaja rrudhje, por konsolidim administrativ dhe territorial të njësive të qeverisjes vendore. Ka pasur një inflacion informacioni mbi numrin e ardhshëm të njësive vendore. Në fakt ekzistojnë vetëm qëndrime dhe analiza apo studime të kryera nga ekspertë apo organizma jashtë qeverisë. P.sh., Shoqata e Komunave është shprehur se numri i njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri duhet të jetë 160, pra, thënë ndryshe, vetë përfaqësuesit e njësive tëqeverisjes vendore shprehen pro reformës dhe propozojnë një shkurtim thuajse me 50% të numrit të tyre. Ndërkohë, vitin që shkoi, një grup ekspertësh suedezë shqyrtuan gjendjen aktuale të qeverisjes vendore në Shqipëri dhe rekomanduan që në vendin tonë duhet të ketë maksimumi 80 njësi vendore, bashki apo komuna. Ne si qeveri nuk e kemi paracaktuar dhe nuk do të paracktojmë në mënyrë arbitrare numrin e njësive vendore. Për ne është e rëndësishme që bashkitë, komunat apo qarqet të jenë të afta të ofrojnë shërbimet publike për qytetarët në sasinë dhe cilësinë që jua kërkon ligji. Aftësia për t’i kryer këto shërbime patjetër që kërkon arritjen e një masë kritike të madhësisë territoriale, numrit të popullsisë, aftësisë për të gjeneruar burime të ardhurash dhe kapaciteteve njerëzore për secilën njësi vendore. Këto lloj kriteresh objektive, por edhe të tjera, do të jenë kriteret që do të dalin nga analizat dhe studimet qëGrupi i Punës për Reformën Administrativo-Territoriale do t’i rekomandojë Qeverisë për të vijuar procesin e kësaj reforme. Mbi bazën e këtyre kritereve do të hartohet një ligj specifik që do të paraqesë kriteret, metodologjinë, procesin dhe strukturat që do të përcaktojnë numrin e njësive vendore në ndarjen e re administrative-territoriale të vendit.

A keni mundur të hartoni qoftë edhe një draft fillestar të faturës financiare që do të ketë kjo reformë?

Kryerja e Reformës Administrativo-Territoriale – po ta shikojmë si proces pune – patjetër që ka një faturë financiare që ne e kemi detajuar. Pjesa më e madhe e saj do të mbulohet me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë. Ndërkohë, fatura financiare në kuptimin e përfitimeve buxhetore apo ekonomike që do të sjellë reforma në periudhën afatshkurtër dhe afat­gjatë është akoma pjesë e analizave dhe studimeve që po bën Grupi i Punës. Por një gjë është e sigurtë: njësi më të mëdha të qeverisjes vendore do të mund të përfitojnë më shumë funksione të deleguara nga pushteti qendror, pra edhe më shumë fonde për t’i kryer këto funksione; do të mund të mbledhin më shumë të ardhura nga asetet e tyre dhe nga taksat vendore, ndaj do të mund të ofrojnë më shumë shërbime dhe do të mund të bëjnë më shumë investime publike, nga të cilat përfitojnë qytetarët; si dhe do të mund të përfitojnë drejtpërsëdrejti dhe më shumë nga programet e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke përfshirë ato që financohen nga BE-ja.

Nga ana tjetër, dimë se sa i kushton taksapaguesit shqiptar mbajtja e një administrate lokale, e cila nuk kryen asnjë lloj shërbimi. Po i referohem të dhënave nga Ministria e Financave,të cilat tregojnë se vetëm për administratën e komunave shpenzohen në vit 2,5 miliardë lekë  apo 25 milionë dollarë, një faturë e kripur kjo, nëse mbajmë parasysh se 80% e komunave nuk kryejnë asnjë lloj shërbimi publik ndaj qytetarëve.

Po nga pikëpamja e modifikimeve ligjore, sa e vështirë paraqitet kjo sfidë? Cilat janë drejtimet kryesore të modifikimeve ligjore që do të duhet të hartoni?

Një ndarje e re administrative-territoriale duhet të miratohet me shumicë të kualifikuar, pra nga 3/5 e anëtarëve të nga Kuvendi i Shqipërisë. Do të ketë nevojë edhe për ndërhyrje ligjore në ligjet e tjera referuese që lidhen apo ndikohen nga kjo reformë.Për fat të mirë, ne kemi ekspertë shumë të aftë vendas dhe të huaj që do të kontribuojnë në përgatitjen e paketës ligjore për këtë reformë dhe kemi garanci për gatishmërinë e tyre për të na ndihmuar në këtë proces.

Një reformë madhore duhet të jetë edhe një marrëveshje politike madhore nga pas. Cilat janë reagimet e opozitës për projektin tuaj?

Shumë e drejtë pyetja që ngrini. Kjo reformë para së gjithash është një reformë e natyrës shtetformuese dhe, në këtë kuptim,arritja e një marrëveshjeje politike është e nevojshme dhe e këshillueshme. Qeveria është e përkushtuar të kërkojë dhe të përkrahë një konsensus të gjërë për këtë reformë në të dyja nivelet: në atë politik dhe në nivelin teknik. Në nivel politik, ne i njohim Kuvendit të Shqipërisë një rol udhëheqës për këtë reformë. Kjo do të mishërohet në ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, e cili do të propozojmë të bashkë-udhëhiqet nga një përfaqësues i shumicës dhe një përfaqësues i pakicës në Kuvend. Kemi një pikënisje që na jep shpresë: drejtues e përfaqësues të të lartë të opozitës, si Kryetari i Partisë Demokratike dhe Kryetari i bashkisë Tranë, z. Lulëzim Basha,  janë shprehur haptas dhe qartë në përkrahje të nevojës për një reformë administrativo-territoriale në Shqipëri. Ne kemi filluar dialogun me disa udhëheqës të opozitës, duke përfshirë z. Dashamir Shehu, Kryetarin e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, dhe mirëpresim që ata të luajnë një rol të rëndësishëm në hartimin e kësaj reforme.  Emëruesi i përbashkët i këtyre qëndrimeve të qeverisë dhe të opozitës përforcohet gjithashtu nga rekomandimet e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, OSBE-së, UNDP dhe të tjerë partnerë ndërkombëtarë që e mbështesin Reformën Administrativo-Terrioriale në Shqipëri dhe përfshirjen konstruktive të opozitës në të. Në nivelin teknik, ne kemi siguruar përfshirjen në hartimin e reformës të ekspertëve që janë pranë qendrimeve të opozitës lidhur me çështjet e qeverisjes vendore.

Dua të theksoj edhe diçka tjetër të rëndësishme. Siç e thamë qartë dhe me zë të lartë në Konferencën Kombëtare mbi Reformën Administrativo-Territoriale, që zhvilluam javën e kaluar, qeveria jonë do ta sigurojë që procesi i hartimit dhe zbatimit të kësaj reforme të jetë gjithëpërfshirës dhe në dialog të hapur, të vazhdueshëm dhe kuptimplotë me opozitën, por edhe me përfaqësuesit e qeverisjes vendore, komunitetet, shoqërinë civile, sipërmarrjen private, ekspertët vendas, dhe partnerët ndërkombëtarë. Për ne, kryerja e reformës përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent është po aq i rëndësishëm sa edhe rezultati i reformës, prandaj do të krijojmë të gjitha hapësirat dhe instrumentet e nevojshme për të arritur marrëveshjen maksimale politike dhe shoqërore për këtë reformë. Një hap i parë ishte edhe krijimi nga ne i një faqe interneti të posaçme për reformën (www.reformaterritoriale.al),  e cila do të shërbejë si një dritare komunikimi me të gjithë institucionet dhe grupet e interesuara për të.

Qeveria ka pak kohë në dispozicion, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme lokale të kryhen me ndarjen e re administrive. Cilat janë etapat nëpër të cilat do të kalojë reforma, deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm, që duket si kufiri i fundit kohor?

Ne kemi premtuar se do ta hartojmë dhe vemë në zbatim një ndarje të re administrativo-territoriale të vendit para zgjedhjeve për pushtetin vendor në vitin 2015. Mendoj se do t’ia dalim, duke marrë parasysh se nuk po e nisim punën nga pika zero. Përpjekjet për këtë reformë kanë nisur që në vitin 2003. Veprimi politik lidhur me reformën mbeti në vend gjatë periudhës 2005 – 2013, pavarësisht deklaratave, besoj të sinqerta, për nevojën e saj. Por, gjatë kësaj kohe u kryen nga ekspertë vendas e të huaj analizat e duhura për gjendjen aktuale të qeverisjes vendore dhe skenarët e mundshëm të rikonfigurimit të ndarjes adminisrativo-territoriale të vendit. Ne jemi tani në procesin e përditësimit dhe rifreskimit të këtyre analizave dhe të përgatitjes së ligjit që do të përcaktojë ecurinë e reformës dhe kriteret për përcaktimin e ndarjes së re administrativo-territoriale te vendit. Pas miratimit të kësaj baze ligjore, do të fillojmë menjëherë një proces të gjerëkonsultimesh publike mbi numrin dhe formën e njësive të reja vendore, që shpresoj se do të zhvillohet nga fillimi i vitit të ardhshëm. Pas këtij procesi sfidues dhe shumë intensiv, do të vijojë edhe faza e vendim-marrjes në Kuvendin e Shqipërisë.

Nga pikëpamja politike dhe organizative, procesi do të udhëhiqet nga unë në cilësinë e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore dhe do të ndihmohet teknikisht nga Sekretariati Teknik dhe Grupi i Punës për Reformën. Siç e përmenda më lart, për arritjen e konsensusit në nivel politik do të krijohet një Komision i Posaçëm në Kuvendin e Shqipërisë.Në nivelin vendor do të ngrihen Komitetet Rajonale për Reformën Adminstrativo- Territoriale të kryesuara nga prefektët dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të njësive të qeverisjes vendore, kurse Koordinatorët Rajonalë për Reformën do të ndihmojnë teknikisht procesin e konsultimeve dhe të vendim-marrjes me të gjithë grupet e institucionet e interesuara në nivel vendor.

Ne do t’ia dalim edhe sepse nuk jemi të vetëm në këtë reformë. Gëzojmë përkrahjen e plotë të partnerëve të rëndësishëm ndërkombëtarë siSIDA, delegacioni i Bashkimit Europian, OSBE, USAID, Zyra Zviceriane për Bashkëpunim Ndërkombëtar,  Agjencia Austriake për Zhvillim dhe UNDP,të cilët na kanë ofruar ndihmë teknike dhe përkrahje financiare për përgatitjen e bazës ligjore për reformën, si dhe të procesit të konsultimeve publike për të. Gjej rastin t’i falenderoj për dashmirësinë dhe përkrahjen e tyre shumë të vyer.

Po qeverisja vendore si po e pret lajmin se do të jetë subjekt i një gërshëre të konsiderueshme në të gjithë territorin kombëtar, aq më tepër kur sheh se PS zotëron sot pjesën dërrmuese të pushtetit vendor në Shqipëri?

Përfaqësuesit e qeverisjes vendore e përkrahin Reformën Administrativo-Territoriale dhe kanë qenë për shumë vite promotorë të nevojës për këtë reformë. Siç përmenda më lart, Shoqata e Komunave mbështet idenë se duhet të kemi 160 njësi vendore në Shqipëri, pra, ka dalë me një propozim konkret për këtë reformë. Ndërkohë, reforma do të hartohet me pjesëmarrjen në çdo hap të përfaqësuesve të qeverisjes vendore dhe do të zbatohet duke u dhënë njësive të qeverisjes vendore një kohë, gjatë së cilës ato mund të realizojnë bashkimin vullnetar me njësi të tjera fqinje ose me interes reciprok. Përkatësia politike e drejtuesve të njësive vendore nuk është dhe nuk duhet të jetë faktor ndikues në procesin e reformës, sepse ndarja e re administrativo-territoriale nuk do të marrë parasysh dhe nuk do të ndikohet nga harta aktuale politike e Shqipërisë, që do të thotë se ndarja e re do të jetë indiferente apo neutrale në raport me rezultatin e zgjedhjeve për pushtetin vendor të vitit 2015.


    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi