Gjika ose dy standartet e politikës
Nga Fatos Çoçoli, botuar në Shqip, 30 tetor 2013
Të dielën, opinioni publik u njoh me shpalljen nga Prokuroria të pandehur të Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, për akuzën e falsifikimit të procesverbalit të Këshillit të Rregullimit të Territorit të qytetit tre vite më parë. Reagimi i Kryeministrit të vendit ndaj një bashkëpunëtori të ngushtë të tij, të akuzuar nga një organ kushtetues që mbron interesat e shtetit, vendosi një standard të ri në politikën shqiptare. Atë të respektimit të institucioneve të pavarura të këtij vendi dhe të mospërfshirjes dhe mosndikimit në publik, lidhur me punën e tyre. Kryeministri i sotëm kishte shumë për të thënë, nëse do të donte të kopjonte paraardhësin e vet. Mund të shprehej se Prokuroria, me një sfond politik të qartë, gjeti pikërisht ditën kur në Vlorë shembej një shtatëkatësh që pengonte rrugën e këmbësorëve të qytetit, për të sulmuar kryebashkiakun socialist të tij për një vendim të marrë tre vjet më parë. Se akuza është e këtillë apo e atillë, apo se Kryeprokurori i bindet verbërisht këtij apo atij. Nuk e bëri. Theksoi vetëm se s’bëhet mburojë politike e askujt dhe drejtësia duhet të thotë fjalën e saj. Praktikisht vendosi atë standard që e kemi pritur në këto 22 vite tranzicion. Atë të mosndërhyrjes së politikës në punën e institucioneve të pavarura të shtetit. Të paktën jo publikisht, me gjuhën e forcës dhe të të sharave. Këto ndërhyrje kanë qenë të rëndomta në periudhën e tranzicionit. Në jo pak raste, ato janë treguar fatale për punën normale të institucioneve si prokuroria dhe gjykatat. Rezultati ka qenë që, me gjithë përfoljet e jashtëzakonshme nëpër media dhe në bisedat e përditshme të qytetarëve, nga shumë dosje të rëndësishme akuzash për abuzime ministrash me tenderë, privatizime e punë të tjera publike, shumë pak prej tyre kanë përfunduar në dyert e gjykatave. Ose dhe kur kanë përfunduar aty, gjykatësit janë përvjedhur nga detyra dhe i kanë shtyrë pambarimisht gjyqet, duke djegur afatet e gjykimit. Kulmi i ndërhyrjeve mbi institucionet e pavarura ka ardhur në dy raste, kur dy Kryeministra të mëparshëm, kanë vënë nën tension të fortë Prokurorët e Përgjithshëm të vendit, njërin duke e detyruar të japë dorëheqjen dhe tjetrën duke e sharë me fjalor rrugësh. Kjo ka sjellë nënshtrimin të paktën të pjesshëm, në mos total të disa institucioneve themelore të shtetit, ndaj interesave dhe pasioneve të ditës të politikës. Prokuroria, institucioni i akuzës së shtetit nuk ka mundur të përgatisë dosje të thelluara për abuzimet e zyrtarëve më të lartë të qeverisë, me gjithë përfoljet e shumta publike. Hetimet e saj kanë ngecur rrugës, ose nuk kanë filluar kurrë, edhe pse provat mund të gjendeshin. E gjitha kjo pafuqi e prokurorisë dhe gjykatave nuk ka të bëjë dhe aq me nivelin profesional të prokurorëve dhe gjykatësve, se sa me bllokimin apo terrorizimin e punës së tyre nga politika. Sidomos nga krerët më të lartë të qeverisë deri vonë. Prandaj dhe reagimi i Kryeministrit Rama vjen si ujë në një tokë të zhuritur. Shpresojmë të gjithë që prokurorët të kenë marrë zemër dhe t’i shkojnë deri në fund me profesionalizëm gjykimit jo vetëm të rastit Gjika, por edhe të dhjetëra dosjeve që sot po dorëzon ekzekutivi dhe që opinioni publik pret me padurim të shqyrtohen dhe akuzat e shtetit të bëhen shpejt publike, sikurse mashtrimi me Taksën mbi Vlerën e Shtuar, abuzimet në Dogana, Policinë e Shtetit, e me radhë. Ndoshta prokurorët do të ndihen më në fund të çliruar t’u kthehen dhe dosjeve të vjetra, të ngrira nga reagimi herkulian i politikës dhe qeverive të mëparshme, për t’ua lidhur duart, ose për t’ua drejtuar aty ku kanë interes politikanët në qeverisje. Prokuroria ka rastin të tregojë veten se nuk është peng i “ndereve” të shkuara, por institucion që kërkon drejtësinë dhe vetëm drejtësinë në dosjet që përgatit dhe çon në gjykata.