Në kërkim të një presidenti

Nga Gani Elezi, botuar në Shekulli, 29 tetor 2013

Roli i presidentit, si duhet të zgjidhet ai, cilat janë kompetencat e tij? Pyetje të tilla  kanë  vënë në lëvizje, në punë analistë, politikanë, historianë. Dikush, presidentin e konsideron si figurë honorifike, ceremoniale, me të drejta vetëm për të dekretuar ligje, akte normative, datat e zgjedhjeve politike, data festive e për të dhënë dekorata. Kështu, thonë ata, duhet të jetë presidenti në republikat parlamentare, ku figura më e rëndësishme është kryeministri. Disa të tjerë duan një president me më shumë kompetenca, me më shumë mundësi për të ndikuar në mbarëvajtjen e punëve të shtetit, meqë ai  përcaktohet si garant i  ”unitetit” të  kombit, të vendit. Të tjerë e mendojnë presidentin me kompetenca edhe ekzekutive, ashtu si është p.sh në SHBA, në Rusi, në Francë etj.. Ne i kemi provuar të gjitha llojet e staturave  presidenciale. Para viteve 90-të kemi  patur  presidentin honorifik, që ishte në të njëjtën kohë, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në atë botë udhëhiqte partia dhe drejtuesi kryesor i saj. Në fillim të viteve ‘90 provuam presidentin që, edhe pse honorifik , mori të gjithë kompetencat dhe e la qeverinë me gisht në gojë, edhe pse kryeministri i asaj kohe ishte me “mustaqe”. Atë botë ishte koha e Sali Berishës, që donte të kishte gjithçka në dorën e tij. Kemi provuar edhe presidentë tamam honorifikë që, nuk dolën dot nga “kështjella “ e tyre e kompetencave kushtetuese  edhe kur vendi shkonte drejt rreziqeve të mëdha. E provuam këtë në vitin 1998, kur edhe pse Sali Berisha organizoi grushtin e shtetit, dhunoi institucionet e shtetit, madje deklaroi në TV se “qeveria ra”, presidenti u fut në lojë vetëm pasi  faktori ndërkombëtar e detyroi  Berishën të  tërhiqej nga ky veprim antikushtetues. Edhe  përpjekja që bëri  Moisiu për “pavarësi” është gjykuar si një tekë  që i vjen atij nga backroundi familjar dhe përvoja ushtarake. Gjithsesi ai është shembulli që shumë analistë i referohen kur duan të flasin për një president  në të “drejtën” e tij kushtetuese. Në gjithë këto përvoja  kemi parë  një farsë-komedi  të vërtetë. Tani, aktualisht, kemi modelin e presidentit  militant partiak. Kemi  presidentin  Nishanin që, edhe pse me “mustaqe’’, jo shumë me dëshirë të tij, por nga tuta prej “udhëheqësit”, nuk del dot nga pozicioni i një anëtari të thjeshtë të partisë së tij, nuk vepron dot në pavarësi institucionale. Nxitur nga kjo përvojë e keqe, te ne ka përpjekje  për ta vlerësuar më shumë rolin dhe funksionin kushtetues të presidentit. Zgjedhja e tij në popull është një nga rrugët që mendohet më së shumti. Edhe unë  jam i këtij varianti. Por nuk është se kjo rrugë  do të zgjidhë plotësisht  problemin. Çështja nuk është te mënyra e zgjedhjes, por te integriteti politik, moral e profesional i  personit që vjen në këtë post. Mjaft presidentë, edhe pse jo të zgjedhur në popull. por në parlament, kur kanë zotëruar integritet të lartë politik e moral, kanë qenë faktorë të rëndësishëm në drejtimin e shteteve të tyre. Po sjell disa shembuj nga Italia, që shpesh është konsideruar si shteti me krizat më të shumta qeveritare. Në vitet kur Lega Nord e Umberto Bosit kërkonte federalizimin e Italisë, ndarjen e veriut  nga jugu, madje  krijoi edhe kuvendin e  Padanias, presidenti i atëhershëm Skalfaro “kërcëlloi dhëmbët” dhe paralajmëroi se “…çdo kush që tenton të prekë unitetin e Italisë duhet të përgjigjet para ligjit për veprime antikushtetuese”. Në fakt, një vendosmëri e tillë e presidentit Skalfaro, edhe pse “honorifik” i uli  shumë orekset  federaliste të kësaj partie e të drejtuesit të saj. Tjetër fakt. Në votimet e fundit në  Itali nuk e përvijua një shumicë e qartë parlamentare. PD-ja nuk siguroi shumicën e duhur as në senat, as në dhomën e deputetëve, pra  nuk mundi të krijojë shumicën e qëndrueshme për qeverisje. Situata po shkonte drejt zgjedhjeve të reja, që do të ishin  një sakrificë e një dëm i madh për Italinë e zhytur në krizë  ekonomike, financiare e morale. Nuk arritën të zgjedhin as presidentin e ri. Iu kërkua kështu Napolitanos të mbante edhe për një mandat tjetër postin e presidentit. Ai megjithëse më parë  kishte deklaruar se nuk ishte më as në  mundësitë, as  në moshën e tij të pranonte edhe për një mandat një barrë të tillë, pranoi. E mori këtë vendim jo se kishte “takat” për një ndërmarrje të tillë, por nga  rreziku që i kanosej vendit  nëse do thellohej më tej kriza politike. Por ai vuri kushte .”Më vutë  prift nuk lejoj të më rruani mjekrën”. Dialogoi me partitë dhe krijoi qeverinë me bazë të gjerë PD-PDL e disa  parti të tjera, me Enriko Letën, kryeministër. Por interesat partiake e personale kërkuan t’ia “rruanin” mjekrën. Berluskoni ,për të shpëtuar nga ndëshkimi ligjor e për të  ruajtur pozitën e tij politike, e futi përsëri  Italinë në krizë,kërkoi të tërhiqte nga qeveria ministrat e partisë së  tij duke  rrezikuar  zgjedhje të reja, që do të ishin me pasoja edhe më të rënda. Por Napolitano nuk kishte ndërmend  ta “rruante” mjekrën, I kishte paralajmëruar më parë. Ai u tha politikanëve  ndal. Do të bëhet  si i intereson vendit dhe jo si i intereson partive, aq më pak udhëheqësve të tyre. Vendimi? Berluskoni në hallet e tij, qeveria në krye të punëve  të shtetit, në interes të zhvillimit e të stabilitetit të vendit. Ç’dua të them? Edhe një president “honorofik, ceremonial” i ka të gjitha mundësitë të kontribuojë  për të mirën e popullit,të  vendit të tij. K jo nuk varet nga fakti se je i zgjedhur në këtë apo në atë mënyrë,  por nga integriteti moral e politik i cilitdo në këtë detyrë. Kjo duhet të kuptohet nga ne shqiptarët, nga populli, por edhe nga ata që i vëmë në këtë post të lartë. Si mund ta mësojnë këtë presidentët tanë? Mirë do të ishte që ata të regjistroheshin e të bënin kurse trajnimi, në kohë të caktuar, te presidenti pa “mustaqe”, madje mbi 80 vjeçar” i Italisë, Napolitano. Nuk e kam me shaka,madje duhet shpejtuar se  ai, si thuhet në këtë kufi moshe, i “ka ditët e numëruara”.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi