Themelet të parat
Nga Ilva Tare, botuar në Java, 28 tetor 2013
Vetëm një shtet i ngritur mbi themele të shëndosha parimesh dhe vlerash garanton pushtete të shëndetshme nga sëmundja e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Por a ekziston një shtet i tillë?
Stefan Fule dhe njerëzit e tij në Bruksel dhe në vendet që synojnë të bëhen një ditë anëtare të bashkimit Europian duhen përgëzuar për moton e këtij viti të progres raporteve të zgjerimit. Themelet të parat- ishte më shumë se një logo që mbështillte raportet voluminoze për cdo shtet të rajonit të Ballkanit. Pas shumë vitesh e dështimesh për shkak të diferencave jo vetëm në gjuhë të ndryshme por sidomos në mentalitete të paërshtatshme lehtësisht me vlerat e një familjeje me standarde të tjera.
Ajo cfarë ka ndodhur në Shqipëri dy dekadat e fundit është një rezistencë herë paqësore dhe herë luftarake për të mos ndërtuar shtet dhe aq më pak themelet e tij. As historia e këtij vendi të dërrmuar nga diktatorë e skicofrenë nuk ka qenë në krahun tonë. Kadare përmend një tipar të diktoatorit Hoxha tek “Aksidenti” që shpjegon pse ky popull ka mbetur viktimë e dhunës së më të fortëve. Servilët ishin preja më e lehtë për diktatorin. Ata i veleshin shpejt dhe kishin fundin e të persekutuarit. Ndërsa tradhëtarët, jo besnikët e intrigonin më shumë dhe përpiqej ti mbante afër.
E njëjta rutinë është përsëritur nga njëri udhëheqës tek tjetri. Të njëjtat simptoma të shafqura tek Berisha, Rama, e së fundi Basha. Ndryshon Meta i cili ka aftësinë të jetë njerëzor dhe i paqtë si me besnikët ashtu edhe me tradhëtarët e tij. Shqiptarët janë ushqqyer këta 20 vjet me humorin e politikanëve që kanë drejtuar këtë vend. Interesi i tyre ka qenë të kishin pushtet mbi gjithcka, vecanërisht mbi shtetin dhe thelemet e tij. Mungesa e shtetit të së drejtës dhe e institucioneve përgjegjëse për llogaridhënien i kanë bërë ata jo thjesht politikanë të paprekshëm dhe jetëgjatë në pushtet, por do të mbeten të tillë edhe kur të mos jenë më në karrige. E gjitha kjo sepse nuk ka sistem të pavarur drejtësiee gjykatash që të funksionojë pa teshtimën e pushtetit.
Sali Berisha pranoi publikisht të nesërmen e rekomandimit të statusit kandidat atë që pothuajse e dinin të gjithë shqiptarët. Ai nuk ka ikur nga Sali Berisha dhe nga politika, por vetëm nga Partia Demokratike. Meriton një duartrokitje të madhe për sinqeritetin. Pakkush nga politikanët e sotëm ruajnë këtë raport sinqeriteti me qytetarët e këtij vendi. Asnjë nga këta politikanë nuk i shpëton dot vetes. As Rama, as Basha e as të tjerët nuk mund të jenë përjashtim nga ky rregull njerëzor.
Çështja është se Shqipëria nuk ka luksin e të pasurit të institucioneve që zbatojnë ligjet dhe shtetin e së drejtës duke e mbajtur pushtetin nën kontroll. Thelbi i cështjes është tamam ajo që ka frymëzuar Brukselin për zgjerimin në 2013, mungesa e themeleve. Mbi një shtet të kalbur nga rrënjët nuk mund të ngrihet as sistem, as institucione, as iluzione për një ngrehinë vlerash që ndëshkojnë paligjshmërinë dhe kundravajtësin. Porse nga ana tjetër të fillosh të ngresh themelet një shtet të kalbur me korrupsion dhe konflikt interesi është pak të thuash është e pamundur.
Ngritja e themeleve dhe e parimeve bazë të një shteti nuk mund të bazohet në orekse personale dhe as faktorë biologjikë. Ndonjëherë më shpejt dalin në pension politikanë që sapo kanë nisur politike për shkak të kompromiseve që u është dashur të bëjnë në themelet e karrierës së tyre. Dhe ata që kanë mbushur moshën për të qenë pensionistë kanë aftësi rigjeneruese që do ti kishte zili edhe adoleshenti më energjik i lagjes politike të mbushur me fije telash që legjitimojnë paligjshmërinë. Vetëm një shtet i ngritur mbi themele të shëndosha parimesh dhe vlerash garanton pushtete të shëndetshme nga sëmundja e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Por a ekziston një shtet i tillë? A është Bashkimi Europian një bashkim shtetesh imune nga krimbat e korrupsionit dhe krimit të organizuar? As vetë Fule nuk e thotë dot këtë, por të paktën në vendet me institucione solide ndryshimi është se politikanët e korruptuar përfundojnë në burg ndërsa në shtete si tonat mbeten në mos në pushtet në politikë…